Futet në programin e Kuvendit, drafti i përgjimeve telefonike

Futet në programin e punës së Parlamentit shqiptar deri më 28 maj, diskutimi i ligjit që lejon të gjitha policitë e vendit të kryejnë përgjime ndaj qytetarëve, siç janë: Policia e Shtetit, Policia Financiare, Policia Pyjore, Policia Elektrike etj. Në dokumentin e miratuar nga Kuvendi të enjten e kaluar, i cili përmban programin e punës nga data 26 mars deri 28 maj, është futur në listë edhe diskutimi i projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9157, datë 4.12.2003, “Për përgjimin e telekomunikacioneve”. Edhe pse nuk është caktuar seanca plenare se ku do të diskutohet, ky draft pritet të kalojë nëpër të gjitha rrugët parlamentare që nga Konferenca e Kryetarëve, e deri tek komisionet e ligjeve, sigurisë kombëtare, por edhe në komisionet e tjera ku këto polici kanë veprimtari, si komisionet e ekonomisë dhe ata të veprimtarisë prodhuese.

Drafti është miratuar nga qeveria  që në tetor të vitit të kaluar dhe është paraqitur në Kuvend më datën 23. 10.2008. Por që prej asaj kohe ky ligj u shty për arsye se hasi në polemika të mëdha.  Në draftin e qeverisë, i bëhet një ndryshim ligjit të vitit 2003 për përgjimet, ku  pas fjalëve “… Ministrisë së Mbrojtjes…” shtohen “… ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, ...”. Ndërkaq, në nenin 8 pas fjalëve “... ministrit të Drejtësisë...” shtohen “... ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore, ...”. Sipas këtyre dy neneve këtë funksion e marrin edhe “... ministritë, që kanë në kompetencë ose varësi të tyre shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore”. Konkretisht në nenin ku është bërë edhe ndryshimi thuhet se, “Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë se Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kane të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore”. Me shtimin që i bëhet këtij neni këtë të drejtë për kryerjen e përgjimeve tashmë e merr edhe Ministria e Drejtësisë. Ndërsa për dhënien e të drejtës për përgjim, drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, por që ka kaluar parimisht edhe nga qeveria, citon se të drejtën e përgjimit e ka edhe ministri, që ka jo vetëm në kompetencë por edhe në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore.

Bërthama

Bërthama komanduese elektronike është pajisje teknike në administrim pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, e cila lejon ose ndalon përgjimin e një pajisjeje fundore. Punonjësi i bërthamës komanduese elektronike, pas vendimit me shkrim për miratimin e kërkesës për përgjim, mundëson teknikisht procesin e përgjimit nga Sektori i Përgjimit në SHISH dhe seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm sipas kërkesës.

Tre vjet më parë Kuvendi ndryshoi një herë ligjin e 2003-shit - Qeveria forcoi Nishanin dhe i hoqi fuqinë SHISH-it

Në fillim të vitit 2008 qeveria i bëri një ndryshim tjetër ligjit të përgjimeve, i cili i hoqi ekskluzivitetin e përgjimeve, Shërbimit Informativ Kombëtar dhe fuqizoi Ministrin e Brendshëm. Kjo solli në atë kohë debate të ashpra në Kuvend. Më anë të atij drafti parashikohej  që të ngrihet dhe një tjetër seksion përgjimi përveç asaj të SHISH dhe të ekzistojë si strukturë edhe e Ministrisë së Brendshmme. Ndërkohë që parashikohej që në mars të vitit 2008, bërthama e përgjimeve të transferohet nga ambientet e SHISH drejt Prokurorisë së Përgjithshme. “Dinamika e deritanishme ka treguar se ka pasur mosndjekje në kohe të përgjimeve, për shkak se operatorët e SHISH-it punojnë sipas organizimit të brendshëm të punës dhe si pasojë kanë dështuar disa herë masat parandaluese”, - thuhej në relacionin e ligjit të asaj kohe. Ndryshimet në ligj janë kundërshtuar ashpër nga ana e opozitës, e cila e shikoi ngritjen e kësaj strukture si një mjet presioni që mund të përdoren nga ana e shtetit dhe kundër deputetëve të opozitës. Deputeti Petro Koçi u shpreh në atë kohë se kjo strukturë mund të përdoret dhe për arsye politike kundër deputetëve të opozitës. “Qeveria nuk ka thënë që ka qenë e pamjaftueshme puna e bërthamës së deritanishme në administrimin e SHISH. Ka një vetëm një temë të përgjithshme që në dinamikën e deritanishme thotë se duhet të veprohet më shpejt dhe më shumë. Prandaj ne jemi kundër si opozitë, ne jemi kundër edhe si deputetë, kur mendojmë se përgjimet mund të përdoren edhe për arsye politike, edhe kundër deputetëve, kjo pasi hetimet e deritanishme të komisionit hetimor për përgjimet kanë nxjerrë plot çudira, por që do dalin, kur të mbarojë punë komisioni”, - tha Koçi. Ndërkohë, të njëjtin mendim me Koçin ka ndarë dhe deputeti i tjetër socialist, Piro Lutaj, i cili tha se po i jepen kompetenca shërbimeve që luftojnë njëra-tjetrën. “Mos i jepni kompetenca shërbimeve, të cilat i përdorin për të luftuar njeri-tjetrin. Nga neni i parë deri tek i fundit kërkohet t`i jepet kompetenca përgjuese një shërbimi që nuk i ka pasur dhe sipas mendimit tim nuk e justifikon luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që bëjnë strukturat e shtetit shqiptar”, - tha Lutaj. Kundër këtij vendimi ka dalë dhe deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, që është dhe kryetar i Komisionit hetimor parlamentar për Përgjimet. Sipas tij, po abuzohet në emër të luftës kundër krimit të organizuar dhe nga rezultatet e deritanishme të komisionit që ai drejton, ka rezultuar se jo në pak raste përgjimet në emër të krimit të organizuar janë kryer përgjime dhe për persona të papërfshirë. Nga ana tjetër, ky i fundit ka kërkuar që në këtë komision të paraqitet ministri i Brendshëm për të dhënë shpjegime, pse ky ligj vjen pikërisht në këtë moment. “Abuzohet shumë në emër të krimit të organizuar. Për hir të së vërtetës ka lidhje edhe me shtetet fqinjë që janë më të zhvilluar se ne dhe të gjitha trafiqet nga andej vijnë.

