Qeveria, trafik armësh me Malin e Zi

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme me mbarimin e fazës hetimore për shpërthimin e Gërdecit, ka nisur hetimet mbi dyshimet e ngritura për një trafik të mundshëm armësh mes Shqipërisë dhe Malit të zi nëpërmjet ndërmarrjes shtetërore MEICO.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, duke shtuar se dyshimet për trafikun e armëve mes dy shteteve kanë ardhur pas sekuestrimit të rreth 1 mijë mortajave, të prodhimit malazez në depot ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes në fshatin Memaj të Rromanatit.

Mësohet se prokurorët e grupit hetimor, kanë vendosur që hetimi i kësaj piste të vazhdojë, duke dërguar një letër-porosi në shtetin fqinjë dhe mbledhjen e provave të mundshme për të faktuar mënyrën e hyrjes së këtyre mortajave të reja nga Mali i Zi në Shqipëri.

Këto predha me mbishkrimin e vendit të prodhues Malin e Zi, janë sekuestruar brenda magazinave ushtarake që ndodhen në fshatin Memaj të Durrësit. Këto të fundit me urdhër të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, administroheshin nga ndërmarrja MEICO e drejtuar nga ish-drejtori i pandehur tashmë Ylli Pinari.

"Me mbarimin e fazës hetimore për shpërthimin në Gërdec, prokurorët e kësaj çështjeje e kanë ndarë dosjen në pesë çështje të ndryshme, për të cilat do të vazhdojë hetimi. Një nga dosjet e veçuara për hetim, është edhe ajo e dyshimeve të ngritura për një trafik rajonal të armëve mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Ky trafik mendohet se është kryer në dhjetor të vitit 2006, kur në magazinat e fshatit Memaj të Durrësit, në orët e vona të natës janë zbarkuar në prani të vetë ish-drejtorit Ylli Pinari kjo sasi municionesh.

Këto 1 mijë predha për armë mortaje, janë vendosur në këto magazina, me urdhër të ish-drejtorit të MEICO-s, Pinari në prani të përgjegjësit të këtyre depove ushtarake, oficerit me inicialet S.L. Ai është pyetur nga hetuesit dhe ka rrëfyer në prokurori, për natën e zbarkimit të këtyre predhave",- thanë burime nga prokuroria.

Sipas tyre, ka qenë data 18 prill 2008, rreth një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, ku me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuesit e institucionit të akuzës së qytetit bregdetar të Durrësit kanë vendosur sekuestrimin e këtyre magazinave në fshatin Memaj, duke i dyllosur dyert dhe mbajtur procesverbalet përkatëse për gjendjen e tyre.

"Nga verifikimet e kryera është provuar se në këtë magazinë deponimi i një sasie prej një mijë predhash, të prodhuara në Mal të Zi, është bërë pa mbajtur asnjë dokument hyrës apo të prejardhjes së tyre.

Ata janë sistemuar në magazinë në orët e vona të darkës, në njërën nga ditët e dhjetorit të vitit 2006. I pranishëm gjatë zbarkimit të këtyre predhave ka qenë edhe vetë i pandehuri Ylli Pinari, i cili ka urdhëruar ushtarët dhe shoferët e kamionëve që i kanë sjellë këto predha t'i shkarkonin me kujdes dhe t'i sistemonin mirë",- thuhet më tej nga burimet e prokurorisë.

I njëjti burim shtoi se nuk dihet rrugëtimi se nga kanë ardhur këto municione të reja në Durrës nga Mali i Zi. Hetuesit kanë ngritur dyshime të arsyeshme, se ish-drejtori Pinari nën logon e MEICO-s dhe me dijeninë e ish-Ministrit të Mbrojtjes tashmë të pandehurit Fatmir Mediu, ka kryer "trafik armësh" mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Destinacioni i mundshëm i këtyre municioneve, mendohet se mund të ketë qenë shitja e tyre për në vendet e Lindjes.

Hetuesit kanë gjetur në magazinat e Ushtrisë në Rromanat, "lëndë të parë" e ardhur nga punishtja e demontimit

Në Memaj barut e gëzhoja predhash nga Gërdeci

Gjithashtu, burimet e Prokurorisë së Përgjithshme theksuan se në magazinat e MEICO-së në fshatin Memaj të Romanatit të Durrësit, janë gjetur dhe evidentuar edhe rreth dy tonë barut, predha të pa demontuar dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilët ishin sistemuar aty.

Dyshohet që sasia e barutit e deponuar aty ka ardhur nga fabrika e demontimit në Gërdec, ku kryhej çmontimi i municioneve dhe predhave në kundërshtim me të gjitha rregullat e mundshme të sigurisë fizike të personave dhe ruajtjes së lëndëve plasëse. Sipas hetimit, sasia prej 2 tonë barut ishte në pritje të eksportimit të saj jashtë Shqipërisë për në vendet perëndimore ku shoqëria "Albademil" e shiste për përdorim civil.

Përveç barutit dhe predhave malazeze, në këto depo që dikur ishte repart ushtarak artilerie, sipas akuzës, kishte edhe mbetje të demontimit të municioneve të ndryshme të predhave e fishekëve në pritje edhe këta për eksport.

