Shtëpia mbi Lanë

Përgjatë perëndimit të Lanës, kësaj vije uji, që kryeqytetasit mundohen ta përfytyrojnë sikur të jetë lumë dhe ku dy shpate të rregulluara plot bar i japin hijeshi deri në ish-Shkollën Teknologjike, papritur diku... nuk mund të ecësh më tej. As ti, as ndonjë kafshë rastësore, që po aq rastësisht ushqehet andej. Mbi Lanë është ajo: Shtëpia simbol e ngujimit në kryeqytet. E dinë të gjithë dhe është kaq e zakonshme në jashtëzakonësinë e saj, saqë tani nuk i bën askujt përshtypje. Ngrehina e pambaruar me një suva, si pangjyrë dhe gati e bunkerizuar, qëndron në këmbë dhe duket sikur noton pjesërisht në mes të lumit. Brenda kësaj shtëpie “të harruar” banojnë me fëmijët e tyre, dy vejusha, të cilat për fat të mirë, askush s’ka marrë guximin t’i përzë jashtë. Shtëpia e kuqe e Lanës - e vetmuar dhe e papërsëritshme – është diçka më tepër se një ndërtesë abuzive e mbijetuar: ajo është një monument i pavullnetshëm dhe i jashtëzakonshëm i përzierjes së kohërave dhe hapësirave që sot mbart Tirana”, do shkruante një gazetar i huaj, që e përshkruante kështu këtë fenomen të gjallë brenda kryeqytetit.

Shtëpia e familjes ka kohë që është e kyçur. Për miqtë, të afërmit dhe kureshtarët. Një brengë e madhe varet mbi shtëpi dhe ashtu si vdekjet që i janë mbjellë në vite, nuk e lë që të lulëzojë. Ngrehina bajagi e mirë trekatëshe nuk ka hijen e ndërtesës së qetë. Ka një pjesë poshtë të pambaruar dhe dritaret e katit të tretë të pavëna. Por, kjo është më e pakta gjë, në morinë e halleve të familjes...

Gruaja S.K., që na shfaqet befas, nga dera, ku i biem ziles është mbi të gjashtëdhjetat. Është e veshur me të zeza dhe nga pas e ndjek një djalë i vogël, shumë i sjellshëm. Një ditë më parë, një pasdite, kemi folur me të nipin, që të gjitha kërkesave tona i është përgjigjur me një JO ose të shohim. Në fakt, një ditë më vonë, kur jemi para kësaj gruaje, përgjigjja nuk është se ndryshon shumë. “A mundemi të flasim pak brenda?” “Jo”. “Nuk mundem”. “Nuk kam folur për askënd”. Pak minuta më vonë, teksa fjalosemi me gruan, që duket shumë e munduar dhe me një siklet të pathënë, na thotë vetëm pak fjalë. I kanë vdekur të dy djemtë. Më i madhi B. K., 39-vjeçar dhe tjetri L. K. ,37-vjeçar. Njëri është ngatërruar falë fatit të tij të keq prej makinës dhe është ekzekutuar në Mamurras. Pak vite më vonë, një fatkeqësi i ka ndodhur dhe vëllait të dytë. Këtë herë, masakra ka qenë fisnore. Është ekzekutuar nga kushëriri i tij i parë. Dhimbja këtu ndalet. Ky është kob. Çfarë mund të thotë më, në të vërtetë? Por, gruaja duket fisnike dhe duke parë insistimin më jep një adresë tjetër, që mund të na flasë. I bindemi.

Pak kohë më vonë gjejmë adresën e njeriut të saj. Është Shabani S., një 50-vjeçar simpatik, ish-gazetar i K.J., që na ndriçon historinë, por me një kujdes dhe mirësjellje për të mos lënduar askënd. Gruaja, që na ka përcjellë këtu, është e shoqja e dajës së tij. Plaku i shtëpisë është i sëmurë dhe i pamundur. Dita e tyre është më shumë se e thjeshtë. Ngrihen dhe rrotullohen të gjithë në shtëpi. Punon dikush, ndërsa miq e dashamirë i ndihmojnë. Vetëm se bashkë me hallet, duket se i ka pllakosur dhe një pleqëri jo e lehtë. Duket se lehtësimi i vetëm dhe frymëmarrja që i mban në jetë pleqtë - janë nipërit e mbesat, por edhe një dashamirësi e jashtëzakonshme e Bashkisë së kryeqytetit, që ata në çdo rast nuk e dinë si t’ia shpërblejnë. Pastaj gjithçka është e njëjtë. Nuk dalin. Ndërsa, nga dritaret e shtëpisë shikojnë përditmërinë e një qyteti që rritet dhe që duket se i ka harruar krejtësisht. Hanë, vishen, flenë, shikojnë dhe presin. Kë? Këtë askush nuk di ta thotë, prej tyre. Dy të afërm, që janë më të lirë, bëjnë me kujdes pazarin, por edhe i ndihnë.