Marrëdhëniet

Punonjësit e Sektorit të Përgjimeve në SHISH dhe punonjësit e Seksionit të përgjimeve në Policinë e Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshmë, të atashuar në sektorin e përgjimeve në SHISH fillojnë marrëdhëniet e punës, pasi njoftohet më parë Prokurori i Përgjithshëm.

Sistemi

Realizimi i përgjimit nga Sektori i Përgjimeve në SHISH dhe seksioni i përgjimeve të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme, sipas rastit, bëhet nëpërmjet sistemeve të instaluara për këtë qëllim. Sistemi i përgjimit kurdoherë duhet të jetë i përbërë nga dy pjesë, të cilat nuk mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

11 Komente

ku do te gjendet gjith ato njerez qe do merren me pergjime

O Genti lum si ti per mendjen qe paske. Artikulli te thote qe po i jepet e drejta pothuajse te gjithe aparatit shteteror qe te te perdhunoje privacine, e ti e ke hallin nese do gjenden perdhunuesit. Paske per te jetuar gjate.

O Gento gjenden, gjenden njerzit mos ki merak, bile shumica kon per te qene vullnetar pa pagese. Punen e spiunit e kena shum qejf ne shqiptaret, mjafton qe te te mos dale emri.

po Policia Pyjore do te pergjoje arinjte?

Do ti pergjoje patjeter. Te perjashtuar jane momentet e intimitetit me arushen.

Ec aty akti patriotik... A doni me per Belulin dhe gjendjen e jashtezakonshme, tha?

Ketu eshte gjykata qe autorizon pergjimet, pasi prokuroria  paraqet argumentat.

 Me kete ligj qe do bejne ne SHqiperi kush ka te drejten per autorizim? çdo shef policie?

Jo mer ne Shqiperi pergjimi behet me urdher te peshkut...bah, fol se s`kemi cfare te bejme tjeter, me avash o popull

Eshte prokuroria o njerez qe ka te drejten te autorizoje ose refuzoje nje kerkese per pergjim qe vjen nga organet e caktuara me ligj.

 

Dy pyetje:

1. A merret leje nga gjykata?

2. A azgjësohen materialet nëse ka kaluar X kohë dhe personi nën vëzhgim nuk është paditur?

Nëse për të dyja përgjigja është po, atëherë s'kam problem me ligjin, nëse jo u kthyem mbrapa dhe ca vjet.

kjo eshte nje nder gjerat me fatkeqe qe mund te kaloje ne parlament. Per dreq nuk do kete asnje zhurme mediatike apo politike per nje ligj idiot si ky. Ne Shqiperi abuzohet ne rastin me te pare dhe duke vendosur nje fuqi te tille ne mijera nenpunes te policise do e haje dreqi ate pune... Ne nje vend si ky i yni ku edhe nen/drejtoret e shkollave nderrohen me nderrimin e partive ne pushtet, trembem kur imagjinoj se si do perdoret lejimi per pergjim dhe informacioni qe mblidhet... tamam nje fatkeqesi per demokracine e vendit dhe nuk eshte e habitshme qe sampistet tane parlamentare nuk ia kane idene se cfare do shkaktojne nqs e kalojne kete ligj...

Do te meren parasysh nga gjykatat faktet fajesuese kundra nje personi qe mund te mblidhen nga keto pergjime?Nga sa di une ne asnje shtet te perendimit nuk meren.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).