Përballimi i krizës - pse “grinden” ekonomistët?

Lajmet për krizën ekonomiko-financiare sa vijnë e bëhen më shqetësuese Pasojat sociale të saj po ndjehen në çdo cep të globit. Paralelisht, statistikat negative po ecin së bashku me frikën e tronditjeve akoma më destabilizuese që mund të prekin vende apo kontinente të veçanta. Tashmë askush nuk mendon se kjo është një krizë e përkohshme, konjukturore, apo e lokalizuar. Shifrat negative për ekonominë, financat, punësimin, tregtinë, etj., duket sikur janë vënë në një garë të frikshme me kohën. Edhe shembulli më i keq referues, ai i barazimit me shfaqjet dhe efektet e krizës më të madhe në histori të kapitalizmit, atë të viteve 1929-‘33, nuk duket më diçka e pamundur. Realiteti i sotëm dhe perspektiva e tij e afërt, duket sikur e ka vënë kapitalizmin dhe shkëlqimin e tij “me shpatulla për muri”. Për përballimin dhe daljen nga kriza po propozohen e po ndërmerren politika nga më radikalet, po kthehen sytë nga instrumente e metoda ekonomiko-financiare që duket sikur i kishte mbuluar pluhuri i kohës. Përtej rëndësisë dhe garancisë për përballimin me sukses dhe daljen nga kriza, ajo që vihet re është angazhimi në një shkallë të gjerë, i paprecedent deri tani në historinë e kohërave moderne, i liderëve politikë më të mëdhenj të botës, qeverive, bankave, institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, akademikëve, ekspertëve etj.
Por, në këtë frenezi globale për të shpjeguar shkaqet e kësaj krize, e mbi të gjitha, për të gjetur dhe përdorur instrumentet më të përshtatshme për eliminimin e efekteve të saj, ka një debat të ashpër. Propozohen paketa e plane “antikrizë” nga më të imagjinueshmet vetëm 2-3 muaj më parë, insistohet në instrumente ekonomike e financiare të anatemuara për dekada me radhë si “jo eficente” apo akoma më keq “shkatërruese” për logjikën e ekonomisë së tregut etj. Paralelisht, po nga zëra kaq autoritarë e cilësorë, si p.sh., ekonomistë e financierë të shquar Nobelistë apo edhe kandidatë për Nobelistë, reagohet ashpër se nuk është kjo rruga e duhur, se “në këtë mënyrë po shkelim rregulla e parime “të shenjta” të kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut etj. Sapo u prezantua “Plani Paulson” në SHBA në fund të 2008-ës, menjëherë u akuzua për rikthim në metodat marksiste e socialiste; sapo liderët kryesorë evropianë propozuan planin e tyre antikrizë, menjëherë pati një “apel të ekonomistëve” për rreziqet e këtij plani; sapo Presidenti Obama shpalosi skenarin e tij për daljen nga kriza, ekonomistë nga më të shquarit në SHBA dolën kundër me një apel publik drejtuar presidentit etj.
I njëjti debat dhe e njëjta situatë, ndonëse në miniaturë, duket se po ndodh në shumicën dërrmuese të botës, përfshirë këtu dhe Shqipërinë. Duke përjashtuar debatin që mbetet vetëm në nivelin politik dhe për qëllime politike, edhe në Shqipëri po përvijohen dy pozicione e vizione të kundërta për mënyrën e reagimit ndaj krizës dhe efekteve të saj. Dilema: kemi apo nuk kemi krizë është mëse e kotë. Megjithëse nuk jemi një vend tipik në krizë, nuk ka më kuptim ta mohojmë se efektet e krizës po ndjehen çdo ditë dhe për më tepër, askush nuk mund të japë një dinamikë e shtrirje të mundshme të tyre në të ardhmen. Zvogëlimi i remitancave, nënvleftësimi i lekut kundrejt euros dhe dollarit, shtrëngimi i kredive, vështirësitë e eksporteve dhe rënia e importeve, problemet e sektorit të industrisë me material porositësi, parashikimet dhe vlerësimet e disa organizmave të rëndësishme ndërkombëtare për një ulje jo të vogël të PBB për 2009, problemet e mjaft bizneseve me disponibilitetin e burimeve financiare etj., janë pa dyshim elemente të efekteve të krizës globale në Shqipëri. Nuk ka më kuptim që në këtë situatë të ekonomisë e financave botërore që ndodhen në vështirësi të jashtëzakonshme, ne të vazhdojmë ta trajtojmë krizën dhe efektet e saj në Shqipëri vetëm si meritë apo dobësi të qeverisjes. Nuk ka kuptim që për hir të kapitalit politik, ta anashkalojmë apo akoma më keq, ta injorojmë atë çka po ndodh rreth nesh, dhe që pa dyshim, do na afektojë dhe ne. Më shumë apo më pak, kjo do varet nga masat parandaluese dhe paketën e reformave “antikrizë” që do hartojmë e zbatojmë. Por, pikërisht këtu fillon dhe komplikohet problemi. Këtu fillojnë “grindjet” e ekspertëve, politikanëve dhe ekonomistëve. Në rast se duhen ndërtuar menjëherë paketa të tilla masash, ku duhet të mbështetemi? Cilin duhet të marrim për referencë apo shembull?
