Ferri jugosllav - 1. Vitet e luftës.

Që prej kohrave të krijimit të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), në prill të vitit 1919, çështja e Kosovës rivjen rregullisht në dokumentat themeltare të kësaj partie. Ajo përbën një nga referencat kryesore për të kuptuar më mirë zhvillimin e përgjithshëm të çështjes kombëtare në mendimin e komunistëve të vendit fqinjë, në funksion të shkallës së përparimit të tyre drejt marrjes së pushtetit.
Gjatë Kongresit të IV të Kominternit, të mbajtur në Drezden në vitin 1928, komunistët jugosllavë që ndërkohë piketonin rrugëzgjidhjet e tyre për të shkatërruar Jugosllavinë mbretërore, vinin re se : « .. një e treta e shqiptarëve jetojnë në gjirin e Mbretërisë dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë kalon vetëm nëpërmjet luftës së përbashkët me PKJ ». Kohë më pas, në vitin 1934, Kongresi i IV i PKJ i mbajtur në Ljubljana nënvizonte se « .. Mbretëria jugosllave nuk ish gjë tjetër veç pushtim i Kroacisë, i Dalmacisë, i Sllovenisë, i Malit të Zi … apo i Kosovës nga ana e trupave serbe » dhe shprehte edhe njëherë nevojën për « .. dëbimin e çetnikëve (serb&eumlsmiley nga Kroacia, nga Maqedonia .. si dhe nga Kosova ».
Pushtimi italjan i Kosovës si dhe krijimi i Shqipërisë së Madhe ndryshoi paksa pikpamjet e tyre pasi, Konferenca e Vtë Kombëtare e Zagrebit e mbajtur në tetor të vitit 1940 nuk pa të nevojshme që të ritheksonte thëniet e mëparshme të bashkimit mes shqiptarëve dhe kosovarëve, ndoshta pasi bashkimi ishte tashmë një fakt i kryer. Megjithatë, ky forum partijak miratoi principet e barazisë mes kombësive dhe popujve jugosllavë, të cilët duhej të gjenin vendin që ju takonte në kuadrin e Jugosllavisë së re, si edhe nismën e krijimit të një Komiteti Rajonal të PKJ për Kosovën. Po në kuadër të kësaj Konference të Zagrebit, referuesi kryesor për provincën e Kosovës Moshe Pijade hodhi idenë e një « .. Republike të lirë të Kosovës, proletare dhe fshatare » (Shënimi 1).
Me krijimin e tij, ky Komitet Rajonal u kontaktua nga grupet komuniste shqiptare me atë kërkesën e tyre të famshme për ndërmjetësim dhe, pas disa peripecish për shkak të luftës, dy nga përfaqësuesit e tij – pikërisht Sekretari rajonal Miladin Popoviç - u gjendën pranë shokëve të tyre shqiptarë të armëve (Sh. 2). Për palën jugosllave, perspektiva që u krijua me futjen e një këmbe në vendin fqinjë ishte më se e lumtur pasi nga njëra anë, pa një bashkërendim dhe një marrëveshje miqsore mes komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë, as që mund të imagjinohej ndonjë shans për të organizuar diçka në Kosovë, e bashkuar siç ishte me Shqipërinë – dhe kjo e fundit nën çizmen italjane. Nga ana tjetër, organizimi dhe ngritja e një lëvizjeje rezistence në Shqipëri mund të luante veç një ndikim pozitiv mbi zgjidhjen e konfliktit në Jugosllavi (bregdeti dalmat apo Mal të Zi), mjaft të mbante të mbante të bllokuar në vend një pjesë të trupave italjane të pushtimit.
Pjesëmarrja aktive e PKJ në luftë dhe përforcimi i rolit të saj si forcë e paevitueshme në skenën jugosllave dhe ballkanike, bëri që optika e komunistëve jugosllavë lidhur me çeshtjen kombëtare të përparojë me shpejtësi. Mjaft që të kujtojmë se, menjëherë pas Konferencës së parë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar, mbajtur në Bihaç në nëntor 1942, Tito ende i përmbahej asaj lidhjeje të ngushtë që, sipas tij, duhej të egzistonte mes « luftës së tashme të çlirimit kombëtar dhe çeshtjes kombëtare në Jugosllavi » ndërkohë që shprehja « lufta për çlirimin kombëtar » do të ishte një mashtrim po qe se nuk përmbante, përveç kuptimit të vet jugosllav, përfitime të prekshme për të gjitha kombet e tjera : si për kroatët, sllovenët, serbet, maqedonët apo dhe shqiptarët e të tjerë (Sh. 3). Një vit më pas, as që flitet më për këtë çështje : sesioni i dytë i AVNOJ-it, mbajtur në Jajce në 29 nëntor të vitit 1943, hodhi themelet kryesore të çështjes kombëtare. Jugosllavia e re, gjithmonë e ngritur mbi principin federal, do të ishte atdheu i gjashtë njësive të federuara : Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Herzegovinës, popujt e të cilëve duhej të ishin të lirë dhe të barabartë, ndërkohë që të gjitha grupet e tjera etnike do të gëzonin garancitë e nevojshme lidhur me të drejtat e tyre si pakica kombëtare (Sh. 4). Kjo politikë u aprovua dhe u vulos me ardhjen në fuqi të qeverisë së Titos në mars të vitit 1945 : doktrina e barazisë dhe e vetëvendosjes së kombeve jugosllave tashmë u shndrrua në doktrinën e një Shteti federativ të centralizuar (Sh. 5).