Në fakt, në këtë Tiranë kaq bashkëkohore dhe lëbyrëse, ku përplasen pa mëshirë individualite urbanistike të çuditshme, shtëpia duket se nuk do trandet lehtë. Ajo është aty brenda Tiranës së monumenteve të regjimit komunist, të shesheve të paanë dhe të bulevardeve të gjerë, si shenjë, që Kanuni i madh e ka gllabëruar historinë e tyre, kurse e tija mbetet e paprekshme. Ajo është po aq sa edhe kompleksi liktorian i ministrive ndërtuar nga italianët, vetë sheshit të hallakatur “Skënderbej”, dhe po aq historik sa institucioneve urbanistike më të vjetra të qytetit, Xhamisë së Et’hem Beut, Kullës së Sahatit, Muzeut Kombëtar të ndërtuar nga kinezët dhe Pallatit të Kulturës, projektuar nga arkitektët rusë, do vërente një gazetar i huaj, i një prestigjioze arkitekturore.

Për Shabanin, plaga është e majisur dhe madje edhe shembullin që na e jep me durim, e krahason me një të tillë gjendje. “Sapo plaga vendos pak kore, atëherë ia mbërrijnë dhe e ngacmojnë. Çfarë mund të bëjë një familje me vejusha dhe pleq, që mezi jetojnë”, na thotë. “A mund të ketë pak humanizëm përballë kësaj fatkeqësie?” Në fakt, kohë më parë, në një emision është marrë si trajtesë dhe shembull i keq i Kanunit: ekzistenca e saj në një Tiranë të pastruar nga krejt ndërtimet mbi Lanë. Por, trajtimi joprofesional i ka shokuar gratë e veja të shtëpisë dhe pleqtë, që u duhet të llogarisin mirë të përditshmen dhe të marrin vazhdimisht vendime jo të lehta për jetën e tyre.

Bashkia dhe pushteti qendror i dy forcave politike, duket se në të vetmin vend në Tiranë nuk kanë mëdyshuar asnjëherë: Përderisa nuk mundin që të zgjidhin problemin e tyre, atëherë ata kanë vendosur t’i lenë rehat. “Po a mund t’i bëhet më ndonjë shkatërrim një familje të tillë”, thotë Shabani, i cili është një nga njerëzit jashtë shtëpisë, që i duhet të kujdeset, por në një farë mënyre të bëjë dhe njeriun e shtypit të tyre.

Intermexo
Gjithçka është modifikuar aq frikshëm, saqë edhe shteti nuk bën dot më shumë. “Pas vitit 1990, në Shqipëri, u përhap fenomeni i konflikteve për pronën, trafikimin e armëve, femrave dhe drogës- duke nxitur vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje, jo vetëm në zonat veriore, ku ka ekzistuar vetëqeverisja kanunore, por edhe në jug”, rrëfente kohë më parë për MAPO-n, Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve. Në fakt, duket se edhe ligji ka shumë shtigje për të manovruar. Specialistët rrëfejnë se në Kodin Civil dhe atë Penal rezultojnë 21 ligje dhe 73 nene, të cilat duhen rishikuar së bashku me Kodin e Procedurës, pasi në disa raste favorizojnë jo vetëm veprimtarinë keqbërëse, por edhe korrupsionin në Drejtësi. Pra, ka një shteg më shumë për vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje.E gjakmarrja në Shqipëri nuk ka falur deri vetë krerët e pajtimeve. Kjo e bën problematike situatën shqiptare, por edhe të vështirë, sepse ai është veshur me elementë bashkëkohorë.

