Perse mund ta mbrojme akademine Marubi

Mbasi krijoi geto me banorë hallexhinj të ardhur nga rrethet, pushtetit shqiptar, nuk do as të lerë një dritare hapur për një pjesë të rinisë që thjesht do filma të mirë dhe jo pushtet

Kundër humanizmit të shtirë e të vjetëruar shqiptar, le të themi se ka ardhur vërtet koha që njeriu, ish kapitali ynë gjoja më i çmuar, t'ia lejë më në fund rrugën e lirë konceptit. Që do të thotë se në rastin me të cilin po merremi, halli personal vetëm të shërbejë si sebep reagimi shoqëror kundër pushtetit, i cili është përherë i keq e kundër njeriut; dhe që të dalim ndoshta aty ku ka mungesë te ne: te protesta minore, e ardhur nga poshtë, dhe jo më e organizuar nga organizatat e shoqatat, që tashmë i kanë ezauruar të gjitha modulet e protestës në Shqipëri.

Të hyjmë pra në temë: As të mos bëhemi aq merak për Kujtim Çashkun dhe për "hallin" e tij. Madje do të reagoja me dhimbje, por dhe me qesëndi, ndaj patetikës së tij në çastin e mësymjes së policëve tek akademia Marubi: një protestë pak a shumë financiare, e vonuar në kohë, e papërpunuar si mizanskenë.

Por ndoshta ky incident mund të thyejë sadopak edhe elitizmin e sforcuar të gjoja-ish-elitës intelektuale tiranase, qoftë edhe atë të Çashkut. Ndoshta e gjitha kjo mund të bëjë nesër që ai vetë të mendohet më mirë kur të ketë marrëdhënie, si dikur, me pushtetin. Ndoshta nesër - pas kësaj avarie personale - ai, vetë Çashku etj, do ta ketë më vështirë të shihet e të radhitet në prani të figurave të pushtetit, si dikur te bar Dashuria, apo ku di unë...

Por mësymja e policëve është, ama, e shëmtuar. Është dhunë, dhe s'ka emër tjetër për të.

Ky shkrim po mundohet të anashkalojë të gjitha aferat dhe logjikat ligjore, përderisa unë s'jam fatmirësisht as drejtor tatimesh, as nëpunës përmbarimi. Por mendoj, nëse mund të kemi pak shtytje sot për t'u marrë me mbrojtjen e Akademisë Marubi, kjo mund të lidhet vetëm me një gjë të vogël: me kultivimin e kulturës së protestës në rang estetik, në rang shijeje dhe po aq në rang politik, si çdo estetikë, dhe si çdo reagim-ballafaqim me pushtetin e madh.

Dhe këtu na del fatkeqësia më e madhe e tranzicionit tonë: që ne, vendi i shqiponjave, ne ish kalaja e buzës së Adriatikut, ne vendi me 0,1 heronj për metër katror, ne, fatkeqësisht nuk jemi aspak një shoqëri. Dhe ndjesia për të qenë mirëfilli shoqëri, nuk pret mirëfilli gjë nga pushtetet, nga asnjë lloj pushteti (le më pastaj shteti). Mendoj se ajo, shoqëria, fillon kur protesta nuk ka më lidhje as me sëmbimin e zemrës, as me organizimin e ndjenjës, as të drejtuar nga Mjafti, as nga cilido organizëm që herët a vonë do të shitet në pushtet, thjesht nga fakti se është organizëm.

Edhe një herë: mendoj se konceptualizimi i çështjes mund të fillojë vetëm pasi të tejkalojmë burokracitë e pronës, të afateve, të vendimeve vkm, të të drejtave dhe detyrave. Por kulmi fillon aty ku është vërtet kulmi: te telat me gjemba. Por dhe më tej: te fakti se është aq e pamundur të mendohet te ne që disa qytetarë shqiptarë, të kenë të drejtën e vetvetishme që të shohin një kinema e filma shumë të ndryshëm nga ato që shet-e-pjerdh Millenium. Që disa qytetarë, të kenë të drejtën të mendojnë dhe të jetojnë më ndryshe nga kryetari i bashkisë, apo nga fotokopjet njerëzore të çdo lloj pushteti: shqiptar, hollivudian, maxhoritar, të të gjithë atyre që kanë marrë me dhunë dhe parà të drejtën e prepotencës dhe dominimin e imazhit.

