“Pavarësia” e FSHF dhe mbipushteti i saj ndaj ndjenjave të futbollit kombëtar

 

Lexuesit mund të kujtojnë se mbitulli, titulli dhe nëntitulli i këtij shkrimi kanë të bëjnë me një fakt “ordiner”: atë të caktimit për t’u luajtur në Tiranë të ndeshjes së fundit të Kampionatit Kombëtar të futbollit, asaj midis Vllaznisë dhe SK Tiranës, çka krijon një përparësi të çmueshme për kryesuesen e Kampionatit, 23 herë (për ne 25) kampionen zyrtare të Shqipërisë. Nuk e kemi fjalën këtu. Vllaznia e Shkodrës duhet të bindet se përderisa skuadra e kryeqytetit me të cilën është në pikë të barabarta, ka golaverazh më të mirë, i takon asaj ta luajë ndeshjen e fundit në fushën e vet. Goli në fushën kundërshtare prej dy ndeshjeve të tyre gjatë dy periudhave (fazave) të para të Kampionatit, asesi nuk do të duhej të merrte vlerë në një veprimtari me sistemin e renditjes së ndeshjeve në grup tanësor të një kampionati me 12 skuadra pjesëmarrëse në 22 javë rresht.

Ajo që i jep të drejtën e kundërshtimit Vllaznisë, është mëdyshja që lë rregullorja e paqartë e FSHF për Kampionatin, me të cilën nuk ia vlen të merremi, edhe pse thuhet se skuadra shkodrane i ka kërkuar ndihmë UEFA-s. Ajo që do t’i jepte të drejtën absolute të kundërshtimit Vllaznisë është absurditeti i skemës së kalendarit të periudhës së tretë të Kampionatit të 70-të, çka i heq thuajse çdo mundësi skuadrës së Shkodrës për të luftuar për titullin e Kampionit, skemë që e diskriminon në mënyrën më të lartë paragjykuese!

Fakti është kokfortë: SK Tirana do të luajë 8 nga 11 ndeshjet e saj në kryeqytet, pra në fushën saj, para shikuesve të saj, në mjedisin e saj të tash 80 vjetëve. Ndërsa Vllaznia e Shkodrës do të luajë vetëm 6 ndeshje në fushën e vet dhe 5 jashtë fushës së vet! Kështu kahu i përparësisë së fushës është 8-3 për SK Tiranën dhe vetëm 6-5 për Vllazninë! Me një fjalë, Kampionati i 70-të Kombëtar i futbollit falë skemave të njëanshme të FSHF (le ta ketë marrë jo në Kroaci, por edhe në Hën&eumlsmiley 11 javë para përfundimit të tij, nuk është më një garë e barabartë dhe shkel parimin e rëndë të futbollit: paanshmërinë e shortit në kahun e ndeshjeve mbrenda-jashtë.

 

KAMPIONATI I KRYEQYTETIT TË SHQIPËRISË, JO I QYTETEVE TË SHQIPËRISË!

 

I tillë është. Sepse SK Tirana do të luajë kryesisht vetëm në Tiranë: 8 nga 11 ndeshjet e saj! Dhe është vërtet e çuditshme se si ka mundësi që nuk iu bën përshtypje drejtuesve të futbollit kombëtar, që në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit, 6 prej tyre SK Tirana do t’i luajë në qytetin e saj. Vetëm ky fakt mjafton për të marrë fund vlera e një kampionati kombëtar, qysh kur ai është krijuar më 1872 prej Anglisë. Ndërkohë që Vllaznia do t’i luajë 6 ndeshjet e fundit, 3 në Shkodër dhe 3 jashtë. Në mënyrën më të qartë del se FSHF dhe Komiteti Ekzekutiv i saj i njëanshëm kryeqytetas, i heqin çdo mundësi Vllaznisë së Shkodrës për të luftuar për titullin e Kampionit të Shqipërisë. Gjatë gjithë 11 ndeshjeve vendimtare të titullit kampion, skuadra e Tiranës ka vetëm tre probleme: në Ballsh, në Vlorë dhe Kavajë. A mundet vallë që këto tre qytete në krizë të plotë futbolli të mund të përfaqësojnë baraspeshën e një rezistence të vërtetë sportive kur janë kaq pak, vetëm 3, për t’i dhënë Kampionatit vlerat e luftës së paanshme? Kurrsesi.

