Fullani: Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, në prezantimin e Raportit Vjetor për vitin 2008 në Kuvendin e Shqipërisë, 16 prill 2009

www.bankofalbania.org

E nderuar zonja Kryetare!

Të nderuar deputetë!

Në zbatim të detyrimit ligjor është një nder dhe privilegj i veçantë që të prezantoj para jush raportin e Bankës së Shqipërisë për aktivitetin e ushtruar prej saj në vitin 2008. Përfitoj nga ky rast që të shpreh falenderimet e mija në lidhje me mbështetjen dhe mirëkuptimin që Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë institucionit që unë drejtoj.

Viti 2008 na përballi me një situatë komplekse në rrafshin global. Veçanërisht duke filluar nga muaji shtator, një varg ngjarjesh të pajetuara më parë tronditën infrastrukturën financiare të SHBA-ve. Integrimi i madh i tregut financiar kishte mundësuar shpërndarjen e produkteve të infektuara në të gjithë botën e zhvilluar, përfshirë dhe ekonomitë në rritje të Azisë. Shumë shpejt, ekonomia botërore u gjend në një konfuzion të përgjithshëm si pasojë e të cilit besimi i publikut mbi sistemin financiar u dëmtua rëndë. Çmimet në të gjitha bursat kryesore filluan të binin me shpejtësi, ndërkohë që bankat më të mëdha raportonin humbje të konsiderueshme.

Shumë institucione financiare me histori shekullore u rrënuan, duke i detyruar autoritetet të ndërmarrin një sërë veprimesh shpëtimi. Qeveritë dhe bankat qendrore të vendeve të zhvilluara, përfshirë dhe organizmat ndërkombëtarë të specializuar, adoptuan një sërë masash emergjente. Me qëllim kthimin e besimit publik tek sistemi bankar, përveç injektimit të likuiditetit u gjykua i arsyeshëm edhe injektimi i kapitaleve apo blerja e aktiveve të infektuara nëpërmjet fondeve publike.

Globalizimi i krizës dëmtoi rëndë tregtinë botërore duke u përhapur me shpejtësi edhe në vendet në zhvillim dhe në ato me të ardhura të ulëta.

Vendet në zhvillim po përjetojnë një përkeqësim të kushteve financiare, shtrëngim të kreditimit, presione mbi kursin e këmbimit si dhe njëkohësisht rënie të konsiderueshme të kërkesës për degë mjaft të rëndësishme të aktivitetit ekonomik. Në fund të vitit 2008 dhe në fillim të 2009-ës, disa prej vendeve në zhvillim, anëtare të reja të Bashkimit Evropian, pësuan goditje të rënda. Hungaria, Rumania, Bullgaria, vendet Baltike, përfshirë dhe shtete të tjera si Ukraina, Serbia, Bjellorusia e ndonjë tjetër, të ballafaquara me një krizë të përgjithshme të bilancit të pagesave iu drejtuan Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihmë të menjëhershme.

Fundi i vitit 2008 dhe muaji janar i 2009-ës konfirmuan përfundimisht kontraktimin e aktivitetit ekonomik në ekonomitë e SHBA, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe të Japonisë. Tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të luhaten ndjeshëm duke shtuar pasigurinë dhe paqartësinë midis pjesëmarrësve në to. E ardhmja mbetet akoma me shumë pikëpyetje pavarësisht përpjekjeve të shumta në rrafshin global. Një përpjekje e tillë ishte dhe takimi i Londrës ku udhëheqësit e 20 vendeve më të zhvilluara vendosën të krijojnë një fond prej 1,1 trilionë dollarësh amerikanë për stimuluar aktivitetin ekonomik në rang botëror, përfshirë dhe ndihmën për vendet e varfra nëpërmjet forcimit të rolit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Situata që përshkrova më sipër të lë të kuptosh presionin e madh që gjeneron ekonomia botërore në përgjithësi dhe ajo e vendeve partnere në veçanti, mbi ekonominë ende të brishtë, të vendit tonë. Në daljet e mija në publik, në deklaratat për shtyp të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si dhe në dokumentet e tjera zyrtare të institucionit, në vazhdimësi është folur për zhvillimet ndërkombëtare dhe ndërlikimet që ato mund të shkaktojnë në aktivitetin e ekonomisë tonë.

Në përgjithësi, ekonomia shqiptare ka treguar një shkallë të lartë rezistence ndaj fenomeneve që karakterizuan zhvillimet globale në tremujorin e fundit të vitit 2008. Imunitet të lartë tregoi edhe sistemi bankar shqiptar, i cili nuk manifestoi shenja paniku dhe konfuzioni. Disa ekspertë e kanë vlerësuar Shqipërinë si vend me fat, ndërkohë që disa të tjerë e kanë gjetur shkakun tek një integrim i vogël i ekonomisë shqiptare me ekonominë globale.

Banka e Shqipërisë mendon se arsyeja kryesore ka të bëjë me vëmendjen e madhe që i kemi kushtuar këto vitet e fundit stabilitetit financiar të sistemit bankar. Ekonomia shqiptare është e integruar po aq sa janë të integruara edhe ekonomitë e tjera të Ballkanit, disa prej të cilave tashmë janë dorëzuar. Më lejoni ta shtjelloj pak më tej këtë konstatim.

Sistemi bankar shqiptar mund të konsiderohet si zgjatim i sistemit bankar të vendeve më të zhvilluara evropiane. Rreth 80 për qind e aktiveve të sistemit i përket grupeve bankare që i kanë selitë qendrore në vendet e Eurozonës, për më tepër të shtrira në të gjithë rajonin tonë e më gjerë.

Shtrirja e grupeve bankare të njëjta në shumë vende bëri që politikat e kreditimit, të grumbullimit të depozitave, të ishin të ngjashme për të gjitha këto vende. Për rrjedhim, ekspozimi ndaj rreziqeve që imponin këto politika ishte i njëjtë si për Shqipërinë, ashtu dhe për Bullgarinë, Rumaninë apo Serbinë. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se integrimi financiar i vendit ka qenë i njëjtë me vendet e tjera të rajonit përsa i përket numrit të operatorëve, llojit të tyre dhe produkteve që ato ofronin.

