“Dorëzohet” Vlora, TEC-i dhe “Petrolifera” fillojnë punë

Vladimir Karaj
Katër vjet më parë, më 6 maj 2005, kryeministri Sali Berisha u premtoi vlonjatëve dhe ambientalistëve, se në Vlorë nuk do të kishte TEC, por dje e në vazhdim punëtorët shqiptarë, italianë e turq po i japin dorën e fundit këtij TEC-i, që pritet t’i emetojë tymrat e parë pikërisht gjatë këtij sezoni turistik. Thuajse në të njëjtën kohë, në Vlorë pritet të fillojë punë edhe “Petrolifera”, objekti tjetër i kundërshtuar nga qytetarët dhe që u ndërtua me gjithë kundërshtimin. Vetë Vlora duket se e ka pranuar tashmë fatin. Në zyrat me xhama të thyer të Aleancës Qytetare lexohet qartë tabela “Mbyllur”, ndërsa në rrugë vlonjatët thonë se janë të pafuqishëm për të ndaluar fillimin e punës të dy projekteve, që sipas abientalistëve rrezikojnë seriozisht mjedisin dhe turizmin e Vlorës. 

“Do të bëhet ajo që do Berisha, ne nuk e duam, por ajo do të bëhet”, na thotë një fotograf, ndërsa pret klientë pranë monumentit që shënon ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Vlora duket se po pret në heshtje fillimin e punës në dy projektet e mëdha industriale dhe nga lartësitë e saj tashmë mund të shquhen turbinat dhe njëkohësisht edhe oxhaku i TEC-it. Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, (Korporatës Energjetike Shqiptare) Gjergj Bojaxhi, thotë për “Korrierin”, se turbina e TEC-it pritet të fillojnë punë në fund të qershorit, ndërsa drejtori i përgjithshëm i “Petroliferës”, Gazmend Shalsi, tha se kjo e fundit do të fillonte punë që në fund të muajit maj.
Të dy projektet, bashkë me atë të tubacionit të naftës “Ambo”, janë kundërshtuar ashpër nga aktivistë të mbrojtjes së mjedisit dhe qytetarë të Vlorës, që pretendojnë se të dy do të dëmtojnë, madje kanë dëmtuar tashmë mjedisin e Gjirit të Vlorës dhe rrezikojnë seriozisht ekosistemin e këtij gjiri. Por dy ditë më parë, ndërsa punëtorët e TEC-it dhe ata të “Petroliferës” punonin në projektet që tashmë dallohen qartë dhe kanë marrë formën përfundimtare, askush nuk ishte aty për të protestuar.
“Quajeni dorëzim po të doni, unë e quaj zmbrapsje të përkohshme të lëvizjes. Ishte një ndeshje krejt e pabarabartë: nga njëra anë kompani multimilionere, Banka Botërore, qeveritarë e bashkiakë servilë ose të korruptuar, me një sistem të dhunshëm policor, siç e treguan disa herë vjet nga janari në prill - nga ana tjetër një ndërgjegje qytetare në fillesat e vetëdijesimit, me organizim dhe kontribute spontane, me parimin e vullnetarizmit, pa asnjë financim nga jashtë, shpesh edhe me përçarje të brendshme”, thotë Ardian Klosi, një nga aktivistët kundër ndërtimeve të kësaj natyre në gjirin e qytetit bregdetar.
