Si t‘i shpëtojmë gazetat

Gjatë muajve të fundit, kriza në gazetari u është afruar kufijve të rrënimit. Tani dikush mund të imagjinojë një çast se si disa qytete të mëdha mund të detyrohen të detyrohen të zgjohen pa gazetën e tyre dhe kur revistat e agjencitë e lajmeve do të mbijetojnë vetëm me një grusht gazetarësh. Por, në mesin e kësaj krize vërehet një fakt i pakundërshtueshëm. Gazetat kanë më shumë lexues se kurrë më parë. Përmbajtja e tyre, ashtu si edhe ajo e revistave informative dhe enteve të tjera të gazetarisë tradicionale, gëzon më shumë popullaritet nga kurrë më parë - madje edhe mes radhëve të të rinjve (në fakt veçanërisht në radhët e këtij lexuesi).

Problemi është se shumë pak prej këtyre konsumatorëve paguajnë. Ndërkaq, mjaft subjekte janë të kënaqura që i përhapin falas lajmet. Sipas një studimi të kryer nga qendra amerikane e kërkimeve "Pew", një zhvillim domethënës u vërtetua vitin e shkuar: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin më të shumtë ata njerëz që i konsumuan lajmet pa pagesë në internet, se duke blerë gazeta e revista. Dhe kush mund t‘i bëjë me faj? Edhe një i marrosur pas gazetave si unë ka hequr dorë nga abonimi te "The New York Times". Kjo, pasi nuk e gjykoj veprim me mend të paguaj për përmbajtjen e saj, do ndihesha pak i trashë po të paguaja.

Ky nuk është model i logjikshëm biznesi. Ndoshta mund të dukej i logjikshëm kur publiciteti në internet shpërtheu në kuptimin e plotë të fjalës dhe çdo botues kërkonte të futej në rrethin e atyre që merrnin një copë prej asaj torte, duke kënduar këngën "interneti është e ardhmja". Por kur publiciteti në rrjet ra gjatë semestrit të fundit të vitit 2008, konsumi gratis rreshti së qeni e ardhmja e ndritur e gazetarisë.

Gazetat dhe revistat tradicionalisht kanë pasur tri burime të ardhurash: shitjet nëpër stenda, abonimet dhe reklamat. Modeli më i ri i këtij biznesi shtrihet vetëm te i fundit prej burimeve. Kjo e bën të paqëndrueshëm gjithë biznesin, si të ishte një fron me një këmbë të vetme, edhe pse ajo këmbë mund të ishte e fortë. Dhe kur dobësohet - ashtu siç kanë vërejtur shumë botues të ndodhë për shkak të recesionit ekonomik - froni as që ka shans të qëndrojë më këmbë.

Henri Ljus, një bashkëthemelues i revistës "Time", nuk e pranoi kurrsesi idenë e publikimeve të dhëna falas, duke i mbështetur të ardhurat veç te reklamat. E quajti këtë formulë "moralisht të neveritshme" dhe njëkohësisht "vetëshkatërruese nga pikëpamja financiare". Kjo, pasi besonte që detyra parësore e një gazete ishte përmbushja e detyrimeve ndaj lexuesve dhe jo ndaj subjekteve që duan të reklamojnë produktet, apo shërbimet. Në modelin e gazetarisë që mbahet vetëm nga publiciteti, faktori nxitës është pervers. Është njëherësh edhe vetëshkatërrues, pasi rrezikon të dobësosh lidhjet me lexuesin tënd, në rast se ndihesh tërësisht i varur nga të ardhurat prej reklamave.

Një prej mënyrave për të siguruar mbijetesën, e ndërmarrë tashmë prej disa subjekteve, si "Christian Science Monitor" dhe "The Detroit Free Press", është eliminimi i plotë, ose shkurtimi në masë shumë të madhe i versioneve të tyre në letër, për t‘u përqendruar te versionet e veta në internet. Të tjerë mund të ulen e të shpresojnë që dimri të kalojë duke pritur që falimentimi t‘i shpëtojë disa prej konkurrentëve, gjë që do t‘u shtonte reklamën, duke u shtuar të ardhurat, njësoj si në rastet e siteve të lajmeve pa pagesë. Jemi në rregull me këtë. Na duhet një varitetet i madh strategjish për konkurrimin në treg.

