"Tata Nano", vetëm 2500 USD për një makinë

Del në treg makina indiane, e projektuar për ekonomitë në zhvillim

Gjashtë vjet pasi u përmend për herë të parë ideja e këtij modeli me çmim shumë të ulët, hidhet në treg "Tata Nano", që kushton vetëm 2500 dollarë. Vetura me kosto të ulët, e projektuar për tregjet e ekonomive në zhvillim, ku miliona përdorues motoçikletash ëndërrojnë të kenë një mjet me katër rrota, mbërrin në sallonet e shitjes, e rrethuar nga re të zeza, në një çast kur kompania "Tata Motors" ka grumbulluar një borxh të madh dhe po has vështirësi me furnitorët.

Por teksa ekonomia botërore tkurret gjithnjë e më shumë dhe prodhuesit e makinave shkurtojnë vende pune për të mbijetuar, bashkë me shqetësimet për ndryshimet klimaterike e me rritjen e çmimit të naftës, edhe konkurrentët e "Tata Motors" thonë se një makinë e tillë, me kosto të ulët e me shpenzime të reduktuara, mund të jetë zgjidhja e duhur në tregun global të autoveturave. "Kemi besim të plotë se për këtë segment do të ketë treg gjigant", tha Ashish Sinharoi, zëvendëspresident i degës së Indisë të kompanisë "Renault". "Renault" dhe "Nissan" janë bashkuar me kompaninë indiane të prodhimit të motoçikletave "Bajaj Auto", për prodhimin një makine tjetër me kosto të ulët, e cila do të hidhet në treg në vitin 2011.

Prodhuesit e makinave dhe të pasionuarit në të gjithë botën do ta vëzhgojnë me shumë vëmendje ecurinë e modelit "Nano", për të parë reagimin e konsumatorit. Projektet si ai "Reanult-Bajaj" për prodhimin e modeleve të tjera me kosto të ulëta, mund të anulohen në rast se "Nano" dështon.

Pikëpyetjet ngrihen kryesisht mbi aftësinë e kompanisë "Tata" për të mbajtur kostot e ulëta, si dhe mbi sigurinë dhe besueshmërinë e modelit "Nano". Ndërkaq shumë analistë të tregut të autoveturave mendojnë se "Tata", e cila në janar shënoi të parin tremujor me humbje në shtatë vite, është detyruar t‘u vonojë pagesat furnitorëve me pjesë për shkak të mungesës së likuiditeteve. Prodhuesit indianë nuk janë aq keq sa kompanitë analoge në Amerikë e Evropë, por çdo ndërprerje furnizimi do rezultonte katastrofike për "Nano"-n.

Ndërkaq zëvendëspresidenti Sinaroi parashikon se një sukses i mundshëm i modelit "Nano" do të hapte tregje të reja edhe për të tjerët. "Ky nuk është projekt afatshkurtër, është një platformë 20-vjeçare", tha ai lidhur me makinën e bashkëpunimit "Renault-Bajaj", çmimi i së cilës do të jetë rreth 150 mijë rupi, pak a shumë 3 mijë dollarë dhe me konsum karburanti edhe më të vogël se "Nano".

3.1 metra e gjatë dhe 1.5 e gjerë, katërvendëshja "Nano" konsumon 5 litra në 100 kilometra dhe lëshon në atmosferë më pak gazra të dëmshëm se pjesa më e madhe e mjeteve me dy rrota në Indi. Me rrotat me diametër 30 centimetra, me një motor sa të disa gjeneratorëve të vegjël elektrikë dhe me një fshirëse të vetme në xhamin e parë, "Nano" është kthyer në objekt talljeje nga shumë njerëz. Siti i të pasionuarve të makinave "Jalopnik.com" shtronte pyetjen: "Por, a të zë makina me të?". Dikush vërente po në këtë sit se "nëse godet një dre me të, je i detyruar ta shpiesh drerin në punë".

E megjithatë, deri dje, shumë pak njerëz kanë pasur rastin ta ngasin këtë makinë, të cilëve nga "Tata" u ishte kërkuar të mos flisnin publikisht. "Duket si makinë e vërtetë", tha një prej atyre që kishte pasur rastin të ngiste një "Nano" në kushtet e anonimitetit. "Nuk duket si ato makinat që përdoren në fushat e golfit". Por ai shtoi se të linte përshtypjen e një makine që mund të përdoret vetëm brenda qyteteve. "S‘ma do mendja që dikush të vendosë të udhëtojë në autostradë me të".

Adhuruesit e "Nano"-s i kundërshtojnë me forcë të gjitha zërat kritikë, të paktën tani për tani. Madje modelit të ri i është dedikuar tashmë edhe një grup në "Facebook". Por ajo çka është më e rëndësishme dukej se që dje, gjendej një grup njerëzish që mezi prisnin ta shtinin në dorë. Përveç një beteje ligjore mbi pronësinë e terrenit që e detyron kompaninë "Tata" të zhvendoste fabrikën e "Nano"-s në një vend tjetër, vetura shihet me shumë krenari nga indianët. Është "absolutisht e domosdoshme" që "Nano" të shkojë mirë, tha Hormazd Sorabji, botues i revistës së përmuajshme për autoveturat "Autocar India". "Suksesi i saj do të ndryshonte rregullat e prodhimit të makinave në të gjithë botën", parashikoi ai.

