G20 – drejt një qeverisje më globale

Rezultatet e takimit të G20 në Londër, më shumë se sa konkluzione finale, mund të quhen edhe nisja e një filozofie të re në përballimin dhe zgjidhjen e problemeve globale. Instrumenti dhe metoda e pranuar gjerësisht është “forcimi i qeverisjes globale”. Kriza ekonomiko-financiare që po trondit botën pati të paktën dhe një vlerë pozitive po aq të spikatur sa pasojat negative të saj. Emri i këtij “produkti” të ri të sapolindur quhet “rregulli i ri ekonomik botëror”. Pushteti ekonomik e financiar planetar, deri tani i kufizuar dhe përcaktuar pothuajse tërësisht nga vendet perëndimore dhe Japonia në kuadrin e G7 (SHBA, Kanada, Gjermani, Japoni, Francë, Britania e Madhe, Italia), u zgjerua në një “klub” më të gjerë vendesh e fuqish të reja ekonomike botërore, duke u bërë G20 (plus vende si: Kina, India, Brazili, Meksika, Argjentina, Afrika e Jugut, Turqia, etj.). Në përfundim të samitit, Kryeministri britanik Brown theksoi si primare “lindjen e një rregulli të ri botëror”, ndërkohë që kancelarja gjermane Merkel nënvizoi se bëhet fjalë për “një kompromis historik në përgjigje të një krize të jashtëzakonshme”. Në këtë linjë u rreshtua dhe presidenti francez Sarkozy, kur deklaroi se “në këtë samit u shkua shumë më larg se sa mund të ishte imagjinuar”.

Më shumë se gjithçka, kriza e tanishme vendosi mjaft pikëpyetje mbi eficencën dhe rolin e disa institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, të formatuara dhe lulëzuara veçanërisht në ato që rëndom quhen “vitet e mbizotërimit të logjikës e politikave derregulluese ose tërësisht liberale”. Drejtuesit më të lartë të fuqive kryesore ekonomiko-financiare të planetit “e vunë pikën mbi i” pa asnjë ekuivok: “qeverisja planetare duhet rikompozuar”. “Arkitekturë e re financiare”, “rregulla të reja transparence e supervizioni të bankave e tregjeve financiare”, “eliminim përfundimtar i parajsave fiskale”, “politika monetare më moderne me instrumente e spektër më të gjerë veprimi”, “eliminim i çdo supershpërblimi për drejtuesit dhe menaxherët e lartë ekonomikë e financiarë”, “revizion thelbësor i normave dhe standardeve kontabël”, “përmirësimi i instrumenteve dhe zgjerimi i ndihmës për zhvillim për vendet e varfra”, “eliminimi i sekretit bankar”, “rikthimi i besimit për rritjen ekonomike dhe punësimin” etj., ishin fjalët çelës të deklaratës finale të Londrës.

Rikompozimi dhe ndryshimi i bazave të qeverisjes planetare fillon me ndryshimin e statusit, fushës së veprimit, instrumenteve dhe objektivave të katër nga institucionet më të rëndësishme të botës, FMN-së, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Forumit të Stabilitetit Financiar (FSF). Reformimi i tyre përbën themelet e arkitekturës së re ekonomiko-financiare të botës për shekullin e XXI-të. E reja më e madhe dhe shumë e mirëpritur e këtij qëndrimi të ri është fakti se për ndërtimin e kësaj arkitekture të re është se, “për ndërtimin e saj janë ftuar si ortakë edhe shumë vende të tjera përveç G7”, vende që bëjnë pjesë në të ashtuquajturat “ekonomi emergjente” si dhe mjaft vende ekonomikisht të zhvilluara si Afrika e Jugut, Argjentina, Turqia, Meksika, Kili, Australia etj.

