Përtej krizës

Shqetësimet për krizën janë mëse evidente. Çdo ditë e më tepër ajo vazhdon të thellohet, duke shtuar shqetësimet për efektet e saj. Jo vetëm SHBA, vendet e BE-së, Japonia etj., por dhe vendet e klasifikuara si “ekonomi me zhvillim të shpejtë” të tilla si Kina, India, Brazili, Rusia e Meksika po i tkurrin vazhdimisht parashikimet për ecurinë ekonomiko-financiare gjatë vitit 2009. Këtij grupi i bashkëngjiten ditë pas dite edhe vendet në zhvillim e ato të varfra që ndjehen akoma edhe më të kërcënuara nga efektet e krizës. Propozimet dhe alternativat e hedhura në tavolinë për të dalë prej saj me sa më pak kosto ekonomike e sociale janë të shumta. “Plani Paulson”, “Paketa Obama”, “Propozimi Merkel”, “Plani Sarkozi”, “Paketa Brawn”, “Propozimi Barosso”, “Paketa e masave dhe politikave të FMN-së”, “Versioni i Bankës Botërore për përballimin e krizës”, etj. Përballë tyre qëndrojnë po ashtu shqetësime e alternativa të ndryshme në raport me paketat e propozuara nga liderët kryesorë të shteteve më të zhvilluara të botës dhe atyre të institucioneve më të mëdha ekonomiko-financiare e tregtare të planetit. Një grupim i ekonomistëve evropianë nga më prestigjiozët shprehin shqetësimin se, “vendet evropiane po reagojnë pak me vonesë, pa dinamizmin e duhur dhe po veprojnë të izoluar nga njëri-tjetri në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët”, ekonomistë të shquar amerikanë, përfshirë këtu edhe Nobelistë të ekonomisë dhe financave “shprehen skeptikë për cilësinë dhe largpamësinë e planit Obama”, që të çojë në një zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme të krizës etj.
Por, në këtë vorbull propozimesh e kundërpropozimesh, variantesh e kundër-variantesh mbi mundësitë e përballimit dhe daljes nga kriza po kristalizohet një tendencë më se e qartë dhe e pranuar nga të gjithë. Duke u përpjekur të njihen mirë shkaqet e vërteta të krizës, të cilët shkaktuan këtë pështjellim të rëndë ekonomiko-financiar botëror, si duke shfrytëzuar çdo mundësi që efektet e saj, sidomos ato sociale që pritet të vijnë në muajt e ardhshëm, të minimizohen sa më shumë që të jetë e mundur, në horizont duket se ka filluar të mbizotërojë një linjë tjetër diskutimesh, analizash e propozimesh. Çfarë reformash strukturore duhen ndërmarrë që në të ardhmen e afërt, ekonomia dhe financat botërore në tërësi, por dhe ato të vendeve të ndryshme në veçanti t’i rezistojnë më mirë krizave? Propozohet një rishikim dhe rindërtim i rregullave të funksionimit dhe kontrollit të arkitekturës financiare botërore nëpërmjet një marrëveshje të re të tipit “Bazel 3”, kërkohet një rol i ri më autoritar dhe më publik i bankave qendrore, sugjerohet eliminimi i të ashtuquajturave “parajsa fiskale” dhe “sekretit bankar”, vlerësohet një kontroll më i mirë i “financave kreative” dhe tregjeve financiare pa limit, propozohet ngritja e një organizmi të ngjashëm me OKB, por për të menaxhuar ekonominë dhe financat botërore, flitet për një rol të ri të FMN, OBT dhe Bankës Botërore etj.
