Politika ka përgjegjësinë të shkëpusë Shqipërinë nga udhëkryqet

Kjo javë do të jetë padyshim historike për popullin shqiptar, për Shqipërinë, pasi, sikurse dihet, në datën 4 prill, pra në fund të kësaj jave, ne kurorëzojmë atë ëndërr, atë aspiratë të thellë të popullit shqiptar, atë punë, do të thosha fantastike të të gjitha institucioneve shqiptare në bashkëpunim luajal me partnerët tanë ndërkombëtarë: pra anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e paqes dhe të sigurisë globale.

Padyshim, njeriu, në të tilla raste ka dëshirë të flasë me shumë emocion, duke iu larguar letrave, jo thjesht për të shprehur gëzimin, por për të riartikuluar gjithçka që është bërë, gjithçka që është arritur.

Me cilësinë e Institucionit që unë përfaqësoj, gjërat duhet të jenë të strukturuara, për t'i hapur rrugën pastaj një debati të strukturuar, ndaj po i referohem materialit të shkruar.
Integrimi i Shqipërisë në NATO është një çështje shumë e veçantë për politikën shqiptare, mendimin e publikut të gjerë, qëndrimin e medias, vlerësimin e shoqërisë civile.

Qëndrimi mirëkuptues ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve, tregon sa një pjekuri gjykimi, aq edhe një shpirt pragmatik dhe racional të zhvilluar, sidomos mbas ndryshimeve demokratike të mbas viteve '90-të të shekullit të kaluar.

Që nga qershori i vitit 1992, kur Shqipëria u pranua si anëtare e Këshillit Bashkërendues të Atlantikut të Veriut, së bashku me vendet e tjera të bllokut ish-komunist, deri në Samitin e Bukureshtit të 3 prillit 2008, ku ajo u ftua të bëhet anëtare e Aleancës, raportet e Shqipërisë me NATO-n kanë pasur një zhvillim të shpejtë, dinamik e sidomos cilësor, pavarësisht sfidave që i duhej të përballonte.

Shqipëria hyri në këto marrëdhënie me një përvojë të munguar, për shkak të izolimit të saj të gjatë të periudhës së diktaturës, që nuk mund të krahasohet me vendet e tjera ish-komuniste.

Në fund të kësaj jave, më 4 prill, në Samitin e Strasburg-Kehl-it, në ditën e shënuar të 60-vjetorit të krijimit të Aleancës, vetëm një vit pas marrjes së ftesës për anëtarësim, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në Organizatën më të madhe të demokracisë dhe të sigurimit.

Kjo datë do të shënohet në historinë e Shqipërisë si dita e kthesës së madhe, si çasti i rikthimit të Shqipërisë në vendin që i takon, si aleate e besueshme e demokracisë, e zhvillimit, e mirëqenies dhe e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Kjo është merita e popullit shqiptar dhe e Shqipërisë. Është meritë e një populli, i cili si në asnjë rast tjetër, sipas të gjithë sondazheve, ka dëshmuar aspiratën e tij me një përqindje të jashtëzakonshme (rreth 96%) dhe të admirueshme.

Mësimet e nxjerra nga procesi para dhe pas pranimit të vendeve ish-komuniste në NATO, na ndihmojnë të identifikojmë çështje të përgjithshme, që duhet të merren në konsideratë për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të vendit tonë, si dhe të veçojmë çështjet specifike të demokracisë dhe të periudhës kalimtare në Shqipëri, si vend i ri anëtar i Aleancës.

Procesi i integrimit nuk mbaron me anëtarësimin në NATO. Ai është një proces i gjatë kompleks dhe i vështirë që kërkon më shumë përkushtim politik, shfrytëzim më racional të burimeve njerëzore, materiale e financiare, si dhe zhvillim të pagabueshëm të kapaciteteve kombëtare në fushat kryesore: në atë politiko-ekonomike, të mbrojtjes e të sigurisë, të legjislacionit, të administratës dhe të sigurimit të informacionit.

Përgjegjësitë ndaj NATO-s do të jenë detyruese dhe koncepti i ndarjes së "përgjegjësive, të peshës dhe të roleve" midis anëtarëve të Aleancës, do të funksionojë në mënyrë të barabartë edhe ndaj vendit tonë.

Sfidat dhe përgjigja ndaj tyre do të jenë të menjëhershme; ato do të jenë afatgjata dhe do të kërkojnë më shumë vëmendje, përkushtim, seriozitet, më shumë kohë, përpjekje dhe burime të sigurta demokratike për t'u vënë në dispozicion, si dhe vlerësim të prioriteteve jo vetëm kombëtare, por edhe globale.

Këto vështirësi nuk mund të na frenojnë në ecurinë tonë integruese. Ne nuk do të jemi vetëm, ne do të kemi aleatët tanë të vjetër dhe të rinj dhe do të kemi gjithnjë aftësinë për të plotësuar dhe korrigjuar mangësitë tona objektive. Mbi të gjitha, qëllimi ynë strategjik na bën të vetëdijshëm për hapat e mëtejshëm në rrugën tonë të integrimit.

Rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në aspektin rajonal, është përgjegjësi në rritje, në shërbim të interesave tona kombëtare, në mbështetje të aspiratave integruese të shqiptarëve që banojnë në vendet fqinjë, në ndihmë të shëndoshjes së shtetit të ri të Kosovës dhe në përmbushjen e parimeve të saj për një rajon të çliruar nga mendësitë e vjetra dhe me vizione euroatlantike drejt së ardhmes.

Roli i matur dhe aktiv i Shqipërisë në Ballkanin plot konflikte, u vlerësua në mënyrë të veçantë nga komuniteti ndërkombëtar gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, por edhe më pas, në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së saj.

Normalizimi i marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, mbetet kontribut i mirëpritur i rolit të pazëvendësueshëm të Shqipërisë, anëtare e NATO-s, për vitet në vazhdim, kontribut i cili do të përmirësojë klimën e bashkëfqinjësisë dhe të bashkëpunimit, do të rrisë sigurinë brenda rajonit dhe do ta shtrijë në vazhdimësi atë drejt zonave më pak të sigurta.

Shqipëria, si vendi i parë në botë, që ka shkatërruar të gjitha armët kimike, duke bërë një riorganizim rrënjësor të të gjithë sistemit të mbrojtjes dhe duke hartuar një strategji të re kombëtare të sigurisë, të shoqëruar me miratimin e shumë ligjeve të reja të domosdoshme, shërben si shembull dhe si përvojë për vendet e tjera të rajonit, të cilat dëshirojnë të anëtarësohen në strukturën euroatlantike.

Një nga sfidat e reja të Shqipërisë, si anëtare e re e NATO-s, do të jetë rritja dhe përshtatja e aftësive të saj për të dhënë ndihmesë ushtarake sistematike për sigurinë ndërkombëtare, sipas nevojave që do të paraqiten dhe kërkesave që do të shtrohen për t'u përmbushur.

Përvoja e deritanishme e trupave tona ushtarake në misione paqeruajtëse jashtë Shqipërisë, së bashku me reformimin e vazhdueshëm të Forcave tona të Armatosura, janë dy shtylla mbështetëse në hapat tonë të marrëdhënieve me NATO-n në këtë sfidë.

Detyrat e anëtarësimit dhe realizimi i tyre me sukses janë objektiva kombëtarë dhe, si të tillë, kërkojnë koordinim, administrim dhe angazhim serioz të të gjitha institucioneve shtetërore dhe publike, ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve socialë, ekonomikë dhe financiarë, se integrimi realizohet vetëm nëpërmjet kontributit të të gjithëve.

Kjo nënkupton më shumë siguri kombëtare, më shumë garanci për shtet demokratik të së drejtës dhe institucione të pavarura kushtetuese, më shumë liri dhe drejtësi, më shumë investime të huaja në Shqipëri, vetëdije më të thellë për vlerat demokratike tradicionale që ushqejnë themelet e shteteve demokratike të vendeve euroatlantike, emancipim të mëtejshëm të elitës politike shqiptare dhe ritme më të shpejta të vendit drejt Bashkimit Evropian.

Synimet politike afatgjata të një vendi anëtar të NATO-s kërkojnë marrjen e masave të vazhdueshme për reforma politike e administrative, drejt forcimit të institucioneve demokratike të mbështetura në sundimin e ligjit, për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Përfundimi i kornizës ligjore të nevojshme, së bashku me reformat në sistemin e drejtësisë, është kriter i domosdoshëm për t'u përmbushur nga një vend anëtar i NATO-s, apo një vend që pret të aplikojë për kandidat në Bashkimin Evropian.

Të gjithë duhet ta kuptojnë se një vend anëtar i NATO-s kërkon edhe një ekonomi të qëndrueshme, e cila prodhon dhe sistem politik të qëndrueshëm. Reformat e mëtejshme ekonomike duhet të garantojnë jetëgjatësi në zhvillim dhe mirëqenie në rritje.

Ato, së bashku me reformat fiskale, duhet të krijojnë terrenin e përshtatshëm për të nxitur kapitalet vendase që të investojnë, si dhe të tërheqin më shumë investime të huaja në ekonominë shqiptare.

Shqipëria ka vite që vepron sikur të ishte anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Krahas reformave të thella të brendshme në raportet me NATO-n, Shqipëria ka ndarë përgjegjësitë e saj për problemet madhore të sigurisë euroatlantike.

Ajo ka prodhuar siguri dhe i ka dhënë Aleancës kontributin e saj si në Ballkan, ashtu edhe në Afganistan. Ky është një angazhim politik dhe praktik, i cili do të shumëfishohet me anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit, janë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por edhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe të përligj besimin që aleatët tanë na kanë dhënë.

Standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit, nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike, për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre.

Përpos detyrimit ligjor ndaj shtetasve të saj, politika shqiptare, nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, ka përgjegjësinë e madhe ta shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).