Vllaznia ka vetëm një mundësi: të luftojë thjesht për vendin e dytë. Kaq. Endërra e saj për të luftuar për titullin e 10-të në 90 vjet histori është e marrun fund pa filluar kjo periudhë e tretë shkatërruese e Kampionatit të Shqipërisë. Ai që njeh shpirtin qytetar liberaldemokrat shkodran, e kupton se barazimi i së shtunës në Shkodër me skuadrën modeste të Ballshit ka ardhur edhe prej një gjendjeje psikologjike të caktuar që nis me humbjen 4-0 në Durrës apo me ndërrimin e trajnerit, por që ka të bëjë jo pak edhe me pasojat e shortit të komentuar e të çkomentuar gjatë gjithë javës, çka e çoi skuadrën shkodrane te një mëdyshje e vërtetë emocionale.

Organizime të tilla doemos që vijnë edhe prej një FSHF-je “lokale”, “kryeqytetase” me gjithë Komitetin e saj Ekzekutiv ku midis të 11-ve plot 8 janë kryeqytetas. Madje 3 përbëjnë një shoqëri klasike të Dinamos me në krye ish përgjegjësin e sporteve të Regjimit, një ndër dinamasit “sigurimministrimbrendshëm” më të pashembullt në historinë e futbollit kombëtar! Megjithate, çudia më e madhe është se me gjithë këte “dinamovitizimokryeqytetas” të këtij Komiteti Ekzekutiv, me pavetdije ai e ka fyer mū Dinamon.

Ju lutem, vështroni me vemendje:

Një nga skuadrat më të mira të javëve të fundit të Kampionatit është mū kjo Dinamo, e cila praktikisht në mbarim të periudhës së tretë, është e treta me vetëm 3 pikë larg SK Tiranës dhe Vllaznisë, e pra po aq është dhe një mëtuese e titullit. Mirëpo, Komiteti Ekzekutiv i FSHF, me mendjen s’di se ku, papritmas e ka harruar Dinamon dhe si një zot qiellor ka paracaktuar se vetëm SK Tirana dhe Vllaznia kanë të drejtë të luftojnë për titullin e kampionit. E në gjithë këte dritshkurtësi të skemës së zgjedhur FSHF paravendos tre muaj para mbarimit se lufta për titullin është çështje e dy të parëve dhe se Kampionati detyrimisht duhet të mbyllet me ndeshjen midis tyre, ngaqë simbas tyre Dinamo kurrsesi nuk mund të shkoka përtej vendit të tretë të tashëm. Dhe titulli, thotë “largpamësja” FSHF, detyrimisht do të diskutohet vetëm midis SK Tiranës dhe Vllaznisë dhe po detyrimisht ndeshja e fundit vendimtare do të luhet në javën e fundit, atë 33, vetëm midis tyre!

Mjafton ky paragjykim, ky vendim, kjo padije, kjo dritshkurtësi, kjo njëanshmëri për ta hedhur në erë shortin e periudhës së tretë të K70K.

Atëherë, si ka ndodhur që edhe dinamasit e kryedinamasit e Komitetit Ekzekutiv e harruan Dinamon e tyre? Thjesht sepse iu mungon vështrimi largpamës i organizimit të një Kampionati Kombëtar. Ndonëse mundet që edhe Dinamo nuk iu është dukur fort keq. Madje as ajo nuk është fort keq vërtet, përderisa nga 11 ndeshjet e periudhës së tretë, plot 7 ajo i ka në Tranë! Kulmi është që edhe Partizani, i renditur i 9-ti në Kampionat, gjithashtu nuk i ka punët fort keq: 5 nga 11 ndeshjet do t’i luajë në fushën e vet, thuajse në baraspeshë. Në tanësi del se nga 66 ndeshjet e periudhës së tretë të Kampionatit, 17 luhen në Tiranë, çka do të thotë 25 përqind e tyre!