Ç’bëhet ndërkohë me Kosovë-Metohinë në këtë Jugosllavi të re titiste ? Në mungesë të referencave direkte, veç mundet të imagjinohet mendimi i Titos dhe i PKJ së tij në këtë epokë : sipas të gjitha gjasave, statusi i krahinës tejkalonte kuadrin e një problemi të thjeshtë të brendshëm jugosllav dhe përmasat e tij ndërkombëtare e shtronin si një çështje që duhej të zgjidhej mes të interesuarve direktë : Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ajo që na intereson në mënyrë të veçantë është mënyra e zgjidhjes së kësaj enigme nga ana e Titos, i cili kish vendosur tashmë ushtarët e tij mbi fushën shqiptare të shahut. Megjithë numrin e tyre të vogël dhe të kufizuar – vetëm dy në shtator të vitit 1942, katër në janar të vitit 1943 dhe gjithmonë më pak se një dyzenë në fundin e luftës – këshilltarët e PKJ në gjirin e PKSH ditën të ndodheshin në zemrën e dispozitivit politik dhe ushtarak të rezistencës ; ata ditën gjithashtu të ndikonin vendimet dhe të propozonin zgjedhjet e tyre lidhur me njerëzit që i përshtateshin mënyrës së tyre të të parit të gjërave.
Përsa i përket shkallës së influencës që ata ushtruan mbi PKSH gjatë kohës së luftës, dy opinione diametralisht të kundërta janë përplasur që nga dita e parë e pasluftës : e para, që vjen nga kampi i fitimtarëve komunistë, ka patur tendencë ta zvogëlojë për të mos thënë t’a injorojë plotësisht ndërkohë që e dyta, e ardhur nga kampi i humbësve – ballistë dhe zogistë – e ka çmuar si totale, të gjithëfuqishme, të aftë për të imponuar marrëdhënie të një nënshtrimi të thellë, për të mos thënë të një vasalizmi integral. Arsyet e një papajtueshmërie të tillë mendimesh dhe opinionesh janë të kuptueshme, pa patur nevojë për të qenë me një mendje me analizat apo me bindjet politike që burojnë nga këto dy kampe të ndryshme : në qoftë se të parët kanë dashur t’a harrojnë këtë episod të largët por themelor që çvlerëson sadopak faqen më të lavdishme të historisë së tyre dhe që, para së gjithash, ve në vështirësi ndjenjat e tyre kombëtare apo nacionaliste, të dytët kanë dashur posaçërisht të tregojnë me gisht mëkatin origjinal të kundërshtarëve të tyre, t’i zhveshin këta të fundit lakuriq që gjithë bota të mund të shohë stigmatët e Djallit që ata u munduan të përballin, pavarësisht se kjo gjë përfaqëson veç një shpërblim krejt të vogël përpara humbjes që ata pësuan.
Një vështrim më pak i interesuar mbi aktorët e kësaj epoke del i nevojshëm për të zbuluar nuancat në gjykime dhe sidomos, për të sjellë disa të vërteta të pashtrembërueshme. Megjithëse çdo vend ndoqi peripecitë dhe pati karakteristikat e veta gjatë periudhës së luftës, disa elementë kanë vepruar në mënyrë të përbashkët dhe të pavarur, duke shërbyer si ura afrimi mes protagonistëve :
- Ndërhyrja ushtarake dhe pushtimi italo-gjerman preku pothuaj njëkohësisht bashkësinë e vendeve të fasadës perëndimore dhe jugore të Ballkanit dhe solli një seri përmbysjesh gjeopolitike si dhe fshirjen e kufijve të vjetër ndërshtetërorë.
- Lëvizjet e rezistencës në vendet e pushtuara (Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri), të udhëhequra nga partitë komuniste respektive, kanë vepruar brenda një kuadri strategjik që shpesh ka tejkaluar kufijtë e vjetër kombëtarë. Kështu është rasti i jugosllavëve të PKJ, i grekëve të KKE, i shqiptarëve të PKSH dhe në një masë tepër të reduktuar, i bullgarëve të PKB. Për të koordinuar operacionet e tyre ushtarake dhe veçanërisht, për të shmangur përplasje të panevojshme, shtabeve përkatëse të lëvizjeve nacional-çlirimtare ju desh të lidhnin kontakte mes tyre edhe shpesh, të vinin në jetë edhe taktika të përbashkëta.
- Terrenet e preferuara për realizimin e këtyre kontakteve ishin zonat kufitare që në të shkuarën kishin qenë objekt grindjesh politike dhe ndeshjesh ndëretnike - Maqedonia, mes jugosllavëve, grekëve dhe bullgarëve, Kosova mes jugosllavëve dhe shqiptarëve dhe në një masë më të vogël – Epiri, mes grekëve dhe shqiptarëve.
Megjithë dëshirat e zjarrta të nacionalistëve si dhe përmbajtjen e mendimit të tyre politik në planin historik, zgjidhja e konfliktit botëror, i quajtur ndryshe Lufta e Dytë, në këtë krah të Evropës shkoi në kahjen e strategjisë së përpunuar në kampin e rezistencës komuniste. Sipas fakteve të kësaj periudhe, është krejt e natyrshme që çështja e Kosovës që na intereson në mënyrë të veçantë të kqyret nga dy kënde të ndryshme : nga ai i komunistëve shqiptarë por njëkohësisht edhe nga ai i komunistëve jugosllavë. Në qoftëse në një shkrim tjetër më sipër u dha rasti të shtjellohet rruga që çoi PKSH drejt pushtetit në përfundim të luftës, kësaj rradhe na duket e domosdoshme të ndjekim dhe të përshkruajmë trajektoren drejt pushtetit të të intresuarit tjetër, Titos dhe PKJ së tij, si edhe pasojat e pashmangshme dhe fatale që ata shkaktuan mbi PKSH.

