Spoti ne CNN. Tenderi, Pango paracaktoi kompanine fantazme

Tenderi për reklamën e promovimit të turizmit shqiptar në kanalin televiziv prestigjioz 'CNN', që kushtoi rreth 300 mijë euro, është bërë në shkelje të hapur të ligjit të prokurimit të fondeve publike. Denoncimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin vjetor të monitorimit të Ministrisë së Kulturës për vitin 2008. Në buletinin e konkluzioneve theksohet se, kompania holandeze 'CCCP Rotterdam' "është parazgjedhur para zhvillimit të tenderit si dhe oferta ekonomike e saj është paraqitur në tender fiktivisht". Nga kontrolli i kryer mbi zbatimin e procedurave të prokurimit, KLSH-ja ka evidentuar gjashtë shkelje të rënda ligjore.

Urdhri
Me urdhrin e ministrit të Kulturës, Ylli Pango, aso kohe në detyrë, Nr.598, datë 03.10.07 kanë filluar procedurat për prodhimin dhe transmetimin ndërkombëtar të spotit, me qëllim promovimin e turizmit shqiptar. KLSH-ja sqaron se në këtë urdhër ishte përcaktuar se fondi limit për prodhimin e reklamës do të ishte 37 mln lekë, kohëzgjatja e spotit do të ishte 30 sekonda minimumi si edhe transmetimi i tij pas prodhimit të bëhej në televizionin 'CNN International', me kohëzgjatje 3 javë, gjatë periudhës prill-maj 2008. Pas nxjerrjes së këtij urdhri u mblodh komisioni i vlerësimit të ofertave, i cili ka hyrë në faqen e "CNN Europe", për të parë partnerët e tij në fushën e transmetimit të spoteve televizive. Komisioni përzgjodhi fillimisht 5 kompani, respektivisht "Ogilvy Albania", "CCCP Rotterdam", "In-SOO Produkction", "Europa Albania 007" si edhe "Mavi Hotisim Grubu".

Shkelja 1
Shkelja e parë e evidentuar nga KLSH-ja, është se fondi limit i përcaktuar në vlerën 37 mln lekë nuk është i argumentuar dhe se nuk ka analizë për llogaritjen e tij. Sipas këtij institucioni, ky fond nuk është i ndarë, sa është vlera e fondit limit për prodhimin dhe sa është ajo për transmetimin. "Ky veprim bie në kundërshtim me ligjin 'Për prokurimin e prodhimeve/transmetimeve dhe spoteve nga organet e administratës shtetërore në media'", - thuhet në raportin e KLSH-së.

Shkelja 2
Shkelja e dytë e evidentuar prej këtij institucioni, është se në urdhrin e ish-ministrit Pango është paracaktuar, duke vendosur që transmetimi të bëhet në 'CNN'. "Pra, transmetimi i këtij spoti nuk është tenderuar, por është përzgjedhur pa procedura prokurimi, në kundërshtim me VKM Nr.623, datë 29.09.2007", - citojmë nga konkluzionet e KLSH-së.

Shkelja 3
Në raport theksohet se pas çeljes së tenderit, kompania "Mavi Hotisim Grubu" nuk ka sjellë ofertën në rrugë zyrtare, ndërkohë që ofertat e katër kompanive të tjera kanë ardhur në rrugë elektronike. KLSH-ja bën të ditur se të katër firmat nuk kanë pasur përfaqësues të tyre të pranishëm në tender dhe se sipas procesverbalit, ato kanë paraqitur ofertë në rrugë elektronike, për adresat e të cilave nuk ka dokumentacion shkresor apo korrespondenca elektronike midis personit të kontaktit dhe këtyre shoqërive. "Veprimi i mësipërm bie ndesh me VKM Nr.623, datë 29.09.2007", - nënvizon KLSH-ja.