Për ata që nuk kanë shumë njohuri në ekonomi, diferenca ndërmjet politikave dhe masave ndërhyrëse të tipit keynes-ian dhe atyre liberale të mosndërhyrjes në treg, përqendrohet vetëm tek shkalla e implikimit të shtetit në ekonomi. Liberalët dhe keynes-ianistët grinden gjithashtu edhe për rolin e parasë dhe tregjeve financiare. Për liberalët, shteti thjesht duhet të respektojë lojën e lirë të kërkesës dhe ofertës në treg dhe t’ia lërë “dorës së padukshme” vendosjen apo rivendosjen e ekuilibrave në treg. Për Keynes-ianët, përkundrazi, shteti duhet të jetë sa më prezent në ekonomi dhe në tregje, të iniciojë sa më shumë investime publike dhe nëpërmjet të famshmit “shumëfishues keneys-ian” të tentojë të rrisë PBB, rritjen dhe konsumin duke bërë që jo vetëm të përballohet kriza, por dhe të nxitet një zhvillim në shkallë të gjerë. Për këtë, këto lloj politikash avantazhojnë punët e mëdha publike, siç po bën sot Obama në SHBA, rritjen e pagave në shumë degë e sektorë të ekonomisë, siç po bëjnë sot mjaft vende evropiane etj. Natyrisht që liberalët, monetaristët etj., janë totalisht kundër kësaj mënyre veprimi duke dhënë mjaft shembuj e argumente për pasojat negative që mund të ketë aplikimi i politikave të tilla. Sukseset e politikave liberale të Reagan-it në SHBA, Thatcher-it në Angli etj., janë prova më e mirë argumentuese e tyre. Në këtë situatë krize, ekonomistët duken më të përçarë dhe më të ndarë se kurrë.
E njëjta situatë duket se ekziston edhe në Shqipëri. Në emër të të qenit “në rregull me teorinë”, ose me “rekomandimet” e mjaft institucioneve ndërkombëtare, shpesh në debatin politik dhe atë të ekspertëve në Shqipëri ka mjaft “referenca” strikte teorike kur është fjala për të sugjeruar instrumente e metoda për përballimin e efekteve të krizës. Përgjithësisht, e djathta insiston jo në pak raste se “ne nuk ndërhyjmë në treg”, “nuk devijojmë tendencat e tregjeve”, “është vetë kërkesa dhe oferta ajo që do ta sjellë shpejt ekuilibrin e munguar dhe do rregullojë devijimet e momentit”, etj., etj., të kësaj natyre. Nga ana tjetër, nën këndvështrimin e majtë insistohet se shteti duhet të marrë përsipër dhe të zgjidhë gjithçka, se “duhen reforma të forta rregullatore”, duhen politika buxhetore e fiskale lehtësuese, duhet mbështetje totale për të gjithë shtresat në nevojë etj.
Po çfarë duhet të bëjmë atëherë? Si mundet, që duke pranuar se nuk jemi vend tipik në krizë, por që po prekemi jo pak nga kriza aktuale, të gjejmë mekanizmat dhe politikat e nevojshme të përballimit të situatës dhe zbutjes së efekteve të saj? Përvoja e shumë vendeve të zhvilluara apo në zhvillim që janë shumë më të ndërgjegjshëm se ne për t’i pranuar efektet negative të kësaj krize, që tashmë, qoftë edhe si skenarë emergjence rezervë, kanë hartuar paketa antikrizë, dëshmon për disa elemente thelbësore të politikave dhe metodave të tyre.
Fjala çelës është bërë fjala “pragmatizëm”. Dhe bashkë me të, shmangia e çdo lloj “frike” se po shkelin postulatet e teorive ekonomike aktuale. Presidenti Obama u shpreh pa ekuivoke në favor të strategjisë dhe veprimit “blini sa më shumë produkte amerikane”, një fjali që ishte anatemuar rregullisht prej një shekulli në SHBA, Presidenti francez Sarkozy foli hapur në favor të “nacionalizmit ekonomik” dhe “politikave proteksioniste” për Francën dhe Europën, Kryeministri anglez Gordon Brawn pranoi se skenari i nacionalizimit të disa bankave ishte një opsion serioz për garantimin e kursimeve dhe evitimin e një skenari të ngjashëm me 1929, Kancelaria gjermane Merkel kërkoi një organizëm të ngjashëm me OKB-në që do të menaxhonte ekonominë dhe financat botërore, shumë kryeministra e kryetarë të tjerë shtetesh flasin çdo ditë për masa favorizuese e mbrojtëse për industritë dhe sektorët kryesorë të ekonomive të tyre, duke “harruar” shumë angazhime ndërkombëtare të deritashme në kuadrin e OBT etj.
Mendoj se kjo frymë duhet të ekzistojë dhe në Shqipëri. Përballimi i efekteve të krizës kërkon mbi të gjitha mbështetje dhe mbrojtje për prodhimin vendas, sidomos atë bujqësor e ushqimor; kërkon ndërhyrje precize të mirë adresuara në sektorët më delikatë që kushtëzojnë rritjen ekonomike dhe punësimin si ndërtimi, shërbimet, industria me fason etj.; kërkon politika të qarta dhe të precizuara për mbështetjen e eksporteve dhe reduktimin e importeve; kërkohen dhe pranohen “zgjidhje të natyrës buxhetore” sa më në favor të këtyre mbështetjeve qoftë edhe duke “shkelur” ndonjë tregues apo indikator që deri tani e kemi ruajtur si të “shenjtë”; kërkon mbi të gjitha sinqeritet dhe përgjegjshmëri të lartë politike kur flitet e debatohet për efektet e krizës dhe përballimin e tyre. Me krizën nuk duhet bërë “luftë” politike apo retorikë teorike. Është ndoshta subjekti më delikat ku kërkohet konsensusi maksimal në përcaktimin e politikave dhe paketave mbështetëse ekonomiko-financiare. Në rast të kundërt, pasojat mund të jenë shumë të padëshirueshme për të gjithë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).