Mbas kësaj krize nuk ka asnjë dyshim se bota dhe ekonomia e saj do të fillojë një cikël të ri, një erë të re porsa i përket organizimit dhe funksionimit të saj. Në fund të fundit, shumë analistë e ekspertë të krizave të këtij tipi, mendojnë se aktualisht, po të vesh në balancë preokupimet dhe sugjerimet për përballimin e efekteve të krizës dhe daljen prej saj me preokupimet dhe sugjerimet për reforma strukturore fondamentale të periudhës post-krizë, përqindja më e madhe anon nga këto të dytat. Në fund të fundit, nën këndvështrimin e ekonomistëve, kriza është pjesë e një skenari ciklesh ulje-ngritjesh që ndodhin rëndom në sistemin kapitalist, pavarësisht se kjo e fundit është nga më të ashprat që ka njohur ndonjëherë ky sistem. Në situatën e tanishme, e vetmja gjë që mund të bëhet është marrja e sa më shumë masave për amortizimin e efekteve negative të saj.
Për shumë vende, përfshirë dhe këtu dhe Shqipërinë, politikat dhe masat “anti cikël” janë shumë të kushtueshme dhe pothuajse të pamundura. Ky është një “luks” dhe mundësi kryesisht e vendeve të mëdha, të zhvilluara e të pasura. Duke qenë se ne nuk jemi vend tipik në krizë, por vend që vazhdon të preket nga kriza, është më se e natyrshme që të jemi maksimalisht të vëmendshëm në ndjekjen e situatës ditë pas dite për t’i paraprirë ndikimeve negative, që të kemi disa skenarë konkretë e mundësi financiare rezervë për çdo sektor apo aktivitet që preket nga kjo krizë. Këtë nuk duhet askush ta vërë në dyshim apo akoma më keq ta trajtojë thjesht si çështje me përfitim politik. Gjëja më e padëshirueshme që mund të bëjmë është që gjithçka ta fusim në një rreth vicioz. Nga njëra anë të pohojmë se “në Shqipëri nuk ka absolutisht krizë dhe se politikat e reformat tona të deritashme kanë qenë të shkëlqyera, duke i paraprirë dhe efekteve të kësaj krize që është botërore”, e mbi të gjitha, këto efekte negative nuk bëjnë detyrimisht fajtore apo jo performante për çdo gjë vetëm qeverinë; dhe nga ana tjetër të nxijmë dhe alarmojmë çdo gjë në emër të shqetësimeve për pasojat e krizës duke kërkuar kapital politik. Eksperienca e mjaft vendeve, flet aktualisht për një konsensus e dialog politik mjaft të hapur e transparent të të gjithë forcave politike e aktorëve kryesorë socialë në çdo vend që po ndërton paketa e masa antikrizë.
Por, përtej kësaj situate e këtyre masave, ne duhet të fillojmë të shikojmë edhe pak më përtej se kriza dhe efektet direkte aktuale të saj në Shqipëri. Duhet të fillojmë të analizojmë me vëmendje edhe pyetje e pikëpyetje të tipit: “shumë nga këto efekte e fenomene negative që sot i servirim si efekte të krizës, janë vërtet të tilla apo kanë të bëjnë edhe më defektet strukturore të ekonomisë sonë dhe direkt apo indirekt do të na preknin edhe në situata të tjera normale?”, “a do ta përballonim më lehtësisht krizën nëse do të kishim një ekonomi e strukturë biznesesh ndryshe nga kjo e sotmja?”, “a po i kushtojmë vëmendjen e duhur reformave strukturore të nevojshme me efekte pozitive afatgjata, apo po e reduktojmë gjithë debatin dhe shqetësimet në segmentin kemi apo nuk kemi plan antikrizë, duhet apo nuk duhet plani antikrizë?”, “a po mendojmë për politikat ekonomike e financiare afatmesme e afatgjata që do të na garantonin një qëndrueshmëri më të madhe dhe më të garantuar të rritjes ekonomike?”, “a po na shërben kjo krizë si një stimulues i domosdoshëm për të parë pak përtej përditshmërisë?”, etj.