 

* * *

 

E krijuar gjatë muajve mars – prill 1919, Partia Komuniste Jugosllave - Partia Socialiste Puntore sipas emrit të saj të origjinës – njohu shumë shpejt orën e vet të lavdisë. Kjo forcë politike prej 60.000 antarësh u pranua menjëherë nga Internacionalja Komuniste dhe rrëmbeu bashkinë e Beogradit gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 1920. Një vit më vonë, në korrik të vitit 1921, PKJ u shpall jashtë ligjit dhe ju desh të deklaronte zyrtarisht shpërndarjen e saj. Në të vërtetë, asaj ju desh të u riorganizohej mbi të tjera baza, në ilegalitet, dhe me këtë rast humbi pothuaj gjithë efektivat : vetëm 3.000 antarë në vitin 1930, që do të bëhen 12.000 në prag të pushtimit nazist. Që nga momenti i kapitullimit dhe më pas gjatë coptimit të Jugosllavisë mbretërore të Pjetrit të IItë, pra nga prilli i vitit 1941 dhe deri në fund të qershorit të këtij viti, PKJ nuk ndërmori as gjestin më të vogël – as në veprime bile as edhe në shprehje. Vetëm pas sulmit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, me mirë të themi pas fjalimit historik të Stalinit gjatë të cilit ai urdhëroi partitë komuniste evropiane të godisnin armikun nazist, Byrosë Politike të PKJ ju desh të shpërndante kuadrot e saj në terren për të organizuar fillimet e rezistencës kundër pushtuesve shumëkombësh – Vukmanoviç-Tempo shkoi në Bosnjë, Milovan Gjilas në Mal të Zi, Tito në Serbi (Sh. 6) apo Kardelj në Slloveni. Veç pak javë më vonë, Mali i Zi u përfshi në një varg përleshjesh të përgjakshme mes kryengritëve vendas dhe italjanëve. Në tetor të vitit 1941, rioshët komunistë të rezistencës fillojnë të bashkëpunojnë me veteranët e maleve, me çetnikët e Drazha Mihajlloviçit, para se të shëndrrohen në konkurrentët e tyre të papajtueshëm dhe të përfundojnë armiq deri në vdekje. Kështu, disa ditë më vonë, në prag të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në 8 nëntor të vitit 1941, është pak të thuhet se lëvizja partizane e Titos sapo kish hedhur hapat e para ; ajo mezi numëronte në rradhët e saj dy a tre mijë luftëtarë – një forcë thuaj e papërfillshme ushtarake tashmë në planin lokal - dhe nuk kishte asnjë perspektivë të qartë të të tashmes së saj dhe ende më pak ndonjë plan të përcaktuar mirë lidhur me të ardhmen, pa folur më për gjeopolikën e Ballkanit të pasluftës.
Sidoqoftë, është fakt që edhe në këto kushte, Komiteti Qëndror i PKJ kish ndërmarrë një veprim « të mençur » me vlerë të veçantë strategjike : dërgimin e emisarëve të tij të parë për të riorganizuar lëvizjen komuniste në Shqipërinë fqinje dhe aktiviteti i tyre kish dhënë frytet e dëshiruara, krijimin e PKSH. Ky element është i mjaftueshëm për të ngritur hipotezën se PKSH s’ish gjë tjetër veçse krijesë e jugosllavëve. Zaten, vetë jugosllavët do të jenë të parët që do të lëvdohen për këtë arritje të shënuar. Po qe se besojmë Enver Hoxhën, ishte malazezi Bozho Jovanoviç që hodhi këtë tezë gjatë punimeve të Konferencës së parë kombëtare të PKSH në Labinot (mars 1943) dhe e keqja ishte se ata e kishin me gjithë mend. Ata me të vërtetë besonin në këtë gjë dhe si rrjedhim, kërkonin të vilnin « dividendët » e investimit të bërë. Nga ana tjetër, edhe vetë italjanët kishin vënë re prezencën e jugosllavëve pranë PKSH dhe e përdorën këtë fakt për qëllimet e tyre të propagandës : komunistët shqiptarë pra ishin vegla të sllavëve, një argument me peshë në kuadrin e politikës së tyre « kombëtare ». Kjo tezë u rimor me gëzim nga ana e Ballit Kombëtar dhe u përdor qoftë gjatë luftës, për të reduktuar ndikimin e komunistëve në popull, qoftë pas saj, për të nënvizuar karakterin antikombëtar të pushtetit komunist. Një provë e gjallë e eklektizmit politik të Ballit, i cili nuk ngurroi aspak për të përdorur argumentat e armiqve të tyre tradicionalë por të largët – jugosllavët e Titos – për të luftuar armiqtë e betuar tashmë të afërt – shqiptarët e Hoxhës.
Të dërguarit e parë të Titos në Shqipëri – Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha – i përkasin « rrethit të parë » të PKJ, atij të udhëheqësve të lartë lokalë apo zonalë. Me origjinë nga rajonet kufitare dhe të njohur mirë me elementin shqiptar, ata u zgjodhën në funksion të aftësive të tyre të spikatura për të ngritur në këmbë organizatat ilegale, për të rekrutuar kuadrot e nevojshëm dhe për të përgatitur aksione të tipit guerrile. Është krejt e natyrshme të mendohet se deri në fund i vitit 1942, deri në prag të krijimit të Këshillit Antifashist Nacional – Çlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ) – Bihaç nëntor 1942 - ata vepruan kryesisht me iniciativën e tyre dhe ju bindën nuhatjes së tyre apo talentit vetjak për të krijuar dhe forcuar lidhje të natyrës personale. Mjafton të ndiqen peripecitë që hoqi ndërkohë lëvizja komuniste jugosllave. Në të vërtetë, në fundin e vitit 1941, forcat partizane jugosllave ishin në agoni : prishja me çetnikët, e ndjekur nga dy disfata të llahtarshme – ato të Pljevljas dhe të Uzhices – detyruan Titon dhe shokët e tij të merrnin arratinë dhe të fshiheshin në Foca, në luginën e lumit Drino. Vetëm gjatë pranverës të vitit 1942, ai mundi të ndërmarrë riorganizimin ushtrisë së tij mbi bazën e Brigadave partizane « Proletare » : në korrik të 1942, atij i mbeteshin gjithsej 3.000 burra e gra. Ata do të jenë 30.000 në janar të 1943 për t’u bërë 300.000 një vit më vonë, në 1944.