Një ide “e vjetër”
Paçka se është disi kontribuuese puna e strukturave të ndryshme, një zgjidhje e mundshme për të ndrequr diçka- mbetet ideja e Malit të Zi me këtë fenomen vite më parë. Malazezët hartuan një platformë të tillë në fillim të viteve ’50, sipas të cilit veçohej vrasësi (ose doraci, siç quhet me kanun) dhe pastaj me të duhej të merrej Drejtësia. Duke pasur parasysh zakonin gati të njëjtë të këtyre trevave, ku ai që vret mund të merret në besë dhe ti nuk mund ta prekësh, ai linte shteg për manovrime. Kjo nismë e nisur me shumë bujë, në Malin e Zi ka përfunduar vetëm në vitin 1970. Që nga atëherë, në Malin e Zi janë vrarë vetëm shtatë veta. Mbase, kjo do të ishte një zgjidhje në trevat ku shteti e ka ende shumë të vështirë që të ndërhyjë, paçka fjalëve të tij. I ndjeri Emin Spahia, kreu i shoqatës së Shkodrës, që ishte aq optimist dhe donte ta zbatonte në Shqipëri, nuk mundi… pasi ai vetë u bë pre e një plumbi gjakmarrje, ndoshta. ”Çdo qenie njerëzore kultivon tek vetja shpresën për ta nisur jetën nga e para dhe për të mos mbetur gjithmonë i burgosur i gabimeve dhe i fajeve të veta. Ëndrra hedh vështrimin drejt së ardhmes për të zbuluar edhe një perspektivë të re të besimit e të angazhimit...”, do thoshte dikur.

Të gjitha këto bëjnë pak punë për familjen, që jeton falë mirënjohjes për Bashkinë e Tiranës dhe autoriteteve. Shteti ka ngrirë për gjakmarrjen në Shqipëri, paçka se mendon se ka kohë që bën sikur e harron për hir të aplikimit në strukturat e BE-së dhe në NATO. Shtëpia mbi Lanë akuzon, ashtu si dhjetëra shtëpi të tjera, që janë kudo të përhapura mbi Shqipëri.

 

Si po e luftojmë gjakmarrjen

Drejtori i Policisë së Shtetit duket se ka një predispozitë maksimale për të folur për gjakmarrjen. Është ideator i një studimi dhe mendon se ulja e krimit, që ka si motiv gjakmarrjen, është një hap i mirë për Shqipërinë. Gjithsesi, ...”ka tendenca të fshehjes së krimit për t`i bërë vetëgjyqësinë në bazë të Kanunit dhe Dheut, siç ka dhe largime jashtë vendit të autorëve të krimit, për të cilët është kërkuar nga INTERPOLI ekstradimi i tyre për t`i përballur me organet e drejtësisë”, shprehet ai për MAPO.

Gjakmarrja mbetet një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare dhe viktimat për shkak të saj kanë qenë të konsiderueshme. Si përballet Policia e Shtetit me këtë fenomen?
”Është e vërtetë që, pas shembjes së diktaturës komuniste në vitet `90, gjakmarrja mori përmasa të konsiderueshme, sidomos në rrafshin e Shqipërisë së Veriut. Pas një letargjie gati 50 vjeçare, kodi zakonor penal, i kodifikuar si Kanuni i Lekë Dukagjinit “fitoi të drejtën e qytetarisë,” pra në zgjidhjen e konflikteve të mbartura ndër vite si dhe të lindura rishtas, për shkak të pronës, problemeve të marrëdhënieve komunitare, etike e morale, gjithnjë e më tepër po fitonte terren vetëgjyqësia.
Pa dyshim që të parat janë strukturat e Policisë së Shtetit që përballen me krimin e vrasjes për gjakmarrje dhe hakmarrje, sepse ajo ka detyrimin ligjor për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për mbrojtjen e jetës së qytetarit e të veprimtarisë së komunitetit në përgjithësi. Krimi i vrasjes për gjakmarrje ka specifika të veçanta, që lidhen ngushtë me psikologjinë, traditën dhe zhvillimin social-kulturor të zonës dhe si i tillë është një problem kompleks që nuk lidhet vetëm me punën e uniformave blu. Ndaj dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hedhur një hap të madh përpara, përsa i përket bashkëpunimit me organet e pushtetit vendor, me shkollat dhe OJQ, me grupe dhe individë autoritarë për rezultante të përbashkëta pune për minimizimin dhe zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes.
Si rezultat i kësaj pune ka një rënie të ndjeshme të numrit të vrasjeve në përgjithësi dhe për gjakmarrje në veçanti. Mjafton të përmend që gjatë vitit 2008 numri i vrasjeve ishte në minimumin e vet historik, 85(!) dhe ato për gjakmarrje vetëm 4 raste, në vitin 2008, vrasjet me paramendim janë ulur me 39 raste, që është rrjedhojë e një pune të përkushtuar të strukturave të Policisë së Shtetit.
Rendësi të veçantë në këtë drejtim i kemi kushtuar njohjes së gjendjes konkrete të lagjes, zonës, të familjeve në gjakmarrje, familjeve të ngujuara, të lindjes së konflikteve të reja dhe parandalimi i thellimit të tyre. Ne strategjinë e punës sonë mbetet performanca dhe bilanci i përditshëm i policimit në komunitet në lidhje me rezultatet e punës minutë pas minuti, orë, ditë e me radhë. Këto janë të “ardhurat bruto” i policimit të organizatës që për rrjedhojë sjell të “ardhurat neto” qe janë ulja e krimit në përgjithësi dhe ajo e gjakmarrjes në veçanti…përfitime këto të drejtpërdrejta të komunitetit. Dhe shifrat e bilanceve flasin për arritje të rëndësishme në këtë drejtim”.