Në thelb, ne duhet të analizojmë seriozisht modelin tonë të zhvillimit dhe faktorëve që na ushqejnë dhe garantojnë rritjen ekonomike. Si do të “mbushet” gropa që na shkakton procesi i reduktimit të remitancave, kurba e të cilave do të jetë vazhdimisht në rënie të vazhdueshme për vitet që vijnë? Nuk ka më kuptim që debatet dhe analizat tona të mbeten në nivelin e justifikimit apo konstatimit se “bilanci i pagesave apo nënvleftësimi i lekut vjen si pasojë e uljes së remitancave”, etj. Si do të ulet deficiti tregtar i vendit që tashmë i është afruar 2.5 miliardë eurove ose afërsisht 25% e PBB? Pse, me gjithë masat e strategjitë e shumta që reklamojmë në favor të rritjes së eksporteve tona, përsëri ato janë më pak se ¼ e importeve dhe mbi të gjitha shume “delikate” në raport me tregjet ku duhet të konkurrojmë? Si mund ta zgjerojmë gamën e eksporteve tona dhe të mos mbetemi në shpresën modeste të “eksporteve me fason”? Deficiti tregtar është një nga problemet strukturore thelbësore që duhet zgjidhur në një periudhë afatmesme për të pasur një ekonomi më të qëndrueshme në raport me kapriçot e tregut ndërkombëtar. Si ta zhvillojmë bujqësinë dhe agro-industrinë që të mos jemi të detyruar të importojmë mbi 500 milionë euro produkte ushqimore çdo vit, dhe mbi të gjitha të mos kemi raportin negativ 1 me 11 të importeve të këtij sektori në raport me eksportet? Si ta “orientojmë” masën dhe strukturën e kredive dhe investimeve drejt këtij sektori, kur kemi parasysh se në vitet e fundit vetëm rreth 1% e kredive kanë shkuar për bujqësinë? Si ta kalojmë diskutimin e shpenzimeve për arsimin nga thjesht përqindja e tyre në raport me PBB apo shpenzimet buxhetore në diskutimin për strukturën dhe cilësinë e këtyre shpenzimeve në favor të krijimit të kapitalit social e intelektual, në favor të përshtatjes me tregun e punës dhe zhvillimet e reja tekniko-teknologjike e organizative të ekonomisë dhe shërbimeve moderne? Prej vitesh kemi mbetur në diskutimet e tipit “do ta rris në 3% të PBB”, “e kemi nën 3% të PBB”, “do shtoj me 1% apo 2% shpenzimet për arsimin”, etj., ndërkohë që flasim pak apo aspak për reformat strukturore në arsim, për diversifikimin e burimeve të financimit të tij, për zhvillimit e arsimit të specializuar dhe lidhjen sa më organike me tregun e punës, modelet arsimore që duhet të privilegjojmë, etj. Si të hartojmë plane e projekte që investimet tona publike të shkojnë më tepër në funksion të punësimit të cilin prej 18 vitesh e kemi problematik dhe jo të mbetemi në sloganet se sa për qind janë rritur shpenzimet publike nga njëri vit në tjetrin dhe sa km rrugë më shumë janë shtruar e po shtrohen?. Se cilët janë sektorët e degët që do të udhëheqin zhvillimin dhe rritjen tonë ekonomike në 8-10 vitet e ardhshme dhe si do t’i financojmë sa më mirë ato duke garantuar një konsensus politik e institucional sa më evident në kundërshtim me qëndrimet e tipit se “kur të vij unë në pushtet nuk do njoh asnjë nga marrëveshjet e privatizimet apo koncesionet” që janë bërë nga qeveria e mëparshme?, etj.
Përtej diskutimeve dhe grindjeve për faktin se “kemi apo nuk kemi krizë”, “kemi apo nuk kemi paketë antikrizë’, “sa të prekur apo të paprekur jemi nga kjo krizë”, si dhe masave emergjente në favor të sektorëve e grupeve socialë të prekur, është më se imperative të shikojmë pak përtej krizës, që të flasim, analizojmë, propozojmë e zbatojmë reformat e domosdoshme strukturore që do na garantojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe rritjen konstante të PBB, zbatimin e politikave sociale efektive, uljen e papunësisë, reduktimin e varfërisë, zhvillimin e balancuar rajonal, përballimin e krizave apo problematikave të tjera negative të mundshme të tregjeve dhe ekonomisë botërore, stabilitetin tonë ekonomiko-financiar afatgjatë etj.

