PS-LSI, biletë vajtje-ardhje

Ditët e fundit, mediat na përcollën "rrjedhjen" e radhës së një sërë figurash aktivistësh lokalë mes dy partive kryesore të opozitës: PS-së dhe LSI-së. Tre këshilltarë të Bashkisë së Vlorës largohen nga LSI-ja dhe kthehen në PS. Po kështu, ish-ministrja e Kulturës. Tetë figura të njohura të PS-së, tashmë janë pjesë e anturazhit politik të LSI-së. Ish-deputetë, deputetë aktualë, këshilltarë të niveleve të ndryshme, aparatçikë, artikujbërës, konferencierë. Daja dhe teze. Madje edhe kryetarë partish të vogla që venë e vijnë sa në njërën derë në tjetrën. Nuk mungojnë as spekulimet e rastit: X person së bashku me 32 anëtarë të PS-së (ose LSI) braktisin LSI-në (ose PS) dhe bashkohen me kundërshtarin. Një betejë "korruptimi" e pandërprerë, si nga njëra anë, po ashtu edhe në tjetrën. Dhe asnjëherë në heshtje. Askurrë me mirëkuptimin e thjeshtë e demokratik: është e drejta e tyre. Përkundrazi: gjithçka shoqërohet me deklarata "të ashpra" politike. Thelbi i akuzave, pavarësisht kaheve, mbetet i njëjtë: kundërshtari është në shërbim të Berishës dhe vetëm partia jonë është e majta e vërtetë. Janë "harruar" tashmë edhe togfjalëshat e ndërkallur aspak sinqerisht: "I themi mikut tonë Ilir Meta (ose Edi Rama)…". Punët tani kanë shkuar larg: "Ilir Meta është ministër i Berishës, tha vetëm dy ditë më parë Erion Veliaj, ndërsa Meta "ia vë vetë gjoksin" përballjes dhe e akuzon Ramën se nuk ka asnjë lidhje me të majtën dhe me opozitën. Rama parapëlqen të delegojë akuzat në gojët e nivelit të dytë, që me kënaqësi të pranojnë rolin e zëdhënësve.

Ka tash sa kohë që "lufta" mes këtyre dy partive mbush hapësirat e hirta të politikës shqiptare. Edhe në lidhje me një miting "anti-Berishë" nuk mund të bien në një mendje, në një garë evidente protagonizmi. Duket kështu sikur sërish e majta vazhdon të prodhojë politikë. Por vetëm sa duket…

***

Lëvizja e mbështetësve, por edhe e drejtuesve politikë deri tek ata të niveleve të larta nga njëra parti në tjetrën nuk është një dukuri e re, as në politikën shqiptare. Shumëkush është përpjekur që ta shpjegojë këtë fenomen me argumentin se vetë demokracia jonë është e re dhe partitë ende nuk kanë "zënë vend", pra nuk janë ende solide mjaftueshëm. Mirëpo, fakti që një dukuri e tillë ndeshet edhe në demokraci ku e ku më të pjekura, madje edhe në ato që ne i kemi zgjedhur si modele, nuk të lejon të biesh në naivitetin e mësipërm. Dukuri të tilla u vunë re së fundmi edhe në Francë (Kushner, p.sh.) apo në SHBA (Kolin Pauell, p.sh.). Për shkak të një mentaliteti të trashëguar të komunizmit sektar, që e kemi me bollëk mes nesh, por edhe të karakterit ballkanik gjasme mashkullor, këto lëvizje ndër ne konsiderohen thjesht dhe prerazi si tradhti. Megjithatë, pavarësisht emërtesave, shija e keqe që krijohet me këto raste më së shumti e ka bazën se lëvizjet nuk duket të kenë në themel ndonjë bazë programore, por thjesht dhe vetëm interesa vetanake, sigurisht të karrierave të ndërprera dhe të përfitimeve që burojnë nga politika. Por kush tha që në "lëvizjet" e lartpërmendura, në demokracitë e konsoliduara nuk ka një shtysë interesash vetanake? A do të kishte ikur nga e majta Kushner dhe të bashkohej me Sarkozinë në emër të idealeve nacionale dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës, nëse nuk do t‘i ofrohej posti i ministrit të Jashtëm të Republikës Franceze?

