Shteti ndihmoi në vrasjen e Azemit (2)

Prokuroria manipuloi provat e dosjes “Hajdari”. Fatmir Haklaj u lirua nga arresti për t’u ekzekutuar. Fillesat e serialit të vrasjeve në Tropojë, mendoj se nuk kanë qenë të nisura nga politika”. Kështu shprehet Ismet Haxhia, në pjesën e dytë të intervistës dhënë për “Gazeta Shqiptare”. I dënuari me 20 vjet burg për vrasjen e deputetit të PD-së, Azem Hajdari, rrëfen për takimin e tij me ish-shefin e SHIK-ut, Fatos Klosi. “Pas arrestimit të vëllait tim Isamedinit, unë i kërkova takim Fatos Klosit, takim që u realizua në lokalin “Redbull”, një lokal përballë Ministrisë së Drejtësisë. Në atë takim unë nuk shkova për të kërkuar lëmoshë, as për t’u bërë pjesë e skenarëve të tij kriminalë, por për ta paralajmëruar me vendosmëri që të hiqte dorë prej tyre dhe prej krimeve që synonte ndaj meje dhe vëllezërve të mi”, - thekson Haxhiaj. Ai shprehet më tej se shteti heshti përballë një krimi kaq të rëndë, duke lënë vrasësit të largohen...

(vijon nga numri
i djeshëm)


Z.Haxhiaj, ju pretendoni se për dosjen “Hajdari” nuk është hetuar. Si e argumentoni këtë fakt?
Siç e kam theksuar edhe më parë, çështja “Hajdari” nuk është hetuar ndonjëherë. Ajo vetëm është manipuluar, madje edhe hetimet e zhvilluara në harkun kohor të një viti e gjysmë janë zhdukur nga dosja hetimore menjëherë pas likuidimit fizik të provës kryesore, ekzekutorit të Azem Hajdarit, Fatmir Haklajt, për të zëvendësuar këtë të fundit me emrat tanë, në shërbim të skenarëve që shpjegova. Në pamje të parë të bie në sy një grup prokurorësh sa për të shpërndarë përgjegjësinë si manipulatorë të çështjes, sa për të mos u ndjerë vetëm në këtë krim të dënueshëm siç është manipulimi i provave. Se sa profesional ka qenë ky grup prokurorësh del në pah duke menduar se atë e ka drejtuar Haxhi Giu, një ish-mësues fshati i brumosur me dijeni të thella në jurisprudencë, afër bregut të cekët të detit Adriatik, në Plepa të Durrësit, aty ku në vitet e edukimit komunist kualifikoheshin aktivistët e bashkimeve profesionale me vetëm aq kohë sa u kualifikua për drejtësi prokurori Giu. Cilësia e hetimit dhe gjykimit të vrasjes më të bujshme dhe serioziteti me të cilin e mori politika, duken qartë edhe në aftësinë prej aktivisti me shkollë nate të pinjollit të diktaturës Arben Micko, që kryesonte trupin gjykues. A mund të besohet nga ndokush se ky krim kaq i rëndë u hetua me profesionalizëm e paanësi politike, kur ata morën prova të përpunuara nga SHIK-u i Klosit me konflikt të thellë kriminal interesi si Muldaka e Cakrri (Astrit Muldaka dhe Petrit Cakrri, dy dëshmitarët okularë të vrasjes së Azem Hajdarit, shënim i redaktorit) i pari, i konvertuar nga vrasës në dëshmitar, kur në vend që ekzekutori Fatmir Haklaj të merrej në përgjegjësi penale për vrasjen, e liruan nga gjendja e arrestit për ta likuiduar fizikisht vetëm pak ditë më pas, pasi prokurorët nëpërmjet dëshmitares Pëllumbesha Gjoni, pa dashje dhe pa dijeninë e Klosit dhe