Ashtu si shumica e vendeve të tjera edhe Shqipëria pati gradimin e rradhës kur në vitin 2006 një nga agjencitë e njohura e vlerësoi Shqipërinë me notën B1, vlerësim i cili ishte i njëjtë edhe për vitin 2008. Një vlerësim i ngjashëm ka qenë edhe për vendet e tjera të rajonit, duke bërë që perceptimi i rrezikut të vendit nga ana e investitorëve të huaj të ishte pak a shumë i njëjtë. Kjo konfirmohet edhe nga blerja e borxhit të brendshëm prej institucioneve të huaja financiare. Në shtesë, dëshiroj të theksoj se edhe veprimet në llogarinë kapitale veçanërisht nga këndvështrimi i investitorëve të huaj janë tërësisht të liberalizuara, duke mos krijuar pengesa për hyrjen dhe daljen e kapitaleve.

Rritja e transaksioneve me jashtë është një tjetër tregues rreth shkallës së hapjes së vendit ndaj pjesës tjetër të botës. Eksportet dhe importet kanë regjistruar ritme të larta nga njëri vit në tjetrin duke bërë që aktiviteti tregtar i vendit të rritet ndjeshëm. Rreth 80 për qind e këtij aktiviteti tregtar zhvillohet me vendet e Eurozonës, ku si partnerë kryesorë spikasin Italia me Greqinë. Thellimi i fortë i deficitit tregtar nga njëri vit në tjetrin ishte një shenjë tipike e të ashtuquajturit proces i përafrimit të shpejtë.

Ky fenomen ka qenë karakteristika kryesore e zhvillimit të të gjitha vendeve të Evropës Lindore që u anëtarësuan vitet e fundit në BE, përfshirë dhe shumicën e vendeve të Ballkanit Jugperëndimor, ku bën pjesë edhe vendi ynë.

Argumentet që parashtrova më sipër besoj se janë të mjaftueshme për të kuptuar se nuk kemi qenë as me fat dhe as të pazhvilluar apo në periferi të zhvillimeve globale. Ajo që ka dalluar sistemin financiar shqiptar nga një sërë sistemesh të vendeve të rajonit kanë qenë treguesit e tij të performancës dhe të shëndetit, të cilët i detyrohen në një masë të madhe punës dhe masave të Bankës së Shqipërisë. Politikat dhe vendimet që kemi miratuar këto vitet e fundit kanë marrë formën e platformave të ndryshme për të administruar me kujdes situatat me të cilat jemi përballur në rrjedhën e kohës.

Në vlerësimin tim dëshiroj të theksoj se vendimet e marra, që nga viti 2006 deri në muajin gusht 2008, në fushën e politikës monetare dhe në atë të mbikëqyrjes bankare kanë krijuar platformën e imunitetit. Vendimet e adoptuara në vjeshtën e vitit 2008 e deri në ditët e sotme përbëjnë platformën e absorbimit të efekteve të krizës. Njëkohësisht Banka e Shqipërisë po punon intensivisht edhe për platformën e tretë: Platformën e rigjallërimit.

Më lejoni të nderuar deputetë të ndalem shkurtimisht në secilën prej tre platformave që përmenda më sipër.

Platforma e Imunitetit

Në një kontekst të përgjithshëm vlerësoj se imuniteti i ekonomisë tonë ka të bëjë me kursimet e mëdha të shqiptarëve, të materializuara në formën e depozitave dhe në vendosmërinë e Bankës së Shqipërisë për të ndaluar në mënyrë administrative penetrimin e disa produkteve, të cilat në vende të tjera kanë rezultuar fatale.

Në një këndvështrim më analitik po ndalem në aksionet tona në të kaluarën, të cilat i vlerësoj si terapinë imunizuese ndaj zhvillimeve aktuale.

Së pari, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj vendimet e politikës monetare në periudhën korrik 2006 – nëntor 2007, gjatë së cilës norma bazë e interesit u rrit pesë herë duke arritur nivelin 6.25 për qind. Ky nivel mbeti i pandryshuar edhe gjatë vitit 2008. Motivimi ynë kryesor, ishte i lidhur me mbinxehjen e ekonomisë që kryesisht pasqyronte rritjen e madhe të kërkesës së brendshme si rezultat i ekspansionit të kredisë për ekonominë. Sot, Banka e Shqipërisë vlerëson se shtrëngimi i politikës monetare ka qenë një amortizues efektiv në kontrollin e kërkesës së brendshme në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në kanalin e kredisë për ekonominë.

Në përgjithësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se ambienti i përgjithshëm makroekonomik ka qenë i shëndetshëm këto katër vitet e fundit, përfshirë edhe vitin 2008. Duke bërë një analizë të përmbledhur të këtyre zhvillimeve, edhe pse jemi ende në pritje të konfirmimeve nga statistikat zyrtare, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia e vendit është rritur në linjë me parashikimet e fillimvitit.

Kjo rritje ka reflektuar zhvillimin dinamik të disa sektorëve të ekonomisë, të mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve në ekonomi si dhe përmirësimet e vazhdueshme strukturore dhe infrastrukturore të ekonomisë.

Rritja ekonomike në vend është mbështetur kryesisht në rritjen e shpejtë të kërkesës së brendshme, e cila mbetet edhe gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike. Konsumi, investimet dhe shpenzimet qeveritare kanë shënuar rritje gjatë vitit 2008. Kërkesa e jashtme në formën e eksporteve, ka shënuar rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit, por ajo mbetet ende në nivele të ulta për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit. Aktiviteti ekonomik në vend është financuar kryesisht nga burime të brendshme. Në sajë të likuiditetit të tij të lartë gjatë vitit 2008, sistemi bankar shqiptar ka mundur t`i përgjigjet kërkesës për fonde të ekonomisë me rritje të ndërmjetësimit financiar. Gjatë vitit 2008, portofoli i kredisë bankare u rrit me 7.3 pikë përqindjeje të PBB-së.

