Si një familje!

Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të përdorë çdo shans për të mbajtur të ndezur luftën me kryeprokuroren, Ina Rama, dhe kryesuesin e grupit hetimor për Gërdecin. Dje, në ditë pushimi zyrtar, dy avokatët e zotit Mediu njoftuan një nga nismat më qesharake ligjore që është ndërmarrë ndonjëherë nga një i akuzuar kundër organit të akuzës. Ata thanë se do të padisin zyrtarisht kryeprokuroren, Ina Rama, dhe kryesuesin e grupit hetimor për Gërdecin, Sokol Stojani, pasi e para, sipas tyre, ka bërë publike dosjen hetimore të zotit Mediu, kurse i dyti, sipas Berishës, ka këshilluar me sms një gazetar se si ta pyesë Fatmir Mediun gjatë një debati televiziv. Nuk dua të merrem fare me kotësinë e akuzave qesharake, pasi dosja hetimore e Fatmir Mediut nuk ka dalë nga prokuroria, por nga avokatët e çështjes dhe pikërisht nga ata që bënë dje akuzën. Një nga shpërndarësit publikë të asaj dosjeje në përpjekje për t’iu mbushur mendjen gazetarëve që kunati i tij nuk ka faj, është Ilirian Celibashi, i cili ka thyer gjithë rekordet botërore të etikës duke dalë në një emision televiziv i vetëm për të kundërshtuar faktet e gazetarit kundër kunatit të tij, Mediu. Dhe të mendosh që Celibashi, përveçse jurist, është dhe një socialist ekstremist, e kupton qartë jo vetëm vetminë e Fatmir Mediut, por dhe thelbin e regjimit familjar që na sundon, ku në bazë të principeve është kunati, baxhanaku, djali, vajza, dhe jo ligji apo përkatësia politike. Po ashtu, nga pikëpamja formale, kur dosja shkon në gjykatë, nuk ka më asnjë sekret, pasi është në dispozicion të kujtdo avokati që është palë në këtë gjyq, siç mund të jenë familjarët e Gërdecit apo të dëmtuarit e tjerë nga procesi.

Po aq qesharake mbetet akuza për Stojanin që i paska dërguar një sms një gazetari për të pyetur Fatmir Mediun. Dhe sikur këtë idiotësi ta marrësh për të vërtetë, nëse një gazetar i ka kërkuar mendim prokurorit dhe ai i ka kthyer përgjigje, s’ka asgjë të keqe. Por këtu të çudit fakti se Fatmir Mediu dhe Sali Berisha guxojnë e ngrenë padi ndaj një prokurori për këtë fakt të sajuar nga Aleksandër Frangaj, i cili i ka thënë Sali Berishës se e ka parë me sytë e tij sms dhe ky i fundit ka detyruar avokatët e Mediut të bëjnë këtë gjest qesharak. Njeriu për të cilin ka prova se ka vrarë 26 vetë dhe ka bërë miliona euro dëme, nuk pranon asnjë akuzë dhe nga ana e vet kërkon të akuzojë të tjerët me faktin se “Sandri i ka thënë doktorit, që e ka pa me sytë e vet një sms, që i ka ardhur në emision një gazetari që e këshillonte si të pyeste Mediun”. Në të vërtetë kolegët e mi gazetarë në atë emision ishin aq konformistë dhe të prirur mos t’i binin më qafë Fatmir Mediut, sa dhe nëse kanë marrë vërtet ndonjë këshillë, e paskan marrë pro Mediut. Por guximi i këtij të fundit, që pa asnjë fakt të ngrejë akuza penale kundër një prokurori, kur prokurori ka hartuar një dosje me mijëra faqe kundër tij, për të cilën Mediu thotë s’kam përgjegjësi, është anekdotik.

