Shtet “motel” apo shtet model?!

Historia është e njohur. Por si shumë gjëra të këqija që ndodhin në këtë vend, domosdo është harruar dhe historia e disa viteve më parë, kur u hap, e harruan apo e hapën portën e digës së liqenit artificial të Tiranës. Në atë kohë, sa nga ngjarja, sa nga lufta politika, (sa mizore duket lufta politika në fatkeqësi natyrore) një bllok pallatesh te “Komuna e Parisit” u përmbytën në përmasa të paparashikueshme dhe me dëm të konsiderueshëm ekonomik. Përmasat e përmbytjes ishin të atilla, sa u desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë për të stabilizuar përkohësisht situatën.Edhe në atë kohë, nxitur nga situata e krijuar, po në gazetën “Panorama” është bërë një shkrim, në të cilin pak a shumë stigmatizohej pafuqia e shtetit për të qenë në ruajtje të njerëzve nga fatkeqësi të tilla natyrore. Por, siç ndodh rëndom dhe pa shpresë se do të mund të ndryshojë diçka praktike nga shprehja “çudia më e madhe zgjat tri ditë”, edhe kjo histori u harrua. U harrua kur në fakt, do të duhej të ishte ndryshe. Do të duhej pra, të nxirreshin mësime nga kjo histori e keqe, në mënyrë që të rregulloheshin shumë defekte që rëndom vërehen sot në bumin e madh të ndërtimeve në të gjithë vendin.
Dhe erdhi një ditë, por këtë radhë jo nga diga e liqenit, as nga opozita, por as nga qeveria, dhe u lëshua një shi i madh nga qielli dhe zona e “Komunës së Parisit” u përmbyt përsëri e tëra. Telefona papushim, alarm te banorët: “Nxirrni makinat nga lagjja, ikni, lajmëroni...”. Më kot u mundova të ikja në shtëpi. Makina nuk bën punë. E vetmja mundësi ishte të gjeja ose një fadromë, ose një makinë tjetër të këtij stili. Por këto i disponon qeveria me strukturat e veta. Prit e prit, më kot, edhe pse ishte mesditë. As ky stil s’bën punë... Të dh... stilin! Doli një tjetër problem. Gjithë dynjaja kërkojnë drita, unë kërkoj t’i fik në emër të lagjes?!... Herë pas here, banorë të lagjes më kritikojnë pse nuk shkruaj për ndërprerjen e dritave (kur ndërpriteshin). Këtë herë më kërkonin papushim të interesohesha që të ndërpriteshin urgjent dritat, sepse niveli i ujit po arrinte sahatet dhe në këtë rast ofrohej një rrezik tjetër më i madh: zjarri. Mora në telefon drejtorin e Përgjithshëm të OSSH-së, i cili u tregua i gatshëm për çdo lloj ndihme dhe menjëherë u eliminua ky rrezik. Po kështu, edhe Bashkia, pas mesazhit drejtuar kryetarit të saj, dërgoi menjëherë disa mjete. Por problemi ishte gjetiu: edhe në këtë rast, vetëm ushtria mund të përdorej. Shkurt dhe thjeshtë, duheshin thasë me rërë për të devijuar një sasi ujërash. Kaq!
Pasi u err, aty mbërritën plot makina të rënda, zjarrfikëse, fadroma. Madje edhe vete zëvendësministri (i kartave), i cili, nga 170 fjalë, 100 i tha kundër bashkisë e nuk e di pse kujtonte Gonxhen e rastit të parë të përmbytjes... E ndërsa përfaqësuesi i qeverisë e ka mendjen tek politika dhe tek zgjedhjet, e nuk e di pse gjendet aty fizikisht, unë dua të shkoj në shtëpi e s’mundem. -Po shkoj të gjej hotel, i thashë komshiut. “Më mirë shkojmë e gjejmë motel, këtë na ofron qeveria model”, tha ai. E shikon se si këtu bëhet fushatë politike? Sarkazma e tij ishte kaq shprehëse dhe e goditur, sa më la pa fjalë.
Problemi është se fatkeqësitë, përfshirë dhe këto natyrore, janë pjesë e jetës njerëzore dhe qeveritë, kudo, nuk janë fajtore! Ato, pra qeveritë, sidomos ato të “shërbesave”, duhet të kenë në gatishmëri të gjitha forcat dhe potencialin e nevojshëm për t’i zbutur ato. Në rastin konkret, pra në përmbytjet te “Komuna e Parisit”, kjo mund të evitohej lehtë. Sepse të gjithë e dinin se kishte ndodhur njëherë. Të gjithë e dinin se në një rast të tillë, mjaftonin dy makina me thasë rëre për të devijuar rrjedhën dhe gjithçka nuk do të kishte nevojë për alarm.
Përtej kësaj, raste të tilla nxjerrin në pah edhe atë që i mungon prej vitesh këtij vendi: bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, pavarësisht përkatësive partiake. Shteti, segmentet e tij në këtë rast, duhet të jenë sa më tolerante dhe të përgjegjshme. Raste të tilla nuk tregojnë dobësi, por përkundrazi, forcë. Forcë tregohet edhe në rastin kur shteti analizon me përgjegjësi dhe nxjerr mësime nga fatkeqësi të tilla, të cilat nëse marrim rastin konkret, nuk do të konsiderohen më të tilla nëse zona përmbytet përsëri në rast reshjesh shiu.
Herën e parë shpërtheu diga dhe askush nuk e parashikoi...
Herën e dytë ra shi i dendur dhe shteti erdhi për fushatë, për politikë...
Nëse ndodh për herë të tretë, atëherë modeli që na ofrohet për shtet duhet të jetë një “motel” ku paguhet për shërbimin mediokër... Atëherë do të ridëgjojmë “kuriozitete” si këto “fadromës borëpastruese iu mbarua nafta” apo “zjarrfikësja nuk ka gyp thithës”...

3 Komente

Ose, "Kryeministri punon me thithje" apo "Qeverise i ka dale zorra"

Dmth edhe per kanalizimet qe s'ekzistojne ne nje lagje te Tiranes (e cila ka nje bashki) e paska fajin Kryeministri? Po kryetari i bashkise cfare detyre ka, apo vetem te japi leje ndertimi pa plan dhe te ndertohen lagje krejt te reja si Komuna e Parisit pa plane dhe pa kanalizime?

As ky stil s’bën punë... Të dh... stilin!

Sa me pelqen gazetaria e rruges. Bravo gaze-tari dhe gaze-ta me shembullin e bukur te stilit gazetaresk. Tamam te dh... stilin!

Me tavllaxhijte e PD si Kryetar Bashkie qe prej vitit 1992 e deri kur i Fshine (  ai tip k/tari mos u pafte KURRE ne Tirane ) eshte shume pak te pershkruhet vetem lagjja "Komuna e Parisit". Tirana  si asnjehere u shndrrua ne hambar te begatshem PLEHRASH , shurtore masive prapa cdo plepi , dhe fatmiresisht fale kultures popullore per Gropa Septike, Tirana mundi te shpetoje nga ajo gjeja e trashe  MADE- PD , qe mbyti Parlamentin dhe klubet para selise se PD . Ketij ekipi QEVERITAR dhe ato pak kanale qe kishte i JANE bllokuar qe ne Gjeneze .Po kujt i flet o z .Martin???? Ne jemi mesuar gjithe jeten me ferra e gjembece...c'na prish edhe ca uje perroi here pas here....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).