Te pathenat e Gerdecit, Mediu e Bode si u zune ne qeveri per kompanine amerikane

Ministri i financave dhe ish- ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por kulmi i acarimit mes tyre ka mbërritur në mbledhjen e 17 shkurtit 2007, kur me insistimin e Bodes, propozimi i Mediut për demontimin e municioneve me SAC amerikan u hodh poshtë si i pabazuar në ligj. Kryeministri kërkon kohë dhe ngarkon ish-zëvendësin e tij Ilir Rusmali që të ngrejë një grup pune me juristë nga tre ministri për të gjetur zgjidhje.
“Po të më linte Xhuveli e hidhja gjithë këtë municion në det”, thotë Mediu. “A mund të bëhet tender për këtë Fatmir?”, e pyet Berisha, që pretendon se “sinqerisht nuk është i bindur”. Një pjesëmarrës në mbledhje, anëtar i Këshillit të Ministrave, në kushtet e konfidencialitetit të plotë, dëshmon për revistën MAPO, të vërtetat që nuk janë thënë asnjëherë më parë.
Përplasja
Ridvan Bode, ministër i financave kundër ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu. Përplasja e dy ministrave ka qenë e ashpër dhe e vazhdueshme, siç e konfirmojnë dhe vetë kolegë të të dy zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar. Por maksimumin përplasja e tyre, që deri më tani nuk është bërë publike, ka qenë në dimër-pranverën e vitit 2007 dhe kryesisht është shkaktuar nga propozimi i ministrisë së mbrojtjes për demontimin e municioneve të vjetra të ushtrisë shqiptare duke bërë një marrëveshje prokurimi të drejtpërdrejtë me kompaninë amerikane SAC. “Ridvani bën dhe juristin dhe financierin. Të kthejë përgjigje me shkrim, të bëhet ballafaqim”, shpërthen Mediu në 17 shkurt të 2007, në ditën kur propozimi i tij kthehet mbrapsht nga Këshilli i Ministrave si i papërputhur në ligj. I zemëruar me kundërshtimet e Bodes, madje ish-ministri i mbrojtjes shkon dhe shumë më tej: “Ore e shtyni, doni ta lini. Lëreni fare se nuk më intereson”.
Një pjesëmarrës në këtë mbledhje qeverie, ministër, në kushtet e konfidencialitetit të plotë, i afron revistës MAPO, për herë të parë shënimet e tij të hollësishme për atë mbledhje, në të cilat ai nënvizon dy detaje: konfliktin mes dy ministrave dhe faktin që të gjithë anëtarët e kabinetit, pa përjashtim, e dinin që bëhej fjalë për kompaninë amerikanë SAC; pra, që kjo kompani nuk ka qenë e panjohur ashtu siç është shprehur edhe vetë kryeministri Berisha menjëherë mbas tragjedisë së Gërdecit. Edhe titulli i projektvendimit e përmendte emrin e SAC.
Vetëm ministri i bujqësisë, Jemin Gjana ka qenë dukshëm në krah të zotit Mediu, kurse të tjerët, përfshi dhe zotin Berisha, që i jepte të drejtë rregullisht edhe palëve që kundërshtoheshin, kanë qenë më neutralë dhe në pozita pritjeje.
Mbledhja e 17 shkurtit
Pak kush kujton sot se kanë qenë dy tentativa nga Ministria e Mbrojtjes për të kaluar atë që më pas do të shënohej si vendimi 138, i cili i hapi rrugën demontimit të municioneve të vjetra në pronësi të ushtrisë shqiptare. Ka qenë një mbledhje në të cilën kanë munguar ministrat Olldashi, Ruli, Leskaj dhe Barka, të cilët janë zëvendësuar nga zëvendësit e tyre në mbledhje. Sipas dëshmisë së një pjesëmarrësi në këtë mbledhje të qeverisë, që vuri në dispozicion të revistës MAPO shënimet e tij të hollësishme, fillimisht Mediu ka mbrojtur variantin e tij, duke u nisur nga leverdia financiare e këtij projekti. Sipas tij, SAC do të mund të bënte demontimin mekanik të municioneve, ndërsa tre ndërmarrjet shtetërore ushtarake, nëse bënin një proces të tillë, dilnin me humbje. (Sot dy nga ish-drejtorët e tyre janë në ndjekje penale për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pikërisht për këtë arsye). SAC, nga ana tjetër, afronte 1.5 milionë dollarë në rast se merrte firmën e qeverisë. Pikërisht këtu, vlerëson burimi ynë ministror, nisi dhe sherri mes Mediut dhe Bodes. Ministri i Financave vlerëson se në një mënyrë të tillë, shërbimi që po kërkonte të merrte Ministria e Mbrojtjes, konsiderohej tender i drejtpërdrejtë. Dialogu mes tyre vazhdon i shpejtë dhe nervoz. Kryeministri Berisha kërkon që të merret më shtruar problemi duke ju drejtuar Ministrit të Mbrojtjes se e vetmja paqartësi e tij, ishte se pse ky projekt po shkonte në Këshillin e Ministrave. “Të jem i sinqertë, kjo nuk më bind”, thotë ai.