Por, gjithsesi, edhe këto përqasje e bëjnë një organ shtypi të varet tërësisht prej subjekteve që reklamojnë në faqet e tij. Kështu që shpresoj se kjo do t‘i japë fund idesë së fitimeve nga publiciteti dhe të nxjerrë në skenë një tjetër opsion, i cili mund të përqafohet edhe prej disa mediave të reja në internet: të paguhen nga konsumatori për shërbimet që ofrojnë dhe gazetarinë që prodhojnë.

Nocioni i pagesës për leximin e përmbajtjes është një ide e vjetër, jo vetëm sepse gazetat e revistat e bëjnë këtë prej më shumë se 4 shekujsh. Është diçka që ndodhte edhe në epokën e internetit, në fillim të viteve nëntëdhjetë. Atëherë numëroheshin një seri e gjatë kompanish shërbimesh, si "Prodigy", "CompuServe", "Delphi", apo AOL, që i ngarkonte konsumatorët me pagesë në varësi të minutave që shpenzonin në sit dhe që natyrisht në interesin e tyre t‘i mbanin sa më gjatë online. Si rezultat vlerësohej ashtu siç duhej përmbajtja. Në atë kohë isha shef i versionit elektronik të revistës "Time" dhe më kujtohet se për një vit shërbime në AOL dhe "CompuServe" paguam më shumë se 1 milion dollarë.

Më pas u shfaqën në skenë mjetet që ua bënin publikuesve më të lehtë aventurizmin në internet. Në atë kohë më kujtohet se flisja me ish-botuesin e "Wired" për rrugët që duheshin ndjekur për të hyrë në web dhe e bëmë këtë në të njëjtën javë, përmes hipertekstit, në vitin 1994. Brenda një viti, shumë të tjerë kishin vepruar po njësoj.

Një prej ironive është se hiperteksti - një link interneti që referon faqen tënde në një tjetër faqe apo sit - është shpikur në vitet gjashtëdhjetë nga Ted Nelson, me qëllim mikropagesat në këmbim të përmbajtjes. Ai donte të siguronte që njerëzve, të cilët krijonin gjëra të vlefshme, t‘u garantohej shpërblimi. Për mënyrën si i shihte ai gjërat, të gjitha linket e një faqeje do të siguronin pagesa automatike ndaj çdo përmbajtjeje që lexohej. Ndërkaq, interneti u bë pre e idesë se informacioni duhet të jetë i lirë.

Të tjerë, më të zgjuar se ne, e shmangën këtë kurth. Për shembull, kur në vitin 1976 Bill Geits vërejti se të pasionuarit po ndanin me njëri-tjetrin pa pagesë "Altair BASIC", një kod i shkruar nga ai vetë bashkë me disa kolegë të tjerë, i dërgoi një letër të hapur shoqatës "Homebrew Computer Club" për t‘i detyruar të mos vazhdonin ta bënin më këtë. "Duke bërë kështu pengoi krijimin e softuerëve cilësorë", shkruante. "Kush mund t‘ia lejojë vetes luksin të krijojë programe të mira pa asgjë në këmbim"?

Fitimet e lehta në internet gjatë fundit të viteve nëntëdhjetë i nxitën gazetat dhe revistat ta hidhnin gjithë përmbajtjen e tyre, bashkë me një numër të madh blogesh e forumesh, në internet dhe pa pagesë. Një pjesë e rëndësishme e të ardhurave nisën të përfundonin në xhepat e atyre që praktikisht krijonin shumë pak përmbajtje, madje përkundrazi, as që donin t‘ia dinin për të: motorë kërkimi, portale e disa agregate.