Kush e vështirëson punën e policisë në këtë drejtim dhe a përbën njollë për Shqipërinë, sipas jush, fenomeni i gjakmarrjes në kuadrin e integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike…

“Me implementimin e Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit janë bërë ndryshime esenciale në strukturë dhe në format e policimit në komunitet, në modernizimin dhe ngritjen profesionale të organizatës së policimit. Mund të them se rezultatet e punës në këtë drejtim janë të dukshme, prezenca e policimit në komunitet është e dukshme, besimi i komunitetit tek punonjësi i policisë është dukshëm në rritje, forca e parandalimit të konflikteve inkurajuese. Kjo ka sjellë që shumë mosmarrëveshje që mund të kishin pasojë krimin e vrasjes, e më tej gjakmarrjen, janë parandaluar, neutralizuar dhe zgjidhur mes palëve me ndërhyrjen e Inspektorit të policisë së Zonës, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, OJQ etj. Pra në këtë kontekst misioni i Policisë është gjithëpërfshirës ku baza e saj është komuniteti.
Në këtë punë, padyshim që ka vështirësi, qoftë të natyrës objektive por dhe subjektive. Është e ditur që gjakmarrja ka rrënjë të thella në psikologjinë, mentalitetin dhe “të drejtën zakonore” në disa zona në veri të vendit, sidomos në Qarkun e Shkodrës, Lezhës, në Kurbin, Krujë etj, ka inspirues të gjakmarrjes përballë veprimit të ligjit, ka tendenca të fshehjes së krimit për t`i bërë vetëgjyqësinë në bazë të Kanunit dhe Dheut, siç ka dhe largime jashtë vendit të autorëve të krimit, për të cilët është kërkuar nga INTERPOLI ekstradimi i tyre për t`i përballur me organet e drejtësisë. Për këto dhe kriminelë të tjerë të kërkuar nga institucioni ynë brenda dhe jashtë vendit rezultatet janë inkurajuese. Në strategjinë tonë qëndron përdorimi i forcës së pushtetit me efikasitet, eficencë dhe drejtësi. Në fund të fundit puna më e rëndësishme e policisë është reduktimi, ulja në minimum e kriminalitetit.
…Diçka për “njollën” që shtroni ju në pyetje…Krimi, i çdo natyre qoftë, e aq më shumë vrasja, është njollë dhe padyshim që të tilla njolla kanë të gjitha vendet dhe ato me demokraci perëndimore të konsoliduar. Rëndësi ka transparenca për t`a njohur njollën dhe vullnetin për t`a luftuar, për t`a fshirë atë. Njolla e gjakmarrjes qëndron para së gjithash në lashtësinë biblike te saj, që padyshim do të fshihet shpejt me konsolidimin e mëtejshëm të shtetit ligjor…

A keni statistika për familjet e ngujuara dhe me cilat struktura bashkëpunoni për ç`ngujimin e tyre?
“Sigurisht që kemi statistika të përmuajshme që ndjekin në dinamikë problemet që lidhen me gjakmarrjen për çdo qark, rreth, komunë e deri në lagje e fis. Po të krahasosh statistikat, tendenca e rënies të numrit të familjeve në gjakmarrje, të ngujuara, të fëmijëve që nuk vazhdojnë shkollën nga viti në vit është në rënie. Ka një tendencë staniacioni të personave të ngujuar, përkundrejt uljes së ndjeshme të ngujimeve kolektive, që mendoj se është rezultat pozitiv i punës së strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me organet e pushtetit lokal, të OJQ- ve, të shkollës, organet e drejtësisë etj
Statistikat në fund të fundit flasin për cilësinë dhe efektivitetin e punës që nga inspektori i Policisë së Zonës, organizata e policimit, e deri në strukturat e Drejtorisë së Qarqeve apo të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