Por e gjithë kjo është ana qesharake e problemit. Vetë Berisha e di se nga kjo padi nuk ka ndonjë përfitim juridik, por thjesht ka një arsye për të vazhduar të bëjë betejë politike me prokurorinë. Atij thjesht i intereson një procedurë, qoftë dhe formale, për të dalë në konferenca shtypi për të damkosur prokurorinë dhe për të bërë atë që bëri dy ditë më parë duke folur në emër të të vrarëve të Gërdecit, a thua ata i kemi vrarë ne, dhe jo ai familjarisht me djemtë e tij politikë e biologjikë. Duke qenë se është thjesht një arsye për luftë politike me prokurorinë, ky gjest duhet parë vetëm si i tillë dhe thjesht duhet regjistruar si një fushatë e re kundër kryeprokurores dhe kryehetuesit të ri të Gërdecit. Nëse zoti Shtylla do të ishte sot në krye të grupit, natyrisht që kësaj akuze do t’i shtoheshin dhe “krimet” e tij të vjetra, por falë moshës së re të Stojanit, ky i fundit ka konsumuar vetëm “krimin” e këshillimit me sms.

Dhe në fund, për ironi të fatit, akuzën penale ndaj kryeprokurores dhe kryehetuesit të Gërdecit e dorëzoi avokat Ardian Visha, të cilin Sali Berisha për së paku 5 vjet rresht e ka akuzuar pikërisht për këtë “krim”, por natyrisht me pasoja të rënda. E ka akuzuar fillimisht në vitin 1999, pasi, sipas Berishës, Ardian Visha mori dëshminë e Sali Berishës për vrasjen e Azem Hajdarit dhe po sipas Berishës, kundrejt “milionave” ia shiti “revistës së krimit “Klan”, drejtuar nga Aleksandër Frangaj. Për këtë shkak Berisha ndërpreu kontaktet dhe me TV “Klan”-in e sapokrijuar, duke i bërë embargo për gati dy vjet.

Më vonë, në vitin 2003, Berisha ngriti një stuhi tjetër ndaj këtij prokurori, që tashmë është avokat për llogari të Sali Berishës. Sipas Berishës, ky “njeri i krimit” kishte futur në qorrsokak Interpolin, të cilit i kishte dërguar foton e dikujt tjetër në vend të fotos së Orik Shytit për të shmangur ekstradimin e tij. Pikërisht ky ish-prokuror i akuzuar nga Berisha për krime shumë të rënda të këtij tipi dhe jo për sms emisionesh nga ato që Berisha vetë dërgon nga 200 copë për dy orë në adresë të Frangajt e Fevziut, tashmë është bashkuar me Berishën dhe po përpiqen që këtë teknologji të vjetër të Berishës ta rinovojnë me rastin e dosjes së Gërdecit. Ndryshimi është se si Berisha, ashtu dhe ish-viktimat e tij të djeshme, që sot janë aleatë me të, sot nuk janë bashkuar ashtu siç thotë Edi Rama “përtej të majtës dhe të djathtës” apo “përtej pushtetit dhe opozitës”, por janë bashkuar si pjesë e një regjimi familjar në pushtet, ku babai do të mbrojë të birin, kunati (Celibashi) do të mbrojë vëllanë e gruas (Fatmirin), baxhanaku do të keqpërdorë dhe në varr baxhanakun e ndjerë që s’e ka qasur as në shtëpi, drejtori i TV do të mbrojë vëllanë që ka marrë lekë nga ministri, e kështu me radhë një zinxhir pushteti familjar që të neveritet.

Sali Berisha thjesht ka gjetur një arsye për të prodhuar lajm kundër prokurorisë dhe në ditë pushimi. Asgjë tjetër nuk ka vlerë nga ky truk i tij. Madje, vlerë e vetme është se tashmë pushteti nuk po reziston ndaj ligjit me frymë politike, por me baballarë, kunetër, baxhanakë, shokë kunetërish, miq baballarësh etj. Si një familje në pushtet.

1 Komente

Nje don-Corleone mo, ky eshte shteti yne.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).