Shëmtimi pervers i PD-së

Në një pjesë të mirë të historisë së saj, Partia Demokratike nuk ka qenë e bukur. Mjafton të kujtojmë PD-në e opozitës me parullat e saj ’O Sali o flori’ apo ’Nano, Nano o legen prite Salën se po vjen’. Përjashtim bëjnë vitet e para të themelimit dhe fushata e vitit 2005. Në fillimet e saj PD-ja ishte vërtet e bukur pasi përbëhej nga intelektualët më në zë, veçanërisht përballë Partisë së Punës që ish bërë demode.  Në vitin 2005 PD-në e zbukuroi KOP-i simpatik, jo vetëm në pamje por edhe në ligjërimin, pa ofendime, pa kërcënime, plot me ide dhe shpresë. Por edhe kur ka qenë, apo është detyruar të jetë e shëmtuar, PD-ja nuk ka qenë kurrë perverse. Gjatë opozitës ajo shpesh nuk ka ditur të kanalizojë ‘bukur’ zemërimin popullor ndaj pushtetit socialist, shpesh sepse nuk kish asgjë të bukur në atë zemërim. Ndonëse shpesh i shëmtuar, zemërimi i PD-së në opozitë nuk ishte pervers, por shprehje e një zemërimi më të gjerë popullor. 

Sot ndoshta për herë të parë PD-ja po shëmtohet nga perversiteti. Në vend që të artikulojë shqetësimet popullore, PD-ja po përqendrohet te demonizimi pervers i liderit të PS-së. Berisha gjithnjë e më tepër po flet para turmave për banalitete si ‘kastrimi i Ramës’ dhe jo thjesht në kuptimin metaforik. A thua se po përpiqet t’i mbushë mendjen popullit se Rama nuk është burrë si ai, me një alamet palle. Kastrimi është në fakt një nëntekst nëpërmjet të cilit Berisha i thotë turmës se Rama është seksualisht pasiv, d.m.th homoseksual. Kjo automatikisht e bën Ramën të degjeneruar, pra njeri të orgjirave seksuale. Pikërisht këtë aludoi Patozi pak kohë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ku fjala tashmë është liruar fare. Interesant është fakti se këto akuza u bënë në kuadrin e ngacmimeve seksuale të femrave nga pushtetarët që u nxit nga skandali Pango. Pra në ligjërimin e PD-së Rama është njëkohësisht i kastruar, homoseksual por edhe përdhunues femrash në orgjira okulte që ndodhin në Pezën mistike.

Këtu kemi të bëjmë me një perversitet të dyfishtë. Nga njëra anë debati publik reduktohet te dimensionet më private të individit. Në vend që të krijojë diskutim për çështjet publike, ky ligjërim prodhon thashetheme rreth jetës private të liderit socialist. Nënteksti i këtij ligjërimi është; mos e votoni Ramën se ai është i degjeneruar seksualisht. Kemi të bëjmë me një ligjërim që përpara kutive të votimit na fton të mendojmë për seksualitetin e kandidatit. Kjo është një ftesë perverse sepse e zhvendos aktin politik të zgjedhjes nga hapësira e ndriçuar publike në skutat e errëta të një hapësire të demonizuar dhe fantazuar private. Ndërkohë që për të votuar pro apo kundër qeverisë aktuale, ne nuk kemi përse të imagjinojmë stilin seksual të kryeministrit me të shoqen apo liderin socialist lakuriq.