5 Komente

Ekonomitë e vendeve evropianë kanë shënuar rënie në tremujorin e fundit të vitit të shkuar dhe disa prej tyre kanë regjistruar statistikat më negative për disa dhjetëvjeçarë, sipas statistikave zyrtare.>>

> >

Këto janë njoftimet që japin mediat perendimore dhe në gjuhen praktike këto quhen njoftime të nivelit  paralajmërues se situata në Shqipëri do jetë e ngjashme. Ketu i rreferohem përgjegjësisë se institucioneve që gjenerojnë informacion të besueshëm dhe serioz për mediat e rrjedhimisht për publikun.

>>

Shume thjesh : eksportet.

> >

Këshillat e hershme të orientimit të ekonomisë drejt eksportit ka ngelur vetëm këshillë dhe ne kushtet e reja të sapo krijuara vihet re qartë se kanali i hyrjes potenciale te valutes është i cenuar seriozisht.>>

E pritëshmja e afërt akoma nuk është analizuar ose me mirë akoma nuk i është treguar publikut nëse ka të tillë dhe mungesa e kësaj transarence vetëm e shton mjegullnajën mbi gjëndjen e eksporteve dhe problematikën e saj.>>

Në fakt ajo qe mungon është mungesa një analizë e kanaleve te eksporteve në kushtet e reja.>>

Nuk e kam fjalën për përmirësimin apo përkeqësimin e klimës së biznesit apo të ngjashme, por për atë që po ndodh në të vërtete. Struktura e brishtë e eksporteve është lekundur nga kriza, bile ndjehet e kërcënuar dhe në analizë të parë veç problemit kronik  të defiçtit të llogarisë korrente po shoqërohet me një rrezik real me efekt social. Kjo stukturë eksporti është e goditur në të njëjtën kohë dhe mungesa e vëmendjes ndaj efekteve do ishte e pafalshme.>>

Natyrisht që përgjigjia e specializuar është e veshtirë sepse ka cilësi jashtëzakonisht të dobët të të dhënave, por në palët në interes ndihet interesi për të mësuar parashikime si dhe kuptuar se do të ketë ndërhyrje cilësore për të zvogëluar efektet negative.

>>

Pra, nje qasje me praktike te lutem mbi zgjidhjet do ishte shume e vleresuar.

 

Si ta zhvillojmë bujqësinë dhe agro-industrinë që të mos jemi të detyruar të importojmë mbi 500 milionë euro produkte ushqimore çdo vit, dhe mbi të gjitha të mos kemi raportin negativ 1 me 11 të importeve të këtij sektori në raport me eksportet?

 

Bujqesia do pune (bythe) or daj.. Shqiptari s'do me punu. Kurr s'ka dash! Ja psh dhe une: kom 3 muj pa pune e as me shko ner men me punusmiley

Z.Civici,

me poshte po te rendis disa  pika te cilat jane zyrtare e qe thone qe jane masa per krize a ku di une :

1- garantimi depozitave bankare nga 7000 euro ne 25 mije euro per cdo klient.
2- ne buxhet mbahet e paprekur nje kontigjence prej 2% te GDP
3- ulja e takses se punes me 25 %.,me nje efekt prej 0,8 % te GDP
4- Per te mbeshtetur industrine e ndertimit dhe te pastrehet kemi vene ne dispozicion nje fond tjeter qe do perdohet  per blerje apartamentesh banimi me nje vlere prej 1,5 % te GDP. Qytetaret do paguajne vetem principalin kurse interesat do perballohen nga buxheti I shtetit.
5- kemi marre nje kredi tjeter me vlere sa 2% te  GDP. 
6- kemi rritur me 1% te GDP-së mbeshtetjen ne biznes e ne investime.
7- Nga privatizimet ne process pritet ti shtohet Buxhetit nje fond tjeter shtese me nje vlere qe arrin ne 2% te  GDP.,duke arritur keshtu ne total nje vlere prej 10% te GDP.

Cer ? Do me thush ik or idiot ? Po thuje mer. Ca pune me prish mu nese e thu. Sikur jam vetem une idiot ne Flamurkuqland ! smiley

Do me thush qe pika 7 nuk ka kuptim dhe une perseri jam idiot ? Po thuje mer, thuje, se nuk me prish pune.

Aha do me thush qe nuk eshte permend rritja e shkalles se varferise  dhe masat qe ka marre qeveriu ? As per papunesine nuk ka thene gje ?

 

Po mire mer, atehere me pyt se nga kush idiot i kam degjuar une keto dhe mos me shaj mu keshtu kot pa shkak . smiley

Kete quhen Doktrina Ekonomike Shqiptare ose Testamenti i ri.