Banka e Shqipërisë ka përmbushur objektivin e saj ligjor për ruajtjen stabilitetit të çmimeve në ekonomi. Norma mesatare e inflacionit vjetor shënoi vlerën 3.4 për qind gjatë vitit 2008, duke qenë mjaft afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind dhe brenda intervalit tonë të tolerancës prej 2-4 për qind. Niveli i kontrolluar i inflacionit reflekton kushtet e përshtatshme monetare dhe politikën e drejtë monetare të Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit ka bërë të mundur balancimin e faktorëve të kërkesës dhe të ofertës si dhe ka mundësuar ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Politika fiskale ka patur një karakter më ekspansionist gjatë vitit 2008. Deficiti buxhetor për vitin 2008, vlerësohet të ketë arritur në 5.7 për qind të PBB-së, duke u thelluar me rreth 2.2 pikë përqindjeje në terma vjetorë. Niveli i borxhit publik shënoi rritje gjatë vitit 2008, duke arritur në 55.6 për qind të PBB-së nga 52.2 për qind një vit më parë. Përmirësimi i administrimit të borxhit publik në drejtim të zgjatjes së afatit të maturimit dhe të diversifikimit të burimeve të financimit është zhvillim pozitiv që ka ndihmuar rifinancimin e borxhit dhe kontrollin e impaktit të kostos së tij në treguesit e buxhetit.

Viti 2008 u karakterizua nga një rritje e ndjeshme e shkëmbimeve ekonomike e tregtare me jashtë. Kërkesa e brendshme është reflektuar në rritjen e deficitit tregtar dhe të deficitit të llogarisë korente gjatë vitit 2008. Deficiti i llogarisë korente arriti në 14.9 për qind të PBB-së, i ndikuar kryesisht nga rritja e shpejtë e importeve dhe nga ngadalësimi i remitancave përgjatë pjesës së dytë të vitit. Megjithatë, flukset hyrëse valutore të llogarisë kapitale kanë qenë të mjaftueshme për ta mbyllur në terma pozitivë bilancin e pagesave gjatë vitit 2008. Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë janë rritur me rreth 192 milionë euro ose me 0.9 pikë përqindjeje të PBB-së.

Si pasojë e ngadalësimit të vënë re gjatë tremujorit të fundit, zgjerimi monetar paraqitet më i moderuar në krahasim me vitin paraardhës. Ritmi mesatar i rritjes vjetore të agregatit monetar M3 shënoi vlerën 12.3 për qind, përkundrejt vlerës 15.8 për qind të shënuar gjatë vitit 2007. Rritja e mjeteve monetare të ekonomisë i detyrohet kryesisht rritjes së kredisë së sistemit bankar. Shkalla e ndërmjetësimit financiar në ekonomi është rritur më tej gjatë vitit 2008.

Raporti i depozitave në sistemin bankar ndaj PBB-së u rrit në 80 për qind gjatë vitit 2008, krahasuar me nivelin 78 për qind të shënuar gjatë vitit 2007. Ecuria e depozitave është karakterizuar nga luhatje të theksuara sezonale. Niveli i depozitave ka shënuar ritme të larta rritjeje kryesisht gjatë muajve të verës dhe një ngadalësim të dukshëm gjatë tremujorit të fundit. Në anën e aktivit, portofoli i kredisë së sistemit bankar për ekonominë është rritur me rreth 35 për qind gjatë vitit 2008. Zhvillimet në strukturën valutore të kredisë gjatë vitit 2008, treguan një zhvendosje të lehtë të portofolit të kredisë drejt asaj në valutë. Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rënie gjatë vitit, duke reflektuar si shtrëngimin e standardeve të kredidhënies në përgjigje të masave rregulluese të marra nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe shtrëngimin e kushteve të likuiditetit në sistem.

Tregjet financiare në Shqipëri, përveç zhvillimeve ekonomike në vend, kanë reflektuar edhe zhvillimet e vrullshme në tregjet financiare ndërkombëtare. Në këto kushte, ato janë karakterizuar nga një luhatshmëri më e lartë e treguesve të tyre, likuiditetit, normave të interesit, vëllimit të tregtimit dhe kursit të këmbimit, por duke mbetur gjithsesi brenda parametrave normalë të operimit.

Në një vështrim të përgjithshëm normat e interesave për depozitat kanë treguar prirje rritëse, si për monedhën vendase ashtu dhe për atë në euro. Në të kundërt, interesat e kredive kanë shfaqur prirje rënëse gjatë vitit 2008, duke sjellë edhe uljen e kostos së ndërmjetësimit të sistemit bankar. Në veçanti, pozitive është evidenca e fundit për rritjen e vëmendjes drejt kreditimit në lekë dhe rritjen e konkurrencës nëpërmjet normave të interesit në këtë treg.

Në pjesën më të madhe të vitit, kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave ka qenë i qëndrueshëm, ndërkohë që ai ka filluar një nënçmim të lehtë në fund të periudhës. Kjo ecuri është rezultante e natyrshme e stabilitetit makroekonomik të vendit, bilancit pozitiv të pagesave, ankorimit të inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë, përafrimi i këtij indikatori me atë të Eurozonës si dhe diferenca pozitive e normave të interesit.

Së dyti, do të evidentoja periudhën relativisht të gjatë të konsolidimit të vazhdueshëm të sistemit bankar, ku karakteristikë ka qenë shëndoshja e vazhdueshme financiare e tij. Viti 2008 u karakterizua nga zhvillime intensive në sistemin bankar shqiptar. Aktiviteti bankar njohu rritje të mëtejshme gjatë vitit, si në aspektin sasior të mbulimit gjeografik të vendit dhe të shkallës së ndërmjetësimit, ashtu edhe në treguesit cilësorë të gamës së shërbimeve të ofruara dhe të kostos së ndërmjetësimit. Ndërkohë, tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të fundit testoi ndjeshëm qëndrueshmërinë e sistemit. Zhvillimet e kësaj periudhe dëshmuan se sistemi bankar shqiptar e kaloi me sukses provën e tij të parë të qëndrueshmërisë.

Megjithëse me ritme më të moderuara, aktivet dhe burimet e sistemit u rritën më tej gjatë vitit 2008. Analiza e treguesve të sistemit dëshmon për një nivel në rritje të rrezikut dhe zvogëlim të kapacitetit të tij financiar përgjatë vitit. Performanca e sistemit bankar për vitin 2008 ka shënuar rënie, vlerësuar në këndvështrimin e ecurisë së rezultatit neto. Kjo ka reflektuar si rritjen e konkurrencës në sistem, ashtu edhe rritjen e shpejtë të shpenzimeve për provigjone, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit.