Në fund të vitit 1942, Tito arriti të ngrinte Frontin e tij Antifashist, gjë e cila e lejoi të forconte dhe të rriste bazën e lëvizjes së tij dhe të kufizonte atë të konkurrentit mbretëror. Atëhere, ai vendos të interesohet më tepër lidhur me çka ndodh tek fqinji i tij – duke dërguar dy kasnecë të tjerë – aq më tepër që ndërkohë Tito kalon pjesën më të madhe të kohës në Zhabljak, në pyjet e Malit të Zi, për të mos thënë në kufirin me Shqipërinë. Duhet të presim pranverën e vitit 1943 dhe dy betejat e përgjakshme të Neretvës dhe të Sutjeskës, pas të cilave drejtuesit e PKJ fillojnë të mendojnë seriozisht lidhur me zgjerimin e rezistencës antifashiste drejt periferisë, gjë e cila i shtyn pashmangësisht drejt përpunimit të një politike ballkanike.
Lind kështu ideja e Federatës ballkanike, një skicë e të cilës është vizatuar për herë të parë një vit më parë - gjatë vitit 1942. Me këtë rast, teoria e ndërfutjes së ideve të çlirimit kombëtar dhe të çështjes kombëtare projektohet mbi të gjithë gadishullin : gjithashtu me këtë rast, vendosen kontakte të rregullta me PK bullgare dhe me KKE greke ; përveç kontakteve që egzistonin ndërkohë me PKSH. Mirëpo në korrik të vitit 1943, duke ju përmbajtur fjalë për fjalë deklaratave të bëra në Bihaç, Partia Komuniste Maqedone shprehu vullnetin e saj për të krijuar një Maqedoni të pavarur dhe të bashkuar. Ky është edhe thelbi i të ashtuquajturës « çështje maqedone » si edhe prologu i « çështjes shqiptare ».
Gjatë shgjymtyrimit të Jugosllavisë mbretërore në vitin 1941, Bullgaria ndërhyri për të aneksuar Maqedoninë – në fakt, atë çka mbetej nga Maqedonia pasi disa krahina perëndimore të saj i ishin bashkuar Shqipërisë italjane, qyteti i Selanikut dhe rrethinat e tij kishin mbetur nën pushtimin gjerman ndërkohë që një pjesë e Maqedonisë egjeane ishte vënë gjithashtu nën pushtimin italjan. E gjithë pjesa tjetër bashkohet me Bullgarinë – që nga qyteti i Follorinës pranë kufirit me Shqipërinë dhe deri në lumin Struma dhe në Pirot, apo më mirë të themi e gjithë Maqedonia e zonës së liqenjve, ajo e Vardarit dhe e Pirotit. Ky pushtim « logjik » nga ana e « vëllezërve bullgarë » nuk pati thuaj asnjë impakt mbi rezistencën popullore antifashiste : seksioni maqedonas i PKJ shkon deri aty sa që përqafon pikpamjet e komunistëve bullgarë dhe gjykon të panevojshme shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme. Megjithë linjën politike të përcaktuar nga AVNOJ në vitin 1942, u desh ndërhyrja e posaçme e Vukmanoviç - Tempos në mars të vitit 1943 për të riorganizuar seksionin maqedonas të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave. Pasi projekti fillestar maqedonas s’kish të bënte aspak me planet jugosllave : pas kontakteve të shpeshta me komunistët bullgarë dhe komunistët grekë, vendasit vendosën krijimin e një Fronti Nacional-Çlirimtar sllavo-Maqedonas. Kjo ishte një goditje e rëndë ndaj Titos, i cili nisi menjëherë Svetozar Vukmanoviçin - alias gjenerali Tempo për të ndëshkuar tendencat qendërikëse maqedone. Ky i fundit veproi pa mëshirë në vend për « të asgjësuar në mënyrë energjike të gjitha pozitat e gabuara të Maqedonasve », përpara se të çfaqej në Vithkuq dhe në Lavdar të Oparit, apo në Kucakë - pranë udhëheqjes së PKSH atë mars të largët të vitit 1943, në përfundim të udhëtimit të tij të parë të inspektimit në këtë krah të Ballkanit (Sh. 7).
Mbërritja e Vukmanoviç-Tempos në Shqipëri dhe takimet e tij të verës 1943 me udhëheqjen e PKSH shënojnë fundin e fazës së parë të bashkëpunimit mes dy partive komuniste, atë të stërvitjes dhe të mësimit të zanatit. Zëdhënësi i ri jugosllav që i përket atij grushti udhëheqësish të nivelit kombëtar, shumë të afërt me Titon dhe përgjegjës të politikës të përgjithshme të PKJ, vëren shpejt tendencat që veprojnë në gjirin e Komitetit Qendror të PKSH dhe veçanërisht, hezitimet dhe orvatjet për të bashkëpunuar apo për t’u hapur drejt rrymës nacionaliste. Ky orientim i ngjashëm me atë të fqinjëve maqedonë paraqet një rrezik të qartë në lidhje me politikën e PKJ lidhur me periferinë ballkanike – veçanërisht lidhur me të ardhmen e Kosovës, gjë e cila e shtyn të ndërhyjë në mënyrë të prerë.
Eshtë interesante të nënvizohet se në thelb, ndërhyrja « brutale » e Tempos pranë shokëve të tij shqiptarë të armëve nuk ndryshon aspak nga qëndrimet anti-Balli të kolegut të tij Popoviç, të shprehura me një forcë të veçantë gjatë Mukjes. Ajo çka ndryshon në të vërtetë është këndi i vështrimit : në se gjenerali Tempo shqetësohet për fatin e ardhshëm të Kosovës në kuadrin e interesave të Jugosllavisë së tij, Popoviçi, të cilin shqiptarët e kishin « pagëzuar » Ali Gostivari, preokupohej nga perspektiva e ndarjes së pushtetit paslufte si edhe nga raportet e reja të forcës që mund të krijoheshin në vendin e tij të adoptimit, në Shqipëri. Sidoqoftë, ndërhyrja e emisarit special të Titos përbën edhe ngjarjen vendimtare që shënon radikalizimin e PKSH ; nën impulsin e jugosllavëve, udhëheqja e partisë shkundet dhe i kundërvihet të gjitha ideve të mëparshme të një afrimi me Ballin Kombëtar. Në këtë mënyrë lind procesi « anti Mukje » që u vulos në Konferencën e dytë të Labinotit dhe përvijohet shqyerja me kampin nacionalist – akti i parë i luftës « civile » mes shqiptarësh. Megjithëse PKSH kish mundur të marrë kthesën e duhur, pasi kthehet në bazë, Tempo paraqit një raport shumë pak të favorshëm lidhur me palën pritëse dhe arrin të influencojë Titon, i cili edhe pse nuk i zotëronte të gjitha kartat e lojës, zotëronte mundësinë tjetër – atë të ndryshimit të metodës së punës dhe në rradhë të parë, ndërrimin e ekipit jugosllav në vend.
