Periferi/ Mësim civilizimi nga Kavaja

Dje ndoqa në lajmet e NEWS24 një nga ngjarjet më të bukura, më optimiste, që kisha kohë pa dëgjuar në të përditshmen e ngjarjeve në vend. Eshtë një lajm periferie. Vjen nga një lagje e varfër e Kavajës, ku banorët po bëjnë protestën më civile. Protestë që flet shumë, shumë, më shumë se çdo fjalim politikani a gazetari të talentuar. Historia është kjo: Bashkia e Kavajës do të nisë asfaltimin e kësaj rruge (në ekran duket një rrugë tërë pluhur e gropa). Për 200 familjet që jetojnë aty duhet të ishte një lajm i mrekullueshëm. Kush nuk e do një rrugë të shtruar?! Por kavajasit po e bllokojnë: “Të ndalin punimet, thonë, - duan të na hedhin hi syve e të shtrojnë rrugët pa bërë kanalizime. Eshtë mashtrim elektoral”. Në Bashki nuk ua hap derën kush për t’i sqaruar dhe të bësh një rrugë pa kanalizime në Shqipëri e dimë se çfarë do të thotë: 5 muaj asfalt, për t’u rikthyer shpejt në ankthin e rrugës së prishur. Në ekranin e Neës24 gazetari me të drejtë fokuson ujrat e zeza e të bardha në qiell të hapur dhe çdokush me një formim edhe mesatar civilizimi mendon: Jemi vërtetë budallenj apo ka njerëz që kanë informacione të sigurta se ne shqiptarët jemi të tillë: mund të hamë gjithçka. Në fakt janë bërë shumë rrugë të tilla në Shqipëri! Sidomos në prag të fushatave elektorale. Pat bërë një rrugë kështu Spartak Poci te “Ali Demi”dhe humbi zgjedhjet, edhe Anastas Angjeli shtroi një të tillë në “Qytetin Studenti”, dhe banorët e ndëshkuan me votë. Në Kavajë, në zonën ku po protestojnë banorët është kandidat kryeministri aktual, Sali Berisha dhe ai, duke ndjekur metodën e njohur të socialistëve ndoshta mendon se kavajasit janë ndryshe nga banorët e “Ali Demit” apo të “Qytetit Studenti”. Mendon se janë si shumë gojëmbyllur që gëlltisin pa kushte veprime nga më poshtërueset të pushtetit. Por jo. Qytetarët e asaj lagjeje të varfër kavajase po reagojnë, siç duhet të reagojë kushdo që trajtohet si budalla i radhës nga pushteti. Rastet e Tiranës, Kavajës më japin shumë shpresë për një rizgjim të ndërgjegjes qytetare. Uroj që një “dhuratë” e dytë pas protestës, të mos shuajë gjithçka.

4 Komente

Në Kavajë, në zonën ku po protestojnë banorët është kandidat kryeministri aktual...

Ç'duan më tepër ata kavajsat? se pak ju duket që t'ju asfaltohet rruga një herë në 4 vjet?

Ata nuk e meritojnë nderin për të votuar për Kryeministrin tonë!

Lind pyetja: Ku mund të kandidohet kryeministri për të patur sërish fitore të padiskutueshme?

E cfare forme eshte protesta ?
Quhet Civile,

 Eshtë një lajm periferie. Vjen nga një lagje e varfër e Kavajës, ku banorët po bëjnë protestën më civile

Thuhet se po bllokojne rruget

Për 200 familjet që jetojnë aty duhet të ishte një lajm i mrekullueshëm. Kush nuk e do një rrugë të shtruar?! Por kavajasit po e bllokojnë

Cila eshte forma e protestes?

Demostrim? ( alla PDje)  Greve urije? ( alla sinidikatash) Dale ne shesh dhe ulur kembkryq tek rruga ( alla Mjafti)? , gjuajtur me gure fadromave qe po shtrojen rrugen ( alla palestinesce) ? Apo thjesht muhabete kafenesh ? ( alla shqiptarce)

Autori nuk na e ka shpjeguar kete. Me le pershtypjen se diten e merkure autori ishte ne Kavaje me sherbim. Tek klubi i qendres ka takuar disa banore te lagjes qe po pinin kafe e raki dhe i kane thene se ata nuk jane dakort me rrugen per pune kanalesh e pislliqesh te tjera si keto. Me tu kthyer nga sherbimi autori pasi ka futur ne xhep paret e sherbimit i ka fut nje shkrim per protesten e banoreve ne ate lagje, ndersa admin meqenese jemi ne kohe fushate e flitet kunder Berishes dhe qeveris e sollen ketu tek peshku.

Ku eshte mesimi i civilizimit ketu se s'po e kuptoj ?  Ketu s'ka asgje per civilizim, eshte mese normale qe ata njerez te ankohen per rruget dhe ambjentin perreth.. Kjo proteste nuk i ben te civilizuar, por te ndergjegjshem.

 

Kavajsit ta hane sapunin per djathe dhe ta shtyjne me uje sa here u ngec ne fyt, se per faj te votave te tyre nuk na shkulet nga parlamenti ky fare kryeministri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).