Gjithsesi, luhatshmëria dhe performanca jo e mirë e disa prej treguesve kryesorë, nuk kanë vënë në rrezik nivelin e kapitalit rregullator të nevojshëm për mbulimin e rreziqeve të marra nga sistemi bankar. Niveli i treguesve të sipërpërmendur nuk konsiderohet të jetë kritik, por dinamika dhe intensiteti i zhvillimeve kërkojnë monitorim më të kujdesshëm edhe në vijimësi.

Së treti, do të doja të vija theksin në sensibilitetin e treguar dhe në rregullimet e bëra në fushën e mbikëqyrjes bankare gjatë kësaj periudhe. Në vitin 2006, për herë të parë konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë iu kushtua tërësisht problemeve të stabilitetit financiar parë nga një këndvështrim rajonal. Së bashku me të gjithë guvernatorët e rajonit u arrit në konstatimin se një numër i vogël bankash po zgjeroheshin me shpejtësi në të gjithë rajonin edhe pse korniza që rregullonte kuadrin mbikëqyrës midis bankave në vendin e origjinës me bankat e tyre bija, nuk ishte ende e plotësuar.

Në 1 qershor 2007 hyri në fuqi ligji “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i cili paraqet fazën e parë të përfarimit të legjislacionit shqiptar me Acquis Communautaire në përputhje me angazhimet e ndërmarra në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ligji parashikon parime dhe rregulla më të qartë për administrimin e rreziqeve me të cilat mund të përballen bankat gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, duke synuar mbrojtjen e depozituesve, të investitorëve si dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar.

Në datën 31 dhjetor 2007, krijohet Regjistri i Kredive, një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor.

Nëpërmjet tij u krijua një instrument shtesë dhe mjaft i dobishëm për të thelluar më tej analizën në drejtim të: cilësisë së portofolit, evidentimit të përqendrimeve të kredisë sipas bankave dhe subjekteve kredimarrëse, vlerësimit të detajuar të ekspozimit të bankave dhe të subjekteve kredimarrëse ndaj financimit sipas monedhave, vlerësimit të detajuar të llojit të kolateraleve dhe të garancive të përdorura si dhe evidentimit të lidhjeve që ekzistojnë midis subjekteve të ndryshme kredimarrëse.

Për herë të parë në Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për aktivitetin e ushtruar prej saj në vitin 2007, citohet se “Banka e Shqipërisë vlerëson që situata e vështirë që po kalojnë tregjet ndërkombëtare financiare, përfaqëson një element të ri rreziku për sistemin financiar shqiptar. Megjithatë, për aq kohë sa ajo nuk shndërrohet në një krizë financiare globale me pasoja në ekonominë reale botërore dhe veçanërisht atë evropiane, do të jetë relativisht e pandjeshme për tregun e brendshëm.”.

Nisur nga ky shqetësim në pranverën e vitit 2008 në një ballafaqim të hapur me sistemin bankar u hodh për diskutim një paketë përmirësimesh rregullative, me orientim të përgjithshëm adoptimin e politikave më konservatore në disa drejtime kryesore të administrimit të përditshëm të biznesit bankar. E gjithë nevoja për ndryshim buronte nga zbatimi i ligjit të ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, nga ecuria e kredisë për ekonominë, veçanërisht asaj në valutë si dhe nga zhvillimet e verifikuara në tregjet financiare ndërkombëtare në mesin e vitit 2007 dhe në tremujorin e parë të vitit 2008.

Lançimi i kësaj nisme në muajin prill i la vendin një debati të hapur mes nesh dhe bankave të sistemit. Asimilimi i mirë nga ana e sistemit bankar, i këtyre ndryshimeve u gjykua jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky proces konsultimesh u finalizua me miratimin e kësaj pakete nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në muajin gusht 2008.

Më konkretisht u miratuan disa ndryshime në rregulloret ekzistuese:

    *
      “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e degëve të bankave të huaja”.“Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”.
    *
      “Për administrimin e rrezikut të kredisë”.

 

Si dhe njëkohësisht u miratuan rregulloret e reja:

    *
      “Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja”.
    *
      "Për disa kritere bazë për qeverisjen e bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe administratorët e tyre".
    *
      "Për sistemin e kontrollit të brendshëm në banka dhe degët e bankave të huaja".
    *
      “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.

 

Po si do të përkthehej në terma më të thjeshtë kjo terapi?

* Në përputhje me ligjin e ri “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”u përcaktuan limite të reja sasiore për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj bankave mëmë dhe subjekteve të lidhura me të. Në mënyrë më të thjeshtë bankat që operojnë në Shqipëri, me qëllim minimizimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj selive të tyre qendrore ose bankave mëmë siç quhen ndryshe, nuk mund të kapërcejnë një limit të caktuar të fondit të themelimit.

* Duke marrë shkas nga situata ndërkombëtare, për të diversifikuar më mirë rrezikun që rrjedh nga përqendrimi në investimet e bankave në tregjet financiare ndërkombëtare, u vendosën kufij më të ulët për ekspozimet e mëdha të bankave. Përmirësime iu bënë si teknikave të llogaritjes së këtyre ekspozimeve ashtu dhe klasifikimit të aktiveve financiare që do të shërbejnë kolateral.

* Për t’i shërbyer një administrimi më efektiv të aktivitetit bankar, u përgatit infrastruktura ligjore për një kontroll të brendshëm aktiv dhe të përgjegjshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja që operojnë në Shqipëri. Në këtë akt, kontrolli i brendshëm konsiderohet si pjesë e integrale e qeverisjes së bankave. Për këtë arsye, në rregullore sanksionohen parimet bazë për një kontroll të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm. Kontrolli i brendshëm duhet të mbulojë çdo qelizë të bankës në mënyrë që të kthehet në një parandalues i mbarsjes dhe zhvillimit të fenomeneve të padëshiruara.

* Qeverisja e përgjegjshme është një nga parimet bazë të zhvillimit të qëndrueshëm të një biznesi. Kjo bëhet më e domosdoshme në rastin e institucioneve financiare, suksesi i të cilave përpos të gjithave varet nga besimi që publiku ka tek ato. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë e vlerëson thelbësore cilësinë e burimeve njerëzore, duke nënkuptuar rekrutimin e profesionistëve në vendimmarrje dhe administrimin e rrezikut. Përqendrimi de facto i vendimmarrjes në duar të pakta, është një praktikë e dëmshme. Akti i ri përcakton përgjegjësitë dhe detyrat e strukturave drejtuese të institucioneve bankare. Janë këto struktura që përgjigjen dhe garantojnë funksionimin e sigurtë dhe të shëndoshë të institucioneve që drejtojnë.