Vite – për të mos thënë dekada - më vonë, në veprat e tij, Hoxha do të rikujtohet mbi megalomaninë e jugosllavit Tempo dhe nënvizon antipatinë e thellë që lind dhe instalohet mes dy burrave. Po qe se do t’i besojmë rishtas kujtimeve të tij, elementi që përsëritet me forcë të veçantë gjatë të gjithë takimeve që padroni i ardhshëm i PKSH do të ketë me emisarin e shquar të Titos ndërmjet marsit dhe gushtit të vitit 1943, s’është gjë tjetër veçse mendimi i ngulët i këtij të fundit lidhur me shtabin ballkanik. Edhe pas kaq vitesh, në periudhën e shkrimit dhe të botimit të kujtimeve të tij, udhëheqësi shqiptar tregohet i pamëshirshëm në gjykimet e veta ndaj të dërguarve të Titos në vendin e tij pasi të gjithë ata, përveç Popoviçit, përshkruhen si konspiratorë dhe intrigantë, të drejtuar nga një ide e vetme – ajo e nënshtrimit të PKSH ndaj interesave jugosllave (Sh. 8).
Është krejt e mundur që tundimet shkëputëse të maqedonëve si edhe thirrjet për marrëveshje mes shqiptarësh – këto dy prirje që, në fund të fundit, vulosnin shgjymtyrëzimin e Jugosllavisë së vjetër, përbëjnë bërthamën e asaj kthese rrënjësore që pësoi politika titiste lidhur me çështjen kombëtare, në vjeshtën e vitit 1943. Megjithatë, mes teorisë leniniste mbi të drejtën e vetvendosjes dhe praktikës ballkanike të shovinizmit etnocentrik, gremina është aq e thellë sa që Titos, shumë më tepër jugosllav në shpirt se sa kroat i lindur, ju desh një vit i tërë për të gjetur formulën e përshtatshme : atë të federalizmit. Mbi bazën e trashëgimit territorial të Jugosllavisë mbretërore, të krijohet një Jugosllavi e re federale – ja edhe së fundi platforma e re kombëtare e dalë nga punimet e Jajces. Përsa i përket politikës ballkanike të kësaj Jugosllavie të re, mes të tjerash, ajo duhet të zgjidhte edhe grindjet e vjetra mes fqinjësh të periferisë ; a ka zgjidhje më të përshtatshme se sa një Federatë ballkanike, një lloj kopje e modelit kombëtar ? Eshtë e sigurt që, gjatë muajve nëntor – dhjetor të vitit 1943, Tito ende nuk ishte në gjendje të merrte me mend si do të rridhnin ngjarjet deri në fund të luftës ; sidoqoftë, ai i kish marrë të gjitha masat për t’a kthyer peshoren nga ana e tij. Lëvizja e tij kishte një « Qeveri të Përkohëshme » të zgjedhur në Jajce, ushtria e tij gëzonte njohjen e gjithëfuqishme të Aleatëve si antar me të drejta të plota në Koalicionin antifashist dhe së fundi, ai vetë ishte pajisur me shkopin e Mareshallit.
Së fundi, por aspak e fundit në rradhën e vlerave, vjen mbështetja e anglezëve. Nëqoftëse saga Tito ka ngjallur në mënyrë sistematike mosbesimin e Stalinit, i cili për arsye të errëta pothuaj deri në fund të luftës preferoi kampin mbretëror ndaj atij komunist, ajo tërhoqi pashmangshmërisht vëmendjen e anglezëve. Në mënyrë të veçantë, rezistenca e udhëhequr nga Titoja tërhoqi vështrimin e Çurçillit, i cili që në qershor të vitit 1943 dërgoi pranë shtabit të partizanëve jugosllavë djalin e tij Randolfin. Ky i fundit kthehet pranë të atit thellësisht i bindur dhe arrin të bindë edhe gjithë të tjerët lidhur me dobinë apo përfitimin që do të sillte Tito, po qe se do t’i bëhej besim si i vetmi konkurrent i vlefshëm në garën e ardhshme për pushtetin. Pak kohë më pas, Konferenca e Teheranit (28 nëntor – 1 dhjetor 1943) njohu Titon dhe lëvizjen e tij si partnerë të Aleatëve. Që këtej e tutje, ndihma ushtarake dhe materiale e anglezëve fillon të orientohet veç në dobi të partizanëve, duke harruar tashmë rrymën legaliste. Që nga strehimi i tij londonez, duke filluar nga janari i vitit 1944, Pjetri i IItë u detyrua të bashkëpunojë me qeverinë e përkohëshme të dalë nga Jajce dhe braktisi në mëshirën e fatit Mihajllovoçin, ushtarin e tij besnik dhe trim.
Gjatë majit së vitit 1944, PKJ thirri në bazë Mugoshën dhe në vazhdim solli në vend një ekip të tërë, mes të cilit shkëlqen Velimir Stojniçi, emisari i ri i PKJ. Në këto ujra edhe Popoviçit ju kërkua me këmbëngulje të braktiste gjithçka dhe të kthehej sa më shpejt në vendlindje. U desh ndërhyrja e Enver Hoxhës, që miqtë e tij anglezë ta evakuonin nëpërmjet Italisë ku mundi të mjekojë tuberkulozin e tij kronik. Tashmë vendin e « organizuesve polivalentë » të tipit Popoviç e zunë « teknikët specialistë » të llojit Stojniç, në të vërtetë « ekspertë » të përgatitjes ideologjike, të çështjeve ushtarake apo të marrëdhënieve ndërkombëtare. Fillon kështu një fazë e dytë, ajo e konsolidimit të kontrollit jugosllav mbi PKSH.