Rakipit, e identifikuan atë si vrasësin e Hajdarit; kur vrasësit pas kryerjes së krimit largohen të qetë, madje duke na hequr edhe pengesat, edhe pse kaluan në territorin e tetë rajoneve e komisariateve të policisë dhe nuk u hetua kurrë për përgjegjësinë e përkrahjes shtetërore pas krimit, kur; organizatorët e këtij krimi, për të mos i shqetësuar vrasësit, urdhërojnë heqjen e postblloqeve te Ura e Fanit në Mirditë, menjëherë pasi mësuan drejtimin e lëvizjes së vrasësve për t’u kthyer nga kishin ardhur dhe askush nuk u mor në përgjegjësi për këtë krim shtetëror, kur me gjithë identifikimin e vrasësve, menjëherë pas kryerjes së krimit nuk veprohet për arrestimin e tyre, edhe pas kërkesës së ish-shefit të Komisariatit Tropojë, Fatmir Meta që të nesërmen e vrasjes së deputetit. Kur identifikohet mjeti i krimit dhe zotëruesi i tij në momentin e krimit dhe nuk veprohet për ta arrestuar, edhe pse kjo gjë i kërkohet ministrit të Rendit nga Shefi i Sektorit ushtarak në Prefekturën e Tiranës A.Duka, por e lanë të fshehur identitetin e tij, për ta përdorur më pas si dëshmitar të rremë, kundër njerëzve pa faj, në përmbushjen e skenarëve në betejën politike të zgjedhjeve të vitit 2001. Kur Shërbimi Inteligjent Kombëtar në informacionet e tij për institucionet më të larta të vendit, qëllimisht fsheh identitetin e përdoruesit të këtij mjeti në momentin e krimit, nëpërmjet deformimit të emrit të Muldakës, duke e quajtur Myftar Culaj dhe për ta zbuluar e përdorur si dëshmitar në kohën e manipulimit të dosjes hetimore. Kur organi i akuzës largonte nga mjeti i zaptuar prej tij Muldakën e duke e vënë në një makinë tjetër në rolin e inspektorit të vendit të ngjarjes, në këmbim të heqjes së akuzës që meritonte, pra me përfitim të ndërsjelltë, duke penalizuar të pafajshmit nëpërmjet këtij vrasësi të konvertuar në dëshmitar, të zgjedhur nga tutorët e tyre në SHIK e në politikë. Kur në mënyrë krejtësisht banale ka servirur para gjykatës variantin se në vrasjen e Azem Hajdarit kanë marrë pjesë një ushtri prej rreth 100 vetash, vetëm për të justifikuar mosveprimin e strukturave të urdhëruara nga tutorët e tyre politikë, ndërkohë që është vërtetuar se në vrasjen e Hajdarit kanë marrë pjesë vetëm katër veta, njëri prej të cilëve e vranë pa dashje nga plumbat e ekzekutorit. Pra, a mund të mendohet e besohet se është kryer një hetim profesional e i paanshëm duke marrë prova të stisura nga përgjegjësit e kësaj vrasjeje? Ndërkohë që prokurorët nuk bënin gjë tjetër, veç “montimin” e dëshmive të tyre në funksion të manipulimit të dosjes e fshehjes së të vërtetës. Nga këto që thashë e një mori arsyesh të tjera të cilat nuk mund të radhiten të gjitha në një intervistë, krijojnë bindjen tek të gjithë, - veç atyre që duan të bëjnë indiferentin apo shurdhmemecin, - se kjo çështje nuk u hetua fare objektivisht dhe aq më pak profesionalisht.
Çfarë mund të na thoni për serialin e vrasjeve në Tropojë? A mendoni se ky serial u mbars nga politika?
