Para dhe tetraplegjikët ndërpresin grevën

Qeveria ka rënë dakord për rritjen e pagesës higjieno-sanitare me 40 për qind, siguracion edhe për kujdestarët

Paraplegjikët dhe tetraplegjikët ndërpresin grevën e urisë pas lajmit të mirë në dobi të interesave të tyre. Qeveria ka dëgjuar kërkesat e tyre, i ka shqyrtuar ato dhe ka marrë vendimin për plotësimin e sugjerimeve të kësaj kategorie pacientësh. Kërkesa për të cilat, pacientët ishin hedhur në grevë.

Pas pesë ditësh grevë, tre ministrat që kanë vizituar grevistët, kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët nga e cila kategoria e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve ka dalë e "fituar". Kjo kategori do të ketë rritje të pagesës higjieno-sanitare dhe siguracion për kujdestarët. Grevistët sqaruan se qeveria ka rënë dakord për rritjen e kësaj pakete me 40 për qind, ashtu siç kishin kërkuar ata, si dhe të njohë siguracionin për shoqëruesit e kësaj kategorie.

Greva

Paraplegjikët dhe tetraplegjikët kanë ndërprerë dje grevën e urisë, e cila nisi të hënën, në ambientet e godinës së shoqatës së tyre në Laprakë, Tiranë. Vendimi për pezullimin e grevës, erdhi pas takimit me tre ministra të kabinetit qeveritar. Grevistët bënë të ditur se qeveria ka rënë dakord për rritjen e paketës higjieno-sanitare me 40 për qind, si dhe të njohë siguracionin për shoqëruesit e kësaj kategorie. Organizatorët e grevës deklaruan se i kishin lënë afat qeverisë për bisedime deri të premten. Dy ditë më parë, grevistët u vizituan nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro. Një grup pacientësh paraplegjikë dhe tetraplegjikë hynë në grevë urie ditën e hënë. Prej disa kohësh ata protestonin për rritjen e pagesës për paketën higjienike, rritjen e pagesës së kujdestarisë dhe dhënien falas të naftës. Mbi 15 veta paraplegjikë dhe tetraplegjikë hynë në grevë urie, pas protestave për vite me radhë ku ngrinin zërin për rrije të pagesës së kujdestarisë, rimbursimin e naftës dhe rritjen e pagesës për paketën higjienike. Pas protestave të vazhdueshme, në muajin dhjetor, ata patën një takim me zëvendëskryeministrin, Genc Pollo, i cili u premtoi realizimin e kërkesave të tyre. Pas protestave që bënë vitin e kaluar, ata u takuan me Pollon më 8 dhjetor. Në takim ai i premtoi se të gjitha këto kërkesa do të realizoheshin dhe për këtë do të dilte një vendim qeverie në fund të vitit 2008, por që nuk u mor.

Pacientët

Shërbimi Social ka nisur t‘u japë statusin e invalidit dhe deri tani janë regjistruar për të marrë këtë status 4500 vetë. Kategoria e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve kërkuan rritjen e kompletimit për paketën higjienike, rritjen e pagesës për personin kujdestar në masën e pagës minimale aktuale, pagimin e sigurimeve shoqërore dhe dhënien nga shteti të 80 litrave naftë, pavarësisht nga çmimi që mund të ketë në treg.

Ndërkohë që këta pacientë po pajisjen nga Shërbimi Kombëtar Social me statusin e invaliditetit. Deri tani, këtë status e kanë fituar 4500 persona, të cilët marrin pension invaliditeti. Sakaq, çdo tetra-paraplegjik ka nevojë për person kujdestar, që zakonisht është një person i familjes, i cili e shoqëron gjatë gjithë kohës.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).