Përse ky ngut i Titos dhe ekipit të tij për të riatdhesuar Popoviçin ? Po qe se besojmë Hoxhën, një pjesë të « fajit » ka vetë Popoviçi i cili nuk u përmbajt pas atij raportit katastrofik të Tempos mbi udhëheqjen e PKSH dhe i nisi Titos një varg letrash për të kjartësuar situatën dhe në rradhë të parë, për të mbrojtur « pozitat e drejta » të udhëheqjes shqiptare. Paralelisht, rrjedha e ngjarjeve të fundverës të vitit 1944 sugjeron një deshifrim tjetër të situatës : që prej tre vjetësh, prej shtatorit të vitit 1941, Popoviçi jetonte në Shqipëri – praktikisht gjatë gjithë periudhës së luftës – krejtësisht i shkëputur nga realiteti jugosllav., kontaktet e tij me të cilin kishin qenë më se sporadike. Gjatë kësaj periudhe shumë ujra kishin rrjedhur dhe strategjia e PKJ kish ndërruar disa herë kahje. Hera e fundit që Popoviçi kish dhënë llogari përpara udhëheqjes së tij ishte në Zagreb, në tetor të vitit 1940. Pra, ai mungonte në Bihaç dhe në Jajce ku ishin hedhur bazat e pushtetit të ardhshëm të Jugosllavisë së re federale dhe për më tepër, ai ishte krejtësisht i shfazuar lidhur me politikën e re ballkanike të Titos. Këtë shfazim – si edhe ndikimin shumë të madh që ai ushtronte mbi Enver Hoxhën - e kish konstatuar dhe e kish relatuar për herë të parë Tempo, mesazhi i të cilit lidhur me korrigjimin e politikës së përgjithshme të PKSH dhe mbi shtabin e ardhshëm ballkanik kaloi shumë keq, pikërisht për shkak të Popoviçit. Ndërkohë, Tempo kish konstatuar edhe premisat pozitive - mediokritetin që mretëronte në rradhët e udhëheqjes së PKSH si edhe fillesën e fërkimeve të para në gjirin e saj. Padyshim, politika e re jugosllave kërkonte marrëdhënie të reja dhe veçanërisht një përqasje të re por paradoksalisht, pengesa kryesore nuk ishin vetë shqiptarët por një malazez si Popoviçi.
Disa muaj më vonë, në vjeshtën e vitit 1944, rrjedha e ngjarjeve tregon shumë qartë se nga kjo anë e kufirit dhe nga ana tjetër, pushteti do të binte së shpejti në duart e komunistëve. Ky lajm kaq i mirë veç mund të frymëzojë atë mendim mjeshtëror që problemi i Kosovës do të mund të zgjidhej një herë e mirë në qoftëse e tërë Shqipëria do të bënte pjesë në gjirin e Federatës së ardhshme Ballkanike – për të mos thënë Jugosllave. Ky mendim, po aq i vjetër sa edhe vetë Jugosllavia, shtyu emisarin e ri të Titos, kolonel Velimir Stojniç, të ndërmarrë një arbitrazh të vështirë gjatë Pleniumit të IItë të KQ të PKSH, të mbajtur në Berat në prag të çlirimit të vendit (22-25 nëntor 1944). Sipas legjendës, ai mundi të shfrytëzojë me mjeshtëri divergjencat e sapolindura në gjirin e Komitetit Qëndror të PKSH dhe rreshtoi pas vehtes pjesën më të madhe të antarëve të KQ, duke i lënë Enver Hoxhës veç një pakicë ithtarësh. Ky Plenium i famshëm – shumë vite më vonë Hoxha do t’a quante « njollë të zezë » në historinë e partisë së tij – la gjurmën e tij dhe peshon mbi të gjitha marrëdhëniet mes dy partive komuniste dhe të dy vendeve fqinjë për vitet e ardhshme.
Çka ndodhi në Berat, atë nëntor të largët të vitit 1944 ? Dokumentat zyrtare të PPSH, të botuara pas lufte, na mësojnë se përfaqsuesi i PKJ u lëshua në një sulm të egër kundër linjës politike të PKSH, duke dënuar njëkohësisht oportunizmin e Hoxhës ndaj Ballit dhe sektarizmin e tij ndaj Veriut të vendit. Sigurisht, varianti i përhapur nga Jugosllavët është krejt i ndryshëm : sipas tyre, divergjencat e shprehura gjatë Pleniumit të Beratit ishin ushqyer nga njëra anë nga vetë Hoxha i cili kish pohuar më se një herë « naivitetin dhe paaftësinë e tij » dhe nga ana tjetër nga shokët e tij të idealit që ishin të vendosur për t’a zëvendësuar në krye të partisë. Gjithmonë sipas versionit të tyre, jugosllavët ndërhynë për të shpëtuar Hoxhën dhe nëpërmjet tij, ata mundën të siguronin suksesin e ndërmarrjes komuniste në prag të çlirimit të vendit. Ku qëndron e vërteta ? Si zakonisht, diku mes dy varianteve : Hoxha, i braktisur nga mentori i vet Popoviç, e kish humbur toruan si edhe sensin e vet të analizës dhe të kontrollit që do ta karakterizojë aq mirë më vonë, dhe në mënyrë naive pranoi publikisht paaftësinë e tij – zaten, absolutisht e vërtetë. Por edhe sikur ai të mos e kish pranuar këtë gjë, ishin shokët e vet të luftës Spiru dhe Malëshova që do t’ja kujtonin, tashmë që ishin çliruar krejtësisht nga gjenia e keqe e Popoviçit dhe nga kornizat e tij të ngushta organizative dhe disiplinore. Bile, duke përdorur terma jo fort të dashura, Spiru kish redaktuar për këtë rast edhe një shënim biografik për Sekretarin e Parë, i cili nuk ja harroi dhe nuk ja fali kurrë.
Mjaftoi pra sulmi fillestar i Stojniçit që kjo « bandë » të pakënaqurish, të cilës me këtë rast ju shtua Koçi Xoxja, Liri Gega apo dhe Pandi Kristo, të saldohej mes vedit dhe të lëshohej nga zinxhiri, duke kërkuar kokën e Sekretarit të PKSH. Në se ai mundi ta shpëtojë, kjo ndodhi vetëm falë Stojniçit, qëllimi i të cilit ishte thjesht të zhdukte ndikimin e Popoviçit dhe jo vetë Hoxhën. Një puç pra në gjirin e Komitetit Qëndror të PKSH në prag të çlirimit të vendit, i frymëzuar dhe i kontrolluar deri në fund nga jugosllavët që me këtë rast, arritën të vendosin raporte të reja forcash në të. Një ndërhyrje ndoshta brutale por e llogaritur mirë, e para në atë vargun e gjatë të viteve të ardhshme, që i hapi rrugën kontrollit të plotë jugosllav mbi politikën e brendshme të PKSH.

