OSSH, kompania që mund të kontrollojë vendin

Shqipëria përballet me rrezikun që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të kthehet në kompani me fuqi monopol në treg dhe të ketë fuqi më të madhe sesa vetë qeveria. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Genc Ruli deklaroi dje në një konferencë për shtyp se një rrezik i tillë ekziston e për pasojë ne duhet të rrisim vëmendjen dhe të ndjekim situatën hap pas hapi.

"Një rrezik i tillë ekziston si për vende të varfra si Shqipëria ashtu edhe për vende të pasura. Ka ndodhur edhe në Francë e Gjermani", - tha Ruli. "Nuk është koha të japim alarmin për këtë, por gjithsesi duhet të rrisim vëmendjen", - vijoi ai i pyetur nga Shqip.

OSSH do të jetë shitësi i vetëm me pakicë i energjisë elektrike në Shqipëri dhe tashmë do të jetë në duar private. Në tregje të tilla, institucione mbikëqyrëse funksionale janë të domosdoshme për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit, por në rastin e vendeve të vogla dhe të pazhvilluara si Shqipëria, ekziston rreziku që këto institucione të mos kenë ekspertizën apo fuqinë ekzekutive të mjaftueshme për këtë qëllim.

"Është e vërtetë që Enti Rregullator i Telekomunikacioneve ka historinë e vet të papëlqyeshme", - tha Ruli duke kujtuar faktin se ERT pati funksionet e mbikëqyrësit të tregut të telefonisë, por nuk i kreu asnjëherë funksionet e veta kryesisht për shkak të fuqisë së madhe që kishin kompanitë operuese, fuqi që konkurronte dhe tejkalonte fuqitë e qeverisë shqiptare. Si pasojë e "historisë së papëlqyeshme" të ERT, (sot Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe i Postave), Shqiptarët kanë humbur qindramilionë euro dhe ka gjasa që do të vijojnë të humbasin shuma të ngjashme edhe për shumë vite të tjera. Sipas qeverisë, Autoriteti i Komunikimeve i është nënshtruar një reforme të gjerë, gjë që ka dhënë rezultat të pjesshëm në koston finale të konsumatorëve. Megjithatë, dy instrumentat më të rëndësishëm në këtë fushë, tarifa unifikuese e terminimit dhe e drejta e ndërrimit të operatorit telefonik pa ndryshuar numrin, ende janë të padisponueshme në treg.

"Enti Rregullator i Energjisë është ndryshe", - tha Ruli. "ERE zotëron kapacitetet e duhura në ekspertizë ndërsa deklarata rregullatore në rastin konkret është hartuar me asistencën dhe përfshirjen e USAID dhe Bankës Botërore", vijoi ai.

Duke patur parasysh ndërhyrjet politikës në entet rregulluese, blerësi i OSSH kërkoi që funksionet e ERE të përfshihen në kontratë dhe që qeveria shqiptare të ofrojë garanci financiare. Në vitin 2006, ERE shpalli një rritje çmimi të energjisë elektrike në vend, por u detyrua të tërheqë vendimin e vet pasi kryeministri Berisha deklaroi se "nuk do ta lejojë rritjen e çmimeve". Ligjërisht, ERE qe dhe mbetet një institucion i pavarur dhe që vullneti i kryeministrit nuk ka fuqi ligjore. Megjithatë, vetëm deklarata joligjore e z.Berisha e "bindi" ERE-n të tërheqë vendimin.

Kush do t‘i mbulojë humbjet

Teorikisht, humbjet teknike që vijnë si pasojë e kushteve fizike të rrjetit, do të njihen si kosto dhe do të pasqyrohen në çmimin final. Vjedhjet nuk do të njihen si kosto, por në bazë të një grafiku do të reduktohen deri në një kufi të pranueshëm. Këtu lind edhe problemi i parë rregullator. Sipas kontratës së privatizimit, fillimisht CEZ do të kryejë një studim për të dalluar se sa prej humbjeve janë teknike dhe sa janë joteknike. Ka së paku në dukje një konflikt interesi pasi vetë kompania do të vlerësojë se sa janë humbjet teknike e sa janë vjedhjet dhe në bazë të këtij studimi të kryer nga ajo vetë, do të kërkojë rritjen e çmimit.

Politika nuk tërhiqet nga energjia

Edhe pse OSSH tashmë do të jetë nën pronësi private, qeveria nuk ka hequr dorë nga ndërhyrjet në këtë treg. FMN raporton se "ka një pranim të heshtur për të transferuar humbjet financiare nga OSSH te KESH". Edhe ministri Ruli e pranoi: "Privatizimi nuk do ta nxjerrë qeverinë nga tregu për shkak se furnitori publik me shumicë do të mbetet nën pronësi publike dhe qeveria do të ketë mundësi të mbrojë konsumatorët e varfër nga rritja e çmimeve", - tha Ruli dje. Sipas FMN, qeveria do të detyrohet të mbulojë humbje financiare të KESH të barazvlefshme me 0.7% të PBB-së, (rreth 50 milionë euro) çdo vit si pasojë e këtij subvencionimi indirekt.

