Pollo: Rama e Berisha, spot të përbashkët për kartat

Qeveria pranon nga propozimet e PS-së vetëm sensibilizimin. Dy partitë kryesore sjellin shifra të ndryshme për shpërndarjen e kartave

TIRANË- Procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, për vetë rëndësinë që ka për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është kthyer në një objekt lufte të mirëfilltë politike mes qeverisë dhe opozitës.

Pikërisht kjo çështje ka mbërthyer dje debatin kryesor politik jo vetëm në Kuvend, por edhe jashtë tij, teksa të dyja palët kanë dhënë shifra të ndryshme në lidhje me ecurinë e deritanishme të aplikimeve, si dhe të personave të evidentuar si shtetas pa pasaportë.

Shifrat

Qeveria ka deklaruar dje, me anë të një sërë eksponentësh të saj, duke filluar që nga zëvendëskryeministri, Genc Pollo, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, se ky proces po ecën normalisht, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet dhe shqetësimet që ka shfaqur opozita lidhur me të.

Kështu, ministrja Majlinda Bregu, në një raportim zyrtar në takimin e 16-të ndërparlamentar Shqipëri- PE, është ndalur edhe tek problemi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Sipas saj, numri total i qytetarëve pa pasaportë është 729 710, ndërsa numri i aplikimeve të votuesve pa pasaportë, është 63 737, nga të cilët 45 mijë vetëm në Tiranë.

Por, shifra krejt të tjera ka sjellë sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, i cili në një dalje të posaçme për mediat, ka sjellë një realitet tjetër nga ai që paraqet qeveria. Kështu, sipas socialistëve, qeveria gënjen kur deklaron se shtetas pa pasaportë janë vetëm 730 mijë persona. PS-ja këmbëngul se kjo shifër, nga të dhënat operative, rezulton të jetë diku afër 1 milion shtetas që nuk zotërojnë një pasaportë dhe që në bazë të rregullimit në Kodin Zgjedhor, nuk mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Një tjetër moment përplasjeje është edhe ai që ka të bëjë me numrin e personave që kanë aplikuar deri më tani, pasi socialistët janë të bindur se, për sa i përket kategorisë së shtetasve pa pasaportë, rezultojnë që të kenë aplikuar një numër pothuajse i papërfillshëm.

Sipas PS-së, deri më 18 mars kanë aplikuar në total vetëm 282 mijë e 790 shtetas, nga të cilët rreth 100 mijë janë shtetas që kanë aplikuar për shkak se janë nëpunës të administratës publike.

Kur mbeten edhe vetëm pak muaj nga zgjedhjet parlamentare, socialistët konstatojnë si shqetësuese situatën, edhe për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Ata pretendojnë se, nga 331 poste pune që duhet të hapen për të bërë aplikime për kartat e identitetit, deri më 18 mars janë hapur vetëm 121, duke lënë kështu 2/3 e vendit pa hapësirë për të aplikuar.

Por, sipas qeverisë, realiteti është ndryshme, pasi deri më tani, ky proces është përfshirë në më shumë se 80 për qind të territorit dhe brenda marsit premton se do të mbulohet i gjithë territori.

Sensibilizimi

Megjithëse ka hedhur poshtë projektligjin e paraqitur nga opozita për dhënien falas të kartave të identitetit për të gjithë shtetasit që aplikojnë deri më 20 qershor, shumica qeverisëse është e gatshme që të pranojë vetëm një pikë të saj, atë që ka të bëjë me sensibilizimin e qytetarëve.

Pra, bëhet fjalë për nenin 4 të projektligjit të paraqitur nga socialistët, i cili kërkon nga qeveria që të ndërmarrë masat e duhura për të ndërgjegjësuar qytetarët që të aplikojnë për kartë.

Zëvendëskryeministri Genc Pollo, duke folur dje gjatë seancës plenare në Kuvend, në emër të qeverisë është shprehur i hapur për ta diskutuar një nen të tillë, duke dhënë njëkohësisht dhe një mënyrë sesi mund të arrihet më mirë sensibilizimi i qytetarëve. Kështu, ai ka propozuar që dy liderët kryesorë politikë, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i opozitës, Edi Rama, të dalin të dy në një komunikim mediatik ose dhe me një spot televiziv, për t'u bërë thirrje qytetarëve dhe votuesve të tyre që të shkojnë të aplikojnë.

"Po, është momenti duke iu përgjigjur dhe propozimit të opozitës, më saktë, nenit 4 të projektligjit të dorëzuar që, z. Rama dhe Kryeministri, ndoshta po të doni edhe z. Meta e drejtues të tjerë, t'u bëjnë thirrje të gjithëve për të aplikuar për letërnjoftime. Le ta bëjnë së toku me një konferencë të përbashkët shtypi, me një spot të përbashkët, me një formë që ju e gjykoni të përshtatshme. Shqiptarët i dëgjojnë dhe i ndjekin politikanët që ata kanë zgjedhur dhe do të zgjedhin", - tha Pollo.

Tabela zyrtare e qeverisë

Numri total i aplikimeve është 277 548;

Shifra mesatare e aplikimeve në ditë, është 13 000;

Sasia e dokumenteve të identitetit (DI) të prodhuara, është 180 000 copë;

Prodhimi ditor i DI-së ka arritur në 15 961 copë;

Numri i DI-ve të dorëzuara në qendrat e shpërndarjes, është 106 943;

Numri i DI-ve të tërhequra nga qytetarët, është 32 480;

Mesatarja ditore e tërheqjes së DI-së nga qytetarët, është 3050;

Numri total i qytetarëve pa pasaportë, është 729 710;

Numri i aplikimeve të votuesve pa pasaportë, është 63 737

Numri i aplikimeve të votuesve pa pasaportë në Tiranë, është 45 211.

 

Të dhënat e PS-së

Të dhënat zyrtare japin 730 mijë shtetas pa pasaportë.

Të dhënat operative të PS-së flasin për mbi 1 milion shtetas pa pasaportë.

Deri më 18 mars, kanë aplikuar vetëm 282 mijë e 790 shtetas.

Rreth 100 mijë shtetas, që kanë aplikuar, janë nëpunës të administratës publike.

Në shkallë vendi do të duhet të hapen 331 poste pune për të bërë aplikime për kartat e identitetit.

Deri më 18 mars janë hapur vetëm 121, duke lënë kështu 2/3 e vendit pa hapësirë për të aplikuar.

Në Qarkun Lezhë, me 21 njësi vendore, nuk ka filluar aplikimi në katër komuna dhe në një bashki.

Kanë aplikuar 7825 zgjedhës, ose 19.4 për qind e zgjedhësve pa pasaportë.

Qarku Elbasan, sipas Ministrisë së Brendshme, ka 79557 votues pa pasaportë.

Numri i votuesve pa pasaportë, të verifikuar nga PS-ja, që nuk janë të identifikuar nga ministria, 18391

Numri total i aplikimeve 15244, ose 15 % e numrit të atyre pa pasaporta

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).