 

* * *

 

Thellësisht borxhlie ndaj ndihmës jugosllave, PKSH ju nënshtrua fatit të saj : ajo kopjoi verbërisht strukturat partijake të « motrës » së saj të madhe ndërkohë që udhëheqësit shqiptarë bënin të pamundurën për t’u tejkaluar në lavde ndaj idolit të tyre Tito. Asgjë nuk dukej më fuqishme se sa kjo miqësi e farkëtuar gjatë viteve të vështira të luftës, asnjë argument nuk dukej në horizont që të trondiste sadopak këtë mirëkuptim të pashembullt – bile as edhe e ardhmja e Kosovës, që ndërkohë i ishte nënshtruar ligjit të fituesve. Megjithë zhurmën e përleshjeve të përgjakshme mes « nacionalistëve » kosovarë – të ashtuquajturve fajtorë për bashkëpunim me pushtuesin – dhe njësive të ushtrisë jugosllave ; megjithë masakrën e sapo të thirrurve nën armë kosovarë - të atyre të rinjve të mobilizuar që kundërshtonin të shkonin për t’u vrarë në frontin kroat të Sremit në prill 1945 – e vështruar nga Tirana, çështja e Kosovës ishte mbyllur një herë e mirë. Në korrik të vitit 1945, përfaqësuesit e PKSH merrnin pjesë si të ftuar nderi në seancën plenare të Asamblesë të Serbisë që vulosi përfshirjen e Kosovës në gjirin e strukturës federative Jugosllave. Si shpërblim, Jugosllavia ishte i pari vend që njohu zyrtarisht Qeverinë e Përkohshme shqiptare.
Përse PKSH nuk ju kundërvu vendimit të Titos për të përfshirë Kosovën në strukturën jugosllave të pasluftës ? Po të lexosh veprën e Hoxhës « Titistët » ku emri Kosovë përmendet 275 herë, ai nuk le asnjë rast pa përmendur bindjen e tij se kjo çështje duhej të zgjidhej pas lufte, konform vullnetit të popullit të krahinës. Mirë gjatë lufte që Hoxha kish bindjen marksiste se « vëllezërit komunistë jugosllavë » do ta zgjidhnin problemin e Kosovës në përputhje me teorinë leniniste-staliniste të të drejtës së kombeve deri në vetvendosje, por pas lufte, në vitin 1945, kur ai mundi të konstatonte devijimin e praktikës jugosllave ndaj teorisë sovjetike, përse nuk e ngriti zërin publikisht ndaj një padrejtësie të tillë ? Përgjigjen e jep Biberaj kur thotë se :

komunistët shqiptarë të Kosovës dhe ata të PKSH nuk ju kundërvunë vendimit jugosllav lidhur me një çështje kaq vitale për kombin shqiptar për shkak të pozitës të nënështruar që ata kishin ndaj PKJ. Me përfundimin e luftës, u bë e qartë se, edhe një herë, Kosova ishte e destinuar të kalonte rishtas nën qeverisjen e të huajve (Sh. 9).

Për hir të realitetit, na duhet të heqim nga lista komunistët shqiptarë të Kosovës pasi as forca e tyre numerike as edhe kontributi i tyre në luftën nacional-çlirimtare nuk i vinte ata në ndonjë situatë të privilegjuar për t’i kujtuar PKJ premtimet e saj të dikurshme lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sidoqoftë, ideja e mësipërme është thelluar aq sa është bërë mënyrë të menduari mes qarqeve nacionaliste apo antikomuniste shqiptare ; ajo mbrrin deri në ditët e sotme dhe paraqitet si « përmbledhja më e qëlluar e situatës » në epokën e ngjarjeve që po përshkruajmë (Sh. 10).
E pra, megjithë aspektin vendimtar që zgjidhja e problemit të Kosovës paraqiste dhe paraqet për të ardhmen e kombit shqiptar, mjafton të largohemi sadopak nga kuadri i interesave shqiptare stricto sensu dhe kqyrim gjithë rajonin nën një kënd më të gjerë për të kuptuar se kjo shprehje e admirueshme e Biberajt nuk merr parasysh as rrjedhën e historisë as edhe realitetin e ngjarjeve.

--------------------------------------------

(1) Dusan T. BATAKOVIC - Kosovo Chronicles. Ed. Plato, Beograd 1992.

(2) Në librin e vet « Titistët », Enver Hoxha i përmbahet me forcë idesë që ai vetë dhe komunistët e tjerë shqiptarë vendosën të lidhnin marrëdhënie me PKJ, nën frymën e internacionalizmit proletar dhe për të mirën e dy partive komuniste. Sipas tij, fakti që Popoviçi u gjend në mes të pjesëmarrësve të Mbledhjes themeluese të PKSH s’ish gjë tjetër veç frut i një rastësie « fatlume » ndërkohë që kalon krejt në heshtje përsenë e ndodhjes gjithashtu mes tyre edhe të jugosllavit të dytë, Dushan Mugoshës, i ardhur krejt para Mbledhjes. Me më shumë detaje dhe veçanërisht e çinteresuar, dëshmia e Premtaj nuk le asnjë dyshim mbi prezencën dhe rolin e emisarëve të Titos. Mbi këtë subjekt, shih : Sadik PREMTAJ - Stalinism and Communism in Albania, Cahiers Léon Trotsky, 1997, nr 60 (November), Bibliothèque de Documentation internationale contemporaine_ (Nanterre).

