Diletantizmi dhe zanati

Selman Riza
"Perpjekja Shqiptare", Tirane
1938,janar,nr 13,fq 82-84

Diletantismin e gjejmë pa fjalë në çdo vent të botës së qytetëruar dhe në çdo lëmë të diturivet e të mjeshtërivet. Mirëpo mua s‘më besohet që diletantismi të lulëzojë gjjëkundi gjetkë si ç‘lulëzon përgjithësisht n‘Shqipëri edhe n‘albanologji posaçërisht. Le që "Shqipot" e kanë shtrembëruar domethënien e dilettantismit aqë sa e kanë bërë një rrezik shoqëror këtë përdorim të mençur dhe të dobishmë të ngesë shoqërore. Edhe me të vërtetë, në qoftë se dilettantismi për të huajtë e qytetëruar është një lloj sporti, pas të cilit jepen vetëm kur lihen të ngeshmë nga ushtrimi i mjeshtërisë që kanë mësuar, shumica më e madhe e diletantëve t‘anë e kanë këtë sport për çdo profesjon:

 

Si shpjegohet vallë një përzierje kaq e shëmtuar kuptimesh, një zëvendësim shkatrrimtar veprimesh? Ndonjë lëçitës, mbase, një anomalije shoqërore të këtillë psehin do t‘ja gjejë në t‘ashtuquajturën zgjuarsi natyrale të bashkatdhetarëvet t‘atij, e cila do të na bënte të zotërit që t‘ushtronim edhe mjeshtërit e pamësuara, që të kuptonim edhe disciplinat e pastudjuara. Ndonjë lëçitës më serjoz përgjigjen e pyetjes munt t‘a kërkojë në virtytin e praktikës, të cilin urtësija arbërore e shpreh kësi soji: s‘ ke nevojë të mësosh; të mëson puna vetë. Për t‘a parë të natyrëshme po atë gjendje që mua më shihet paradoksale, ndonjë lëçitës tjetër ka të ngjarë që të na sigurojë se mungesa e paragatitjes mjeshtrore është e keqja e pashmangëshme e çdo periudhe tranzicioni, edhe se, me të marrë fund periudha e tranzicionit, në të cilën sot për sot ndodhet vendi ynë, do të shuhet njëherthi edhe fara e profesionistëvet t‘improvizuar.

 

Le ta zëmë se lulëzimi i dilettantismit në Shqipëri u shpjeguaka nëpërmjet të konsideratës sociologjike se nevojët shoqërore ra, me mënyrë adequate, knaqen shumë më vonë se sa lindin edhe shumë më ngadalë se sa përhapen; ase nëpërmjet të konsideratës ethnologjike se një popull pa thuajse kurrfarë qytetërimi lëndor nuk munt të mos e vëjë në dyshim, bile, të mos e mohojë krejt effikacitetin e paragatitjes theorike; ase nëpërmjet të dy konsideratavet të kombinuara. Mirë po mua, mungesa ndër ne e serjozitetit dhe e autokritikës në punë, më duket t‘i ketë rrënjët më të thella edhe më të lartë burimin. Unë, dobësinë e Shqipëtarit në profesionismë e shpjegonj me padurimin shpirtëror edhe me paqëndresën fiziologjike mbë nj‘anë edhe m‘banë tjetër me mungesën në këtë pikëpamje të traditave kombëtare, të vetiravet të trashëguara. Le t‘i hedhim një vështrim sado pak kritik fjalorit të shqipes, e do të shohim se terminologjinë artizanale afro qind për qind të huajtur ase nga tyrqishteja ase nga sllavishteja. Një skamje e këtillë origjinaliteti industrial edhe në mos e pastë domethënien e një uguri të zi për paravajtjen e Arbërisë drejt qytetërimit lëndor, nuk munt të mos dojë të thotë se në këtë lëmë të Parët t‘anë nuk lanë pas thuajse gjë prej gjëje. Tashi, kur nuk na trëmbet syri përpara kurrfarë përgjegjësije me kusht por që të na jipen sa më shumë rasje për dallim vetjak, për kapardisje spektakulare; kur rrëfehemi t‘urëtuar për fitorje që na vënë, si themi, kokën, në trajsë, por që kanë për ne të mirën e të miravet që të korren aty për aty; kur e përbuzim zanatin edhe e përqafojmë arrivismin; kur sillemi kështu, nuk i pasqyrojmë vallë besnikërisht të Parët t‘anë, ata burrat e dheut që ndeshjet luftarake i kishin aqë në qef sa i kishin në mëri punët modeste dhe monotone të paqës, që në ndezjet e gjakravet, në zjarrin e betejavet ishin sakt plot hove heroismi dhe plot reserva energjije; por që gjatë kohrave të paqës, kur nuk zhyteshin në plogtinë gjumashe ose në politikanën në intrigante, jipeshin jo pas punëvet bujqësore, por pas bredhritjevet gjabëtare.

