PD, arkitekti Igli Cara fiton Durrësin, tërhiqet Xhaferri

Të papritura në PD, kandidati nga shoqëria civile fiton në Durrës
 

 

 

Zgjedhjet në Partinë Demokratike kanë rezervuar një lajm për qytetin e Durrësit, ku kandidati nga shoqëria civile, Igli Cara, fitoi zgjedhjet e degës së PD-së. Igli Cara është një arkitekt, i cili nuk ka shumë që është aktivizuar në PD-në e qytetit të tij, por dje ai fitoi bindshëm kundrejt kundërshtarit tjetër, deputetit të PD-së dhe ish-anëtarit të KOP-it, Genc Juga. Igli Cara mori 308 nga delegatët në qytetin e Durrësit, ndërsa Genc Juga mori vetëm 181 vota. Ndërkohë, kandidati tjetër Ferdinand Xhaferri, është tërhequr nga zgjedhjet. Deputeti i PD-së, një nga të rikthyerit e PD-së, u tërhoq nga gara dhe arsyeja e dhënë nga Xhaferri ka qenë posti i lartë në PD që mori para pak ditësh. Ai do të jetë Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike deri në kongresin e madh të Partisë, i cili do të mbahet në muajin maj. Përpara delegatëve, Xhaferri ka thënë se me marrjen e këtij posti, nuk ishte e drejtë që ai të kërkonte të ishte edhe kryetari i PD-së në qytetin e Durrësit.

Xhaferri ishte një nga kandidatët kryesorë dhe me tërheqjen e tij, gara u bë më e fortë mes dy konkurrentëve të tjerë. Të dy kandidatët, si Genc Juka ashtu edhe Igli Cara, janë të rinj në Partinë Demokratike. Të dy vijnë nga bota e inxhinierisë dhe të dy kanë pak vite që aktivizohen në PD. Fituesi i zgjedhjeve, Igli Cara, njihet në qytetin e tij si një arkitekt i njohur. Cara kishte pak kohë që ishte bërë anëtar i PD-së në qytetin e tij, duke shprehur dëshirën për të kontribuar në jetën politikë me Partinë Demokratike. Ai ruan një respekt në qytetin e Durrësit, në profesionin privat dhe si një prej figurave intelektuale të qytetit. Cara është me origjinë nga Kavaja, por prej kohësh banon në Durrës. Në zgjedhjet e degës në Durrës, mori pjesë edhe lideri i partisë, Sali Berisha, i cili premtoi se së bashku, do të punohet për një Durrës me më shumë perspektivë. “Sot, Shqipëria, anëtare e NATO-s, u jep garanci absolute investitorëve nga mbarë bota për ta shndërruar parkun industrial të Durrësit në njërin prej parqeve më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë, për të punësuar dhjetëra e mijëra djem e vajza shqiptare, për të rritur prodhimin në mënyrën më të shpejtë dhe të ndjeshme, për të shndërruar Porto Romanon në një nga zonat energjitike më të rëndësishme të Ballkanit”, - tha Berisha.

Vlora

Qyteti i Vlorës ishte një nga degët e mëdha ku u zhvilluan zgjedhjet në PD ditën e djeshme. Për kreun e partisë kandiduan deputeti Ardian Kollozi dhe Genti Hamzaraj, aktualisht drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave dhe anëtar i kryesisë së degës. Në fund të numërimit të votave, Kollozi doli fitues. I ardhur nga bota e biznesit dhe shoqëria civile, Ardian Kollozi fitoi në vitin 2005 në qytetin e Vlorës, në një nga zonat e këtij qarku që konsiderohej i vështirë. I pranishëm në këto zgjedhje ishte nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi. Ai tha se në Partinë Demokratike po rriten vlerat. “Ne nuk kemi betejë me njëri-tjetrin, por kemi garë me njëri-tjetrin. Ne, betejën e vërtetë e kemi me kundërshtarët tanë, beteja jonë është 28 qershori”, - tha Patozi. Sipas tij, në krahun tjetër ka një alternativë që nuk është e tillë. “Parulla e socialistëve “Përtej së majtës dhe së djathtës”, do të thotë se ata po kërkojnë të ndërrojnë identitetin e tyre. Ata janë në krizë identiteti”, - u shpreh ai.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).