"Shqipëria në moshën e internetit", UNICEF-i dhe ca të tjerë

E-SHKOLLAT

Në fundin e 2005, Berisha, jo pa mburrje, deklaronte: "Qëllimi kryesor i Programit të E-shkollave është të mundësojë lidhjen me internetin e të gjitha shkollave publike nëntëvjeçare dhe të mesme, t‘i pajisë ato me laboratorë kompjuterësh, si dhe të trajnojë mësuesit për t‘i menaxhuar ato dhe për të dhënë mësim me një kurrikulum bashkëkohor" (Master Plani për Programin e E-shkollave në Shqipëri).

Nuk kaloi shumë dhe me ligjin nr. 9661, datë 18.12.2006, "Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin ‘Cilësi dhe barazi në arsim‘, qeveria i dha jetë sloganit "Shqipëria në moshën e internetit". Projekti filloi të zbatohet në dhjetor të atij viti dhe synoi të ndihmonte qeverinë shqiptare në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit. Në mënyrë të veçantë, projekti ka synuar të përmirësojë cilësinë e kushteve të nxënies për të gjithë nxënësit, të rrisë frekuentimin në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe të nxitë reformën për arsimin e lartë. Kostoja totale e projektit u parashikua të ishte 75 milionë dollarë dhe do të bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve, Banka e Investimeve e Këshillit të Evropës dhe nga qeveria shqiptare.

Pjesa C, pika 6 e projektit specifikon dhënien e grandeve për pajisjet e laboratorëve të shkencës dhe informatikës, si dhe materiale të tjera shkollore. Termat si këto i bënin nder retorikës së fuqishme qeveritare e, si të mos mjaftonin as ato, në vitin 2007, Pollo e përforconte retorikën kur deklaronte në Kuvend: "Viti 2008 do të jetë viti i pajisjes së shkollave bazë me TIK-Kabinete. Ndërsa në kurrikulën e këtij sistemi arsimor, për herë të parë do të implementohet edhe lënda e informatikës në klasat 6-9, në mënyrë që nxënësit të mund të marrin në shkollë atë që marrin në internet-kafetë dhe në kurset private të prindërve. Për implementimin e plotë të projektit TIK-shkolla po punohet edhe për trajnimin e mësuesve të informatikës".

Përtej retorikës, më duhet të pohoj se me investimet në përmbajtjet dhe në infrastrukturën mbështetëse arsimore, ky projekt preku vetë zemrën e sistemit arsimor: "kurrikulin". Por, edhe pse kështu, MASH nuk ka arritur të publikojë ende qoftë dhe një raport që certifikon arritjet e projektit (!). Ndërkaq, nga shtypi dhe burime të tjera mësuam se "379 shkollat e mesme në mbarë vendin janë pajisur me kabinet kompjuterësh"... "Një grup adoleshentësh vjedhin kompjuterët në disa shkolla të Korçës"... "Parashkollorët në kopshtin e Bovillës zhvillojnë veprimtaritë në laboratorin e informatikës"... "Mësuesve, në mjaft fshatra të vendit, u kërkohet të mbajnë kompjuterët në shtëpitë e tyre, pasi në shkolla ata nuk janë të sigurt"... "96% e mësuesve të shkollave tona 9-vjeçare nuk dinë të përdorin kompjuterin"... "Kostoja mujore e përdorimit të internetit, ofruar nga Albtelekom për paketën më të thjeshtë për përdorim shtëpiak ADSL 512/2, është më e pakta 4000 lekë në muaj".

Gjithashtu, mësuam se "mjaft dhurues privatë shprehën interesin dhe kontribuuan në projektin e E-shkollave. Qeveria kineze dhuroi 1360 kompjuterë, Shoqata e Bankave Shqiptare, Korporata Western Union së bashku me Raiffeisen Bank dhuruan 132 mijë dollarë etj. (cituar sipas http://www.undp.org.al/index.php?page=projects/project&id=92) etj.

Arritjeve të pritshme të këtij Programi, tani, pranë fundit të tij, u qaset dhe një studim i UNICEF-it.

UNICEF-i

UNICEF-i (Fondi i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara) u krijua në vitin 1946. Që nga viti 1953, ai është pjesë e përhershme e Kombeve të Bashkuara me mandat të pakufizuar. UNICEF-i është laureuar me çmimin "Nobel" në vitin 1965 "për promovimin e vëllazërisë ndërmjet kombeve". Ai punon sot në 190 vende nëpërmjet programeve vendore ose komiteteve kombëtare. I mirënjohur për nisma globale si "Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve" (1959) dhe "Konventa për të Drejtat e Fëmijëve" (1989), Fondi punon, ndër të tjera, edhe për përmirësimin e shërbimit arsimor. Janë të shumta projektet, që ka zbatuar ose vazhdon të zbatojë UNICEF-i, në këtë sektor, edhe në Shqipëri. Përmend këtu projektin për zhvillimin e politikave që reduktojnë margjinalizimin e fëmijëve në arsim, atë për rritjen e kulturës së leximit dhe projektin për rritjen e vetëdijes mjedisore, që, në tërësinë e tyre, arrijnë shifrën e 4 milionë dollarëve.

