Figura të PD-së e PS-së, në listat e partive të vogla

Partitë e vogla, vende në listë për “të mëdhenjtë”. Në mjaft qarqe, deputetë në listat e “të vegjëlve”

Bisedimet për koalicionin kanë pasur edhe një temë të re për sa i përket bashkëpunimit. Disa parti të vogla, për t’u pranuar në koalicion me të mëdhenjtë, kanë propozuar një pikë, e cila po shqyrtohet konkretisht nga “të mëdhenjtë”. Bëhet fjalë për listën e mbyllur për deputetë. Partitë e vogla janë shprehur se në mjaft prej qarqeve të vendit nuk kanë kapacitete për të bërë fushatë, por ato janë shprehur se të parin në listë, mund të pranojnë ndonjë figurë nga partitë e mëdha. Duke qenë brenda koalicionit, një gjë e tillë nuk prish punë për asnjë, për shkak të formulave të ndarjes së mandateve. Sipas formulës, brenda koalicionit, asnjë votë nuk shkon dëm. Edhe sikur një parti e vogël të marrë mijëra vota në një qark, por të pamjaftueshme për të marrë një deputet, të gjitha votat i kalojnë automatikisht partisë më të madhe të koalicionit.

Kjo pikë po merret seriozisht edhe nga partitë e mëdha. Duke pasur një luftë të fortë në listat e tyre, ideja për të transferuar figura të partisë në listat e partive aleate duket e pranueshme. Kështu, ndokush që nuk gjen vend në listën e partisë së tij, në PD apo në PS, me pranimin e kryetarit të partisë, mund të futet në listën e partisë aleate dhe të bëjë fushatë. Në rast se arrin të fitojë përqindjen e duhur, mund të hyjë deputet, në rast të kundërt, të gjitha votat i shkojnë partisë së madhe, duke mos shkaktuar asnjë humbje. Kjo pikë mund të shfrytëzohet edhe për mundësi të tjera. Shumë kandidatë jashtë partive të mëdha që duan vend në listë, mund të mos mbështeten nga partitë e mëdha, apo ato kanë pranuar që një gjë e tillë të bëhet me listën e partive të vogla. Kjo do të shërbente për më shumë kapacitete në fushatë. Nga ana tjetër, zyrtarisht partitë e vogla mund të fusin ndonjë deputet, edhe pse fituesi nuk ka lidhje me partinë e tyre. Sipas bisedimeve për koalicionin e djathtë, partive të vogla u është premtuar më shumë bashkëpunim në nivele të tjera të qeverisjes.

Ky propozim, që duket si një “dushk” i ri, nuk cilësohet si i tillë nga partitë, për shkak se në mënyrë të tillë funksionon koalicioni. Në zgjedhjet e qershorit është sanksionuar koalicioni i përbërë, që do të thotë se partitë e vogla do të duhet të masin forcat e tyre. Në fletën e votimit shënohet koalicioni dhe brenda tij emrat e të gjitha partive aleate. Votuesit nuk votojnë për koalicion, por direkt për partinë. Kjo mënyrë vote nënkupton një votë indirekte për koalicion. Por pavarësisht se koalicioni mund të dalë fitues, partitë brenda tij mund të mos kenë përfaqësues në Kuvend, për shkak se nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për të kaluar pragun rajonal që kërkon sistemi proporcional rajonal. Koalicioni i përbërë do të thotë ndryshe bashkim mes partish, por që secila ka forcën dhe përfaqësimin e saj. Vota do të ndahet me anë të formulës matematikore të D’Hond-it. Duke votuar partinë, vota e zgjedhësit shkon për subjektin që preferon, por edhe për koalicionin ku ajo parti aderon. Ky sistem bën të mundur që vota të mblidhet sa më mirë, jep më shumë mundësi për votuesit, për preferencat e tij, si dhe bën të mundur që çdo parti të ruajë individualitetin e saj.

Në listën e PD-së, askush i huaj

Në listën e mbyllur për deputetë të Partisë Demokratike nuk do të ketë asnjë individ nga partitë e tjera. Në bisedimet që Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar me krerët e partive të vogla aleate, u ka bërë të ditur se askush nuk do të garantohet si deputet në listën e PD-së. Lideri i mazhorancës e ka bërë publike, duke thënë se “askush nuk do të jetë në listën tonë”. Koalicioni i djathtë pritet të zgjerohet më tej dhe në marrëveshjen e firmosur mes PD-së dhe PR-së do të shtohen edhe parti të tjera. Partia Demokratike ka përfunduar raundin e parë të bisedimeve me partitë e vogla të djathta. Gjatë raundit të parë, palët kanë rënë dakord parimisht, por pa zyrtarizuar bashkëpunimin. Burime pranë partive të vogla, por edhe në PD, konfirmojnë nisjen e raundit të dytë të bisedimeve për zgjerimin e koalicionit. Burime pranë PD-së shprehen se nuk ka shumë kohë, pasi koalicioni do të përfundojë konstituimin para muajit maj. Partia Demokratike u ka ofruar partive të vogla mundësinë e përfshirjes në këtë koalicion për të kontribuar në fitoren e mandatit të dytë. Ndonëse mund të mos fitojnë mandate deputeti, partitë e vogla do të përfshihen në qeverisje në nivele më të ulëta.
 

2 Komente

 Siç po duken bathet, ne Shqiperi po konturohen 4 koalicione, PD me aleatet, PS me aleatet, LSI me aleatet, si dhe Poli i Lirise. Dy koalicionet e fundit, nese zgjerohen me aleate, mund te marrin vota te konsiderueshme dhe mund prishin ter parashikimet e anketave aty. 

Ligji elektoral do te siell supriza do te tregoj se, ne Shqiperine tone te vogel por teper dinamike keto vitet e fundit ,energjia politike eshte kinetike dhe me pak potenciale d.m.th.sipas perfyterimit   tim     edhe parti te vogla ne kualicione me PD,PS ose jo   me to                    me kandidat te fuqishem me dinamik gjate fushates do te formatojne nje realitet te ri politik teper interesant ,deputetet e dy partive te medha veshtire te kalojne sebashku numrin  80.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).