Të gjithë duket se janë dakord se fituesi më i madh i kësaj reforme qeverisëse planetare është FMN-ja. Mjetet e saj financiare pritet të trefishohen duke kaluar nga 250 në 750 miliardë dollarë, shumë që do t’i krijojë mundësi FMN-së që të ushtrojë një rol dhe ndikim mjaft më të madh se deri tani në rolin e saj si “ruajtëse e ekuilibrave makroekonomikë botërorë dhe mbështetëse e vendeve në vështirësi financiare”. Në Londër duket se u ra dakord se shuma shtesë prej 500 miliardë dollarësh në buxhetin e FMN-së do të vijë 50% nga kontributi i shteteve anëtare dhe 50% nga “e drejta e tërheqjes speciale”. Por, e gjithë kjo nuk kaloi pa debate e qëndrime shpesh diametralisht të kundërta të vendeve pjesëmarrëse në takimin e G20. Fillimisht u mendua se mjaftonte që «vetëm të dyfishoheshin burimet financiare të FMN-së», por nën insistimin e presidentit Obama horizonti i reformimit të FMN-së u shty shumë më tej se kaq. Vendet e G20, duke dashur të dëshmojnë sa më qartë preokupimin e tyre për vendet e varfra, si dhe për të eliminuar frikën e këtyre të fundit se “kriza do ta spostojë vëmendjen e ekonomive të zhvilluara nga vendet në nevojë”, propozuan autorizimin e FMN-së që të shesë një pjesë të rezervave të saj të arit për të pasur gamë më të gjerë mundësish në kreditimin apo dhënien borxh te vendet në nevojë urgjente, sidomos ato afrikane. G20, nën presionin dhe kërkesat e vazhdueshme të Kinës, kërkon shpejtimin e diskutimeve për reformimin e të drejtës së votës në këtë institucion, dhe mbi të gjitha kërkohet “rritja e kapacitetit dhe aftësisë ndërhyrëse të FMN-së për parandalimin dhe zgjidhjen e krizave”. Në fund të fundit, ajo që synohet duket se është “roli i ri i FMN-së si një ministri botërore financash”.

Institucioni i dytë për të cilin kërkohet një reformim i thellë nuk është shumë i mediatizuar, por gjithsesi konsiderohet shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për Forumin e Stabilitetit Financiar të krijuar gjatë krizës aziatike të një dekade më parë dhe që kryesohet nga Mario Draghi, guvernator i Bankës së Italisë. Qëllimi i këtij forumi ka qenë “kontrolli i praktikave të gabuara financiare që mund të çonin në një prishje të ekuilibrit të sistemit financiar ndërkombëtar”, objektiv që vlerësohet “i paarritur”, megjithëse në shumë raste, ky forum ka dhënë sinjale alarmi. Për të ardhmen u ra dakord që ky forum të zgjerohet dhe të përfshijë të gjithë anëtarët e G20, Spanjën dhe Komisionin Europian. Synimi kryesor është shndërrimi i tij në “xhandarin botëror të tregjeve dhe institucioneve financiare” në shkallë globale. I krijuar nën iniciativën e ish-Presidentit të Bundesbank-ut gjerman Hans Tietmeyer, me qëllim që t’i krijonte mundësi bankierëve qendrorë që të amortizonin fuqitë dhe kompetencat e FMN-së, tashmë, në samitin e Londrës, ky forum ftohet të bashkëpunojë ngushtë me vetë FMN-në. Forumi i Stabilitetit Financiar do të transformohet së shpejti në një “Këshill të stabilitetit financiar”, duke u institucionalizuar në të gjitha strukturat e tij vepruese.

Ndryshimeve të rëndësishme pritet t’i nënshtrohet dhe Banka Botërore. Aftësia dhe kapaciteti i saj për të ofruar kredi e financuar zhvillimin do të kalojë nga 200 në 300 miliardë dollarë brenda një periudhe të shkurtër vetëm dyvjeçare, 2009-2011. Përveç kësaj, samiti konkludoi edhe në faktin se brenda vitit 2010 Banka Botërore duhet të ristrukturojë edhe procesin e të drejtës së votës brenda saj, sidomos kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme strategjike. Shuma totale e propozuar në samit për gjithë masat dhe reformat anti-krizë e post-krizë ishte rreth 1100 miliardë dollarë. Parashikimet dhe objektivat e G20 janë optimiste, për 2010 vlerësohet se PBB do të rritet me 4%, pra rreth dy herë më shumë se mjaft parashikime pesimiste të FMN, OECD etj.

Jashtë këtij procesi nuk mund të rrinte dhe institucioni tjetër ndërkombëtar, Organizata Botërore e Tregtisë, e cila, e thënë me një gjuhë paksa diplomatike, “u ftua të mbyllë sa më shpejt që të jetë e mundur ciklin e bisedimeve për liberalizimin e tregtisë” të njohur si “cikli i Doha-s”. Mbas të famshmit “Buy American Act”, i vlerësuar si qëndrim shumë proteksionist nga ana e SHBA, pranimi nga ana e presidentit Obama i objektivit për mbylljen e ciklit të Doha-s, konsiderohet si një indikator shumë kuptimplotë për vetë të ardhmen e OBT-së, dhe sidomos për luftën pa kompromis kundër shtimit të barrierave tregtare nga shtete e qeveri të ndryshme. Do të jetë vetëm OBT ajo që do të lejojë apo përcaktojë limitet e barrierave apo shkallës së proteksionizmit të “toleruar” nga shtete të veçanta.