Për serialin e vrasjeve në Tropojë është folur me profesionalizëm në emisionin “Xhungël”, të cilin e kam ndjekur dhe më ka pëlqyer. Megjithatë, në serialin e këtyre vrasjeve ka shumë të ditura, por të pathëna, që nga askush dhe asnjëherë deri tani nuk u hetuan, e për pasojë nuk u penalizuan përgjegjësit, pasi shumica e tyre janë pasojë e një terrori të egër shtetëror në Tropojë. Ajo që vlen të theksohet është se atje, për fat të keq u goditën padrejtësisht familjarët, ndër më të mirët e asaj treve. Në Tropojë, pas vrasjes së vëllait e kunatit të Fatmir Haklajt, gjithçka doli jashtë normalitetit. Asgjë nuk mund të kontrollohej e aq më pak krimi. Në këto kushte e terren të kontrolluar vetëm nga banda të armatosura, u bënë shumë vrasje të shëmtuara. Pak muaj më parë u bë një vrasje tejet e shëmtuar. U vra Bajram Hoxha, një djalë me cilësi të rralla e nga një familje ideale për nga cilësitë e saj. Ai u vra në një ditë të rëndë për atë familje, pasi ata, po atë ditë po përcillnin për në banesën e fundit një djalë të tyrin fare të ri, ditë kjo që edhe hasmi më i lig nuk të vret. Kjo vrasje na tronditi të gjithëve, por akoma më tronditës ishte fakti se vrasësit nuk u deklaruan, çka nuk kishte qenë traditë e malësorëve të Tropojës. Pastaj vazhduan vrasje seri pas atij momentit që theksova më lart. Duke vazhduar me vrasjen e tre të pafajshmëve: Avdyl Matoshi, Gjin Kolbucaj dhe Agim Dezdari, vetëm për të ushtruar terror e dhunë psikologjike prej të fortësh me njerëz të paarmatosur e të pozicionuar në hallet e veta. Vrasjet më pas vazhdojnë për bajraktarizëm, pas dyshimeve nga thashethemnaja që kishte marrë dhenë në atë kohë, nga intrigat nëpërmjet të cilave filloi hakmarrja e egër për mllefe e armiqësi të harruara deri atëherë e të lindura rishtazi, deri edhe në vrasje të kryera për variacionin për t’i përdorur si harem për hasmin, me qëllim që duke shkuar në varrim apo për ngushëllim, t’i bënin pritë vrasëse atij e për motive deri më të rëndomtat. Fillesat e serialit të vrasjeve në Tropojë, mendoj se nuk kanë qenë të nisura nga politika. Më pas ato u përdorën politikisht me intensitet dhe egërsi vetëm e vetëm për të dëmtuar imazhin e Berishës e Hajdarit atje, e deri në nxitjen e të fortëve për likuidimin e tyre. Të gjithë banorët e asaj treve, kush më shumë e kush më pak, jemi trullosur nga shpifjet e ngritura në mënyrë institucionale e të shpërndara nëpërmjet thashethemeve se vrasjen e Qafës së Luzhës ku u vranë vëllai e kunati i shefit të komisariatit, Fatmir Haklajt, e kishin urdhëruar Berisha e Hajdari. Një absurditet i madh ky! Kam bindjen se kjo vrasje u iniciua nga strukturat e UDB-së jugosllave dhe trafikantët e armëve që synonin të bëheshin lider në këtë treg fitimesh marramendëse, duke boshatisur magazinat e pacenuara të armëve të shtetit duke bërë dhe patriotin, se ua jepnin UÇK-së me çmime të kripura, në vend që tua falnin për të mos u sharruar më vonë me gur fresibël në kuadrin e likuidimit të armatimit të tepërt. Vrasja e Shkëlqim Haklajt, i cili kishte filluar punë në Pikën e kalimit Kufitar të Qafë-Prushit dy ditë para se të vritej, vetëm për të ngritur një linjë të re për shitje armësh. Në vitet 1998-1999, kohë kur në Tropojë zhvillohej gjithë aktiviteti stërvitor i furnizimit me mjete logjistike, ushqime e ilaçe i formacioneve të UÇK-së, për destabilizimin e Tropojës nuk mund të gjendej ndonjë variant më ideal se vrasja e vëllait të Fatmir Haklajt, në atë kohë shef i komisariatit atje, i cili ishte edhe zotëruesi i trafikut të armëve, pa lejen e të cilit nuk mund të shitej qoftë edhe një fishek i vetëm. Ky destabilizim u shërbente pra trafikantëve të veshur me pushtet e që drejtohej nga Tirana, duke synuar zotërimin e tregut atje, si dhe strukturave të fshehta të Serbisë, që synonin me çdo kusht pengimin e armatosjes së UÇK-së duke e sabotuar këtë trafik. Më mirë se aq sa e kanë llogaritur e realizuar njëherësh, nuk mund të kishin realizuar më mirë se kaq, me asnjë mënyrë tjetër të mundshme. Destabilizuan Tropojën dhe e lanë ashtu, nën peshën e rëndë të vëllavrasjeve, që ashtu si shumica e tropojanëve nuk e kanë dëshiruar dhe as e kanë për ta dëshiruar kurrë.