Të themi shkarazi, për historik, që dikur në Paris, kur ministri i kulturës André Malraux (po, pikërisht i shkreti Malraux!) vendosi të mbyllte një kinematekë, kjo masë idiote u bë shkas për të shpërthyer gjithë revolucionin e vitit 68. Kineastë si Godard e Truffaut madje arritën të ndërpresin festivalin e Kanës si reagim e protestë.

Por unë nuk shpresoj shumë në shkallëzime të tilla në Tiranën tonë tashmë as heroike, sa-për-të-thënë socialiste, edhe të kuqe por edhe blu... Jo, ndoshta ama do të ketë një reagim që vjen nga disa qytetarë, studentë e të tjerë, që nuk iu rruhet fare për rinumërimin e votave nga kqz, apo ojq, apo kshh, apo ku di unë, por se ata protestojnë, ne, protestojmë, që të kemi aq të drejtë sa të ndjekim një shije të caktuar, atë që "ikonat" tona të pushtetit ose s'e kanë për réféné, ose e kanë abandonuar.

Shkurt, mbase do arrijmë në një revolucion të vockël fare, por sa për të bërë me dije shoqërinë joekzistente shqiptare, që ekzistojnë edhe disa frymorë të tjerë shqiptarë, që thjesht nuk duan t'i binden asnjë pushteti, jo vetëm të Berishës apo të Edi Ramës, se kjo është kollaj, por asnjë pushteti që dikton preferencën e që lufton, me ndërgjegje ose jo, çdo formë, çdo modul të rezistencës mendore. Tek e fundit, jeta vetëm me një punë të mirë dhe me një dalje te Mumja apo te Llollipop, nuk është kusht i nevojshëm për çdo banor të republikës sonë ish socialiste, jopopullore, aspak demokratike të Shqiprisë.
Pse ky zinxhir? Pikërisht kjo nga droja, nga mangësia e madhe e kontestimit intelektual e konceptual ndër ne.

Ajo mungesë e madhe e pozicionimit kundër pushtetit shtetëror. Fare rastësisht, në një takim, kineasti dhe gazetari francez Laurent Jarrige më nxiti kureshtjen kur më tha se Ismail Kadare do të kishte bërë një hap të madh në kulturën e alternativës në Shqipëri sikur ta kishte refuzuar çmimin që mori së fundi nga Ministria e Kulturës këtë vit. Ai madje shtoi se tek e fundit Kadare s'ka kontestuar asnjëherë diçka mirëfilli, gjithë duke qenë faktor i madh publik në Shqipëri.

E gjitha kjo bisedë erdhi pikërisht sajë përfoljes së madhe që ekziston lidhur me "ndershmërinë" e ministrisë në fjalë sot.

Është e kotë, ndoshta, të pikëllohemi për rrethimin e dhunën ndaj akademisë Marubi në këto ditë. Logjika më e ndershme e trishtimit e do që tek e fundit ne në Shqipëri nuk duam, apo ndoshta s'kemi hiç nevojë mbase për kinema me cilësi (dhe filmat e Kujtim Çashkut nuk është se kanë dhe aq cilësi).

Ndoshta do të duhet që t'i heqim qafe edhe shtëpitë botuese, të gjitha, sidomos ato që duan dhe kërkojnë të botojnë libra jo-komercialë. Edhe radiot, apo emisionet e kujtesës e të debatit.

Mbase tek e fundit kjo Shqipëria jonë hibride e viteve të fundit ka nevojë vetëm për televizione, sidomos ato si Top Channel, televizioni më zaptues, më me stereotipe në Tiranë; ndoshta ne shqiptarëve na u dashka vetëm lufta e përgjithësuar e stresit me anë të telenovelave dhe zëvendësimi bojërozë që Fiks Fare i bën strukturave të vetë shtetit, duke eleminuar çdo formë tjetër kritike sociale, duke eleminuar çdo lloj ekrani tjetër mendor social.

Por një gjë duhet të mbetet e sigurt, një gjë ka për të qenë e sigurt: që njerëzit në Shqipëri përherë dijnë vetiu më shumë dhe më mirë sesa intelektualët e sesa gazetarët. Veçse çdo natë, në çdo trasmetim valor, atyre iu ofrohet me forcë e kundërta, iu jepet dhuna e injorancës.

Dhe kjo është maska sublime, me të cilën çdo pushtet mban ende gjallë në Shqipëri mitin e sotëm të suksesit e të kompleksit.