* Bazuar në problematikat e mëparshme një rëndësi e veçantë iu kushtua dhe transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare. Kërkesat e reja ligjore sdandardizojnë mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për klientët, për produktet dhe shërbimet bankare të ofruara. Theks i veçantë i është vënë publikimit të detyrueshëm të normave efektive të interesit të depozitave dhe kredive. Nëpërmjet këtij informacioni klientët e bankës mund të njihen me metodën e llogaritjes së normës efektive të interesit për kreditë, elementet e kontratës së kredisë dhe depozitave, për marketingun e produkteve dhe shërbimeve, ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të klientit, trajtimin e ankesave të këtij të fundit si dhe krijimin e strukturave të veçanta lidhur me këto ankesa.

* Pjesë e paketës së re ishte dhe standardizimi i informacionit të detyrueshëm që bankat dhe degët e bankave të huaja duhet të bëjnë publik, në lidhje me veprimtarinë kryesore të bankës, organizimin dhe drejtimin e saj, në lidhje me ecurinë financiare, në lidhje me gjendjen financiare, në lidhje me administrimin e rrezikut si dhe me politikat kontabël.

Së katërti, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se miratimi i një akti rregullativ nuk nënkupton automatikisht zbatim të tij në praktikë. Për këtë qëllim, burimet njerëzore të specializuara të Bankës së Shqipërisë, përfshirë dhe drejtuesit e saj kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e sistemit bankar, me këshillat mbikëqyrës të bankave, me drejtuesit e lartë të selive qendrore si dhe me drejtues të institucioneve mbikëqyrëse në vendet ku e kanë origjinën bankat mëma.

Që prej një periudhe 3 – 4-vjeçare janë ndërtuar ura komunikimi me autoritetet përkatëse të çdo vendi të rajonit, me synimin për të kuptuar:

    *
      përmasat e sistemit tonë në raport me atë të vendeve fqinje;
    *
      operatorët që mbizotërojnë tregjet dhe mbulimin gjeografik;
    *
      produktet që ofrohen, nivelin e shërbimit dhe politikat e komisionimit;
    *
      politikat monetare dhe skemat e mbikëqyrjes;
    *
      marrëdhëniet me autoritetet mbikëqyrëse të bankave mëma;
    *
      statusin e marrëdhënieve dhe perspektivat e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

Në përfundim të gjithë këtij procesi të pandërprerë bashkëpunimi dhe investigimi kemi arritur në përfundime, të cilat shpesh herë na kanë vënë në pozita të ballafaqimit me ide dhe praktika të kundërta nga ato tonat.

Fryt i këtij procesi ishte këmbëngulja jonë për të ndaluar në mënyrë administrative kreditimin e ekonomisë me të ashtuquajturat “para ekzotike”.

Vitet e fundit u bë i modës kreditimi në monedhën zvicerane apo atë japoneze, fonde të cilat për kohën përfaqësonin kredi me kosto shumë të lirë, të gatshme për të depërtuar edhe në ekonominë tonë. Për aq kohë sa kjo veprimtari gjykohej me rrezik të lartë, në kushtet kur përfituesit e kredisë apo bankat nuk krijonin mbrojtjen e duhur, u pa e arsyeshme të bllokohej administrativisht akordimi i kredive nga ana e sistemit bankar për klientët, në këto dy lloj monedhash. Mendoj se në këtë mënyrë kemi kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në frenimin e hyrjeve valutore afatshkurtra të kapitalit nga bankat mëmë tek bankat bija, në formën e linjave të kreditit.

Më lejoni të kujtoj se në grackën e këtyre fondeve kanë rënë shumë prej ekonomive në zhvillim, të cilat sot po vuajnë seriozisht nga nevoja për të rifinancuar borxhet në këto monedha.

Platforma e Absorbimit të Krizës

Shpërthimi i krizës financiare në vjeshtën e vitit 2008 e përhapur në shumë vende të botës si krizë besimi, pati ndikimin e saj edhe në sistemin bankar shqiptar. I ballafaquar me një hezitim të arsyeshëm të individëve, sistemi bankar u përball me një rrjedhje depozitash përgjatë gjithë periudhës tetor – dhjetor 2008. Megjithatë, kapitalizimi shumë i mirë dhe situata e kënaqshme e likuiditetit mundësuan përballimin e kësaj situate.

Aktualisht, ekonomia shqiptare po vihet gjithnjë e më shumë nën presionin e krizës botërore.

Pasiguria që përcolli tronditja e sistemit financiar botëror siç shpjegova më sipër u reflektua në tërheqjen e një pjese të depozitave nga sistemi, duke sjellë probleme të likuiditetit dhe tendenca për rritjen e normave të interesit. Kjo situatë ka ndikuar në mënyrë të natyrshme në uljen e mundësisë dhe gatishmërisë së sistemit për të kredituar ekonominë.

Nga ana tjetër, zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të përballet me një reduktim të prurjeve valutore gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. Ato janë shoqëruar me lindjen e presioneve nënçmuese ndaj kursit të këmbimit, ashtu si dhe në ekonomitë e shumë vendeve të tjera të Evropës Lindore. Në vetvete, ky nënçmim, në kushtet e regjimit fleksibël të kursit të këmbimit që zbatohet në Shqipëri përbën një sjellje korrektuese në drejtim të konsumit, kursimeve dhe investimeve në nivel mikro dhe makroekonomik.

Në optikën e Bankës së Shqipërisë, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe i lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit. Ashtu siç e kemi theksuar edhe në dalje tona të tjera publike, ky kufizim duhet të njihet dhe të faktorizohet në planet e biznesit të të gjithë agjentëve ekonomikë. Ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009. Kjo mungesë likuiditeti kufizon edhe hapësirat që ka politika fiskale dhe ajo monetare për veprim.