Shkelja 4
KLSH-ja bën të ditur se ofertat ekonomike të paraqitura nga kompanitë kanë qenë respektivisht, "Ogilvy Albania", 28.947.629 lekë; "CCCP Rotterdam", 36.797.852 lekë; "In-SOO Produkction", 52.387.255 lekë; dhe "Europa Albania 007", 42.945.000 lekë. Komisioni ka kualifikuar dy firmat e para, ofertën e "Ogilvy Albania" dhe atë të "CCCP Rotterdam". Ndërsa, dy firmat e tjera i ka skualifikuar, pasi kanë paraqitur ofertë më të madhe se fondi limit. Komisioni, me procesverbalin e datës 07.10.2007 ka kualifikuar të parën kompaninë holandeze, "CCCP Rotterdam". Kjo shoqëri ka paraqitur ofertë më të madhe se firma tjetër, por është kualifikuar e para, sepse ofroi një spot më shumë se firma shqiptare, dhe konkretisht prodhimin e dy spoteve nga 30 sekonda, 1 spot 20 sekonda dhe një mini-dokumentar pas kuintave prej tre minutash. Kompania holandeze, pas përfundimit të tenderit, duhet të vetëdeklaronte për vërtetësinë e dokumentacionit ligjor, të cilat do t'i paraqiste pas shpalljes fitues. Por, KLSH-ja vëren se, "formulari i vetëdeklarimit të saj mban datën 06.10.2007, ndërsa tenderi është zhvilluar në datë 07.10.2007. Pra, kjo shoqëri e klasifikuar e para ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit për vërtetësinë e dokumentacionit ligjor para hapjes së tenderit", - evidenton KLSH-ja. Në shkresën përcjellëse të ofertës ekonomike të shoqërisë fituese, e cila është pa datë, KLSH-ja sqaron se në të thuhet që shoqëria do të prodhojë: 2 reklama 30 sekonda, një reklamë 20 sekonda dhe një mini-dokumentar pas kuintave me vlerë 209.901 euro, që së bashku me transmetimin në 'CNN', shkon në vlerë totale 299.901 euro (209.901 + 90.000 euro). Ndërsa, oferta ekonomike që i bashkëlidhet kësaj shkrese mban datën 08.08.2007. Po kështu, në këtë ofertë është bërë analizë kostoje për 3 spote me nga 40 sekonda secila dhe një dokumentar pas kuintave me vlerë të njëjtë prej 209.901 eurosh, që së bashku me transmetimin në 'CNN' shkon po në vlerë totale 299.901 euro (209.901 + 90.000 euro). "Pra, oferta është paraqitur disa muaj para hapjes së tenderit. Ky veprim tregon se firma fituese është parazgjedhur para zhvillimit të tenderit si dhe oferta ekonomike e saj është paraqitur në tender fiktivisht. Këto veprime bien në kundërshtim me VKM nr.623, datë 29.09.2007", - thekson KLSH-ja.

Shkelja 5
KLSH-ja ka konstatuar se formulari i ofertës ekonomike të firmës fituese "CCCP Rotterdam" ka qenë i njëjti me formularin e shoqërisë së tretë, "In-SOO Produkction". "Këto veprime tregojnë se oferta e shoqërisë së tretë është paraqitur fiktivisht në tender dhe bie në kundërshtim me VKM nr.623, datë 29.09.2007", - thekson ky raport.

Shkelja 6
Pas shpalljes fituese, kompania holandeze, për të vërtetuar vetëdeklarimin, ka paraqitur të gjithë dokumentacionin ligjor siç është kërkuar nga komisioni. Sipas këtij dokumentacioni, kjo shoqëri është regjistruar në muajin mars 2007 në gjykatën holandeze dhe në regjistrin e biznesit të këtij shteti, si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me një staf të punësuarish prej 2 personash. "Pra, koha e shkurtër e krijimit të kësaj shoqërie, numri i vogël i të punësuarve si dhe mosparaqitja nga ana e saj e një kontrate me 'CNN', tregon se kjo shoqëri nuk mund të ketë qenë partner me 'CNN' në fushën televizive, siç thuhet nga komisioni në procesverbalin e datës 3-5.10.2007, të mbajtur mbi studimin e tregut në fushën e prodhimit dhe transmetimit të spoteve televizive. Ky veprim bie në kundërshtim me pikën 2.3, të kreut II, të VKM nr.623, datë 29.09.2007", - përfundon raporti i KLSH-së.

1 Komente

Konkluzionet e KLSH-se mbi shkeljet e vertetuara nga Ministri Pango and Co. te ngjallin frike dhe pesimizem, pasi tregon qe keta qeveritare i bejne hilet ashiqare fare pa pasur aspak frike nga ndeshkimi dhe ligji. Kjo tregon qe Mafia eshte ulur kembekryq ne vendin e shqiponjave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).