Një tjetër grup që përfiton prej gazetarisë falas janë provaiderët e shërbimit të internetit. I ngarkojnë përdoruesit e internetit me tarifa 20-30 dollarë në muaj dhe në thelb i ofrojnë mundësinë për të konsumuar përmbajtje pa pagesë. Si rezultat nuk kanë interes të krijojnë mënyra të lehta, përmes të cilëve krijuesit e përmbajtjeve të jenë në gjendje të ngarkojnë konsumatorët me pagesa. Kështu, jetojmë në një botë ku kompanitë telefonike u kanë mësuar fëmijëve të paguajnë 20 cent për të dërguar një mesazh telefonik, por duket teknologjikisht dhe psikologjikisht e pamundur t‘i bësh njerëzit të paguajnë 10 cent për një revistë, gazetë, apo agjenci lajmesh.

Aktualisht vetëm pak gazeta - më e njohura në këtë kuadër është "Wall Street Journal" - kërkojnë pagesa mujore për versionet e tyre në internet. Kur kjo gazetë u ble nga Rupert Murdok, ai u vu në lojë publikisht për faktin se nuk pranoi ta linte pa pagesë versionin online. U hodhi një sy të ardhurave dhe vendosi se do të ishte gabim i madh ta hiqte këtë zë nga bilanci - kjo ndodhte madje përpara se të kishte shpërthyer bumi i publicitetit në internet. Tani lëvizja e tij duket vërtet e mençur. Gjatë vitit të zymtë 2008, të ardhurat prej abonimeve online përbënin një pjesë të mirë të arkëtimeve të të gjithë shoqërisë.

Megjithatë, nuk besoj se abonimet do të jenë në gjendje ta zgjidhin gjithë problemin - as që duhet të jetë e vetmja rrugë për pagesën e përmbajtjes. Dikush që kërkon të lexojë numrin e një dite të caktuar të një gazete, apo është shtyrë prej një linku të lexojë një artikull të caktuar që i tërheq interesin, zor të vendosë të paguajë gjithë koston e abonimit, duke iu nënshtruar procedurave të sotme të pagesave. Mendoj se çelësi i fitimeve nga publikimet online është përdorimi i metodës së mikropagesës. Kemi nevojë për diçka si "monedha" dixhitale, apo një portofol dixhital i tipit E-ZPass - sistem ku mjafton një klikim për të lejuar blerjen e impulseve në një gazetë, revistë, artikull, apo video për një qindarkë, peni, xheton, apo sido që vendos ta quajë zotëruesi i sitit.

Ndërkaq, interneti gëlon nga kompanitë e dështuara që përdorin sistemin e mikropagesës. Ndoshta i kujton shumë mirë kompanitë "Flooz", "Beenz", "CyberCash", "Bitpass", "Peppercoin" e "DigiCash" dhe kjo mbase ngaqë ke humbur para duke investuar në to. Është shkruar gjatë nëpër bloge mbi arsyet prej të cilave nuk funksionon ky koncept, për shkak të mungesës së teknologjisë së duhur etj.

Por gjërat kanë ndryshuar. "Me gazetat që po i drejtohen falimentimit, edhe pse lexuesi i tyre është shtuar, kërcënimi nuk vjen vetëm prej kompanive që i zotërojnë, por edhe nga vetë lajmet", shkruante muajin e shkuar analisti Deivid Kerr i "New York Times", në një artikull ku shpaloste idenë e pagesës kundrejt leximit të përmbajtjes. Kjo krijon një nevojë e cila duhet të vërehet si nëna e shpikjes. Për më tepër, dy inovatorët tanë dixhitalë më krijues kanë provuar se një model "paguaj një pije" mund të funksionojë më së miri në rast se bëhet aq funksional sa ç‘duhet: Stiv Xhobs i bëri konsumatorët e muzikës (të të gjitha moshave e shtresave) të ndiheshin mirë me idenë se një këngë duhet paguar 99 cent dhe Xhef Bezos me sitin "Kindle" tregoi se konsumatori do të ishte i gatshëm të blinte versionet elektronike të librave, revistave dhe gazetave, në rast se diçka e tillë do të bëhej lehtësisht.