Pikërisht se ne në Shqipëri jemi popull, jemi hedhës votash, jemi grykës politikë, por aspak një shoqëri.

Atëherë, si përherë, do të na mbeten vetëm dy zgjidhje, ndoshta: ose do të mësohemi të rrimë përjetësisht ngrohtë në këtë atmosferë prej republike bananesh, siç na akuzojnë, ose ndoshta do të na plasë shpirti e truri, dhe do ta na duhet mandej të mendojmë për një regjim tjetër klasor, shpirtëror, mendor e konceptual.

Kinema, hapësirë, fantazma

Fantazma e sotme në kokë të Tiranës është blloku. Pikërisht se nuk ka arritur të mbetet ish-blloku. Gjithë këto vitet e fundit blloku, me kafetë e veta, po bëhet grënësi i të gjithë energjisë rinore, aty është kampi i përqëndrimit "cool" i rinisë në Tiranë. Deri dje kjo zonë, që përmbante vetëm byroistë politikë, tani është bërë teatri i paraqitjes dhe i pjesëmarrjes së gjerë rinore.

Ky "emigrim" i të gjithë rinisë sonë drejt bllokut, ky përqëndrim i habitshëm aty: i të rinjve me lekë, i atyre pa punë, i atyre që punojnë në shtet, i të rinjve që drogohen, i të rinjëve që studiojnë, i të rinjve që vijnë nga studimet jashtë shtetit, i të rinjëve tiranas e i të rinjve të ardhur më vonë në Tiranë etj etj, ky qendërzim në lokalet kalke të njëra tjetrës, më duket diktatura më e madhe e (vet)krijuar në Shqipëri.

Një kinema si Marubi, një ambjent i tillë, ku disa nga ne mund të ndjekin kulturë e filma jashtë masivizimit trushpëlarës, të paktën ekziston si invertim i këtij qendërzimi drejt bllokut. Ne shkojmë drejt bllokut se gjithë "shoqnia" është atje, se në fakt kafenetë e periferisë në Tiranë janë vërtet të shëmtuara e ofensive.

Një ambjent i tillë si Marubi do të mundësojë që disa nga ne t'i hipim autobuzit, pa u veshur me firmato, për të parë ndonjë film të vërtetë e për të folur mbi ta.

Për një arsye te tillë mund të mbrojmë "Marubin", dhe pushteti, dashje pa dashje, këtë mundësi të riurbanizimit tiranas po sulmon. Mbasi krijoi geto me banorë hallexhinj të ardhur nga rrethet, pushtetit shqiptar, blu e rozë, nuk do as të lerë një dritare hapur për një pjesë të rinisë që thjesht do filma të mirë dhe jo pushtet.

Në një farë mënyrë, mua më vjen për mbarë që ky incident i ndodh regjisorit të "Kolonelit bunker". Mbase këtej e tutje ai dhe ne të gjithë do të kemi mprehtësinë të vërejmë bunkerë apo minibunkerë (funksioni është njëlloj) në çdo lloj pushteti.

Por prapë mbetet më kryesorja: pushteti- ashtu si familjet në përgjithësi- e ka për hise të shumohet. Nëse ky ministër i sotëm psikozoanalitik ikën, me siguri një tjetër do mbijë për ta zëvendësuar.

Ky shkrim vjen, natyrisht, brenda disfatës së pritshme: qeveria do i lerë Çashkut atë godinë që ka, dhe një ndërtesë do t'i ngrihet asaj mbi kokë, t'i tregojë me ngërç ekzistencën e vet me rrënjët thellë te shteti (sikundër dikur pretendonim që i kishim rrënjët te populli).

Megjithatë një gjë duket si një fantazmë në këtë dritëhije mediatike shqiptare: Lufta mendore ka filluar tashmë, subjekte shqiptare që nuk janë as ish enveristë, por as mish për top i partive të sotme, kanë filluar të ekzistojnë. Një vrimë që arrin të hapet në realitet zor s'e mbyllet më.

8 Komente

PRAPE MARUBI???????!!!!!!!!!!!

 

Po me behet te besoj se ka nje hile ne kete mes. Interesa personale mbase??????? smiley

Nejse

Mbasi krijoi geto me banorë hallexhinj të ardhur nga rrethet, pushtetit shqiptar, nuk do as të lerë një dritare hapur për një pjesë të rinisë që thjesht do filma të mirë dhe jo pushtet

Sepse pushteti shqiptar beri nje gabim, apo  nje krim mos valle duhet lare ky gabim apo krim  me nje gabim apo krim tjeter?