 

Shkurt, edhe që t‘a them tyrqisht, na mungon sevdaja për zanati. Në na daç të gishtit, na ke edhe të llogos, në na daç të rehatit, na ke edhe të paradës. Është e vërtetë. Porse zanatçij sevdallinj, si ç‘janë Frëngjët, edhe punëtorë këmbë-ngulës, si ç‘janë Gjermanët ase Bullgarët, "shqipot" as që duket të kenë qenë ndonjëherë, as që ka të ngjarë të jenë sot për sot.

 

Mirë po dashurija e mjeshtërisë, dua të them, të dhënit, bile, të qënit i shinë pas një veprimtarije të paragatitur mjeshtrisht me therorizimin e tërë një rinije edhe të marrur përsipër një herë e përgjithmonë, dashuria e mjeshtërisë është cilësija kryesore, virtyti themelor për kohën e paqës. L‘e ta përhapim pra tek të vegjlit e sotmë sevdan e zanatit, kultin e profesionit! Ja objektivi vital, drejt të cilit do t‘ishte lartësisht e dëshiruarshëme që nga ana e Ministrisë s‘Arsimit t‘orientojeshin moti motit nisjativat. Edhe ja ku po jua them, pa dashur që të jap, duke dramatizuar retorikisht, një kushtrim të papunë, ja ku po jua them: Po s‘u shtumë brezit të ri durimin shpirtëror edhe qëndresën fiziologjike: po nuk i futmë ata në mësonjtoren e seriozitetit edhe t‘autokritikës në punë; po i lamë të pandehin edhe ata se e ashtuqojtura zgjuarsi natyrale e bën të tepërtë paragatitjen mjeshtërore; se jo përkatësija profesionale por encyklopedia e përciptë ase dallaveret ase akraballëku janë hapësi magjik q‘i çel dyert e pozitavet llokmë-mëdha; po nuk u shkulmë atyrevet prerjen e trashëguar për hec-e-jaket plot gjallëri të dukëshme por pa pikë jete të brendëshme, për bredhitjet gjahëtare nëpër shkenca edhe nëpër mjeshtri; shkurt, po nuk çrrënjomë atyrevet shpirtin aventurier dhe karrierist mbë nj‘anë edhe mb‘anë tjetër po nuk i bintmë ata se, ndërsa përpëlitjet e ambicjes banale na hanë nervat, na prishin gjaknë; ushtrimi i një mjeshtrije, përkundra, me rythmin monoton por qetësonjës, me frymën e egër por të shëndetëshme, me kurajon e përditëshme, me bekimin e pemëvet...na jep dorë t‘a trajtojmë karakterin, të bëhemi burra, dua të them, edhe t‘i zhvillojmë mundësit mendore e ndjenjake, të bëhemi njerzë, dua të them, me një fjalë, po s‘i bintmë brezin e ri se vetëm e vetëm ushtrimi i një mjeshtrije i fal jetës përmbajtje edhe kuptim, atëherë mbase, sepse krahun Zoti e ka të gjatë, apo sepse trillet fati s‘i ka të parapashmë-atëherë, mbase për dhunë të mekanizmit dhe t‘industrializimit të luftës, për dhunë, dua të them, të faktit modern së atij që nuk do të jetë i fortë dhe i pasur në veprimtarinë paqësore, nuk do t‘i bëjë dot para trimëris në luftë, atëherë mbase, Arbërija e Lirë do të rrojë prap se prap. Veçse këjo rrojtje e pamerituar, këjo liri e falur nga qielli apo nga lodra e drejtpeshimit ndërkombëtaar; do të jetë vallë e dëshëruashme për stërnipërit mëndjemëdhenj të fatosave epikë të dyluftimevet të qëmotit?

2 Komente

... dashuria e mjeshtërisë është cilësija kryesore, virtyti themelor për kohën e paqës. L‘e ta përhapim pra tek të vegjlit e sotmë sevdan e zanatit, kultin e profesionit! Ja objektivi vital ...

1938

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).