Nën një sistem mikropagese, një gazetë mund të vendosë të shesë për një monedhë të drejtën për të lexuar një artikull të caktuar, apo disa për gjithë përmbajtjen e një dite, ose edhe 2 dollarë për akses njëmujor në sit. Disa konsumatorë do zverdheshin nga inati, por kam motive të mira të besoj se pjesa më e madhe do të pranonin në rast se tarifa do të ishte ajo e duhura dhe në rast se gjithë veprimi do të kryhej me lehtësi.

Ky sistem mund të përdoret për të gjitha format e medias: revista e blogje, lojëra e aplikime, lajme televizive dhe video amatoriale, fotografi pornografike, apo ese kulturore, raportet e gazetarëve qytetarë, recetat e kuzhinierëve të mëdhenj, apo këngët e komplekseve muzikore që luajnë nëpër garazhe. Kjo jo vetëm do t‘u siguronte mbijetesën mediave tradicionale, por do u vinte në ndihmë edhe gazetarisë së qytetarëve e blogjeve. Të dyja palët na e kanë shtuar ndjeshëm sasinë e informacionit dhe të ideve, por pjesa më e madhe e tyre nuk kanë shans të fitojnë para. Si rezultat, si gazetarët qytetarë, ashtu edhe blogjet priren ta bëjnë këtë veç për ego, apo si kontribut ndaj komuniteteve. Prania e një sistemi mikropagese do t‘u krijonte mundësinë këtyre kontribuuesve të rregullt në gazetarinë online, të cilët, nga ana tjetër, janë të detyruar të vrasin mendjen për të mbajtur familjet, t‘i shtojnë të ardhurat duke ushtruar gazetarinë qytetare, e cila, veç të tjerash, është edhe vlerë për komunitetin e tyre.

Kur isha fëmijë e shkoja të peshkoja nëpër gjiret e Luizianës, një shoku im, Tomasi, shpesh vidhte akull nga pajisjet që gjendeshin jashtë pikave të furnizimit me karburant. Kishte teorinë e vet, sipas së cilës akulli nuk mund të shitej. Nuk e vrisnin shumë mendjen se kush do ta prodhonte akullin në rast se ky do të ofrohej pa pagesë, por për fat e kemi lënë me kohë prapa atë fazë të jetës. Po t‘i përmbahemi së njëjtës logjikë, asaj që tërë materiali nw Web duhet ofruar falas, të gjithë duhet të ngremë një çast pyetjen, cili do të ishte ai gazetar i lirë që do të fluturonte drejt Ruandës për të raportuar në internet pa pagesë gjithçka ndodh aty.

Këtë nuk e them sepse jam "i keq", siç i quan ime bijë të gjithë ata që duan të ngarkojnë me pagesë gjithçka përmbajnë sitet e tyre në internet, qofshin shkrime, muzikë apo aplikime. Përkundrazi, e them këtë pasi ime bijë është tepër e talentuar dhe, kur të rritet, dua që të paguhet për ato që do bëjë e të mos përplaset tek unë për para, apo të mendojë se do kishte bërë më mirë të ishte bërë bankiere se gazetare.

Këtë e them edhe pse e dua me gjithë shpirt gazetarinë. Por them edhe se është e vlerësueshme dhe se duhet vlerësuar nga konsumatori. Pagesa ndaj përmbajtjes forcon disiplinën te gazetarët; duhet të prodhojnë gjëra të cilat vlerësohen vërtet nga njerëzit. Dhe pikërisht këtu duhet të kthehemi. Nevoja për t‘u vlerësuar prej lexuesit - duke u shërbyer atyre dhe jo duke u bazuar te të ardhurat prej reklamës - do ta detyrojë median t‘i kthehet gazetarisë së vërtetë.

4 Komente

Dhe autori eshte...?

Flitet per gazetat Shqiptare apo nje perkthim i rendomte i rastit i nje shkrimi te nje gazetari Amerikan per gazetat Amerikane?

Fillimisht duhet pyetur pse t'i shpëtojmë gazetat?

Gazeta Shqip vjedh çdo dite 4-5 artikuj, pra te gjithe insertin Ndryshe nga Corriere della Sera,
them vjedh sepse nuk permend as autorin e shkrimit e sa burimin,
dhe kjo ndodh çdo dite.

Besoj se e bene per te shpetuar gazetat italiane, smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).