Në këto rrethana, ajo që kërkohet është një eficiencë më e madhe e përdorimit të fondeve të sistemit bankar, nëpërmjet renditjes prioritare të shpenzimeve në funksion të impaktit që kanë mbi rritjen ekonomike.

Për më tepër, Banka e Shqipërisë gjykon se sjellja e deficitit të llogarisë korente duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Barazimi i këtij deficiti me hyrjet e reduktuara të llogarisë kapitale, duhet të jetë një prioritet tjetër i zhvillimit të politikave ekonomike. Sikurse e theksova dhe më parë, ky moment kushtëzon ndjeshëm ekuilibrat makroekonomikë dhe financiarë të vendit. Për këtë arsye, ai do të jetë në vëmendjen e vazhdueshme të analizës së Bankës së Shqipërisë.

Duke kuptuar drejt rolin e saj si një institucion që administron tregun e parasë, situatën e likuiditetit, stabilitetin e sistemit bankar dhe funksionin e saj si financuese e burimit të fundit, Banka e Shqipërisë që në ditët e para të tetorit 2008 bëri publik qëndrimin e saj se do të furnizonte sistemin bankar në mënyrë të pandërprerë me likuiditetin e nevojshëm.

Me kalimin e kohës, duke ndjekur situatën hap pas hapi, Banka e Shqipërisë modifikoi kuadrin e saj operacional për të përmbushur më mirë nevojat e tregut për likuiditet. Fillimisht ne kemi ndryshuar tipin e ankandit kryesor të injektimit, nga ankand me shumë fikse në ankand me çmim fiks, që do të thotë furnizim i tregut me likuiditet në sasinë që bankat e gjykojnë vetë të arsyeshme dhe e gjithë kjo, kundrejt çmimit fiks të përqindjes bazë të interesit.

Në shtesë, Banka e Shqipërisë bëri dhe disa modifikime të rëndësishme rregullative. Më konkretisht:

    *
      U zgjerua baza e letrave me vlerë që shërbejnë si kolateral për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes, duke shtuar edhe obligacionet e emetuara nga qeveria, me maturim të mbetur jo më shumë se 365 ditë.
    *
      U rrit hapësira e përdorimit të rezervës së detyruar nga 20 për qind në 40 për qind në ditë.
    *
      U ul diferenca midis normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kredisë njëditore, nga 175 pikë bazë në vetëm 75 pikë.
    *
      Nëpërmjet një akti të veçantë rregullativ, Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sektorit bankar të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008, në formën e dividentit. Në këtë mënyrë kapitalizimi i veprimtarisë bankare forcohet më tej, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar, në vijim.

Vendimet e mësipërme, i kanë shërbyer qetësimit të situatës së likuiditetit dhe janë në sintoni me reagimin operacional të zbatuar nga BQE në përgjigje të krizës.

Monitorimi i kujdesshëm i situatës imponoi krijimin e një grupi të posaçëm të tipit task force, përgjegjësi kryesore e të cilit është ndjekja ditore e situatës për çdo bankë të veçantë. Konkluzioni ynë i drejtpërdrejtë ishte se treguesit e agreguar jo domosdoshmërisht tregojnë të vërtetën. Shprehja interesante se “djalli qëndron në detaje” e bëri të domosdoshme që në vazhdimësi analiza duhet të zbriste në nivel mikro, në çdo qelizë të sistemit, në çdo tregues të veçantë tij dhe akoma më tej për çdo bankë më vete.

Banka e Shqipërisë ka kryer testime të njëpasnjëshme, për të gjetur reagimin e sistemit bankar në qoftë se ai do të përballej me rrethana nga më ekstremet. Analizat e përftuara nga stress-test e shumta në rang sistemi ashtu dhe në mënyrë individuale për çdo bankë më vete, tregojnë se sistemi në tërësi dhe asnjë nga bankat me rëndësi sistemike në veçanti, nuk janë të prekura në nivelin e likuiditetit dhe të kapitalizimit. Pavarësisht zgjerimit të spektrit të rreziqeve dhe një viti më të vështirë për zgjerimin e veprimtarisë bankare, sistemi financiar dhe sektori bankar do të mbeten të qëndrueshëm.

Ne besojmë që vendimi i fundit i Kuvendit të Shqipërisë i cili miratoi rritjen e vlerës së plotë të garantimit të depozitave në 2.5 milionë lekë, krijon të gjitha kushtet dhe eliminon barrierat psikologjike për kthimin më të shpejtë të depozitave të tërhequra në sistemin bankar. Niveli aktual i sigurimit të depozitave, i ngjashëm me atë të vendeve evropiane, garanton plotësisht dhe përgjithmonë kursimet e shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare. Tashmë nuk ka arsye objektive që njerëzit të shqetësohen për sigurinë e kursimeve të tyre në banka. Çdo hezitim për të vendosur kursimet në banka, rrit në mënyrë të panevojshme vlerën e të ardhurave të munguara për shkak të mospërfitimit të interesave dhe të shërbimeve të tjera bankare.

Platforma e Rigjallërimit

Problemet aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare nuk kanë origjinuar në Shqipëri; për këtë arsye, zgjidhja e tyre do të varet në një masë të madhe nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në nivel botëror.

Strategjia e ardhme e zhvillimit duhet të vazhdojë të mbështetet në elementet fondamentale që shtjellova në platformën e parë. Stabiliteti makroekonomik do të mbetet një parakusht themelor për një rritje të qëndrueshme afatgjatë. Mbështetur në mësimet e deritanishme të krizës botërore, Banka e Shqipërisë gjykon jetike hedhjen e vështrimit përtej të sotmes dhe thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore. Kjo përbën dhe kushtin kryesor për konvergimin e qëndrueshëm të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.

Duke vlerësuar kompleksitetin e sfidave me të cilat do të përballemi në vazhdim, ne gjykojmë si themelor rishikimin e të gjitha politikave aktuale makroekonomike dhe financiare me qëllim përshtatjen e tyre me kushtet e reja. Në të ardhmen, duhen krijuar mekanizma të qartë për koordinimin e politikave makroekonomike dhe programeve të zhvillimit të vendit. Banka e Shqipërisë gjykon se një hap në drejtimin e duhur do të ishte adoptimi i një rregulli fiskal sasior transparent, i cili do të shërbente si një kushtëzues i politikave fiskale në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë.

Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo i plotëson të gjitha kushtet.