Ky është Kampionati i kryeqytetit të Shqipërisë, jo i qyteteve të Shqipërisë!

 

 

“PAVARESIA” E JASHTEZAKONSHME DHE MBIPUSHTETI I FSHF

 

Po! Federata Shqiptare ka arritur të ketë përveç një pavarësie të jashtëzakonshme mbikombëtare, edhe një mbipushtet të papamë. Nuk e kemi fjalën thjesht te një shkëputje e plotë nga shteti dhe qeveria shqiptare (çka është e natyrshme në shoqërinë e lir&eumlsmiley, dhe ku e vetmja “varësi’ është flamuri kombëtar dhe emri “Shqipëri’ (“Albania&rdquosmiley i Kombëtares. E keqja është se falë zotësisë së saj, pa e kuptuar, ajo ka fituar një mbipushtet edhe mbi ndjenjat e futbollit kombëtar. Të përjashtosh prej një kampionati thuajse kombëtar, me një të rënë lapsit, Pukën, ndër më të paktat skuadra të Veriut të Shqipërisë, një ndër zonat më të izoluara dhe të prapambetura (e dhuna e atjeshme vërtet duhej dënuar), patjetër që edhe kjo tregon për një mbipushtet mbi ndjenjat e sportit dhe futbollit kombëtar. Kurr një qytet apo një krahinë e tanë nuk mund të kenë një faj kaq kolektiv dhe universal për një ngjarje dhune në mjedisin sportiv sa të japësh dënime të këtilla kolektive e mbarëkrahinore.

Nuk është vetëm kjo. Federata Shqiptare e Futbollit tejet e lidhur me UEFA-n, me të cilën së bashku i kanë përtërirë terrenet e futbollit në Shqipëri (e kjo është arritja më e madhe e saj), ndonëse ende nuk ia ka arritur t’i ndërtojë një stadium modern Shqipërisë (e kjo ndodh, edhe për shkak të marrëdhënive në nivel të ulët të saj me qeverinë shqiptare), nuk arrin të përkohet me ndjenjat e futbollit kombëtar. Po të ishte e kundërta e kësaj që themi, ajo nuk do të pranonte asesi një Komitet Ekzekutiv mospërfaqësues në njanshmërinë krahinore e klubiste të tij. Dhe po t’i rrihte zemra në përkim me këto ndjenja, ajo do të kishte shprehë një shqetësim që Korça, Berati, Gjirokastra nuk luajnë në Kampionatin Kombëtar, ndonëse janë qendra të mirëfillta futbolli. Janë çue peshë të gjithë për rrezikun e rënies së dytë të Partizanit: me gazetarë e me emisione televizive, me “komentatorë” e “analistë”, me specialistë futbolli e partizanas të vjetër e të rinj, me punonjës të FSHF-së e ”qytetarë”. Por askush nuk përmend një herë të vetme që në 8 Kampionatet e fundit, Skenderbeu i Korçës – një nga kampionet më të vjetra të Shqipërisë, në 6 prej tyre nuk merr pjesë. Apo që Tomori i Beratit – një qendër e njohur e futbollit shqiptar - ndodhet i braktisur në kategorinë e tretë.

Mbipushteti i FSHF-s na ka çuar te ajo, që midis saj dhe mendimit futbollistik e historik shqiptar, nuk ka një lidhje. Ajo është e shkëputur falë mbipushtetit të saj deri në atë shkallë sa që me veprimin e saj na paracakton se vetëm dy skuadra kanë të drejtë të luftojnë për titullin: SK Tirana dhe Vllaznia dhe se fati i Kampionatit do të varet te vetëm ndeshja e fundit midis tyre, të cilën “unë FSHF e Shqipërisë do ta paravendos që të luhet në javën e fundit, natyrisht në Tiranë, askurrkund tjetër”.