Po Shoqatat e Pajtimit të Gjaqeve…
“Nuk mund të anashkaloj dhe realitetin e njohur për ekzistencën e Shoqatave të Pajtimit të Gjaqeve, sidomos në Qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Këto shoqata u ngritën në kohën latante të shtetit ligjor, u zgjeruan në vitin `97. Kjo ndodhi dhe në Kosovë, me të urtin Anton Çeta, por në një realitet krejt të ndryshëm: në kapërcyell të ekzistencës dhe mbijetesës së popullit martir të Kosovës ndaj gjenocidit të pushtuesit serb.
Me forcimin e strukturave të shtetit, përgjegjëse në zbatimin e ligjit në goditjen dhe dënimin e krimit të vrasjes për gjakmarrje, “hapësirën” e tyre, sado që të jetë, kuptohet, do t`a zërë Ligji…

Policia është e vetmja strukturë e shtetit që ka lehtësuar fenomenin e ngujimit. Mendoni se mund të bëhet më shumë?
“Policia e Shtetit është struktura kryesore, por jo e vetmja. Është e rëndësishme të kuptojmë që janë qytetarët në pararojë të luftës kundër krimit, e në rastin konkret kundër gjakmarrjes, ndërsa strukturat e policisë, të drejtësisë janë përgjegjëse për t`a goditur dhe dënuar pa kompromis atë. Ndaj mund të shtoj që dhe për sa i përket fenomenit të ngujimit mund dhe duhet të ishte bërë më shumë. E them këtë se gjithnjë e më tepër opinioni i shëndoshë qytetar, komuniteti i zonave të prekura nga fenomeni, e dënon ngujimin, sidomos atë kolektiv dhe kjo është një avantazh më tepër në punën tonë. Kam bindjen se në të ardhmen, profesionalizmi, besimi në vlera gjithnjë e në ngritje e organizatës së policimit do të fitojë mbi atavizmin e ngujimit drejt krijimit të ambienteve të sigurta të jetës dhe veprimtarisë publike”.

Ju, Zoti Drejtor i Përgjithshëm, keni dhe një material studimor-shkencor për fenomenin e gjakmarrjes. Cili është thelbi i këtij studimi?
“Për fenomenin e gjakmarrjes është shkruar shumë, nga studiues vendas dhe të huaj. Në studimin tim përpiqem që rrafshi i përqasjes dhe i trajtesës të jetë jo thjeshtë në vlerat historike, se sa në përfundime profesionale të goditjes së fenomenit.
Kanuni i Lekë Dukagjinit u krijua dhe u ngjiz mbi bazën e trashëgimisë paraardhëse kanunore të trevave veriore shqiptare, si karakteristikë e komuniteteve pa autoritet shtetëror, si në shumë popuj të Ballkanit dhe më gjerë, si Italia, Korsika, Spanja, Japonia etj. etj…Por, ndoshta është rast unikal i shndërrimit të tij në të Drejtë Kanunore Penale, i pranuar dhe i zbatuar nga prijësat, vasalët dhe vegjëlia me fanatizëm dhe pa ekuivok, siç është dhe rasti për të cilën po flasim, pra për gjakmarrjen. Në këtë aspekt studimi analizon shkaqet dhe arsyet, veçoritë dhe dallimet substanciale të së Drejtës Zakonore, e më tej Penale shqiptare, me simotrat e saj në rrafshin historik e gjeografik.
Në studim tentohet të analizohen prirjet e veprimit të Kanunit në të ardhmen dhe masat për minimizimin e pasojave të prirjes…ashtu siç dhe jepen konsiderata juridike – penale për dënimin e krimit të gjakmarrjes mbështetur në Kodin Penal në fuqi.
Një vend të veçantë në studim zë dallimi esencial midis krimit të vrasjes për hakmarrje dhe asaj për gjakmarrje. Gjakmarrja është një vrasje e pritur, e paralajmëruar, ka kufizime e caqe të përcaktuara qartë nga e Drejta Kanunore Penale, ndërsa hakmarrja ka dhunën pa cak e kufi, pa “rregulla” e pa norma dhe vepron në xhungël…e shpesh merr formën e larjes së hesapeve mes bandave.
Është e udhës të theksoj se në Kanunin e Lekë Dukagjinit ka rregulla krejt të përcaktuara për marrjen e gjakut, por që tani, në të shumtën e herës ato janë keqinterpretuar, shpërdoruar dhe injoruar, siç mund të përmendim ngujimet kolektive, sidomos i fëmijëve, vrasja e të miturve, e grave, apo vrasjen në besë etj., fondamentalizma që analizohen gjerësisht në studimin që ju përmendet etj.”.