Në emër të institucionit që unë drejtoj do të doja të siguroja Kuvendin e Shqipërisë, sistemin bankar, të gjithë aktorët e tjerë të interesuar se Banka e Shqipërisë do të plotësojë nevojat e sistemit bankar me likuiditet. Nga ana tjetër, ne do të këmbëngulim që sistemi bankar në politikat që aplikon në lidhje me tregun e parasë dhe portofolin e investimeve të jetë më i pavarur nga selitë qendrore. Banka e Shqipërisë do të intensifikojë komunikimin me selitë qendrore të bankave për të mbështetur financiarisht bijat e tyre që operojnë në Shqipëri.

Bankat që operojnë në Shqipëri janë licencuar dhe administrojnë kursimet e qytetarëve shqiptarë. Rrjedhimisht, obligimi themelor i çdo sistemi bankar është ndërmjetësimi financiar në vendin ku ai operon. Për këtë arsye, ne do të këmbëngulim që kreditimi i ekonomisë të ringjallet duke sjellë në vëmendjen e sistemit degët e veçanta të prodhimit që justifikojnë mbështetjen financiare të tij.

Sistemi bankar duhet të jetë më aktiv për rifitimin e besimit publikut, nëpërmjet një komunikimi në rritje dhe prezantimit të produkteve të reja që adresojnë hezitimin e publikut.

Komuniteti i biznesit duhet të hapet më shumë ndaj sistemit bankar. Sinqeriteti i rritur dhe domosdoshmëria për të qenë më vizionar në përcaktimin e planeve të ardhshme të biznesit, janë dy kushte të rëndësishme për ristabilizimin e kredisë në parametra të dëshiruar.

Një apel do t’ju drejtoja edhe individëve, qytetarëve të thjeshtë. Mënyra se si ju silleni çdo ditë përcakton edhe dinamikën e efekteve të krizës. Individët duhet t’i kthehen bankave. Nëse sjellja juaj do të jetë racionale, atëherë dhe ndikimi i krizës do të jetë periferik. Nëse në sjelljen tuaj të përditshme zë vend pseudofilozofia mikroproteksioniste e shfaqur në formën e panikut, mungesës së besimit, largimit të depozitave nga bankat atëherë edhe mundësia për t’u prekur nga kriza financiare rritet më shumë. Për më tepër, mundësia për t’u shndërruar në një krizë të ekonomisë reale rritet. Sistemi financiar është e vetmja “makineri” e specializuar që zotëron informacionin, njohuritë dhe burimet njerëzore për të bërë shpërndarjen optimale të burimeve financiare në ekonomi. Për më tepër, sistemi bankar është një segment i rregulluar dhe i mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë, autoriteti që si objektiv të vetëm ka ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë e financiarë të vendit. Për këtë qëllim besoj se sot është koha që të reagojmë me logjikë dhe me sens të theksuar patriotizmi.

Falenderoj mediat për mbulimin e kujdesshëm që i kanë bërë ngjarjeve të muajve të fundit dhe i ftoj ato që të vazhdojnë me pasqyrimin me vërtetësi të zhvillimeve në të ardhmen.

Përfitoj nga ky rast, t’i drejtohem klasës politike me një thirrje për rritjen e vëmendjes ndaj sfidave me të cilat përballet vendi. Arritja e një mirëkuptimi politik në trajtimin e tyre do të reduktonte në kohë dhe në intensitet efektet negative në ekonomi. Këtë detyrim e kemi jo vetëm ndaj vetes por edhe ndaj brezave të ardhshëm, të cilët meritojnë një ambient më të përshtatshëm biznesi, stabilitet makroekomik, sistem financiar të shëndoshë dhe perspektivë të qartë konvergjence me Eurozonën.

Kriza globale, tashmë na i ka dhënë mësimet e para. Ajo na mëson që na nevojitet më shumë disiplinë, më shumë komunikim, më shumë koordinim, më shumë transparencë dhe më shumë kulturë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Stabiliteti makroekonomik i vendit ka amortizuar ndikimin e krizës ekonomike e financiare globale në aktivitetin ekonomik në vend. Ky stabilitet i shprehur në: inflacion të ulët të çmimeve të konsumit; qëndrueshmëri të bilancit të pagesave dhe të borxhit publik; bilance të shëndosha të agjentëve ekonomikë; luhatje të ulta të tregut financiar; dhe besim të publikut në institucionet financiare, është një kapital i madh i ekonomisë shqiptare. Ai është përftuar me punë dhe sakrifica gjatë viteve të shkuara, prandaj Banka e Shqipërisë gjykon se vëmendja jonë nuk duhet të shkëputet nga ruajtja dhe konsolidimi i mëtejshëm i tij edhe në këto momente sfide për të gjithë ne. Dinamizmi i sektorit privat të ekonomisë shqiptare kërkon kushte afatgjata të favorshme ekonomike dhe financiare, si dhe struktura transparente tregjesh konkurrenciale, për të çliruar në mënyrë të plotë potencialin e tij. Vetëm vendet të cilat kanë ditur të ngrihen dhe t`i përgjigjen këtyre goditjeve, kanë mundur të rriten e të begatojnë në një periudhë afatgjatë. Përvetësimi i këtij mësimi kërkon një renditje të qartë të prioriteteve të zhvillimit, ndarjen e interesit afatgjatë të zhvillimit të vendit nga synimet afatshkurtra si dhe vullnetin politik për realizimin e tyre. Përballja energjike me efektet e krizës do të thotë dalje më e shpejtë prej saj dhe më me pak pasoja. Kjo do t’i japë vendit avantazhe krahasuese në raport me ekonomitë e rajonit, në realizimin e ambicieve për integrim dhe konvergjencë të shpejtë me familjen evropiane.

8 Komente

...vendimet e politikës monetare në periudhën korrik 2006 – nëntor 2007, gjatë së cilës norma bazë e interesit u rrit pesë herë duke arritur nivelin 6.25 për qind. Ky nivel mbeti i pandryshuar edhe gjatë vitit 2008. Motivimi ynë kryesor, ishte i lidhur me mbinxehjen e ekonomisë që kryesisht pasqyronte rritjen e madhe të kërkesës së brendshme si rezultat i ekspansionit të kredisë për ekonominë. Sot, Banka e Shqipërisë vlerëson se shtrëngimi i politikës monetare ka qenë një amortizues efektiv në kontrollin e kërkesës së brendshme në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në kanalin e kredisë për ekonominë....