Përsërisim për të kushedisatën herë: kur vëren Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili më fort se kurrnjiherë përjeton dinamovitizimin dhe jo kombëtarizimin, kryeqytetarizimin dhe jo ndërqytetarizimin, atëherë vetvetiu nis e bindesh për njëanshmërinë e drejtimit të tij prej një Federate Shqiptare të Futbollit e cila ka një Komitet Ekzekutiv ku nga njëmbëdhjetë anëtarët e tij, vetëm dy janë jo të kryeqytetit. Kjo do të thotë që Durrësi, Shkodra, Elbasani, Korça, Kavaja, Berati, Lushnja, Lezha apo Gjirokastra – dhe jo vetëm këto - qendra të mirëfillta të futbollit kombëtar, historisë, traditës dhe të sotmes së tij, nuk përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv të FSHF. E meqë ka një mani këtu në Shqipëri për të bërë tash e parë krahasime me Perëndimin, po rikujtojmë se të 14 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së saj të Futbollit, Gjermania i ka nga 14 qytete apo krahina të ndryshme të saj. Kundër çdo drejtimi diktatorial dhe lokalist, apo klientelist, siç thuhet sot, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Anglisë prej 20 anëtarësh, të 20-tët i ka nga 20 qytete apo krahina të ndryshme. Ndërsa ndër ne, prej të 11-tëve të Komitetit Ekzekutiv tre trima kanë prejardhje nga një klub i vetëm: Dinamo! Madje aty ka anëtarë që drejtojnë edhe një Federatë tjetër sportive dhe askush nuk bzan prej kësaj shkeljeje ligjore dhe etike të pafalshme, për të nxjerrë kështu vendimin për zëvëndësimin e menjëhershëm të tij. E themi edhe një herë tjetër se ka ardhur koha që Federata Shqiptare e Futbollit të mund të ketë Këshillin e saj prej të cilit të mund të dalë jo ky Komitet Ekzekutiv “i frikshëm” në ngushtësinë e autoritetit e tij artificial, por një Komitet Ekzekutiv që të përfaqësojë jo Dinamon dhe kryeqytetin Tiranë, por të gjithë, sidomos kryeqendrat historike të zhvillimit dhe përhapjes së futbollit kombëtar: Durrës e Shkodër, Elbasan e Korçë, Kavajë e Berat, Lushnje e Gjirokastër! Edhe në kohën e Regjimit, nuk ka ndodhë që Shkodra - themeluesja e futbollit kombëtar - të mos kishte përfaqësuesin e saj i cili udhëtonte thuajse çdo javë për në Tiranë, për të sjellë përveç të tjerave, edhe shqetësimet dhe problematiken futbollistike të Qytetit të Veriut! Po kështu edhe Korça apo Elbasani.

Vetëm pesha e një Këshilli të zgjedhur nga Asambleja me përfaqësues prej zonave tradicionalisht më futbollistike të vendit, mund të nxjerrë Komitetin Ekzekutiv si një përfaqësues i futbollit të Shqipërisë, jo i futbollit të Federatës Shqiptare të Futbollit. E dini tashmâ se Anglia e drejton futbollin përmes Këshillit, atij që njihet si FA Council. Nuk mund të imitohen superfuqitë e futbollit, natyrisht. Mund të merren vetëm si shembull që kësisoji në një specifikë shqiptare, të mund të themelohet treshja Asamble-Këshill-Komitet Ekzekutiv. E kemi stërthënë edhe këte. Por… FSHF shpesh duket disi e mbyllur, dhe padashur bie në mospërfillje të opinionit publik, dhe njëanshmëri jo të vogël. Mjafton të kujtojmë nderimin me paanësi të figurave të futbollit kombëtar, shumica të harruara, ku deri më sot nuk ekziston asnjë lloj paanshmërie meritash apo vlerësim i drejtë historik i tyre, deri aty sa rradhët dhe e vërteta e nderimit bëhet lâmsh…