8 Komente

Shkrimi ka plot mungesa ne informacion por e solla thjesht sa per kujtese qe cuditerisht dukuria "lulezon" edhe ne mes te Tiranes, jo thjesht ne zona te largeta.

Rrofsh qe na kurseve kohen Llukan smiley

Eeee kohen e kurseva smiley po ishalla u kujtuan njerzit pakez per kete shtepine. Se jane aq te zene me rishkrimin e historise, a me sherrin PS-LSI sa harrojne qe ka ngelur nje ciban ne mes te Tiranes, mu perballe nje ndertese qe edukon brezat e ardhshem. Eshte goxha ironike kjo perballja e te vjetres me te rene.

Ll.

"Pa kaluar uren e Vasil Shantos, kthehu djathtas ne drejtim te Unazes se re. Ec drejt, drejt, drejt mo drejt, deri sa te shohesh te vetmen ndertese te pa prishur ne Lane....perballe saj kthehu djathtas, e aty eshte zyra"...smiley

Keshtu m'i dhane direktivat para nja tre vjetesh per diku. E vetmja ndertese e pa-prishur mbi Lane. Sot nepermjet saj mund te identifikosh edhe vete Universitetin Europian, Unazen e re, Drejtorine e Patentave, piken e kolaudimit, posten nr. 8, fundin e Irfan Tominit, pallatin me shigjeta...c'te doni ju.

Mbaj mend edhe nje shkrim tjeter per kete ndertese: "Nga kulla e ngujimit, tek ministria e integrimit" quhej. Po e gjeta, po e sjell te kursej edhe ndonje kohe tjeter.

 Nuk e kisha vene re qe ekzistonte akoma. Me kalimin e kohes njerezit harrojne. Mire bete qe na e rikujtuat.

Po e gjeta, po e sjell te kursej edhe ndonje kohe tjeter.

Nuk kam asnje kuriozitet sinqerisht. Nuk eshte problemi im. Eshte problemi i tyre. Sa kohe qe vete nuk levizin nuk kam pse te levis une. I mekojne qe ne vakt te gjirit me kete fryme.

Kam frike se mos me thote kush : je ne livadh te gabuar.

E thene ndryshe. E kane zgjedhur vete ate menyre te jetuari.

Une arrij te kujtoj nje vrasje ne pranveren e  `91. Vrasje e qete. Ne mes te dites. Nuk u largu nga vendi. Nuk iu drodh qerpiku.

Me ka vrare baben para 30 vjetesh tha. ( sapo i erdh arma ne dore e beri . )

Pra po ta shikosh keshtu me thjesht dua te them qe eshte nje deformim mbetes i kultivuar ( nuk e di nga kush ).

Per shkrimin deshe mendim ti ?

Po ja ta them : shkrim shume i dobet. Jo keshtu stilikisht, jo se as qe e vras mendjen per kete, por gazetari nuk e di qe policia e shtetit eshte organ i zbatimit te ligjit dhe jo OJF. DHe sa kohe qe ai i bashke dy gjera qe nuk duhen bere atehere mund te them qe eshte investim naiv nje trajtim i ketij lloji.

Po te lexosh kete pohim :

Një vend të veçantë në studim zë dallimi esencial midis krimit të vrasjes për hakmarrje dhe asaj për gjakmarrje. Gjakmarrja është një vrasje e pritur, e paralajmëruar, ka kufizime e caqe të përcaktuara qartë nga e Drejta Kanunore Penale, ndërsa hakmarrja ka dhunën pa cak e kufi, pa “rregulla” e pa norma dhe vepron në xhungël…e shpesh merr formën e larjes së hesapeve mes bandave.

ne nje shkrim ne Mars te vitit 2009 do te thote shume apo jo ?

Ky gazetar vetem me zhgenjen. Ty jo ?

 Jam dakort me Koth. S'me vjen fare keq per te rriturit e ketyre shtepive te ngujuar. Me vjen keq per femijet, se urrejtja , deshira per hakmarrje, detyrimi per te mare gjak u ushqehet nga te rriturit. S'ka rendesi ku i çon, per sa kohe jane te gjithe bashke, une mendoj qe u duhen hequr femijet ketyre njerezve dhe  te gjitha familjeve te ngujuara.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).