Pauan Gojal, një ekonomist 35-vjeçar që jeton në Noida, një qytet në lindje të Delhit, tha se kishte bërë plan ta blinte një "Nano" që kur vetura u shfaq për herë të parë gjatë një evenimenti për modelet e reja të makinave në janar të vitit 2008 në këtë qytet. "Me 50 mijë rupi më shumë do të kem në dorë një mjet me katër rrota", tha Gojal, i cili tregoi se sot për sot, lëvizte me motoçikletë. "Nano" do t‘i japë mundësinë të lëvizë me gjithë familjen, përfshi dy fëmijët, 10 dhe 12 vjeç, dhe do të ishte "shumë më e rehatshme dhe e sigurt" se motoçikleta.

Në Indi, "Nano" mund të shitet më shumë nga parashikimet për shkak të krizës ekonomike. Por është parashikuar specifikisht për tregun indian dhe vështirë të përhapet në tregjet e tjera. Çdo shtesë në kuadrin e sigurisë në përdorim do të thoshte kosto shtesë dhe nuk dihet ende me saktësi nëse "Tata" ka ndërmend ta tregtojë në pjesë të tjera të Azisë Juglindore apo në Evropë.

Ndërkohë konsumatorët në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kërkojnë një "Nano" të tyren. "Sjellja e konsumatorit mund të stimulohet thjesht prej problemeve ekonomike me të cilat po përballemi sot", tha Don Okser, analist i tregjeve të automobilave. Ai vërejti se me rritjen e çmimit të karburanteve gjatë vitit të shkuar, blerësit i kthyen menjëherë sytë nga veturat që konsumonin pak.

Disa ekspertë ndërkombëtarë të tregut të autoveturave janë gjithsesi skeptikë mbi suksesin e "Nano"-s. "Është e kotë të thuhet që një makinë cilësore me çmim të ulët do të shitet shumë mirë në tregjet globale", thotë Xhon Bonel, kreu i parashikimeve për Azinë në shoqërinë "J.D. Power & Associates". Ajo që sipas ekspertit nuk dihet nga askush është performanca e "Nano"-s. "Sa e besueshme është makina dhe sa burime nevojiten për ta shpënë në nivelet e duhura të besueshmërisë", vëren eksperti.

7 Komente

Biciklete me 4 rrota.... Epo kot nuk e ka emrin Ashish ky zv. presidenti i kompanise, te vjeterit nga anet tona Ashish i thone M..... pune ashishi me demek.....

...hidhet në treg "Tata Nano", që kushton vetëm 2500 dollarë.

Po Axha Berishe, Halla e Madhe Jozefine, dhe Mixha Rame sa kushtojne bre? smiley

ndoshta eshte arkivol me 4 rrota, por te pakten do te permiresoje qarkullimin ne rruget indiane, nese ata heqin dore nga motocikletat.  Atje trafiku eshte edhe me i keq se ne shqiperi, motoja e tyre eshte: o mete per vete. Nuk ka rregulla, e pabesueshme se si nuk vdesin me teper vete ne ato rruge.

Mire, mire. Per Indi mund te jete ok. Po per ne Europe? Ta leverdis te harxhosh 3000 - 4000 E per te kaluar ne oficine nje here ne muaj? Psh. sipas normativave EU, makinat sot duhen te respektojne disa parametra ekologjik. Si Euro4 apo Euro5 duhet te kete domosdoshmerisht filtra kunder ndotjes ajrit. Ja tu prish nje filter, se prishen ne pergjithesi e aq me teper nje makine indiane. Filtri (FAP, DPF etj) kushton shume shtrenjte. Ka filtra qe vejne deri ne 1000 Euro. S'e di. Mbase ne EU mund te jete sukses, si Smart.

Me sa di, testin per sigurine NCAPEuro per momentin as e kane provuar fare ta bejne.

Nga sa di une tani kane dale vetem 3 modele Tata Nano, te gjitha per tregun indian.  Modelet per Europe e Amerike jane ende ne zhvillim, do te jene pak me te shtrenjta, por edhe me ekologjike.  Nga testet e bera makina del e besueshme, nuk besoj se do te te duhet te kalosh nga oficina cdo muaj. Sapo ka dale, le ta provojne njehere ne Indi e pastaj shohim.  Dhe nga forma nuk duket e keqe. 

Kujdes, testet zyrtare per te marre lejen e qarkullimit dhe testet NCAP jane dy gjera te ndryshme. Testet NCAP kane vlere prestigji dhe jane shume me te rrepta. Makina prodhimi kinez qe kishin kaluar testin e pare dmth. ate per te qarkulluar, ne testet ncapEuro u vleresuan shume keq e paten marre vetem nje yll nder pese.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).