(3) Duke ripohuar principin leninist të të drejtës për vetvendosje dhe për shkëputje, Tito rikujtonte njëkohësisht që : « Çështja e Maqedonisë, e Kosovës e Metohisë…. do të zgjidhet lehtë dhe për kënaqësinë e përgjithshme të të gjithëve, në qoftë se do të jetë populli vetë që do t’a zgjidhë, me armë në dorë, nëpërmjet luftës ».

(4) Megjithatë, bile edhe mes pakicave kombëtare kishte disa prej tyre që ishin më të lira dhe më të barabarta se të tjerat. Kështu, projekti i « Deklaratës mbi të drejtat themelore të popujve dhe qytetarëve të Federatës Demokratike të Jugosllavisë », i cili asnjëherë nuk mundi të kalojë stadin e projektit, parashikonte që « Populli i Vojvodinës dhe i Sanxhakut do të ketë liri të plotë për të vendosur ai vetë mbi lidhjet dhe vendit të tij në gjirin e Federatës ». Kosovë-Metohija nuk përmendet asgjëkundi, as në projektet as edhe në deklaratat e AVNOJ-it. Bile edhe në Ligjin mbi emrin e Shtetit si dhe mbi simbolet dhe armët e tij (Neni 2), përmenden me rradhë popujt « e Serbisë, të Vojvodinës, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë-Herzegovinës ». Rikujtojmë me këtë rast që asnjë përfaqësues shqiptar nuk bënte pjesë në grupin e 146 delegatëve të tubimit të Jajces.

(5) François FEJTO - ibidem.

(6) Për herë të parë, Tito riçfaqet në vendlindje në vitin 1925, pas dhjetë vjetësh të kaluara në BRSS. Ai i afrohet përkohësisht udhëheqjes më të lartë të PKJ në vitin 1928, pak kohë përpara arrestimit dhe dënimit të tij me pesë vjet burgim. Ai zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i PKJ në vitin 1939 dhe rimerr drejtimin e partisë në fundin e muajit mars të vitit 1940, pas një kthimi tjetër nga BRSS. Për hollësi të tjera mbi jetën e Titos, shih : Vladimir DEDIJER – Josip Broz Tito : prispevki za zivljenjepis, Ljubljana, Drzavna zalozba Slovenije, 1972.

(7) Mbi këtë subjekt, shih : Ernest WEIBEL – Histoire et géopolitique des Balkans de 1880 à nos jours, Ed. Ellipses, coll. L’Orient Politique, Paris 2002.

(8) Shih : Enver HOXHA – The Titoistes, Publishing House « Naim Frashëri », Tirana 1982.

(9) Elez BIBERAJ - Albania and China. A Study of an Unequal Alliance, Boulder et Londres, Westview press, 1986

(10) Kolë GJELOSHAJ dhe Jean-Michel de WAELE - La République d'Albanie et la question du Kosovo, Cahiers d'Études sur la Méditerranée Orientale et le monde Turco-Iranien n° 29.

3 Komente

"...Kështu, disa ditë më vonë, në prag të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në 8 nëntor të vitit 1941, është pak të thuhet se lëvizja partizane e Titos sapo kish hedhur hapat e para ; ajo mezi numëronte në rradhët e saj dy a tre mijë luftëtarë – një forcë thuaj e papërfillshme ushtarake tashmë në planin lokal - dhe nuk kishte asnjë perspektivë të qartë të të tashmes së saj dhe ende më pak ndonjë plan të përcaktuar mirë lidhur me të ardhmen, pa folur më për gjeopolikën e Ballkanit të pasluftës...."

 

"....Sidoqoftë, është fakt që edhe në këto kushte, Komiteti Qëndror i PKJ kish ndërmarrë një veprim « të mençur » me vlerë të veçantë strategjike : dërgimin e emisarëve të tij të parë për të riorganizuar lëvizjen komuniste në Shqipërinë fqinje dhe aktiviteti i tyre kish dhënë frytet e dëshiruara, krijimin e PKSH. Ky element është i mjaftueshëm për të ngritur hipotezën se PKSH s’ish gjë tjetër veçse krijesë e jugosllavëve. Zaten, vetë jugosllavët do të jenë të parët që do të lëvdohen për këtë arritje të shënuar...."

 

Une i ndava ne 2 pasazhe kete qe Xixa e thote pa e nderprere. E ndava se s'di ke te besoj, ose qe jugosllavet nuk kishin te percaktuar ndonje plan me 1941, per shkak te gjendjes se mjeruar te tyre , ose pretendimin e jugosllaveve pas luftes se PPSH e kishin krijuar ata me ata dy emisaret qe kishin derguar.  Mirpo emisaret mund ti dergosh edhe si vezhgues, edhe si simpatizues te nje diçkaje te re qe po formohej, edhe informatore per ate qe ke ndigjuar se do ndodhi, edhe si mbeshtetes. Pra ne nuk e dime te verteten e sakte sepse per krijimin e PPSH apo PKSH, deri me tani kane folur, shkruar vetem E. Hoxha dhe jugosllavet, nderkoh qe ne ate shtepi (shtepia e 8 Nendorit, siç quhej) ndodheshin 200 veta jashte e brenda. Nga keta qe ishin prezente si brenda e jashte, nuk kemi pare te thuhet a shkruhet diçka me e sakte rreth ketij fakti. Megjithate une e falenderoj Xixen qe na sjell dhe fakte te reja mbi gjendjen e Jugosllavise dhe PKJ te asaj kohe.

Ajo qe une kuptoj eshte se qendrimi i eger dhe me hile i amerikaneve dhe anglezeve ndaj Shqiperise dhe E.Hoxhes ne ate kohe, ka shtyre kete te fundit ti bindet jugosllaveve, tu beje leshime, vetem e vetem qe keta te fundit (jugosllavet) ta njohin qeverine e tij. Sikur amerikanet ta kishin njohur qeverine shqiptare te pas luftes, me siguri E.H. do ti kish duart me te lira ne kerkesat e tij te bera qysh ne kohe te luftes, pra dhe kerkeses per Kosoven. Kete fakt Xixa duhej ta permendte, fakt qe po ja permend une pikerisht nje kundershtar i E.H. dhe adhurues i flakte i Amerikes dikur. 

 

xixa, do e lexoj (pjese pjese). Flm qe na jep mundesine!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).