Marubi ishte jashte ligjit ne ate vend pra duhet zbatuar ligji Nese qeveria nuk e zbaton njesoj ligjin edhe per bathoren,  E DREJTE....  SHUME E DREJTE...   por hajde ti kerkojme qeverise te zbatoj ligjin ne bathore njesoj si me Maribin Por qe te mbrojme Marubin qe shkeli ligjin....???

O njerez e kuptoni ku po e coni shqiperine me kete mendesi?????????? 

O milet mblidhni mendjen dhe mjaft me Marubin per hir te fushates.

"Lufta mendore ka filluar tashmë, subjekte shqiptare që nuk janë as ish enveristë, por as mish për top i partive të sotme, kanë filluar të ekzistojnë. Një vrimë që arrin të hapet në realitet zor s'e mbyllet më."  mesazh inkurajues i shkrimit

Na merziten me kete kembengulje per ti thene te zezes e bardhe.Sot kishte nje artikull te Panorama qe besoj se vlen si pergjigje

Mark Marku 

Henri Çili, miku im, i cili kohët e fundit i fillon shkrimet duke rënë dakord me njërën palë dhe i mbyll ato duke rënë dakord me palën tjetër (dhe nëse ka më shumë aktorë të cilëve u drejtohet, bën kujdes që në rrjedhën e shkrimit të bjerë dakord me të gjithë aktorët), ka polemizuar dje me një shkrim timin “Pse nuk mund të mbrohet Marubi”, botuar në faqet e “Panorama”. Çili në shkrimin e tij, i merakosur në mënyrë legjitime për biznesin e arsimit të lartë si pronar i njërit prej bizneseve të kësaj fushe (UET-s&eumlsmiley, pasi më jep të drejtë, solidarizohet në mënyrë të spërdredhur me Çashkun duke hedhur njëherësh edhe disa teza me interes për t’u debatuar lidhur me politikat arsimore dhe kryesisht për mënyrën se si duhen përdorur fondet publike në arsimin e lartë.
Teza kryesore e Çilit është pak a shumë kjo: shteti duhet t’i përdorë fondet duke mbështetur në mënyrë të barabartë si universitetet publike ashtu edhe universitetet private dhe këtë e justifikon me faktin që, sipas tij, edhe universitetet private kryejnë shërbime publike. Pa ose me dashje, zoti Çili ngatërron që në fillim konceptin e publikes me privaten. Në gjithë botën, koncepti i shërbimit publik nënkupton faktin që disa shërbime jetike i ofrohen publikut nën koston reale të tyre. Shteti e kompenson pjesën tjetër të kostos duke i mbështetur institucionet publike me fondet e mbledhura nga taksat. Kështu, në një farë mënyre, ai u garanton kushtet minimale jetike të gjitha shtresave shoqërore. Për ta ilustruar shpjegimin e mësipërm le të marrim një shembull: në universitetet publike, sipas të dhënave të Universitetit të Tiranës (më saktë sipas llogarive të Fakultetit të Historisë dhe Filologjis&eumlsmiley, kostoja e një studenti është 80 mijë lekë (të reja) në vit. Studentët shqiptarë paguajnë rreth 20 mijë lekë (të reja) ndërkohë që pjesa tjetër përballohet nga shteti. Kjo siguron një arsim demokratik, edhe pse shpeshherë jo me standarde të larta. Në universitetet private ndryshon puna. Aty paguhet një shumë që shkon nga dy deri në tre mijë euro në vit, gjë që mbulon jo vetëm koston e studimit, por edhe që u lejon këtyre universiteteve të nxjerrin pjesën e tyre legjitime të fitimeve. Pra, nëse në universitetin publik është shteti ai që garanton ekzistencën e tij, në universitetin privat është tregu ai që ia garanton ekzistencën.
Çili propozon një reformë për shpërndarjen e parave shtetërore në sistemin e arsimit, por “harron” të propozojë edhe një reformë për mënyrën e vënies së tarifave dhe administrimit të tyre. Nëse sistemi privat duhet të favorizohet njësoj si ai publik nga fondet e shtetit, atëherë duhet që ai ose të ulë tarifat, ose, në të kundërt t’u lejohet universiteteve publike që të ngrenë tarifat e pranimit në të njëjtin nivel me atë privat për të qenë të barabartë në konkurrencën me të. Në rastin e parë do të shkonim drejt shtetëzimit të sektorit privat dhe në rastin e dytë do të shkonim drejt privatizimit të sektorit publik e në të dyja rastet do të shkonim drejt zhdukjes së dallimeve mes tyre. Edhe pse unë personalisht do të isha me variantin e fundit, mendoj se një gjë e tillë është e paarritshme. Pse?
Së pari, sepse ne jemi një vend që synojmë integrimin në Europë dhe si hap të parë të integrimit arsimor ne kemi nënshkruar konventën e Bolonjës, kështu që e ardhmja jonë arsimore, na pëlqen ose nuk na pëlqen, është përshtatja me këtë sistem. Në vendet europiane, me përjashtim të Britanisë së Madhe, koncepti i privatizimit të sistemit të arsimit publik është i papranueshëm. Në Francë, arsimi i lartë privat është thuajse inekzistent, në Gjermani gjithashtu, në Itali i dobët krahasuar me sistemin publik dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Greqinë fqinje.