Si e gjykoni ju mosvajtjen e Berishës në Tropojë pas kaq vitesh?
Këtë përgjigje duhet ta kërkoni nga Berisha. Megjithatë, dua të theksoj vetëm këtë gjë, që Berishën e duan tropojanët dhe e mbrojnë, pa asnjë dallim politik. Berisha e ka pasur më të vështirë të shkonte në Vlorë në pranverën e vitit 2000, e megjithatë shkoi atje dhe e pritën me lule, e jo me plumba siç e kërcënonin kundërshtarët e tij të vjetër. Mendoj se Berisha nuk ka shkuar në Tropojë për të vetmen arsye, pasi nuk do që kundërshtarët e tij të mund ta përdorin këtë veprim të mundshëm të tij që, duke e instrumentalizuar e përpunuar në mënyrë kriminale siç është vepruar deri më sot, të bëhet shkak edhe për më të voglin destabilitet në vendlindjen e tij.
Ju pretendoni pafajësi, cilët janë personat që përgatitën arrestimin e dënimin tuaj?
Më duket se deri tani ju përmenda ndonjë nga emrat, por për më saktë duroni derisa të vijë momenti i botimit të librit tim, që sapo ju fola. Dua të them se ata kanë emra të përveçëm dhe atëherë kanë qenë të veshur me shumë pushtet. Kaq sa për ata që përgatitën vrasjen e Azem Hajdarit. Ndërsa për ata që përgatitën arrestimin dhe dënimin tim, vlen të theksoj se, menjëherë sapo më arrestuan vëllain Isamedinin, duke qenë plotësisht i pafajshëm, unë reagova ashpër e në mënyrë kërcënuese. Menjëherë unë i kërkova takim Fatos Klosit, takim që u realizua në lokalin “Redbull”, një lokal përballë Ministrisë së Drejtësisë. Në atë takim unë nuk shkova për të kërkuar lëmoshë, as për t’u bërë pjesë e skenarëve të tij kriminalë, por për ta paralajmëruar me vendosmëri që të hiqte dorë prej tyre dhe prej krimeve që synonte ndaj meje dhe vëllezërve të mi. Në atë moment unë nuk kam qenë i parashikuar për t’u penalizuar për vrasjen e Azem Hajdarit, pasi për këtë kishin planifikuar dy vëllezërit e mi, gjë që duket në manipulimin e Muldakës. Sipas dëshmisë së tij të datës 20.11.2000 marrë prej tij në burgun Rexhina Çela në Romë dhe që emri im nuk figuron të jetë përmendur prej tij. Mendoni faktin që ai kriminel përmendte vetëm emrat e atyre që i kërkohej prej prokurorëve në kuadrin e manipulimit të dosjes. Pas këtij takimi arrestimi im erdhi pak ditë më pas, vetëm pesë, kohë që iu desh Klosit të përdorte bashkëpunimin e tij të paskrupullt Cakrri, që tua dhuronte prokurorëve për të sajuar arrestimin tim, për të cilin vetëm pak minuta pas ndarjes nga unë, e përgatiten në takimin e tyre Klosi – Rakipi, fakt ky që unë e kam denoncuar edhe më parë.
Çfarë bën Ismet Haxhia në qeli?