Optimizmi dhe reagimi pozitiv i tregjeve financiare dhe mjaft bursave nga më kryesoret e botës menjëherë pas përfundimit të samitit të Londrës është një inpuls pozitiv për të gjithë. Por, a janë të gjithë po kaq optimistë? Jo plotësisht. Manifestimet në Londër dhe mjaft qytete të tjera të botës të zhvilluara nën sloganin “Put people first” vazhdojnë, shifrat e papunësisë në SHBA dhe Europë janë alarmante etj. Shumë zëra autoritarë në fushën e ekonomisë dhe financave shprehen skeptikë. Megjithatë, asgjë nuk është totalisht e bardhë apo e zezë. Të paktën në botën ekonomike e financiare. Gjithsesi, samiti i Londrës ishte një frymëmarrje e thellë qetësuese për të gjithë. G20 njoftoi se do të mblidhet përsëri në fund të vitit për të bërë bilancin e realizimit të masave dhe reformave të propozuara, apo për të propozuar masa të reja.

8 Komente

sepse me duket shume si artikull i kopjuar. megjithate, nuk eshte analize por eshte raportim me shume ideologji.

e para eshte qe G-20 egzistonte dhe nuk u krijua atje, keshtu qe ca thote per G7 etj ja ka fut kot.

e dyta, vendet nuk rane dakort per dy gjera: 1) US dhe UK donin te rrisnin ndihmen fiskale, por u kundershtuan nga Gjermania dhe Franca dhe 2) Gjermania dhe Franca donin te ndryshonin rregullat e finances boterore, por nuk pati sukses as ketu

e treta, eshte e vertete qe pati sukses ne rolin e disa Institucioneve Financiare. Fitorja me e madhe eshte per IMF qe iu rrit shume buxheti. Nje artikull sot fliste per disa ndryshime qe mund te ndodhin ne drejtimin e ketyre insitucioneve, si psh drejtuesi i FMN te zgjidhet nga emerging markets dhe i BB ndoshta nga Kina.

Mbase eshte shpejt te flitet !!!! Edhe vet keto vende akoma nuk kane dale me perfaqesues te spikatur ( te pakten ne USA ) per te hedhur ndonje "ide racionale".... Kadale i here ...te bejme autokritike per "lulezimin e Shqiprise "me tabela e diskure me 10 e 12 perqind  te prure me pare  ....me pas kena kohe edhe per te dermuarr ose perkarur Globalizmin . Ndoshta per pruresin ka shume rendesi pak "pritje".

Nuk besoj se mundi i G-20 (80% e PBB-se boterore) te rezultoje ne nje mrekulli. Rasti i konsumatorit amerikan eshte i qarte: ata po fillojne te kursejne, nderkohe qe papunesia e PAFILTRUAR ne ShBA i bie qe te jete ne nivelin e raportuar te Shqiperise: 15%.

E vetmja gje qe e shpeton ShBA nga trazira sociale eshte se ketej nga ishulli i Amrikes te Viriut (ShBA/Kanada) nuk ka me punetore(proletare). Njerezit jane thjesht burokrate..dmth ne ShBA Labi kthehet ne Laluc shume te qete. Por si thote ajo konga e bukur zezake: 'You can fool people sometime, but you cant fool people all the time'.

Sidoqofte, duhet pranuar qe G-20 pati rezultate te papara kete here. Kjo tregon se thika ka arritur deri ne kocke.

laluc hajde se afer jemi, Fieri ja ku eshte, edhe deri ne Lushnje e pranojme se tanet jane...po deri ne Kavaje te mos shkojme, ate nuk e pranojme smiley

Hajde se ne fakt per Kavajsa po ju marrin ju ata te Washington DC.

 

 "...G20 njoftoi se do të mblidhet përsëri në fund të vitit për të bërë bilancin e realizimit të masave dhe reformave të propozuara, apo për të propozuar masa të reja.."

 

Bilanci do te jete se; "me masat qe u morren, kriza nuk u perkeqesua ne ate mase sa do te shkaktonte nje krize me te tmerrshme, ne jemi te lumtur qe mblidhemi perseri per te njoftuar se kriza eshte vene nen kontrroll, jane hapur me shum menca supe dhe papunsia do te stopohet nga viti qe vjen.."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).