Pjesë e këtij investimi janë dhe studimet për aspekte të ndryshme të arsimit. Kështu, pak ditë më parë, UNICEF-i publikoi të dhënat e një studimi që tregojnë nivelin e njohjes për internetin që kanë fëmijët shqiptarë në disa prej zonave urbane dhe rurale më të rëndësishme të vendit. Konstatohet se rreth 80% e fëmijëve të mostrës në studim, nuk kanë dëgjuar, pra nuk e njohin internetin. Ndërkaq, një pjesë e mirë e atyre që deklarojnë se e njohin (kryesisht në Tiranë e ndonjë qytet tjetër), e përdorin internetin për lodrat elektronike, por jo si burim për nxënie.

... DHE CA TË TJERË

Ju, zotërinj qeveritarë, që keni "luksin" të shpenzoni shuma marramendëse nga fondet publike për Programin E-shkollat, që prek vetë zemrën e sistemit - "kurrikulin" - do duhet të dinit dhe të zbatonit konceptin menaxhues që integron, më së paku, 3 kritere kyç: pilotimin e idesë në një mostër të caktuar; sigurimin e feedback-ut (dija se si po i qasemi objektivit të synuar); dhe, së fundi, informimin publik për arritjet e synuara nëpërmjet raportit përfundimtar. Fatkeqësisht, produkte të tilla nuk ekzistojnë, edhe pse janë pjesë e detyrimit institucional të ekipit zbatues. Por, edhe po të ishin hartuar e publikuar, tani, pasi njihesh me të dhënat e studimit të UNICEF-it, shumë-shumë, këto produkte mund të shërbenin vetëm për të shoqërizuar në mendjet tona thënien e lashtë për ujkun dhe gjurmët.

Ju, zotërinj administratorë, që keni luksin të shpenzoni shuma marramendëse për të pajisur 1749 shkolla të arsimit bazë dhe 384 shkolla të arsimit të mesëm me kabinetet e informatikës, por që nuk arritët t‘u mësonit nxënësve as kuptimin e termit "Internet", do duhet të dini se kapaciteti juaj për planifikim, menaxhim dhe ndryshim në arsim, në rastin më të mirë, cilësohet si i pavlerë.

Planifikimit tuaj do mund t‘i shërbente, më së paku, përvoja e Estonisë, një vend i vogël ky si Shqipëria. Vetë Berisha duhet të jetë mrekulluar me të kur e vizitoi atë vend para disa muajve.

Në planin menaxhues, qeveria dhe MASH, të asistuar edhe nga donatorët, ngritën një grup pune kombëtar dhe nënkomitete ekspertësh për të orientuar zbatimin e Programit për E-shkollat. Ekspertët e nënkomiteteve hartuan planet e punës sipas fushave të veçanta të identifikuara. MASH organizoi edhe strukturat e saj në qarqe që të ndihmonte zbatimin e Programit. UNPD akordoi një fond prej 829.373 dollarësh dhe ngriti njësinë e zbatimit të projektit (PIU), që e vendosi në MASH, me autoritet dhe përgjegjësi për zbatimin e Programit (referuar sipas Web-it të mësipërm). Ndërkaq, përgjegjshmëria për milionat e dollarëve të shpenzuar demonstrohet jo vetëm me rezultatet e studimit të UNICEF-it, por edhe me fakte të thjeshtë, lehtësisht të provueshëm. Kështu, vetë njësia që menaxhon Programin për E-shkollat nuk arriti të bëjë funksional as Websajtin e saj (provoni të klikoni për këtë në sajtin e PIU ), me të cilin të informonte, më së paku, për punët e asaj morie komitetesh, nënkomitetesh dhe strukturash.

Gjithsesi, por dhe përtej atyre që thonë mediat, studimi i UNICEF-it e ndonjë deklaratë e belbëzuar nga ministri i Arsimit për shpërndarjen e kompjuterëve nëpër shkolla, produktet e programit E-shkollat janë aty, "si hard dhe si soft". E, meqë publiku dhe donatorët presin të vlerësohen produktet, MASH besojmë se nuk do të vonohet ta plotësojë këtë detyrim institucional (mos po kërkojmë shumë?).

Ndryshimi në arsim është i thjeshtë vetëm në retorikën e politikanëve sharlatanë. Realisht, ai është proces i vështirë. Nëse duam ta kthejmë arsimin në faktor të begatisë dhe të mirëqenies shoqërore, pasi arsimimi i mirë përmirëson shanset e fëmijëve në jetë, arritjet në reformimin e tij do duhet të jenë të certifikuara dhe të prekshme. Më së pari, nga vetë fëmijët.

2 Komente

Tani qe shkollat (ato 9 vjecare dhe te mesme) jane  te gjitha te pajisura me komputera dhe akses ne internet, premtimi i radhes i Saliut ne kete fushate qe po vjen do te jete: Pajsja me E- laboratore edhe e kopshteve dhe cerdheve. Pse jo edhe te azileve te pleqeve nese kemi te tilla! Ah, mu kujtua edh nje premtim tjeter qe ka bere mavria: qeveria do te investoje qe kostoja e internetit neper familjet shqiptare te jete pothuaj falas. Me 256/2 kbs te kontraktuar per nje perdorues dhe 130-140 kbs te zbatuar dhe me nderprerje te here pas hereshme eshte  2,000 leke te reja ne muaj. Dhe kjo fale sipermarrjes private qe po perhapet nga fitimi i larte qe realizojne.

pa xhelozi mor djale kushdo qe ben dicka te mire duhet te lavderohet e jo te nxirren klecka. po jemi shqiptare ne hundeperpjete

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).