Këtu fillon edhe perversiteti i dytë i këtij ligjërimi; ai nuk demaskon apo denoncon perversitetin por e krijon atë. Ai nxit audiencën të zhytet në imagjinimin e perversiteteve seksuale. Kur Patozi i thotë socialistëve “ju e dini se ç’ndodh në Pezë” ai e fton audiencën të imagjinojë orgjirat e supozuara që ndodhin në Pezë, të cilave më pas ai mund t’u referohet si një realitet konkret. Kemi të bëjmë me një ligjërim që në emër të moralit i fton pjesëmarrësit të fantazojnë dhe përjetojnë imoralitetin publikisht dhe kolektivisht, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes publike. Kështu edhe pse burrë me namuz, Berisha nuk ngurron që të flasë në publik për gjenitalet e Ramës edhe në prezencë të fëmijëve që i ka në tribunë, edhe në prezencë të një zonje si Kryetarja e Kuvendit. Është e njëjta logjikë perverse që u përdor për të justifikuar botimin e fotove nudo të Ramës në shtyp. Kaq e shqetësuar ishte PD-ja se shoqëria po tronditej nga Rama lakuriq, saqë ia plasi këtë lakuriqësi shoqërisë në surrat duke e botuar në faqen e parë të gazetave afër PD. Ama ajo që ishte e rëndësishme tek këto foto nuk ishte teksti por nënteksti. Teksti i fotove ishte krejt banal, ato tregonin se Rama ishte zhveshur lakuriq në një plazh privat me një femër.  Nënteksti ishte ftesa që i bëhej publikut për të imagjinuar perversitete dhe orgjira nisur nga fotot që i servireshin. Me Ramën lakuriq, publiku e kish më të lehtë ta imagjinonte atë në perversitet apo orgji. Pra fotot e djeshme sikurse edhe ligjërimi i sotëm i PD-së për kastrime apo orgjira, synojnë të nxisin dhe t’i lehtësojnë publikut imagjinimin e perversiteteve në qendër të të cilave ky ligjërim vendos liderin e PS-së. Dhe ky është perversiteti i shëmtuar i këtij ligjërimi; në emër të moralit ai stimulon dyshime dhe fantazi perverse në imagjinatën e publikut, që më pas i denoncon si realitete imorale. Akti i denoncimit është njëkohësisht edhe akti i krijimit të perversitetit.

Në zgjedhjet e shkuara lokale kjo strategji nuk funksioni dhe PD-ja ia vuri fajin popullit shqiptar, që ka humbur ndjenjën e moralit. Natyrisht problemi nuk është se populli shqiptar ka humbur ndjenjën e moralit por se nuk e ka imagjinatën perverse aq të zhvilluar sa lidershipi i PD-së. Populli shqiptar nuk është as pa moral dhe as budalla. Atë nuk e shqetëson as ‘kastrimi i Ramës’ dhe nuk e qetëson as seksi i Berishës. Elektoratin sot e shqetëson mungesa e mirëqenies, e zhvillimit, e punësimit si dhe mungesa e drejtësisë në përgjithësi. Elektoratit sot i dhemb abuzimi dhe arbitrariteti i pushtetit apo sistemi klientelist që majm një pakicë gjithnjë e më të vogël dhe than një shumicë gjithnjë e më të madhe. Problemi është se në këto aspekte Berisha nuk i ofron dot elektoratit ndonjë model shumë ndryshe nga ai i Ramës. Për pasojë PD-ja po thekson diferencën mes Berishës si një njeri me moral familjar dhe Ramës si njeri i çthurur, pa familje dhe pa moral. Ama kur qytetari sheh se morali familjar shërben për të kthyer një forcë të tërë politike si PD-ja në funksion të ruajtjes dhe përfitimit të familjes kryeministrore, duke viktimizuar qytetarë të pafajshëm, morali familjar bëhet jo vetëm i pavlerë por edhe i dëmshëm. Qytetarit shqiptar i mbetet të votojë pikërisht ata politikanë që kanë sa më pak fëmijë, familje dhe familjarë se kështu mund të bëjnë më pak zullume. Në këto kushte Rama si jo-familjar kthehet në kandidat perfekt. Ironia është se këtë e ka dhuratë nga vetë Berisha dhe jo sepse populli shqiptar i preferon politikanët të tillë.

2 Komente

Për pasojë PD-ja po thekson diferencën mes Berishës si një njeri me moral familjar dhe Ramës si njeri i çthurur, pa familje dhe pa moral.

Asgje e re. Ndodh ne gjithe boten. Shiko B. Klinton i kryqezuar se vajti me Monika Lewinsky.

Elektoratin sot e shqetëson mungesa e mirëqenies, e zhvillimit, e punësimit si dhe mungesa e drejtësisë në përgjithësi.

Fjale shume me mend. Meqe je na jep ca shifra sa jane rritur te ardhurat per fryme nga 2005, sa jane rritur rrogat e pensionet, sa eshte rritur Prodhimi i Brendshem, sa jane ulur oret/vit me mungese energjie eletrike, sa eshte ulur % e papunesise dhe varferise. Pastaj te tjerat i gjykojme vete. Vetem na jep ca shifra.

Shqiperia ka bere shume arritje ne karhasim me vitin 1938 terci verci

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).