***

Dukuri të "shtegtimit" të figurave politike nga blloku i njërit krah në tjetrin kanë qenë jo të pakta edhe në politikën shqiptare. Kështu kanë lëvizur sa në njërin krah në tjetrin Ceka, Pashko, Ngjela, Zogaj, Rama vetë, Ruli, Gjinushi vetë, Milo, Xhuveli, Dule, madje edhe i shumëpërmenduri i kohëve të fundit: Pango. Dikush ka qenë në ikje vetjake, dikush së bashku me "partinë" e tij e ndoca të tjerë, duke u shtirur sikur vetëm sa kanë bashkëpunuar me kundërshtarin e djeshëm në emër të interesave të demokracisë dhe të zhvillimit. Pa dyshim që arsyet e këtyre lëvizjeve janë të shumta e të ndryshme. Mungesa e një baze programore politike për partitë, fakti që secila parti sillet njëlloj me partinë "kundërshtare", fakti që përmes politikës pasurohesh lehtësisht dhe posaçërisht mosstabilizimi i qëllimshëm i administratës publike janë disa nga shkaqet e këtij shtegtimi të pandërprerë. Kjo ka bërë që më së shumti partitë t‘u ngjajnë gjithnjë e më shumë ca klaneve tradicionalë që mbështillen rreth kryetarit, njëlloj si burrat e fiseve të qëmotshëm shqiptarë. Shkatërrimi i jetës institucionale në të vetmen parti ku deri para ca vjetësh zhvillohej demokracia, pra në PS, i ka bërë përfundimisht të ngjashme të gjitha forcat politike të vendit. Këto janë disa nga kushtet klimaterike të politikës shqiptare, që e kanë bërë edhe më të lehtë "shtegtimin" që po përpiqemi të shqyrtojmë.

***

Po, nëse kjo dukuri nuk është as thjesht shqiptare, as e re, përse ky shqetësim në lidhje me shtegtimet mes këtyre dy partive kryesore të së majtës?

Të gjithë kujtojmë se si me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, spikerët e Partisë Socialiste u përpoqën të na mbushin mendjen se kjo bëhej edhe që t‘i jepej fund njëherë e përgjithmonë "fenomenit të shëmtuar" të këtyre tradhtive. Do të krijohen qartësisht dy blloqe politike, u pretendua, një ai qeverisës dhe i dyti, ai opozitar. Sot nuk rezulton aspak kështu. Pavarësisht se rezultatet e zgjedhjeve do të vërtetojnë dyshimin tonë, nuk është e vështirë të kuptohet që nuk bëhet aspak më fjalë për dy blloqe, por të paktën tri, në mos katër. "Lufta" që bëhet se me kë do të shkojnë Dule, Ceka, Milo, Koçi, Xhuveli e kështu me radhë, është një provë tjetër se edhe kësaj radhe "Dushku" do të rritet sërish, vetëm me ndryshimin se nuk do të kemi më një Dushk, por fiks aq dushqe sa do të kemi edhe rajone, apo qarqe.

Por le t‘i kthehemi edhe një herë shqetësimit të fillimit. "Shtegtimi" i fundit ka një ndryshim cilësor me shtegtimet e ndodhura herë të tjera në prag të zgjedhjeve politike. Nuk kemi aspak një përpjekje për të thithur politikanë të blloqeve kundërshtare: kemi thjesht një vajtje-ardhje nga PS-ja tek LSI-ja dhe anasjelltas. Nga një vëzhgim qoftë edhe i sipërfaqshëm nuk është e vështirë të kuptohet se përplasja në fjalë që mbetet edhe përplasja kryesore politike në këtë prag zgjedhjesh, të japë produktin e vet që mund të përmblidhet: mban të përçarë elektoratin e majtë; largon masën e votuesve të papërcaktuar, të atyre votuesve të cilët vendosim fatin e zgjedhjeve; i krijon kësisoj Berishës mundësinë që të jetë, edhe pas katër vjetësh qeverisjeje problematike, partia e parë.

***

Në vend të mbylljes

Takova një të njohurin tim që ishte deklaruar se kishte ikur nga njëra prej partive dhe ishte rreshtuar në "kundërshtaren".

- Ike? - e pyeta.

Ai na rreshtoi një sërë arsyesh. Kryetari s‘pyet njeri. Të fyen. Bën në kokë të vet. S‘funksionon partia. S‘mund të rri nën urdhrat e (përmendi emrin e një të afërmi të kryetarit) etj., etj. Pak a shumë po ato gjëra që i dëgjojmë tash e gjithë ditën në të dyja krahët.

Një tjetër i pranishëm e gjeti me vend ta shpotisë, duke i thënë se partia nga e cila ai kishte ikur, dukej se i kishte punët më mirë se kjo ku po shkonte.

Atëherë i njohuri lëshoi një nënqeshje djallëzore dhe tha:

- Por unë e kam prerë biletën vajtje-ardhje. Po të më duhet - nuk tha atë që mendonte: "po nuk më futi kryetari i ri në listat e deputetëve", apo: "po qe se nuk më premton diçka" - unë kthehem prapë

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).