"Zhorzh Dandin" mes Kadaresë dhe Molierit

 

"George Dandin" mes Kadaresë dhe Molierit

Kur regjisori Franc Helmer lexoi romanin e Ismail Kadaresë "Kush e solli Doruntinën", ngjarja nuk mund të mos i kujtonte Molierin me "George Dandin, ose bashkëshorti fatkeq". Menjëherë mendoi se komedia franceze do të përshtatej më së miri në një skenë shqiptare, e jo rastësisht i lindi kjo ide në mendje. Doruntina jonë, njësoj si George Dandin, përjetoi një martesë fatkeqe. Të dy personazhet vuajnë nga bashkëjetesa me njeriun që kanë në krahë. E nëse Molieri e solli Dandin në një kohë të caktuar dhe Kadareja veproi po njësoj me këtë baladë shqiptare, atëherë përse Helmer të mos sillte në Tiranë një gërshetim të ngjarjeve të këtyre dy shkrimtarëve? Nën interpretimin e aktorëve Alert Çeloalia si George Dandin, Adelina Muça në rolin e Angelikës, Vilson Muçajt, Klitander dhe Marsela Lenës në interpretimin Klodianës, "George Dandin" në Tiranë do të vijë në dy gjuhë, atë franceze dhe shqiptare. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Shqipërisë. Ndryshe nga komedia e Molierit, këtu është fshatari nga Shqipëria që martohet me një aristokrate franceze. Tema është e njëjta: dy botë të ndryshme a mund të bashkëjetojnë për hir të kompromiseve që sjell ekonomia dhe dëshira e madhe për të qenë pjesë e një rangu të lartë social? Njësoj si në vitin 1668, shfaqjes nuk do t‘i mungojë as elementi kërcim. Ajo do të jetë e shoqëruar me valle e këngë tradicionale shqiptare. Ansambli Tirana, me mjeshtrin Rexhep Çeliku, do të performojë në skenë bashkë me aktorët. Gërshetimi Francë-Shqipëri në skenë vjen me ndërthurjen e gjuhëve, epokave, dy universeve socio-kulturore. Kjo është edhe sfida që shfaqja e realizuar prej regjisorit francez Franc Helmer synon të sjellë për publikun shqiptar.

Z. Helmer, si e pritët ftesën për të ardhur në Tiranë si regjisor?

Ideja për të ardhur në Shqipëri ishte interesante për mua për disa arsye, një prej të cilave, sepse vendi juaj është frankofon. Prej disa kohësh kam folur me zotin Kiço Londo në Paris, për idenë e realizimit të këtij bashkëpunimi. Tani, pasi kemi nisur provat për "George Dandin", them se pata fat në ardhjen time në Shqipëri dhe me bashkëpunimin me trupën shqiptare. Ekipi që zoti Londo më propozoi është i përbërë nga aktorë, ku pjesa më e madhe e tyre janë profesionistë. Ata janë shumë të talentuar. Puna jonë ka filluar shumë thjesht dhe shumë mbarë.

Përse zgjodhët një vepër nga Molieri për ta ngjitur në skenën shqiptare?

E zgjodha Molierin për një arsye shumë të thjeshtë: roli im, detyra ime, është të bëj të njohur klasikët francezë jashtë territoreve të Francës. Unë punoj si animator në fushën e kulturës për Ministrinë e Punëve të Jashtme franceze. Arsyeja e dytë është sepse gjatë gjithë kohës që kam punuar përtej kufijve të vendit tim, kam dashur të gjej përherë një pikë të përbashkët mes vendeve, kulturës së vendit ku punoja e asaj franceze dhe ashtu siç ndodh përgjithësisht me klasikët, gjithnjë gjenden ngjashmëri me vendet në veprat e tyre. Ideja për ta sjellë në Tiranë më erdhi në mënyrë shumë të veçantë, duke u nisur nga literatura. Do vija në Shqipëri, në një vend që në Francë, për hir të së vërtetës, nuk njihet shumë. Por ne njohim mjaft mirë shkrimtarin tuaj të madh, Ismail Kadarenë. Kam lexuar veprat e tij, ashtu siç kisha lexuar "Kush e solli Doruntinën". Menjëherë më lindi në mendje një ide disi e çuditshme. Është një pjesë e Molierit që tregon historinë e një bashkëshorti fatkeq, pasi heroi i Molierit martohet me një vajzë, e cila i përket një klase tjetër shoqërore, më të lartë se ai. Kjo martesë është një dramë e vërtetë, e cila i sjell fatkeqësi personazhit. Ju e dini se edhe Doruntina është martuar me një të huaj. Asaj i është dashur të largohet nga vendi i saj. Dhe kjo solli fatkeqësinë dhe tragjedinë. Është një lidhje disi e çuditshme mes tyre, e cila më dha idenë të vendosja pikërisht këtë pjesë në skenë. Pastaj kjo gjë shkoi edhe më larg, sepse dalëngadalë më lindën edhe ide të tjera.

Cilat janë ato?