Nese ke durim lexoji neser ne media, nese jo provo te gjesh se kush shqiptar apo shqiptare mund te formuloje nje shprehje te tille ne nje Asamble Parlamentare të Euro-Mesdheut. :

Shqiperia  nje vend europian e mesdhetar, nje vend qe 18 vite me pare ndryshoi sistemin e që 12 vite me pare kaloi nje krize nga piramidat financiare ka kuptuar se te tilla kriza kërkojnë rregulla  te domosdoshme , reforma urgjente dhe te reformatorë  të guximshem.Nga eksperienca jone kemi mesuar se historia e ndryshimeve te medha flet per epoka besimi.
Por ne kohe te krizave te tilla ekonomia botërore ka nevoje për reforma të mëdha dhe reformatorë mëdhenj, ka nevojë për guxim të madh, për rregulla te reja. Ka nevojë për “Testament të ri”,

nga sa po kuptoj nga keto artikujt:

Kriza ne Shqiperi nuk ka arritur akoma (prandaj nuk po flasim per krize), por pritet te arrije duke u bazuar nga lajmet ne EU, US, etj. Duhet te jemi gati dhe te fillojme te diskutojme per te.

Sipas parashikimeve, mekanizmi qe do sillte (ose po e sjell) krizen ne Shqiperi eshte nepermjet eksporteve. Renia e eksporteve do uli fuqine blerese e keshtu me rradhe (kjo ne nje ekonomi normale). Disa artikuj (edhe Civici keshtu e nis) argumentojne qe eksportet ne Shqiperi nuk kane qene aq te medhaja, se Shqiperia nuk ka arritur asnjehere t'i rrisi ato suksesshme. Keshtu qe e mira eshte qe ne nuk do ndikohemi aq shume nga kjo krize. E keqja eshte se fuqia blerese nuk vinte nga eksportet, por nga leket e emigranteve. Per fat te keq edhe te ardhurat e emigranteve kane patur renie, dhe fuqia blerese do kete renie te ndjeshme.

Duke patur parasysh kete situate duhet te bejme dallimin midis politikave ekonomike qe do merren ne EU (dhe vendet e tjera) dhe ato qe duhet te merren ne Shqiperi. Psh, shume ekonomiste (ndoshta dhe IMF she WB) do keshillojne qe te behen ndryshime ne skemat e te ardhurave sociale, ne menyre qe ne kohe krize te perfitojne sa me shume vete nga nje krize e tille. Ne Shqiperi kjo mund te mos jete shume emergjente, dhe kryesorja do jete te gjendet nje burim te ardhurash qe do zevendesoje parate e emigranteve. Pergjigjja me e thjeshte qe te vjen nder mend: eksportet.

Meqe artikulli permend bujqesine, cdo gje duhet te filloje nga ndarja e tokes. Eshte cudi se si eshte harruar kjo ceshtje tani para zgjedhjesh, nderkohe qe duhet te jete kryesore ne fushate. Ndarjes se tokave u duhet dhene nje zgjidhje, edhe nese kjo do te thote qe disa do te humbin dhe disa do te fitojne.

Per artikullin, nuk po i hyj ne detaje se si eshte shkruar, por diskutimet per reformimin e sistemit financiar boteror lulezojne vetem para takimeve te G-7, G-8 apo G-20 si tani. Ne pergjithesi nuk e kane seriozisht.

Me ne fund nje europian qe e kupton dallimin strukturor mes "Ballkanit" dhe Evropes Qendrore. Ketej nga Kolonite, fatkeqsisht cdo gje matane Atlantikut i vihet vula "Evrope" dhe me kane bere lemsh edhe mue. Ne kete rast autori flet per c'mund te beje BE-u per te na nxjerre ne (gomeret) nga balta.

There is a difference between the Balkan countries and Central European new member states. The former have high current account deficits driven by even higher trade deficits. The latter run current account deficits, but those are mostly driven by the deficits on the income account.

In the case of the Balkan countries, real exchange rate adjustment will lead to lower imports, but increasing exports will take some time, in order to build export capacity in terms of volume and diversity. Therefore, real exchange rate adjustment should be more effective in Central Europe than in the Balkans, in Baltic countries, and in other countries further to the east.

Per rastin Shqiperi: Shqiperia e ka kursin e shkembimit te Lekut 'floating'. Per eksportin nje lek i zhvleresuar eshte mire, po sa para ben kur nuk prodhon/eksporton gje? Inkurajimi i eksporteve kerkon nje politike fiskale kunder-ciklike (dmth shteti te shpenzoje me shume se sa mbledh), por nderkohe FMN po ta ve pushken te koka e po te thote: JO! Tkurr shpenzimin!

Shpetimi vjen nga rritja e eksporteve, por ne rastin e Shqiperise duket sikur s'ka shume shprese

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).