Kësisoji, duke mos iu larguar temës sonë qendrore të këtij shkrimi, kemi të drejtë të pohojmë se koha na dha të drejtë. Shkurtimi i skuadrave nga 14 në 10 jo vetëm nuk solli asnjë rritje dhe fuqizim të Kampionatit, por zbehu edhe më tej cilësinë e tij. “Varianti 37” gjithashtu i proklamuar si shpëtimtar në 2006-07, me 12 skuadra e tri periudha, ku e treta nuk i vë skuadrat në pozita të njëjta panashmërie ngaqë nuk ka ndeshje të kthimit në fushat e kundërta, tashmà ka dështuar dhe i ka dhënë Kampionatit pamjen më paragjykuese që ai ka patur në gjithë historinë e tij.

 

 

KUR NIS DESHTIMI I PERIUDHES SE TRETE

 

Kështu pra, dështimi nisi qysh të këte të shtunë që sapo kaloi. Ajo ishte një javë që në mënyrën më të menjëhershme shkaktoi largimin në 2 pikë të SK Tiranës prej Vllaznisë, tregoi qëndrueshmërinë e Dinamos në të 4-tën fitore rresht, shfaqi edhe një herë forcën befasuese të Teutës - shënues e 7 golave në dy ndeshjet e fundit. Teksa vëren se kjo qe ndoshta e vetmja Javë, që nuk shkaktoi asnjë ndryshim në Renditje, sepse të 12 skuadrat ruajtën vendet që kishin, ndoshta dukuria sunduese ishte se prej 18 pikëve të mundshme të saj, u shpërndanë vetëm 15. U krijua kështu një ngjeshje edhe më dramatike në shkallët e fundit: përveç KS Lushnjës, shfaqen 5 mëtues për rënie apo mosrënie: Bylis, Apolonia, Partizani, e pse jo, edhe Flamurtari dhe KS Elbasani, të cilët janë në vetëm 4 pikë ndryshim.

Ky është një kampionat thuajse pa atë që quhet “mesi i artë”, sepse të vetmet Besa dhe Teuta janë shumë pak për ta formuar një mes të tillë. Duket një situatë apo rend, që lë një shpresë të zbehtë që K70K të mos përfshihet prej kompromiseve të gjithë javëve të mbetura, të cilat me rreptësinë e tyre për shkak të mungesës së ndeshjeve të kthimit, nuk lëjnë asnjë mundësi për revanshe. Eshtë një kampionat që për shkak të periudhës “vrasëse” të tretë, çdo ndeshje është një lamtumirë pa mundësi rikthimi. Bie fjala, Vllaznia nuk ka ku i gjen më dy pikët e Bylisit dhe as Partizani tri pikët e Teutës. Në këte vëstrim K70K, megjithë problematikën e skemës së tij të pafrytshme, çka cënon autenticitetin e llogjikës së garës, nuk mund të thuhet se është pa interes. Papritmas, mbas Javës 23, për shkak të barazimit të Stadiumit “Loro Boriçi”, ai lëshon mbi tryezë argumentin e ri: do të jetë kampione për të herë 24-t SK Tirana aq e mbështetur prej skemës së gabuar të FSHF, apo Vllaznia do të bëjë të pamundrën dhe Dinamo nuk do t’i ndalë fitoret e njëmbasnjëshme?

Një përgjigje e pjesshme e gjithë kësaj do të mund të merret edhe të shtunën prej këtyre dy ndeshjeve: Bylis – SK Tirana, Flamurtari – Dinamo dhe paksa edhe prej ndeshjes Apolonia – Vllaznia.

E megjithate, mbas gjithë këtij argumentimi tonë të tjerrun disi gjatë, nuk heqim dorë prej mendimit se dështimi nisi qysh këte të shtunë që sapo kaloi.

… Sepse 6 prej 7 ndeshjeve të fundit të Kampionatit, SK Tirana do t’i luajë në qytetin e saj, karshi vetëm 3 të Vllaznisë.

