A ka jetë përtej së majtës e të djathtës?

Katër vjet më parë, larg publikut dhe mediave, disa nga mbledhjet e KOP-it u shoqëruan me debate rreth një çështjeje të ndjeshme: a duhet të kishte programi i ardhshëm qeverisës një bosht ideologjik të djathtë apo duhet të ishte... përtej së majtës e së djathtës. Prirja që mbizotëroi ishte ajo e status quo-së; një prirje tradicionale që e sheh politikën me syze OJQ-je: të realizueshme dhe të matshme me kriteret “objektive” të “qeverisjes së mirë”, larg ndikimit ideologjik dhe ndërtuar mbi presupozimin se të gjithë votuesit duan të njëjtën gjë dhe se për ta sendërtuar  atë mjafton vullneti i mirë i njerëzve me duar të pastra. Duke shmangur ndryshime rrënjësore në orientimin programor të PD-së, KOP-i në fakt nuk zhgënjeu pritshmërinë e shumë qytetarëve të stërlodhur politikisht që nuk prisnin programe të sofistikuara, por thjesht “ca çuna të rinj e të zotë të shkolluar jashtë”. Por kjo ishte shumë pak.

Katër vjet më pas, qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste nuk është dhe aq i ndryshëm. Por me një dallim të madh. Nga njëra anë, kryetari i PS-së ka shpallur “politikën e re”, të cilën e kemi të vështirë ta konceptojmë nëse ai nuk na tregon aty për aty se ajo është thjesht e kundërta e “politikës së vjetër”, me të cilën Rama nënkupton thjesht dhe qartë Berishën dhe sipas rastit edhe Metën. Pra një politikë përtej politikanëve, siç ka qejf të shprehet z.Rama, duke nënkuptuar çuditërisht se ai nuk është politikan, por ndonjë lloj mesie a ndonjë superqytetari që na përfaqëson të gjithëve, duke krijuar një lidhje të shkurtër mes votuesit dhe politikës. Problemi është se në qoftë se kjo “politikë e re” është thjesht një politikë pa Berishën e Metën, nëse ajo nuk ka asnjë bosht programor të qartë, atëherë, i vetmi përfundim që na mbetet të nxjerrim është se politika e re nuk është gjë tjetër veçse një politikë e bërë nga disa njerëz të tjerë. Z.Rama nuk e ka shprehur kurrë hapur këtë pohim, por kjo është qartazi ajo që ai nënkupton. Hiqni Berishën dhe më jepni pushtetin mua. Por a ka diçka të re në këtë pretendim për zëvendësimin e një apo disa politikanëve me një tjetër? Asnjë gjë të re. Ky koncert ka 18 vjet që dëgjohet në Shqipëri. Kjo “politikë e re” duket se i hap rrugën saktësisht asaj që sulmon, “politikës së vjetër”. Ajo që sillet si e re janë vetëm emrat.

Prandaj mund të thuhet se “politika e re” e Ramës, jo vetëm që nuk ka asgjë të re, por madje nuk është as aq e sinqertë sa të thotë hapur atë që nënkupton për të mos fyer ndjeshmërinë e votuesve. Kur kritikon njerëzit, pa program të qartë e koherent, Rama thjesht po hap hapësirë për njerëz të rinj. A është ky maksimumi ose optimumi që mund të presim prej liderëve tanë? Nuk besoj. Nga kjo pikëpamje, dallimi mes sulmeve personale të PD-së ndaj Ramës dhe sulmit që Rama u bën “politikanëve” është thjesht çështje etike.

Partia Socialiste mund të thotë se ka program, por ky program ose ka humbur nëpër sirtarë për ndonjë neglizhencë të marrëdhënieve publike të saj, ose është aq i parëndësishëm për vetë socialistët sa nuk ia vlen të paraqitet e të relievizohet publikisht. Nuk mjafton as paraqitja në studio televizive e njërit prej 1.000 librave që janë shkruar për këtë çështje si të ishte kumt i dërguar prej Zotit. Kjo skenë interesante më kujton reagimin e një studenti, i cili, teksa një koleg i tiji i hodhi poshtë teorinë që mbronte, nxitoi të thoshte: “Jam i sigurt që e kam mirë, sepse kështu thotë në libër”.

Konceptimin e fushatës së socialistëve si betejë burimesh njerëzore përtej programeve, e përforcon akoma më shumë qëndrimi i G99-ës: të gjejmë ide gjeniale kudo ku të jenë e pavarësisht nga konteksti e t’ua lemë në dorë “të rinjve”. Të paktën KOP-i kishte debate të forta në lidhje me këtë çështje!

