Pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi i hapësirës shqiptare

U bë një vit nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe është koha për të përkujtuar të shkuarën e për t‘u përqendruar në lidhje me të ardhmen. Pavarësia e Kosovës i ka rrënjët në luftën shekullore të shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje. Ajo nuk mund të shihet e ndarë as nga Lidhja e Prizrenit, si e para lëvizje politike kombëtare, as nga 28 Nëntori 1912, ku përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare shprehën vullnetin për pavarësi e as nga përpjekjet e vazhdueshme të shtetit të ri shqiptar nga njëra anë, por sidomos të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë nga ana tjetër për të ruajtur dhe forcuar identitetin e tyre shqiptar. Mbi të gjitha, Pavarësia e Kosovës nuk mund të shihet e ndarë nga lëvizja politike e shqiptarëve në Kosovë në vitet ‘80 e ‘90, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjen e miqve tanë ndërkombëtarë në vitin 1999. 17 Shkurti 2008 është kurorëzimi i një etape shumë të rëndësishme të këtij procesi 130-vjeçar. Prandaj, ndonëse nuk mund të jetë një etapë përfundimtare, ajo është një datë historike për të gjithë shqiptarët. Pas çlirimit të vitit 1999, Pavarësia e Kosovës formalizoi vullnetin e shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje. Gjatë nëntë viteve me radhë, bisedimet me ndërkombëtarët rezultuan në një marrëveshje që duhet të merrte parasysh vullnetin e shqiptarëve për pavarësi nga Serbia, të garantonte sa më shumë të drejta për serbët e Kosovës dhe të parashikonte një mekanizëm ndërkombëtar, i cili do të kujdesej për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje. Ky mekanizëm ndërkombëtar, i shprehur në fillim në formën e UNMIK, ndërsa tani edhe në formën e EULEX, ka ngatërruar shpesh misionin për shoqërimin e Kosovës në rrugën e saj drejt pavarësisë me mbrojtësin e interesave, jo të serbëve të Kosovës, por të vetë Serbisë, duke anashkaluar vullnetin e kosovarëve për pavarësi. Është e natyrshme prania e forcave ushtarake të NATO-s për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës deri në formimin dhe konsolidimin e një force të mirëfilltë mbrojtëse të Kosovës. Është e pranueshme që misioni civil i EULEX të shoqërojë institucionet kosovare drejt forcimit të tyre. Por është e papranueshme që segmente të caktuara, të cilat bëjnë vend në këta organizma ndërkombëtarë të cenojnë integritetin territorial të Kosovës dhe vullnetin e popullit të saj për vetëvendosje. Duke filluar nga 17 Shkurti i vitit të kaluar, Kosova është njohur nga një numër i rëndësishëm vendesh dhe institucionet e saj kanë marrë formë. Njohjet e pamjaftueshme ndërkombëtare, roli i paqartë i organizmave ndërkombëtarë dhe pengesat që vazhdojnë t‘i vijnë nga Serbia dhe aleatët e saj kanë prerë hovin e zhvillimit të shtetit të ri shqiptar. Duket sikur institucionet e Kosovës janë vënë në pozita pritëse qoftë në lidhje me zhvillimet e brendshme, sidomos në Veri të Kosovës, qoftë në lidhje me ato ndërkombëtare. Për sa i përket organizimit politik, përcaktimi i lokaliteteve me shumicë serbe është bërë në mënyrë plotësisht arbitrare, duke futur në to edhe shumë fshatra të populluar vetëm ose pothuajse vetëm me shqiptarë. Zmadhimi artificial i lokaliteteve me shumicë serbe, që i jep një pakice prej 6-7% të popullsisë rreth 25% të territorit, reflektohet edhe në mungesën e proporcionalitetit të pushtetit qendror që u është garantuar serbëve. Kjo vjen nga papërgjegjshmëria e organizmave ndërkombëtarë, por edhe nga mefshtësia e autoriteteve shqiptare, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri e gjetkë. Ky proces cenon jo vetëm zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe të trevave të tjera shqiptare. Zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore nuk duhet dhe nuk mund të shihen si të veçuar. Prandaj, ky proces duhet të kundërshtohet me forcë, jo vetëm nga institucionet e Kosovës, por nga të gjithë shqiptarët. Simbolika dhe retorika politike, e këshilluar nga ndërkombëtarët dhe e përdorur nga institucionet e Kosovës, nuk kënaqet me ngritjen në këmbë të institucioneve që garantojnë të drejtat e minoriteteve, por kërkojnë të japin pamjen e një shteti shumetnik, i cili funksionon në bazë të marrëveshjes midis grupeve etnike. Kërkohet të krijohet një identitet i ri kombëtar sikur shtetforcimi i Kosovës të varej nga riformatimi kombëtar i saj. Kërkohet të ruhet një distancë e pashpjegueshme midis dy shteteve shqiptare sikur Kosova të kishte kërkuar pavarësi prej Shqipërisë dhe jo prej Serbisë. Bashkimi Evropian na jepet si shembull i zhdukjes së identitetit kombëtar dhe në emër të tij na kërkohet të heqim dorë nga përkatësia jonë kombëtare. Ndërkohë që çdo bashkëpunim midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës shihet si hap drejt krijimit të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Ne na jepet një imazh i gabuar për Bashkimin Evropian dhe për veten tonë, pasi në të vërtetë, BE nuk i ka kaluar caqet e një organizmi ndërkombëtar dhe ne si shqiptarë nuk duam veçse të krijojmë mekanizmat e nevojshëm për zhvillimin tonë. Kjo bën që sot marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë të mos jenë as në nivelin e marrëdhënieve midis dy vendeve të BE-së. Për më tepër, ideja e një Shengeni mbarëshqiptar, e cila u hodh në takimin midis dy Presidentëve shqiptarë, nuk mori asnjë reagim nga qeveritë përkatëse. Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 Shkurt 2008, nuk është një qëllim në vetvete. Mundësitë që na jepen nga ekzistenca e një shteti të dytë shqiptar të pavarur duhet të shfrytëzohen në funksion të zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror të të gjithë shqiptarëve. Zhvillim politik pikë së pari, pasi kuadri i marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare është ende i paqartë. Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës nuk duhet të synojnë "fqinjësinë e mirë", por mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve. Marrëdhëniet midis shteteve shqiptare nuk duhet të jenë "diplomatike" por "vëllazërore". Kur do të mblidhet Këshilli i përbashkët i Ministrave i bashkëkryesuar nga kryeministrat shqiptarë për t‘u dhënë zgjidhje çështjeve me karakter jo vetëm ndërshtetëror, por edhe kombëtar? Kur do të mblidhen në seancë të përbashkët Parlamentet shqiptare? Po Gjykatat e Larta të të dyja shteteve shqiptare kur do të marrin parasysh, edhe pse jo në mënyrë të detyrueshme, vendimet e njëra-tjetrës? Pak rëndësi ka nëse qeveritë përkatëse do ta shesin këtë bashkëpunim si parakusht i integrimit evropian apo si mbrojtje të interesave kombëtare. Ajo që ka rëndësi është nevoja që kanë shqiptarët për këtë bashkëpunim. Për sa i përket zhvillimit ekonomik, ai mbetet i vakët. Shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë janë të papërfillshme dhe kjo si pasojë, sidomos, e mungesës së infrastrukturave rrugore, energjetike, financiare dhe asaj të telekomunikacioneve. Këto përbëjnë matricën e zhvillimit ekonomik ndërshqiptar. Heqja e taksave të aeroporteve do të përmirësojë ndjeshëm komunikim ajror, ndërsa rruga Durrës Prishtinë do ta zbehë edhe më shumë rolin e kufirit shqiptaro-shqiptar. Në fushën energjetike, është e nevojshme të mendohet nga të dyja qeveritë një strategji e përbashkët në fushën e energjisë. Krijimi i një tregu të përbashkët energjetik nënkupton ngritjen e një autoriteti rregullues të përbashkët dhe lejimin e operatorëve të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë të veprojnë lirisht në të dyja shtetet. Është e vetmja mënyrë për t‘u dhënë zgjidhje problemeve kronike që ka Kosova dhe Shqipëria me ndërprerjen e energjisë. E njëjta gjë nevojitet të bëhet edhe në fushën e telekomunikacioneve. Zgjerimi i tregut të telekomunikacioneve do t‘u mundësojë operatorëve të veprojnë në të dyja shtetet. Kjo do të ketë si pasojë rritjen e konkurrencës, uljen e çmimeve për konsumatorët dhe rritjen e numrit të shërbimeve që do të ofrohen nga operatorët. Përmirësimi ose ngritja e infrastrukturave të mësipërme duhet të shoqërohet nga krijimi i një infrastrukture të përbashkët financiare, ku do të spikasin veçanërisht rregullatorë të përbashkët sidomos për bankat, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e tjera financiare dhe një bursë e përbashkët në formën e një platforme elektronike me dyer hyrëse në Tiranë dhe në Prishtinë. Hapja e tregut të punës nga të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm në krijimin e një tregu të përbashkët. Shumë gjëra mbeten për t‘u bërë edhe në fushën e zhvillimit shoqëror. Ajo që e karakterizon më shumë identitetin tonë kombëtar është gjuha. Lëvrimi i saj në administratë, në median e shkruar dhe të shikuar dhe mbi të gjitha në arsim ka nevojë të kontrollohet dhe të disiplinohet. Akademitë e Shqipërisë dhe të Kosovës kanë interes t‘i bashkojnë forcat e tyre për zhvillimin e shkencave shoqërore dhe të shkencave të natyrës. Është e nevojshme që Ministritë e Arsimit, sidomos ajo e Shqipërisë, të parashikojnë një zë të veçantë në buxhetin e tyre për udhëtimet e nxënësve, respektivisht në Kosovë dhe në Shqipëri. Ndërsa në fushën e arsimit të lartë, është e nevojshme ngritja e një Erasmus-i shqiptar, në mënyrë që të nxitet qarkullimi i studentëve në të gjitha universitetet shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe organizimi i universiteteve të verës me studentë nga të gjitha trevat shqiptare. Në fushën e disiplinave të ndryshme sportive, është e nevojshme ngritja e federatave të përbashkëta në çdo lloj sporti. Kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së performancave të sportistëve shqiptarë. A nuk do të ishte më mirë sikur të kishim një kampionat futbolli të përbashkët nga Mitrovica në Sarandë? Mbi të gjitha, a nuk do të ishte më mirë të kishim një Kombëtare të vetme? Erërat e ngrohta dhe të ftohta të globalizimit që po fryjnë në hapësirën shqiptare kanë nevojë për një shoqëri shqiptare të fortë, të ditur dhe të zhvilluar. Globalizimi përkthehet në mundësi për shoqëritë e zhvilluara dhe në vështirësi për shoqëritë më pak të zhvilluara. Mirëpo, zhvillimi ynë kalon nga bashkëpunimi në rang kombëtar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).