Në Shqipëri është thënë gjithmonë se energjinë elektrike e paguajnë një pjesë e konsumatorëve edhe për ato që nuk e paguajnë. Më pak se gjysma e energjisë elektrike që furnizohet në treg paguhet si faturë e energjisë së konsumuar ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga paratë e taksapaguesve. Këshilla e ndërkombëtarëve ka qenë heqja dorë nga subvencionimi masiv përmes një skeme ndihme për familjet e varfra. Në dukje një sistem i ndershëm, subvencionimi i energjisë për të varfrit rezultoi një mision i pamundur dhe qeveria duket e bindur të vijojë politikën e subvencionit masiv të zonave që e vjedhin energjinë, kësaj rradhe përmes Furnizuesit Publik me Shumicë, funksion që do ta kryejë KESH.

Rregullatorët skarco në Shqipëri

Banka e Shqipërisë dhe REPO

Institucioni që harton politikën monetare vlerësohet se ka shumë pak ose aspak ndikim në treg. Sipas The Economist, Shqipëria është rasti studimor perfekt për të parë se si pronësia e të huajve në tregun bankar nxjerr të paefektshme politikën monetare. BSH ul dhe rrit normat bazë të interesit në lekë por gjatë viteve të fundit është vënë re se ndikimi i vendimmarrjes së saj në treg është shumë e paktë. Qeveria me mekanizmin e borxhit publik ndikon më shumë interesat e kredive dhe depozitave në lekë sesa banka qendrore me instrumentin REPO. REPO është gjithashtu e pavlefshme në kushtet kur 75-80% e kredive janë në valutë të huaj dhe mekanizmi tradicional i ndikimit të të gjithë faktorëve ekonomikë përmes politikës monetare është thjeshtë jofunksional në rastin e Shqipërisë.

Autoriteti i Telekomunikacioneve

AEKP ka fuqinë të licencojë operatorët në treg dhe në rast se vëren tarifa abuzuese mbi konsumatorët ka të drejtë të ndërhyjë nga rregullimi i marrëdhënieve vertikale, (tarifat e interkonjeksionit), deri te përcaktimi i tarifave finale. Deri më sot ndikimi i saj në treg ka qenë i papërfillshëm. Operatorët me fuqi të ndjeshme në treg kanë qenë të aftë të hedhin poshtë vendimmarrjen e saj dhe të zbatojnë politikat e veta në kurriz të konsumatorëve pa kurrfarë kufizimi.

Këshilli i Radio-Televizioneve

Një institucion që teorikisht ka për detyrë të licencojë më të mirët mes atyre që dëshirojnë të licencohen në transmetimet radio-televizive, ka mbetur shumë prapa tregut dhe nuk ka qenë në gjendje të njohë funksionet e veta si rregulluese e tregut. Lindja e teknologjive të reja e ka nxjerrë nga loja.

Autoriteti i mbikëqyrjes financiare

I krijuar me synimin për të mbikëqyrur tregun e sigurimeve për llogari të konsumatorëve, shumë shpesh është keqpërdorur në dëm të konsumatorëve. Tregu i sigurimeve mbetet një treg financiar ku shumica dërrmuese e të ardhurave shpenzohen për të krijuar të ardhurat ndërsa mbulimi i dëmeve, i cili është produkti real, zë vetëm një pjesë shumë të vockël të të ardhurave.

Agjencia Nacionale e Transportit Ajror

Një institucion që duhet të mbikëqyrë tregun e udhëtimeve ajrore, nuk është dëgjuar kurrë në mbrojtje të konsumatorëve. Liberalizimi i këtij tregu është një koncept ende i panjohur në Shqipëri. Shqiptarët paguajnë çmime të fryra ndërsa me përjashtim të Italisë, të gjitha destinacionet e tjera janë në kushtet e monopolit.

Autoriteti i Konkurrencës

Vendimet e AK në mbrojtje të konkurrencës kanë mbetur të pazbatuara. Gjobat e prera nuk arkëtohen gjë që e ka kthyer në një institucion me ndikim psikologjik por jo real në treg.

1 Komente

Shqiptarët kanë humbur qindramilionë euro dhe ka gjasa që do të vijojnë të humbasin shuma të ngjashme edhe për shumë vite të tjera.

Ja me kaq e mbyll Prof.Dok dhe kot me e zgjat me kete palo.

Gjithsesi Naum Prifti do nje lapidar per kete :

 Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë Mbreti Zog gradoi një tog ushtarakësh të dalluar dhe me atë rast organizoi një ceremoni madhështore në Pallat, të shoqëruar me banket të pasur.
Fytyrat e oficereve të graduar shkëlqenin nga hareja më shumë se vezullimet e spaletave mbi supet e tyre. Nxinte vetëm fytyra e togerit Osman Gazepi, adjutant i Mbretit Zog, të cilin Madhëria e tij nuk e kishte graduar meqë ishte i pashkolluar dhe me zor shkruante emrin kur hidhte firmën në bordero.
Të nesërmen, togeri Osman Gazepi, si fshatar i zgjuar dhe gaztor, vë mbi supe spaletat e majorit dhe hyn serbes në zyrën e Naltmadhërisë së tij. Zogu e sheh në sy adjutantin duke pritur çfarë kishte për të raportuar. Osman Gazepi i tha: "Naltmadhëri kam ardhur t'ju pyes a më rrinë mirë gradat që kam vënë mbi supe?" Zogu u mendua vetëm një çast, pastaj i zgjati dorën duke e uruar: "I gëzofsh!" Vetëgradimi i Osman Gazepit kishte patur sukses të plotë...

Ministrat e atij Mikut ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).