Çekia: Proces i vështirë anëtarësimi

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian thotë se inkurajon Shqipërinë të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret për anëtarësi në BE.

Duke folur për BBC në shqip pas ceremonisë së dorëzimit të aplikimit për anëtarësi në BE nga kryeministri shqiptar Sali Berisha kryeministrit çek Mirek Topolanek, zëdhënësi i presidencës çeke Jiri Potuznik paralajmëroi për një proces të vështirë anëtarësimi "duke pasur parasysh gjendjen e tanishme ekonomike dhe riorganizimin e brendshëm të institucioneve evropiane".

Ai tha se midis kushteve që duehn plotësuar është mbajtja e zgjedhjeve të lira parlamenare si dhe sundimi i ligjit.

Ilir Nishku bisedoi me zëdhënësin e presidencës çeke të BE-së Jiri Potuznik dhe fillimisht e pyeti se çfarë ndodhi në Pragë:

Jiri Potuznik: Kryeministri shqiptar ka paraqitur kërkesën e Shqipërisë për anëtarësi në Bashkimin Evropian dhe ai ia dorëzoi atë personalisht kryeministrit çek si president i Këshillit Evropian në Pragë. Dua të them se ishte një atmosferë shumë miqësore dhe kryeministri Topolanek përmendi faktin se Republika Çeke, që është një anëtare shumë e re e BE-së, dhe një vend me vetëm 20 vjet liri, vetëm 10 vjet në NATO dhe pesë vjet në BE, e kupton se sa i rëndësishëm është edhe momenti aplikimit, dhe jo vetëm anëtarësia e vërtetë. Ai ia ka rekomanduar Shqipërinë Bashkimit Evropian, që të bëjnë më të mirën që ta pranojnë Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

BBC: Zoti Potuznik, çfarë do të ndodhë tani me aplikimin e Shqipërisë?

Jiri Potuznik: Tani, sigurisht i përket Shqipërisë të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e nevojshme që janë të detyrueshme për anëtarësimin përfundimtar në BE. Dhe gjithashtu i takon Bashkimit Evropian që të konsiderojë kapacitetin e tij për zgjerim të mëtejshëm. Siç e dini ndoshta, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme ekonomike dhe riorganizimin e brendshëm të institucioneve evropiane, kjo e bën ndoshta gjendjen pak më të vështirë por në të njëntën kohë edhe më të rëndësishme.

BBC: Mos ky aplikim tani do të futet në sirtaret e BE-së për t'u trajtuar nga presidencat e ardhshme të BE-së?

Jiri Potuznik: Sigurisht. Zgjerimi nuk është një përparësi e presidencës çeke, por është një proces i të gjithë Bashkimit Evropian. Siç mund ta dini, drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerimin, Michael Leigh, mori pjesë në ceremoninë e sotme në Pragë dhe ai vuri në dukje se ata besojnë që Shqipëria do të jetë e aftë të ruajë sundimin e ligjit, dhe që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kalojnë në mënyrë të ligjshme, dhe do të përmbushen gjithashtu edhe hapat e tjerë të rëndësishëm për anëtarësimin.

1 Komente

 Ops! Me duket se paska pasur te drejte Mirela!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).