Por nga ana tjeter mund te vleresohet qe mbajtja e normes baze te interesit ne nivel te larte nxiti huadhenien ne monedha te tjera, gje qe sot paraqet rrezik per sistemin bankar.

 

 

Kjo puna e huamarrjes nga FMN-ja eshte e vonuar; minimumi qe mund te behet eshte te sigurohet nje fond garancie pa terhequr gje akoma.

FMN-se i duhej kerku ndihme qekur ja lypi ukraina me shoke kur kriza plasi.

Shqiperia, dhi e zgjebosur, bishtin perpjete.

Gjithesesi me mire vone se kurre, duhet me lyp ndihme pa ngurrim.

Edhe Fullani duhet te haje i cike ma pak buke smiley

 

kam pershtypjen se nuk behet fjale per fondin qe kerkoi Ukraina qe ne fillimet e krizes (nuk e kam pare akoma artikullin se Ll. na sjell keta artikujt e gjate smiley )

Ukraina kerkoi nje fond nga IMF se nuk kishte nga ja mbante. Kjo shihet si last resort dhe shume vende mundohen t'i shmangen se mund te hap shume panik. Ajo per te cilen po flet Fullani eshte dicka e re qe doli me pak se nje muaj me pare dhe quhet flexible credit line. Kjo eshte nje linje krediti qe do u jepet vendeve ne gjendje te mire dhe nuk do te kete "kushtet" qe kane zakonisht kredite e IMF'se. Mendohet se me kete kredit vendet nuk do te paragjykohen si te dobeta, por e kunderta.

 "...Kjo konfirmohet edhe nga blerja e borxhit të brendshëm prej institucioneve të huaja financiare..." 

Uroj qe kjo pakete te mos ta kaloje vleren e fitimit apo akumulimit te paster (qe eshte zbritja e ter shpenzimeve) te valutes te BQ. Seç ia kam friken me vone nje bumerangu. Sepse blerjen e borxheve nga te huajt (ndonse e mire per ekonomine se me ate valute blen teknollogji), une do ta krahasoja me "vjedhjen" (e lejuar nga nje banke a institucion financiar) qe i ndodh nje banke, parate e se se ciles investohen ne nje vend, dhe me vone "hajduti" gjindet/kapet dhe ter ai investim i kalon automatikisht bankes, pra vendit te origjines se parave. 

"...Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë janë rritur me rreth 192 milionë euro ose me 0.9 pikë përqindjeje të PBB-së..."

Kjo eshte gje e mire veç shum dobet. BQ, i bie me mire te financoje, kreditoje, ndihmoje, prodhuesin shqiptar te eksportoje, si dhe te futen sa me shume linja prodhimi, sidomos aty ku lenda e pare (si ujti) eshte gratis dhe e nje cilesie kurative dhe kualitative. Shqiperia ka disa lende te nje cilesie shum te mire qe mund te perpunohen, amballazhohen dhe te eksportohen. 

Analiza e guvernatorit te BQ ishte ne pergjithesi mire, e sinqerte, serioze, veç une do ti kujtoja atij se 2009-10, do te jene dy vite shum te keqia per ekonomine boterore, pasojat e se ciles ka per ti ndiere dhe Shqiperia. 

Shtrirja e grupeve bankare të njëjta në shumë vende bëri që politikat e kreditimit, të grumbullimit të depozitave, të ishin të ngjashme për të gjitha këto vende. Për rrjedhim, ekspozimi ndaj rreziqeve që imponin këto politika ishte i njëjtë si për Shqipërinë, ashtu dhe për Bullgarinë, Rumaninë apo Serbinë.

 

Futja kot Fullano, se ne Serbi e Kroaci bankat 'europiane' leshojne kredi 110% te depozitave, ndersa ne Shqiperi vetem 40%. Prandaj ke 'shpetu' si sistem bankar se ke pas kreditim te ulet.

Sic e kam thene edhe nje here, Fullanit i duhet dhene nje dekorate

Vitet e fundit u bë i modës kreditimi në monedhën zvicerane apo atë japoneze, fonde të cilat për kohën përfaqësonin kredi me kosto shumë të lirë, të gatshme për të depërtuar edhe në ekonominë tonë. Për aq kohë sa kjo veprimtari gjykohej me rrezik të lartë, në kushtet kur përfituesit e kredisë apo bankat nuk krijonin mbrojtjen e duhur, u pa e arsyeshme të bllokohej administrativisht akordimi i kredive nga ana e sistemit bankar për klientët, në këto dy lloj monedhash. Mendoj se në këtë mënyrë kemi kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në frenimin e hyrjeve valutore afatshkurtra të kapitalit nga bankat mëmë tek bankat bija, në formën e linjave të kreditit.

dukej interesante po nuk pata kohe ta lexoja te gjithen.

Integrimi i madh i tregut financiar kishte mundësuar shpërndarjen e produkteve të infektuara në të gjithë botën e zhvilluar

 

me pelqen kjo fjalia. eshte nga shpjegimet me te mira te krizes me nje fjali smiley

 

kur flet per politiken e bankes para krizes Fullani mburr politiken e shtrenguar monetare, me sakte rritjen e interesave. Ne rregull qe kjo eshte nje mase per te mbajtur ne kontroll inflacionin. Gjithashtu, e kuptoj qe keto kohe eshte me kollaj ta vesh fajin ne interesat e uleta per te shpjeguar krizen. Megjithate nuk kam shume i sigurte nese kjo eshte e vlefshme per Shqiperine. Interesat e larta mbajne jashte tregut shume investitore serioze qe i tremben rrezikut dhe ben qe te rritet pjesa e kredi marresve qe marrin shume rreziqe (sepse do hyjne vetem ata qe presin nje fitim me te madh qe ne pergjithesi korrespondon me rrezik me te larte). Kjo mund te beje qe nje pjese me e madhe e kredise te mos paguhet. Ndoshta Fullani duhet te theksoje me shume masat e tjera dhe ta lere kete te interesave.

kur vjen puna tek zhvleresimi i lekut, nuk me pelqen qe ngre duart lart.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).