Për një Shqipëri anormale

Në replikën e tij me shkrimin tim “Shëmtimi pervers i PD-së”,  kolegu Çili argumentonte se nuk ka asgjë perverse në sulmet e PD-së ndaj liderit të opozitës. Sipas tij kemi të bëjmë me një ligjërim tipik konservator që merret me jetën private të kundërshtarit politik, sikurse ndodh me shumë parti konservatore në Europë apo Amerikë. Empirikisht ky argument qëndron. Po të shikojmë fushatat elektorale të Xhorxh Bushit në Amerikë të organizuara nga strategu i tij Karl Rove, do shikojmë se ato janë marrë shumë me jetën personale të kundërshtarit. Kështu kur Bush konkurronte përballë Mekeinit brenda Partisë Republikane, Karl Rove hapi fjalë se fëmija me ngjyrë që Mekeini kish adoptuar ishte në fakt fëmija i tij ilegjitim jashtë martese. Natyrisht kjo nuk ishte e vërtetë, por me t’u mbjellë dyshimi në mendjen e republikanëve që janë kryesisht të bardhë, konservatorë dhe kanë alergji nga fëmijët jashtë martese, sidomos ata me ngjyrë, efekti ishte tejet i madh dhe Xhon Mekeini humbi zgjedhjet, edhe pse në të gjitha aspektet ai ishte shumë superior ndaj Xhorxh Bushit.  
E dhashë shembullin e mësipërm thjesht për të treguar se një realitet empirik qoftë edhe në Amerikë nuk kthehet automatikisht në një dimension normativ në Shqipëri. Pra, fakti që ka parti konservatore që merren me jetën personale të kundërshtarit nuk do të thotë që kjo është apo duhet të jetë normë për partitë konservatore. Përkundrazi për një parti konservatore jeta personale dhe familja është e shenjtë dhe si e tillë respektohet jo vetëm tek vetja, por edhe tek tjetri.  Kështu nëse “shtëpia ime është kështjella ime”, sikurse u shpreh Berisha kur kritikoi futjen e kamerave të “Fiks”-it në shtëpinë e Pangos, atëherë nga një pikëpamje konservatore është imorale të futesh në shtëpinë, dhomën e gjumit apo krevatin e tjetrit. Pikërisht për këtë arsye edhe Karl Rove thashethemet e tij i hapte dhe i krijonte me mjaft kujdes. Thashethemin për Mekeinin ai e krijoi nëpërmjet një pyetje “të pafajshme” që i drejtohej republikanëve në një pyetësor elektoral ku thuhej; ”si do të ndiheshit ju nëse merrnit vesh që Mekein ka një fëmijë me ngjyrë jashtë martese?” Pyetje të tilla për çështje kaq personale ngaqë janë në thelb të pavërtetueshme mbjellin dyshime që nuk fshihen dot kurrë. Ama edhe në këtë rast marrja me jetën personale të kundërshtarit, edhe pse vërtet perverse, bëhej fshehtas dhe në mënyrë të sofistikuar. Dhe jo siç bën PD-ja sot duke nxjerrë zëdhënësin e partisë që na thotë para kamerave muhabetet që, sipas tij, Rama ka bërë me gruan e tij të parë në dhomën e gjumit. Apo kur vetë lideri i PD-së del dhe flet për kastrimin e Ramës para turmave elektorale.   
E megjithatë kolegu Çili përsëri ka të drejtë; kjo tashmë duket se nuk i bën më përshtypje njeriu dhe për pasojë mund të konsiderohet normale. Po ky nuk është një normalitet që ka të bëjë me normat dhe traditën shqiptare apo me vlerat konservatore. Në normat dhe traditën shqiptare familja është vërtet e shenjtë dhe për pasojë rrallëkush futet në intimitetet e saj publikisht. Normaliteti aktual buron nga mpirja e sensorëve tanë normativë, sidomos pas shpërthimit të Gërdecit. Sot pakkujt i bën përshtypje se pushteti mund të ushtrohet me familjarët dhe në funksion të tyre edhe kur prodhon viktima të pafajshme. Sot pakkujt i bën përshtypje se kryetari i PD-së, Berisha, bën koalicion elektoral me kryetarin e PR-së, Mediu, përgjegjësin kryesor politik të Gërdecit. Sot abuzimi me pushtetin është kthyer në dukuri krejt normale, disa e bëjnë me miqtë, disa me fëmijët, disa me familjarët. Madje sot ne të gjithëve nuk na bën përshtypje fare se Rama nesër mund të abuzojë me pushtetin, por thjesht shpresojmë ta bëjë këtë me më pak kosto dhe viktima se sot.
Në të gjitha këto raste normaliteti është zhveshur nga çfarëdolloj norme. Ai është kthyer thjesht në një realitet empirik, ku ajo që ndodh pranohet si normale për faktin e thjeshtë sepse ndodh. I vetmi test normativ është krahasimi me perëndimin; pra nëse pushteti ushtrohet familjarisht në Greqi apo Itali, pse jo edhe tek ne, nëse politika merret me trillime dhe shpifje në Amerikë, pse jo edhe tek ne. Në këtë mënyrë garantohet tejkalimi i çdo norme duke iu referuar deficencave perëndimore me të cilat mund të justifikohet gjithçka. Në mungesë të normave ky normalitet nuk ka kufi, ai kthehet thjesht në pasqyrë të realitetit, duke normalizuar çdo gjë që ndodh brenda tij. Ai zgjerohet pafund duke normalizuar edhe fenomene që më parë do na dukeshin krejtësisht anormale.  Krejtësisht anormale do na dukej më parë Gërdeci, ideja se në kërkim të fitimit mund të vrasësh njerëz të pafajshëm dhe jo vetëm të mos dënohesh, por të futesh edhe në koalicion elektoral dhe të zgjidhesh deputet. Edhe në kohët anormale të diktaturës diçka e tillë do kish qenë e papranueshme.  Krejtësisht anormale do na dukej më parë sharja nga nëna dhe motra që kryeministri Berisha i bëri deputetit Balla. Krejt anormale do na dukej në fillimet e tranzicionit, apo edhe vetëm 4-5 vite më parë, një kryeministër që u flet turmave për kastrimin e liderit të opozitës. 
Shumë nga ata që dje ishin me PD-në në opozitë shumëçka që ka ndodhur sot, dje do t’u dukej e pabesueshme, apo anormale. Krejt anormale do t’u dukej se si anti-korrupsioni mund të prodhonte një korrupsion të përmasave dhe pasojave të papara më parë. Sot të gjitha këto bëjnë pjesë në mozaikun e asaj që miku im Çili e quan “Shqipëria krejt normale”. Dhe ka të drejtë. Prandaj mendoj se sot na duhet një Shqipëri sa më anormale.

2 Komente

Mesa kam pare keto dite ne Shqiperi, ketu ka nje zvetenim te vlerave njerzore, ne radhe te pare, nje egoizem i pa fre. Kam pershtypjen se vetem ne emigrantet na ka ngelur ora ne ato vte ku kishim respekt per njeri-tjetrin, ku kishim dashuri dhe dhembshuri per tjetrin.

Ne Shqiperi ajo qe per boten jashte eshte anormale eshte normale dhe normalja duket si jonormale. Dhe raste gjen sa te duash ne jeten e perditshme dhe jo vetem ne politike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).