Diskutohet për çmimet dhe për faktin nëse praktika duhej apo jo të kalohej në proces tenderimi. Bode citon ligjin, kurse Mediu pretendon se municionet ishin kaq të vjetër dhe pa vlerë sa askush tjetër në 16 vjet nuk ishte afruar për të kërkuar këtë municion. “Ridvan, sikur të merrej gjithë kjo sasi municioni dhe të hidhej diku në Adriatik, të gjithë ne do të ishim të lumtur. Nuk e bëjmë dot një gjë të tillë se nuk na lë ministri i mjedisit Lufter Xhuveli, se ndotet deti”, citohet të ketë thënë me nervozizëm Mediu, por sërish Bode është skeptik duke thënë se ai po përmend vetëm aspektet ligjore dhe se interesohej të dinte se po merrej pasuri publike dhe po i jepej një firme private. Sërish ndërhyn kryeministri, citon shënimet e tij mbas një viti vartësi i zotit Berisha, që interesohet të dijë nëse në një rast të tillë mund të bëhet tender, por Mediu kundërshton duke thënë se SAC ishte e vetmja kompani që ishte interesuar në gjithë këto vite.
Ish-ministri i mbrojtjes kundërshtohet dhe nga ish-zëvendëskryeminstri Ilir Rusmali, i cili thotë se Këshilli i Ministrave nuk mund të nxjerrë asnjë vendim për prokurime dhe me të bashkohet edhe zoti Berisha. Rusmali saktëson se një akt i tillë nuk duhet të shkonte në qeveri, sepse ligji i ka dhënë vetë ministrisë (së mbrojtjes) autoritetin për të vepruar. Pikërisht këtu, grindja mes Bodes dhe Mediut arrin në pikën e vlimit. Mediu thotë se ai e di që ministria mund ta bëjë vetë, por ka tre javë që diskutohet me drejtorinë juridike në Këshillin e Ministrave, ndërsa ata (ministrat) donin ta bënin një gjë të tillë për një sekondë. Kompania ka një muaj që ka ardhur dhe ka bërë ofertën dhe që atëherë ka diskutime intesive mes juristëve të ministrisë së mbrojtjes dhe të qeverisë për të gjetur zgjidhje dhe kjo është zgjidhja që kanë afruar të dy palët. “Ridvani bën në të njëjtën kohë dhe profesionin e juristit, edhe të financierit. Ai le të kthejë përgjigje me shkrim”, citohet të ketë thënë Mediu.
Por Bode rishtaz nuk tërhiqet. Sipas tij ka vetëm dy mënyra për të mbërritur në destinacionin që kërkohet, ose të merret vendim për prokurim të drejtpërdrejtë të shitjes së pronës publike, ose të zbatohet ligji për këto prokurime. “Bëje si të duash, sa herë që diskutojmë gjëra të tilla, vihemi në siklet”, përgjigjet Mediu, i cili tamam në këtë moment mbrohet andej nga nuk e priste, nga Jemin Gjana, i cili pranon se municioni i dalë jashtë përdorimit nuk bën më pjesë në pronën publike dhe pastaj sugjeron nga praktika e tij: “Unë po të nxjerr ndonjë gjë jashtë përdorimit e hedh, ose gjej mënyrën për ta groposur”.
Debati, saktëson një vit më pas burimi ynë, kalon mes kryeministrit dhe Mediut; zoti Berisha kërkon referencat ligjore dhe Mediu pretendon se i ka bërë edhe ato. Por as kjo gjë nuk pranohet dhe Mediu lëshon pe: “Këtë punë le ta zgjidhin specialistët e mi, specialistët e kryeministrisë. Le të diskutojnë bashkë për të gjetur zgjidhje. Unë vetë nuk kam asnjë problem”. Por ndërkohë gjërat kishin shkuar larg, sepse ky është momenti që Bode bëhet edhe cinik: “Zgjidhjen duhet ta japësh ti vetë, sepse ti e ke problemin tënd”. Dhe kjo ishte pika që mbush gotën. “Në këtë shtet ka një problem, thuhet vetëm se çfarë nuk duhet bërë, por sesi duhet të bëhet, askush nuk ta thotë. Secili të marrë përgjegjësitë e tij. Dhe unë po e them, zoti kryeministër, të gjitha kompanitë e huaja që vijnë ju thuhet “Po” nga juve, u thuhet “Po” me vullnet politik. Pastaj nuk bëhet gjë. Të gjithë presin dhe pastaj ikin. Ishallah nuk ikën dhe kjo si gjithë të tjerat. Ligji më ngarkon me detyrime në kuadër të anëtarësimit të vendit në NATO”. Dhe Bode sërish po aq cinik përgjigjet: “Zbato ligjet dhe rregullat”!
Në sallë ka heshtje. Kryeministri merr një vendim të atypëratyshëm: ngarkon zëvendëskryeministrin Ilir Rusmali që të thërrasë ekspertë nga tre ministri, ajo e mbrojtjes, e financave dhe e drejtësisë për t´i dhënë përgjigje me vendim qarkullues. Vetëm një muaj më pas, projektvendimi për demontimin e municioneve të dala jashtë përdorimit, në pronësi të ushtrisë shqiptare për llogari të SAC, miratohet me ndryshime në 14 mars 2007. Por deri atëherë kishin rrjedhur shumë ujëra. Gjakrat ishin zbutur në dukje, por tensioni ishte i pranishëm. Nuk është hedhur ende dritë se cili ishte mekanizmi jashtë tavolinës ovale të qeverisë, që u vu në funksionim dhe që i bëri anëtarët e qeverisë të miratonin ligjin. Tani, kur hetimi i tragjedisë së Gërdecit është në epilog të tij, kur prokuroria ka marrë mbi 40 vetë të pandehur për këtë çështje, përfshi dhe vetë ish-ministrin Mediu dhe gjithë strukturën më të lartë drejtuese të Forcave të Armatosura, vendimi 138 i Këshillit të Ministrave, është fëmija kopil, të cilit askush nuk i jep atësi.
Marre nga revista MAPO

1 Komente

kete ka muaj qe e di gjith shqiperia. per kete perplasja. mapo nuk po ben ndo1 zbulim

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).