Teza antiprogram e Ramës dhe Veliajt për një politikë përtej së majtës e së djathtës nuk të le asnjë alternativë tjetër përveç asaj të zgjedhjes mes personave: mes Ramës e Berishës me Metën në sfond. Kjo është shumë pak në kushtet kur kemi nevojë për ndryshime reale, për një kontratë të qartë me cilëndo parti që do të vijë në pushtet, përmes të cilës të caktojmë me aq sa mundet se çfarë do të ndodhë në 4 vitet e ardhshme. Aktualisht, e vetmja gjë që u premtohet qytetarëve, është se do të qeverisemi nga njerëz të ndryshëm. Kjo nuk ka qenë kurrë një garanci në Shqipëri e në asnjë vend tjetër. Përtej së majtës e së djathtës, nuk ofrohet as program e as ide, por thjesht njerëz të tjerë. Një Tiranë prej betoni është shembulli më i mirë i modelit “përtej gjithçkaje”. Ndoshta duhet të kujtojmë këtu atë shprehjen amerikane që thotë: Nuk mund t’u besosh pushtetin njerëzve që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta arritur atë!

8 Komente

nuk kam kuptuar se cfare lidhje ka edi rama me politikat e majta

....Të paktën KOP-i kishte debate të forta në lidhje me këtë çështje!...

Kjo mund te ishte shkruar edhe keshtu:

Të paktën KOP-i (ku isha une) kishte debate të forta në lidhje me këtë çështje! (pavaresisht se ato debatet s'i mori njeri parasysh ne perfundim dhe edhe une vete u largova nga grupi kur e pashe qe s'kishin ndermend qe pasi moren pushtetin, te zbatonin ndonje gje nga ato qe sugjerova).

Mund te diskutohet shume se sa do te jete i afte Rama te zbatoje vertete "politika pertej te majtes e te djathtes", apo edhe nese ka ai vertete ne mendje politika te ketilla. Megjithate, nuk mund te mohohet qe nje vendi si Shqiperia qe gjendet ne udhekryq nuk i duhen ideologe por pragmatiste, dhe pragmatistet jane "pertej X dhe Y" sepse i duhet ti nderthurin te dyja.

Mua me duket absurd dhe thjesht demagogji puro kjo pertej se majtes e se djathtes.Pertej se majtese se djathtes jane diktaturat ekstreme.Demokracia zhvillohet me bindje politike te konsoliduara ...Nese do te vazhdojme te marshojme ne shtigje te pashkelura si e kemi zanane dakort...por mos e shitni si eureka...

Megjithate, nuk mund te mohohet qe nje vendi si Shqiperia qe gjendet ne udhekryq nuk i duhen ideologe por pragmatiste, dhe pragmatistet jane "pertej X dhe Y" sepse i duhet ti nderthurin te dyja.

Ne lidhje me kete, por dhe me temen, s'mund te kete pragmatiste pa patur se pari ideologe.  Shqiperia s'ka patur te majte apo te djathte, ka patur "politikane" dhe kulte. 

 

Kete s'e besoj, pragmatizmi mund te shnderrohet ne nje ideologji me vete smiley

Shqiperia s'ka patur te majte apo te djathte, ka patur "politikane" dhe kulte. 

 

qe shoku Edvin don te thelloje me shume kete sektorin e KULTEVE.

 

 

Edhe une mendoj Keto terminolofji, pertej te majtes e te djathtes, eshte perralle.

Sa pune i ka prishur ai Fatos Nano ketyre, ska lene teori politike, pa e perdorur. hahahhaha

Mendoj se me fjalen "pertej" Rama ka parasysh Realitetin Shqiptar dhe jo ndonje teori GOPISTESH qe dine vetem te tjerrin llafka. Besoj se Rama ne turin e tij per takimin me banoret e Shqiprise ka arritur te kuptoje se shprehja "Puna e shndrroi majmunin ne njeri" eshte shume domethenese per cdo kohe. PD kjo pasuri Kombetare e uzurpuar nga llafazane ordinere e dmebele , parazite e grindavece , megallomane e  pa ngjyre morali ,me filosofi drejtimi  me baze korupsioni e ka trajtuar Drejtimin Shteteror me Injorancen me te Madhe qe njihet HISTORIKISHT nga te gjitha KOMBET. Ajo e trajtoi pushtetin dhe shtetaret e saj me nje teori gjoja djathtiste duke shkaterruar,djegur vjedhur e shitur gjakun e mundin e shqiptareve per dhjetra vjet me radhe . Dhe demin me te madh ajo e beri duke "VRARE PUNEN" Te njejten fizionomi ne pjesen dermuese te saj i dha edhe Liderrri historik qe "prapa i vjen Historia" smiley asaj qe u vetquajt e majte ne Shqipri . Te dyja keto forca te vetemruara si te "majta" e te "djathta" jane grupime shokesh e miqsh qe drejtojne HAVADAN ! Pikerisht prandaj eshte i mirpritur kushdo ne Memedhembje qe ka si filososfi te tille " PERTEJ " shqyerjen e maskave hipokrite te ketyre gjoja Partive. Ne se kete rrol e merr persiper Edi Rama ( te pakten deri tani ai ka qene me i qarti) qe te ktheje Shqiptarin me Fytere nga PUNA ai eshte pika e ktheses ne kete Histori. Te tjeret jane ushtare Policore ne Solidarnitet te forcave Politike , me shumice e pa mbarim!

Nuk egziston më e Majta apo e Djathta... tashmë jemi mësuar që ta shikojmë politikën me ata që janë Sipër dhe ata që janë Poshtë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).