Së dyti, kjo është e pamundur sepse, privatizimi i sistemit të arsimit të lartë publik, ose shtetëzimi i sistemit të arsimit të lartë privat do të thoshte që të njëjtën gjë ta shtrish në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, që nga ai parashkollor e deri tek studimet doktorale. Madje, edhe në shërbimet e tjera publike si shëndetësia apo ndonjë fushë tjetër. Deri tani nuk është paraqitur ndonjë qeveri apo ndonjë parti politike që ta përfshijë një gjë të tillë në programin e saj. Ndonjë tentativë siç ndodhi gjatë mandatit katërvjeçar për ta bërë atë de facto të kryer dështoi sa për shkak të reagimeve në disa nivele të vendimmarrjes, aq edhe për shkak të pasojave të paimagjinueshme që mund të kishte realizimi i një gjëje të tillë në publik. Ky ndryshim nuk mund të bëhet duke blerë me paratë e universiteteve private ndonjë ministër të korruptuar, siç ka pasur tentativa gjatë këtyre viteve, por duhet të futet në programin elektoral të ndonjë partie të guximshme, t’i paraqitet votuesve dhe nëse një program i tillë votohet le të realizohet.
Aktualisht, qeveria e sotme dhe ajo e mëparshmja ka pranuar liberalizimin e arsimit të lartë, duke lejuar bashkëjetesën e sistemit publik me atë privat, të njëjtën gjë që ka bërë me tregjet e tjera që në fillim të viteve ‘90. Universitetet private, kur kanë depozituar kërkesën për licencim, kanë deklaruar se i kanë burimet e domosdoshme financiare dhe njerëzore për të mbajtur mbi shpatullat e tyre një aktivitet të tillë dhe nuk kanë pretenduar të kenë mbështetjen financiare të shtetit. Nëse disa prej tyre gjenden në vështirësi, atëherë duhet të shpallin, së pari, falimentimin e më pas shteti duhet të ndërhyjë për të marrë përsipër studentët, të cilët janë kategoria që nuk duhet të dëmtohen në këso rastesh, pasi ata nuk kanë asnjë përgjegjësi. Gjëja e vetme që mund të bëjë shteti në këtë situatë në favor të universiteteve private është ulja e tatimeve mbi fitimet, pasi edhe pse arsimi privat është një biznes, ai për nga natyra e sistemit ku vepron është biznes i veçantë. Kjo nuk do të thotë se duhet ngatërruar me institucionet publike për faktin se i shërben publikut, siç thotë Çili, pasi publikut i shërbejnë edhe furrat e bukës, edhe taksitë, edhe fabrikat, edhe firmat e ndërtimit, edhe shitësit e qofteve, shkurt të gjitha bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.
Sa për solidaritetin me Çashkun, dua t’i kujtoj mikut tim Çili se është krejtësisht kontradiktor për tre arsye. Së pari, sepse inkurajon shkeljen e ligjit, domethënë mospagimin e qirasë nga ana e zotit Çashku dhe zaptimin e territoreve që ai nuk i ka në pronësi. Çili vetë nuk e bën një gjë të tillë pasi, me sa di unë, UET paguan rreth 24 mijë euro në muaj qira për një godinë të cilën e ka rikonstruktuar për t’ua vënë në dispozicion studentëve, duke krijuar kushte ideale për mësimdhënie, gjë që e kam konstatuar vetë si mësimdhënës i jashtëm tek UET-ja. Së dyti, sepse konceptimi i shkrimit në mënyrë të tillë që t’u japë të drejtë njëherësh të dy palëve (mua dhe Çashkut) me pikëpamje diametralisht të kundërta e çon detyrimisht në një kontradiktë logjike ideore, pasi tezën e përgjithshme e ka tërësisht liberale, kurse të dytën atë që mbron shkollëzën intime të Çashkut tërësisht etatiste. Së treti, sepse ai në të njëjtën gjatësi vale me miqtë e tij zemërdhembshur, mendon se arti shqiptar ka nevojë për riprodhimin e artit dhe artistit të realizmit të socialist në kohët moderne. Këtu ndahemi tërësisht, pasi unë mendoj se Kujtim Çashku, regjisori i filmit më të pështirë të kohës së komunizmit Dora e ngrohtë, film që glorifikon sigurimin e shtetit dhe autor i disa filmave të tjerë mediokër e propagandistikë, përfshi këtu edhe filmin e xhiruar në kushte të plota lirie krijuese në kohën e demokracisë Gjeneral Bunkeri, nuk mund të jetë formuesi i talenteve të reja në fushën e kinemasë në Shqipëri. “Marubi”, në këtë këndvështrim nuk ofron asgjë të re krahasuar me Akademinë Publike të Arteve, përkundrazi. E vetmja gjë e re që u ofron Çashku studentëve është shuma prej disa mijëra eurosh që u merr në vit, ndërkohë që  Akademia Publike e Arteve u merr më pak se 200 euro.
Si mik, do t’i kujtoj zotit Çili se në Shqipëri, një kategori njerëzish, që ka shtënë në dorë mediat, partitë, bizneset, institucionet arsimore publike dhe private, shoqërinë civile, për shkak të interesave vetjake, familjaritetit apo edhe konformizmit, po institucionalizojnë në jetën publike një standard prostitucioni publik të pashembullt. Të gjithë bashkë, pavarësisht dasive, përbëjnë një lukuni, pre e përbashkët e të cilave janë parimet, idetë, pasuria publike dhe sidomos publiku i çorientuar. Ata janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë (dhe këtu e ka dhënë ndonjë shenjë edhe Çili teksa e bën Barakun, Erion dhe Erionin, Barak), të ligjshmen të paligjshme, të moralshmen të pamoralshme, dhe anasjelltas. Uroj që zotin Çili të mos e gllabërojë kjo lukuni dhe në shenjë respekti për të po e mbyll shkrimin në stilin e tij: faleminderit Çili, faleminderit Çashku, faleminderit të gjithëve, faleminderit, faleminderit, faleminderit...