Me sekuestrimin e këtyre depove, mësohet se, prokurorët nuk kanë gjetur asnjë regjistër, ku mbaheshin hyrje-daljet e këtyre magazinave dhe asnjë shkresë në lidhje me inventarin e materialeve që ndodheshin brenda saj, të mbyllura me një çelës që e dispononte vetëm ish-drejtori Pinari dhe ruhej nga disa ushtarë të armatosur.

Këto depo, menaxhoheshin prej disa kohësh me urdhër të ish-ministrit të Mbrojtjes nga ndërmarrja shtetërore MEICO, që e përdorte për magazinimin e materialeve ushtarake që do të eksportoheshin jashtë Shqipërisë me anije nga porti i Durrësit.

Gjithashtu, këto burime saktësuan se do të verifikohen edhe kontratat e shitjes së materialeve ushtarake nga MEICO në drejtim të Armenisë, të cilat janë kthyer nga shteti turk dhe ndodhen të depozituara në 59 kontejnierë të ndryshëm në fshatin Shkozet të Durrësit.

Trafiku dhe shpërthimi, 4 hetime në duart e prokurorisë
Prokuroria e Përgjithshme, nga hetimet 12- mujore arriti të dërgojë për gjykim pranë Gjykatës së Lartë 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e Gërdecit, ndërsa, për hetimin e trafikut të fishekëve, korrupsionit, kompanisë amerikane SAC dhe grupit "hije" të kësaj fabrike janë veçuar hetimet.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se institucioni i akuzës, i ka ndarë në katër dosje të tjera hetimore nga shpërthimi i Gërdecit, për vazhdim të hetimeve.

"Për shkak të ngarkesës së madhe dhe vështirësisë së hetimit të kësaj dosjeje, jemi detyruar që vetëm për shpërthimin e Gërdecit të dërgojmë në Gjykatë të Lartë për gjykim 29 të pandehur. Ndërsa, hetimet për dyshimin e trafikut të fishekëve, hetimin ndaj shtetasit amerikan Patrick Henry III si president i kompanisë "SAC", hetimin ndaj personave të njohur ndryshe si "grupit hije" që kryenin detyrat e përgjegjësve në këtë punishte si dhe për akuzat e "korrupsionit" në procesin e demontimit të këtyre municioneve dosjet janë ndarë në 4 vetë për vazhdim hetimi",-thanë burimet.

Sipas tyre, dyshimet për trafikun e fishekëve nuk mund të zbardhen pa ardhur letër-porositë edhe nga shteti i Qipros ku është dërguar letër-porosia për verifikimin e kompanisë "Edvin lid" që kryente ndërmjetësimin mes AEY-së dhe MEICO-së.

Ndërkaq, për dosjen e hetimit ndaj presidentit të SAC-it nuk janë kompletuar pasi duhen përkthyer të gjitha materialet që ndodhen në fashikujt e hetimit ndaj 29 të pandehurve. Ndërkohë, në lidhje me hetimet për personat e njohur ndryshe si "grupi hije" i Gërdecit, ka mungesë provash dhe është e nevojshme të hetohet edhe për disa muaj.

Ndërsa në lidhje me hetimin e korrupsionit, prokuroria saktësoi, se hetimet duhen zgjeruar edhe më tej përveç të të pandehurve të kësaj dosjeje, pasi ka elemente të veprës penale si në përpilimin dhe nënshkrimin e kontratave për demontimin e municioneve edhe për trafikun e dyshuar të armëve.


SHPËRTHIMI

Gërdeci mori 26 jetë njerëzish

Sipas prokurorisë, nga hetimi 12- mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.

Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2 miliardë e 39 milionë lekë të reja apo rreth 16 milionë euro.

DOSJA

Ridorëzohen në gjykatë aktet e kthyera nga kryesekretaria
Paraditen e djeshme, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, ka dorëzuar pranë kryesekretarisë së Gjykatës së Lartë, provat e kthyera mbrapsht për dosjen Gërdeci.

"Tre ditë më parë, kryesekretaria e Gjykatës së Lartë ktheu mbrapsht disa prova, duke i kërkuar përpilimin e tyre me numër rendor dhe me numrat e protokollit përkatës. Kështu, pas rigrupimit dhe riformulimit të këtyre provave, dje janë dorëzuar në gjykatë, ku pritet t'i nënshtrohen procesit penal ku do të gjykohen 29 të pandehurit e kësaj dosjeje",-thuhet nga burimet.

Ndërkohë, sipas akuzës, në momentin e dorëzimit të 81 fashikujve hetimore, prokuroria kishte sjellë pranë Gjykatës së Lartë edhe disa prova të tjera materiale e fizike të kësaj dosjeje.

Por, këto prova, si fletë faksesh, dëshmi fillestare të punëtorëve të fabrikës së Gërdecit, si dhe sende të gjetura e dokumente në vendin e shpërthimit, ishin futur në kuti kartoni dhe, sipas kryesekretarisë, nuk përmbushnin asnjë kriter minimal të përshkrimit të tyre në procesverbale, për administrimin e tyre në gjykatë.

Këto kuti, përveç se ishin të pa mbyllura dhe të pa dyllosura siç e parashikon ligji, nuk kishin as numrat e protokollit të procesverbaleve të përshkrimit të tyre brenda kartonit, gjë që nuk mund të pranoheshin. Për këtë arsyeje, disa nga këto kuti me provat brenda, i janë kthyer mbrapsht për riformulimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).