Nga ana e tyre, ndërtuesit e këtyre projekteve i kanë mbrojtur ato, duke cilësuar teknologjinë e tyre të përparuar dhe sigurinë të lartë për të vënë në rrezik mjedisin. Në një intervistë të hershme për mediat, zoti Shalsi cilësonte ngritjen e “Petroliferës” mjaft pozitive, duke thënë se përkundër asaj që thuhej, ajo do të neutralizonte rrezikun që vinte nga shkarkimi i naftës jashtë çdo garancie teknike në vende si porti aktual i qytetit. “Petrolifera”, që ndërtohet në një pjesë të zonës së bregdetit të zënë më parë nga Fabrika e Sodës Kaustike, do të shërbejë si port shkarkimi dhe depozitimi të naftës dhe gazit. Ndërtuesit e saj thonë se ajo nuk do të prodhojë ndotje, por qoftë kjo qoftë pretendimi i ambientalistëve dhe frika e vlonjatëve mbeten ende në nivel hipotetik. Ambientalistët janë të sigurt se aty ka naftë, ndotja është e pashmangshme, dhe ata e argumentojnë këtë me vende të ngjashme ku bëhet e njëjta procedurë e ngarkimit dhe e shkarkimit të naftës apo nënprodukteve të saj dhe sipas tyre, rrjedhja është e pashmangshme dhe për shkak se Gjiri i Vlorës është i mbyllur, ndotja e tij do të jetë e dukshme.
Lavdosh Feruni, i kontaktuar me telefon nga gazeta, thotë se tashmë lëvizja ambientaliste do të vëzhgojë dhe ndjekë me imtësi punën në të dy këto objekte. “Ajo që do të bëjmë, është të masim parametrat e ndotjes dhe t’i krahasojmë me atë që është premtuar. Nëse ndotja do të jetë më e lartë, atëherë do të protestojmë për të ndaluar punën e këtyre objekteve”, thotë ai. Kontroll do të ushtrohet sipas tij edhe për naftën që do të përdoret në TEC.
Feruni gjithashtu paralajmëron, se energjia e prodhuar nga TEC-i do të ketë kosto shumë më të lartë, për shkak të çmimit të lëvizshëm të naftës dhe se TEC-i rrezikon të dalë me humbje. “Ne do ta ndjekim me vëmendje dhe në rast se kjo rezulton e vërtetë, atëherë do të kërkojmë mbylljen e TEC-it”, thotë Feruni. Ai dhe të tjerë kundërshtarë të projekteve thonë se vendi ku është ngritur TEC-i ishte një zonë arkeologjike dhe përkundër rregullave, institucionet që duhej të kontrollonin në vazhdimësi punën gjatë ndërtimit të TEC-it dhe të bllokonin atë nëse do të hasej në objekte arkeologjike, nuk e kanë kryer detyrën e tyre. “Gjithçka është lënë në dorë të firmës së ndërtimit dhe askush nuk mund të thotë nëse janë gjetur apo jo objekte me vlera arkeologjike në këtë zonë”.
Në fakt, rruga që të çon për tek TEC-i e që kalon përmes Pyllit të Sodës, është thuajse e shkretë dhe peizazhi apo edhe fama e pyllit nuk është se janë joshëse. Pak më tutje, ngrehinat e rrënuara të ish-Fabrikës së Sodës duken e bëjnë pamjen edhe më të rëndë dhe deri më sot askush nuk ka menduar për ta pastruar këtë pjesë të qytetit prej tyre. “Petrolifera” fillon pikërisht këtu, por zë vetëm një pjesë të zonës, që dikur ka qenë e mbushur me mbetje të sodës. Ajo përfshin vetëm pjesën e bregut të detit dhe pamja e depozitave të naftës e gazit me gjithë shkëlqimin e tyre, është në një farë mase dëshpëruese në mes shkretëtirës prej betoni që ka rrënuar këtë pjesë të bregdetit, që përfundimisht nuk mund të quhet më i tillë. TEC-i ndodhet pak metra më tutje. Mes tij dhe “Petroliferës” është Triporti, një port i vogël peshkarexhash, që i bashkëngjitet portit të naftës në ndërtim dhe pjesës ku po shtrohen tubacionet e TEC-it. Të tre objektet zënë një pjesë të madhe të bregut të detit, e ndërsa “Petrolifera” dhe Triporti mbulohen nga ngrehinat e ish-sodës, TEC-i gjendet në një zonë plazhi. Vlonjatët thonë se ajo nuk ka qenë një zonë shumë e frekuentuar, për shkak të rrugës së keqe që të çonte atje dhe namit që kishte Pylli i Sodës pas 1997-ës. Tani mund të thuhet që ajo do të vazhdojë të mbesë e pafrekuentuar. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së plazhit ranorë është zënë nga TEC-i dhe në dukje mund të thuhej që tani se askush nuk do të vijë më për të bërë plazh në këtë zonë. Vetëm oxhaku mjafton për të penguar vizitorët e mundshëm. Katër vjet më parë, kur ne vizituam për herë të parë këtë zonë, menjëherë pas portit të peshkatarëve, ajo ende kishte dukjen e një plazhi të pastër dhe të bukur rëre, pak ditë më parë ajo ishte e rrethuar me tela, tuba të mëdha betoni dhe makineri pune që po i jepnin fund njëherë e mirë plazhit në atë zonë, duke zaptuar një hapësirë aq sa mund të shihet mirë nga syri i njeriut.