Ne shkrimin e pare dhe ne kete, Marku i ka vene pikat mbi I.  Biles edhe po te doje ndonje aty ne qeveri te beje ndonje levizje qe shkon ne dem te ligjit, duhet kundershtuar dhe reaguar me force.  Megjithese sic e cek edhe Marku, eshte nje grup i tere, qe kontrollon media dhe shume gjera qe kur i intereson, flet per zbatimin e ligjit, respektin per te etj., kur nuk ju intereson thone qe edhe pse shkelet ligji, nuk ka gje.

 

Mgjs i shkruar me nxitim thuajse si deklarate emocionale shokeve, ky shkrim flet me sinqeritet per varferine e Tiranes, me nje sinqeritet qe nuk prishet as nga tentativa per analize dhe qe i qendron siperor shume analizave te tjera. Kjo fare vdekjeje e parakohshme e shpirtit eshte shume e ndjeshme. Qe arti mund te na shpetoje, kete e kane thene shume te tjere dhe shume me bukur.

Nuk e njoh kush eshte ky autor i shkrimit, por desha te them qe per sa kohe qe ne Shqiperi ka te rinj qe mendojne ne menyre te tille, d.m.th qe ka shprese.

Nuk e njoh kush eshte ky autor i shkrimit, por desha te them qe per sa kohe qe ne Shqiperi ka te rinj qe mendojne ne menyre te tille, d.m.th qe nuk  ka asnje  shprese. smiley

Toko, pse me dole kondrapedal?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).