… Sepse vështroni se çfarë “udhëtime” me trille do të ndërmarrë pa lëvizë nga Tirana, Sportklubi ynë i nderuar në këto 7 javë të fundit:

* më 11 prill SK Tirana do të presë në Tiranë KS Elbasanin;

* më 18 prill SK Tirana “do të udhëtojë” për në Tiranë për t’u ndeshur me Partizanin;

* më 25 prill SK Tirana “do të udhëtojë” për në Tiranë për t’u ndeshur me Teutën e Durrësit (e “do të pushojë” vetëm një javë për të dukur në Kavajë më 2 maj);

* më 9 maj SK Tiranës do t’i duhet “të udhëtojë” për në Tiranë për të luajtur me Shkumbinin e Peqinit;

* më 16 maj SK Tirana “do të udhëtojë” për në Tiranë për t’u ndeshur me Dinamon;

* më 23 maj SK Tirana “do të udhëtojë” për në Tiranë për t’u ndeshur me Vllazninë.

… Sepse kështu në mënyrën më të qartë del se FSHF dhe Komiteti Ekzekutiv i saj i njëanshëm kryeqytetas (dinamas) i heq çdo mundësi Vllaznisë së Shkodrës për të luftuar për titullin e Kampionit.

… Sepse Vllaznia ka vetëm një mundësi: të luftojë thjesht për vendin e dytë dhe sepse ëndërra e saj për të luftuar për titullin e 10-të në histori ka marrë fund qysh më 2 mars 2009, ditë kur lindi kalendari i periudhës së tretë të K70K.

… Sepse FSHF paravendos ndërkaq, tre muaj para mbarimit, se lufta për titullin është çështje vetëm e dy të parëve dhe Kampionati duhet të mbyllet me ndeshjen midis tyre, edhe se Dinamo me vetëm 3 pikë larg tyre, kurrsesi nuk mund të shkoka përtej vendit të tretë të tashëm.

 

Besojmë se këto mjaftojnë për ta hedhur në erë shortin e K70K, periudhën e tretë të tij artificiale për garën, vërtetësinë e Kampionatit, për t’u kthyer në atë skemë që sundon e pakta në 40 e sa shtete të Evropës: Kampionat Kombëtar me dy periudha (faza), por me 14, 16 ose 18 skuadra. Kampionat i tri periudhave asesi nuk rriti interesin e tij, madje e mpaku edhe më, çka shihet me numrin më të paktë të spektatorëve në histori. Shembujt janë të përjavshëm. Të shtunën e 7 marsit, mëtuesja e titullit, SK Tirana pati vetëm rreth 1000 shikues; mëtuesja e dytë Vllaznia vetëm rreth 1500 shikues; mëtuesja e tretë Dinamo ndoshta as 300 shikues! Tribunat janë boshatisur keqas. Spektakli i 80 vjetëve në Shqipëri, Kampionati i 70-të Kombëtar ka rënë!

Janë flakur tej ndjenjat e hershme qytetare të futbollit kombëtar!...

4 Komente

Meqe jemi ne teme futbolli, sot e neser perplasja e madhe Angli vs Itali.

Liverpool nuk e llogaris, se per mua eshte i kualifikuar 99,99%

Lene mos e pyte se kom tre dite qe jom n'ankth per sone. Ishallah po kualifikohena se pernryshe i iku per lesh ditelindja Redones gruse se Toles!

Poshte puna! qe me la pa shku ne Torino me pa derbin ene Juve-Chelsea!

JUVE ALE JUVE ALE

CANTEREMO SEMPRE

JUVE ALE JUVE ALE

....

PS : sa keq qe nuk lejohet prishja e gojes m'PPU se desha me "fol" pak per Interin dhe Mut-injon!

flamurtari i vlorès..

sulmin po fillon...

e gjith shqipèria...

nè ekran shikon...

shkallèt e stadiumit...

sot seç po ushtojnè....

e kuqja...e kuqja...e kuqja do fitoj..!!!!

fitore fitore fitore pèrgjithmon..!!!...p.s. kujtime fèmijrie!!!

medi bushatit me pare duhej ti hapen dosjet dhe te hiqet nga ai post qe e ka salduar

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).