Edhe pse bëhet fjalë për investime goxha të mëdha në para, qytetarët e Vlorës ndjehen “të frikësuar” për të mos thënë të dëshpëruar nga ajo që po ndodh pak kilometra nga qyteti i tyre. Frika se pavarësisht premtimit ndotja do të jetë e madhe, i bëri ata që të merrnin pjesë në disa protesta, të zhvilluar në një periudhë kohe që përkon që me hedhjen e ideve për ngritjen e dy objekteve, por edhe fjalët për shtrirjen në këtë zonë të tubacioneve të “Ambos”, që sidoqoftë nuk mundët të ndalonin fillimin e ndërtimeve. Para zgjedhjeve të 2005-ës, kryeministri Berisha, atëherë kreu i opozitës, u premtoi ambientalistëve se do t’i zhvendoste këto projekte nga zona e plazhit. “Unë them të largohemi nga zona turistike. Hajde ta përcaktojmë zonën se ku është e përshtatshme. Tani të gjitha përpjekjet janë përqendruar në një pyll, që nuk mund të jetë asgjë tjetër, veçse një park për fëmijët dhe qytetarët e Vlorës. Ndaj dhe do ta mbyll këtë, duke ju falënderuar edhe një herë dhe duke ju siguruar se zëri juaj do të ketë përparësi të madhe, se mjedisi dhe mbrojtja do të jenë përcaktuese për të gjitha të tjerat. Ky është zotimi ynë”, tha atëherë Berisha. Katër vjet më vonë ai pritet të jetë prezent po ashtu pak kohë para se të zhvillohen zgjedhjet, për të përuruar fillimin e punës në turbinat e TEC-it që ka prekur një pjesë të pyllit dhe i ka hequr Vlorës një copë të madhe plazhi e deti, ndërsa rrezikon të dëmtojë turizmin.
Pas më shumë se 5 vjetësh përpjekje për të ndaluar ndërtimin e këtij TEC-i dhe objekteve të tjera industriale në bregdetin e Vlorës, qyteti dhe ambientalistët duket se i janë dorëzuar fatit dhe vetëm shpresojnë se premtimi i dytë i kryeministrit se ndotja do të jetë e ulët, “sa 500 makina të reja që lëvizin në qytet”, të jetë i vërtetë. E nëse qytetarët e Vlorës dhe ambientalistët “humbën”, industrialistët janë ata që kanë fituar dhe kanë ndërkohë të tjera projekte të gatshme, gjithaq të kundërshtuara, veçse tani jo vetëm në Vlorë, por pothuajse në të gjithë bregdetin, që fillojnë me një TEC qymyri në Durrës dhe përfundojnë me një central bërthamor gjetkë.
“Pyetja është: po a është vërtet ndonjë fitore e madhe, fitorja e bizneseve të naftës? Vlonjatët do ta shikojnë vetë sesi do të ndryshojë cilësia e mjedisit, e plazheve dhe e detit, e jetës së tyre me vënien në funksionim të TEC-it, “Petroliferës” dhe projekteve të tjera që do t’i ndjekin. Atëherë ndoshta do të shkunden me të vërtetë, edhe nga gjithë Shqipëria do t’i ndihmojnë kushedi njerëz më të zotë e më të fuqishëm seç ishim ne, që rezistencën, mesa duket, e çuam nga viti 2005 në 2008, por jo më tej”, thotë Klosi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).