Avokati i Prokurimeve: Tenderët janë korruptivë

Avokati i Prokurimeve, Edi Spaho, deklaroi se gjatë vitit 2008, nga 354 ankesa të depozituara pranë këtij institucioni për shkelje të ligjit me prokurimet publike, për 210 prej tyre ka filluar hetimi

Tenderët publikë zhvillohen në shkelje me ligjin. Vetë Avokati i Prokurimeve, Edi Spaho, hedh dyshime të forta për korrupsion gjatë zhvillimit të tenderëve me fondet publike. I pranishëm në Komisionin kuvendor të Ekonomisë, Spaho deklaroi se për vitin 2008, nga 354 ankesa të shqyrtuara, ky institucion ka gjetur shkelje pothuajse në gjysmën e tyre. Po ashtu, një kapitull i veçantë në raportin vjetor, Avokati i Prokurimeve i kushton Ministrisë së Ekonomisë dhe koncesioneve që ajo zhvillon, duke shprehur rezerva në lidhje me problematika të shumta. “Gjatë shqyrtimit të ankesave kemi parë se ministria ka bërë zvarritje, për shkak të mangësive të organizimit të brendshëm të këtij institucioni”, u shpreh Spaho. Por sipas ligjit shqiptar, rekomandimet që jep avokati nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga institucionet shtetërore. 

Shkeljet

Gjatë vitit 2008, nga 354 ankesa të depozituara pranë këtij institucioni për shkelje të ligjit me prokurimet publike, për 210 prej tyre ka filluar hetimi, pasi pretendimet dhe argumentet e operatorëve ekonomikë kanë qenë të mjaftueshme. “Autoritetet kontraktore zhvillojnë procedura prokurimi në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktimit të fondit limit, apo kur fondet nuk i kanë në dispozicion. Gjithashtu, ato nuk zbatojnë kriteret ligjore për hartimin e dokumenteve të tenderit dhe zhvillimin e procedurave në afatin e caktuar”, deklaroi Spaho. Po ashtu, sipas tij, “procedurat e prokurimit zhvillohen me mangësi, sepse nuk mbahen procesverbalet në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregullat e prokurimit publik. Autoritetet kontraktore gjatë zhvillimit të ofertave kualifikojnë dhe favorizojnë operatorë ekonomikë, të cilët nuk përmbushin kriteret kualifikuese”. Nga ana tjetër, deputetët në komision kërkuan një raport për shkeljet me tenderët në ministri. “Ne kemi kompetencë që të mbrojmë operatorët ekonomikë nga shkeljet e institucioneve të ndryshme në procedurat e prokurimit. Dhe kjo bëhet në bazë të ankesave të tyre. Janë 354 ankesa dhe në 52 raste është bërë monitorimi “ex-ficio”, me iniciativën e institucionit tonë. Ne kemi evidenca për këto 400 raste që kemi në total”, tha Spaho. Sipas tij, nga 354 vendime, 129 janë në mbështetje të operatorëve ekonomikë, në 30 raste janë dhënë rekomandime për rivlerësim të ofertave, 102 raste janë dhënë rekomandime për anulim të procedurave. Ndërsa 64 vendime të Avokatit të Prokurimeve janë të pambështetura nga APP-ja. Ndërkaq, deputetët e opozitës konstatuan vërejtjet e tyre në lidhje me zvarritjet që bëhen për tenderët publikë. “Vërejtjet që paraqiten në raportin e Avokatit të Prokurimeve janë të njëjta me ato që ka bërë opozita për favorizim të operatorëve të caktuar, për zvarritje të procedurave etj. Ky raport certifikon vërejtjet e opozitës”, theksoi deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi.

Cilësia

Një prej pyetjeve të deputetëve të Komisionit të Ekonomisë ishte në lidhje me fituesit e tenderëve. Sipas tyre, jo në të gjithë rastet duhet që çmimi më i ulët të jetë çmimi fitues. “Theksojmë që ligji e ka shprehur qartë se ai parashikon si vlerën më të ulët, ashtu edhe vlerën më të mirë ekonomike, ku kjo e dyta është një kombinim i cilësisë me çmimin. Kjo e dyta do të thotë që jo çmimi i ulët fiton automatikisht. Fatkeqësisht, në të gjithë rastet që janë evidentuar, autoritetet kontraktore janë të frikësuara të marrin ndonjë çmim tjetër, përveç çmimit më të ulët. Dhe ky është një fenomen në masë që dëmton edhe cilësinë”, deklaroi Avokati i Prokurimeve, Edi Spaho.

 

2 Komente

Pushohet nga gjykimi ceshtja Basha.

Basha akuzohej per abuzime per rrugen Durres Kukes.

Gjykata e larte ( Kolegji penal )  vlereson se kerkesa per gjykim eshte e pavlefshme. smiley

Sa mire eshte, mund te vjedhesh miljona ose miliarda ,por nese kane kaluar afatet ligjore gjykimi del i pavlere!!!!

Prandaj vidhni o popull,kaloni afatet ligjore me raporte mjekesore,me berje shurre apo leje lindjeje dhe parate ju mbeten juve. Qenka ide fantastike!!!

Jane pafundesisht te paturp.S'te mbetet gje tjeter vec harram parate e atij populli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).