A mund të ekspotohet mall tjetër veç krahut të punës?

Gazeta Agon

Shqipëria mbetet një ndër vendet me nivelin më të ulët të jetesës në Europë.

Një realitet, që në këtë periudhë të krizës ekonomike globale mund të ndryshojë vetëm duke rritur eksportin.

Kjo është këshilla që vjen nga tre ekspertë të njohur francezë të fushës së ekonomisë, si ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave në vitet 2002-2005 në Francë, Francis Mer dhe profesorët analistë, Michel Godet dhe Jacques Marseille. Ata kanë komentuar ecurinë e deritanishme të ekonomisë shqiptare edhe në kushtet e krizës botërore. "Nuk duhet harruar që Shqipëria është në Europë dhe ka avantazhe gjeografike, por ka një nivel jetese të ulët dhe e vetmja rrugë për zhvillim, është që të eksportojë sa më shumë jo vetëm fuqi punëtore, por dhe kapacitetin e saj të prodhimit, pasi ka mundësi të bëhet ‘uzina dhe reparti’ i Europës. Kjo është rruga që i lejon Shqipërisë të rrisë nivelin e jetesës.”,- është shprehur zoti Mer. Ish-ministri francez i Ekonomisë dhe Financave ka theksuar se vendi ynë ka kapacitete për t’u zhvilluar, duke përfituar edhe nga avantazhet që ka, si mosha e re e popullsisë dhe krahu i lirë i punës.

Nevojiten politika të qarta që të udhëheqin drejt këtij objektivi. "Shqipëria i ka mundësitë që të bëhet ‘Kina’ e Europës, pasi ka fuqi punëtore të re, nivele të ulëta pagash, pozicion të favorshëm gjeografik. Por janë të nevojshme politikat e zhvillimeve rajonale, sipas kushteve të zonave të ndryshme, sikurse dhe për politika afatgjata zhvillimi.",- është shprehur Mer.

Sipas tij, është i rëndësishëm përcaktimi i prioriteteve të qarta nga një qeveri e fortë, me objektiva të qarta, për ta çuar vendin në Bashkimin Europian. "Në Shqipëri shteti ka detyrë të ndërmarrë projekte afatgjata zhvillimi, ku fushat kryesore prioritare duhet të jenë arsimimi i rinisë, që të jetë e aftë t'i zhvillojë projektet, shëndetësia për të rritur nivelin shëndetësor të popullsisë, mjedisi i pastër dhe patjetër, urbanizimi, pasi vihet re se ndërtohet pa rregulla urbanistike, sikurse është në Durrës. Mendoni mirë kur të ndërtoni në bregdet, pa betonizime",- theksoi Mer.

Ish-ministri francez i Ekonomisë dhe Financave ka këshilluar qeverinë që të përmirësojë imazhin e së kaluarës së Shqipërisë, pasi, sipas tyre, ky mbetet ende një faktor pengues për investitorët e huaj. Ish -ministri francez, Mer, shprehet kundër një zgjidhjeje globale për krizën.

"Nuk jam dakord për gjetjen e një zgjidhjeje globale, pasi çdo vend ka karakteristikat e tij ekonomike dhe politike. Por pas daljes nga kjo krizë, çdo vend i botës do të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi.",- ka deklaruar ai.

Ndërsa Profesori i Ekonomisë, Godet, vlerëson se Shqipëria ka shans të madh popullsinë në moshë të re, lindshmërinë e lartë, krahasuar me vendet e BE-së, pasi ky është shans pozitiv për të punuar, por edhe për të drejtuar në këto vende sektorë të ndryshëm në të ardhmen. Për të, zgjidhjet e nevojshme për të kapërcyer tranzicionin dhe situatën ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria, lidhen me zgjedhjet sa më rajonale të projekteve të zhvillimit.

"Tre janë çështjet kyçe që nevojiten në Shqipëri për t'u zgjidhur: Krijimi i një shoqërie besimi, kapacitete njerëzore të afta që të mund të adoptojnë zhvillimet e reja ekonomike, si dhe dëshira për të ecur përpara. Të tria këto kërkojnë krijimin e kushteve për një shoqëri sa më harmonike.",- u shpreh Godet.

Ndërsa profesori tjetër francez, Jacques Marseille, vlerëson se “Shqipëria është një destinacion i jashtëzakonshëm turistik, pasi përfaqëson nivele kureshtare historike dhe ia vlen të zbulosh një vend që ka kaluar një sistem komunizmi dhe një tranzicion ekonomik dhe social".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).