Meqenëse ngjarja zhvillohet në fshat, mendova se do të ishte shumë mirë që ato të zhvilloheshin në një fshat të Shqipërisë. E pastaj, duke folur me zotin Londo, ai më tha se kishte në dispozicion një grup valltarësh. Kjo është diçka shumë e mirë për fshatin. "George Dande" është ndër komeditë e para balet. Ajo është krijuar për Mbretin francez Luigji XIV, në vitin 1668 dhe është luajtur në Versajë. Aty gjen ndërhyrje muzikore, me këngë e me kërcim. Mendova se këto ndërhyrje muzikore ne mund t‘i bënim me këtë element folklorik, që i përket pikërisht vendit tuaj. Pak a shumë këto janë edhe arsyet që më bënë mua të zgjedh pikërisht këtë pjesë. Tashmë kemi nisur provat me grupin e valltarëve. Mjeshtri Rexhep Çeliku është i jashtëzakonshëm. Jemi kuptuar shumë mirë me njëri-tjetrin.

A ka ndonjë vepër tjetër të Kadaresë që do ta lidhnit me një tjetër klasike?

Kam lexuar shumë vepra të Kadaresë, por kur lexova "Kush e solli Doruntinën" më lindi ideja e "George Dandin" nga Molieri dhe nuk e di pse e pata këtë ndjesi se këto dy vepra shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën. Por mendoj se nëse do të vinim në skenë një vepër italiane, me siguri që do ta lidhja atë me "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur".

Një aristokrate franceze, që martohet me një fshatar shqiptar. Si shkon kjo lidhje?

Kjo është një lidhje që nuk shkon mirë. Është një martesë mes të huajsh. Një lidhje disi e veçantë, sepse martesat mes kulturave e klasave sociale të ndryshme edhe sot në botë vazhdojnë të shkojnë po njësoj. Megjithatë, meqenëse është një projekt mes dy vendeve, në këtë shfaqje ishte një kusht, po e quaj kështu, që të përfshiheshin edhe të dyja gjuhët. Ishte e thjeshtë që ta bëja botën e fshatit të fliste shqip dhe pjesën tjetër, botën e huaj e aristokrate, që të fliste frëngjisht. Mendoj se përdorimi i të dyja gjuhëve në shfaqje nuk do të jetë problem në lidhje me kuptueshmërinë. Skenat shqip normalisht do të kuptohen nga publiku shqiptar, ndërsa ato franceze, njësoj si nëpër opera, do të vijnë me titra.

Në Shqipëri, teatri bilingual, dygjuhësh, është ende një gjini e panjohur mirë. Si e shihni ju këtë eksperiencë?

Them se duhet ta marrim këtë shfaqje si një provë shumë interesante. Në Paris ka një teatër, një nga më të mëdhenjtë, që quhet Teatri i Odeonit. Prej thuajse 20 vitesh tashmë, ai quhet Teatri i Evropës. Një vit aty interpreton trupa italiane, një vit tjetër ajo ruse, ajo franceze, portugeze, apo spanjolle e kështu me radhë. Të gjitha shfaqjet aty vijnë në gjuhët origjinale. P.sh.: Gëtja vjen në gjuhën gjermane, por i shoqëruar me titra, Shekspiri gjithashtu. Kjo ka shumë rëndësi, pasi na njeh me kulturat e vendeve të tjera. Është një eksperiencë e suksesshme, e cila i adresohet më shumë një publiku të kultivuar. Ne presim dhe shpresojmë për një sezon shqiptar aty, kur Shqipëria të futet në Komunitetin Evropian. Edhe pse për këtë shfaqje presim që ajo të shkojë edhe në Francë.

Është menduar që shfaqja të jetë shëtitëse?

Përveç Tiranës do të shkojmë edhe në disa qytete të tjera, si në Fier, Elbasan, Korçë edhe Shkodër. Shpresoj shumë që të shkojmë në këto qytete.

A mund të rrëfeni disa prej detajeve në lidhje me skenën, kostumografinë?

Në lidhje me kostumet, ato që do të vishen nga fshatarët janë kostume tradicionale shqiptare. Ndërsa të gjitha të tjerat që përfaqësojnë botën e jashtme janë kostume që përfaqësojnë epokën në të cilën jetoi Molieri. Skenografia na çon në një fshat tipik shqiptar.

Si ju janë dukur vallet popullore tradicionale shqiptare, duke qenë se ato do të jenë një element përbërës i shfaqjes?

Kam marrë pjesë në prova. Më pëlqen shumë kërcimi, muzika, këngët tuaja... gjithçka. Vallet do të kërcehen nga profesionistë dhe mua personalisht më pëlqen shumë kjo.

 

2 Komente

Ideja për të ardhur në Shqipëri ishte interesante për mua për disa arsye, një prej të cilave, sepse vendi juaj është frankofon.

qënkërkemi  frankofonë me demek

Ore me e mira u bofte, po mu kto hibridet kshu sikur s'ma mushin menien.

Plus qe nga Kadare ne cdo lloj zhanri tjeter, pervec fjales se lexume, nuk eshte qullosur kurre gje e hajrit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).