Shpesh duke iu përgjigjur miqve të mi me shaka, u them se ndodhem në regjim stallor; ha, pi dhe rri. Sa për të qeshur pak. Në fakt nuk është kështu. Unë përpiqem të programoj kohën në atë mënyrë, që të mos lë boshllëk që të veprojnë mbi mua hallet që kam. Në këtë kontekst, lexoj shumë letërsi artistike, kam lexuar një metër kub literaturë për jurisprudencë dhe për procedurat e praktikat ligjore të Gjykatës së Strasburgut. Veç librit që përmenda kam shkruar edhe dy romane, një me temë nga realiteti i sotëm, dhe një me temë nga e kaluara që kam pasur. Jam duke përgatitur një libër me temë nga jurisprudenca, nëpërmjet të cilit të ndihmoj këdo që dëshiron t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, kur mendon se i janë shkelur të drejtat nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, apo hetues prokurorë, gjykatës, juristë, që janë dhunuesit më të mëdhenj të të drejtave të qytetarëve, nëpërmjet ushtrimit të funksioneve të tyre, në vend që t’i mbajnë ato duke zbatuar Kushtetutën e ligjet e vendit dhe veçanërisht avokatët, që për fat të keq janë hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë.
Edhe avokatin tuaj e kategorizoni sipas këtij mendimi?
Në fakt, avokati im është krejt ndryshe nga ata për të cilët kam mësuar nga bashkëvuajtësit e mi. Ai është një penalist shumë i mirë, e njeh mjaft mirë profesionin dhe mbi të gjitha është një njeri ideal e unë tashmë e kam një mik shumë të mirë. Për çështjen time, as ai dhe as avokati më i mirë në botë nuk mund të çante përballë një procesi të tillë të paragjykuar dhe të montuar politikisht.
Thatë që lexoni. Çfarë libri keni në duar aktualisht?
Tani po lexoj një libër të Xhorxh Soros me titull “Kriza e kapitalizmit global”.
Po familja juaj, çfarë ka përjetuar përgjatë këtyre viteve të burgosjes suaj?
Dhembje, vetëm dhembje e vuajtje nga më të ndryshmet, varfëri deri në ekstremet e mbijetesës duke mos e merituar aspak atë. Mund të them që ka përjetuar barrën e rëndë të fajit pa qenë e tillë, ajo dhe as unë. Prindërit e mi, për fatin e keq përjetuan persekutimin e fëmijëve të tyre. Fillimisht kanë qenë të shokuar nga ajo që po ndodhte me ne, aq sa nëna ime 75-vjeçare, në janar të vitit 2001, pak ditë pas arrestimit tonë, teksa kishte ardhur të më takonte në paraburgimin e Krujës (atje më kishin degdisur) duke i rrjedhur lotët curril nga mjekra që i dridhej pa pushim, më drejtohet kështu në prani të policit që mbikëqyrte takimin: “Se si duhet ta kuptojë nana këto që po ndodh me ju?”, - duke nënkuptuar përgjegjësinë tonë në vrasjen e Azem Hajdarit. Jam detyruar të betohem në gjirin që ajo më kish ushqyer se nuk kemi përgjegjësi për këtë vrasje. Ajo shfryu e lehtësuar, hoqi shaminë nga koka, fshiu lotët me të dhe filloi të nëmë tërë mllef prej nëne e gruaje ata që vranë Azem Hajdarin. “Tani le të vdes, - më tha ajo, - kur të dojë i madhi zot”. E përmenda këtë rast për të treguar se prindërit tanë, të tronditur nga ajo që po ndodhte kishin filluar të lëkundeshin për fajësinë tonë, vaj halli për të tjerët që nuk ishin prindër apo të rrethit tonë shoqëror e miqësor, që padyshim kanë pësuar tronditje të thellë.

2 Komente

Mire,

dakort. UDB-ja, Nano , Klosi, Berisha, dakort me te gjitha etj.

Po une kam nje pyetje te vetme, fare te vetme : mire trimerine ja u pame se cer jeni te zot te beni, po zgjuarsia ku eshte ne nje histori qe solli me shume se 200 vete te vrare ?

Koth, mos kerko zgjuarsi aty ku nuk ka.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).