Njohja e Kosovës nga Ishujt Maldive, urdhërohen hetime

Njohja e Kosovës nga Republika e Maldives vazhdon të jetë një temë e nxehtë në këtë shtet të vogël të Oqeanit Paqësor, pas akuzave se zyrtarët qeveritarë maldivian kanë marrë 2 milionë dollarë nga afaristi kosovar Behgjet Pacolli.

Presidenti i Maldives Mohamed Nasheed ka urdhëruar hetime policore për të vërtetuar nëse ka pasur pranim të mitos siç akuzon Partia Islamike Demokratike, në opozitë.
Ministri për Punë të Jashtme Ahmed Shaheed ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar ato “spekulime që kanë për qëllim diskreditimin e Qeverisë së Maldives”.

Në një intervistë për të përditshmen Miadhu, Sheheed ja thënë se Qeveria ishte e bindur se njohja e pavarësisë së Kosovës ishte shumë e rëndësishme sepse sipas tij Kosova është 100 për qind shtet islamik sikurse Maldive. Ai ka shtuar se para se të merret vendimi formal për njohje, Qeveria ka pasur diskutime me disa shtete përkrahëse të Maldives.

“Për këtë çështje, kemi diskutuar me shtetet fqinje, me shtetet evropiane, shtetet islamike, si dhe me SHBA’të. Po ashtu kemi diskutuar me parti opozitare të Kosovës si dhe me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Shaheed.

Ai ka deklaruar se e kaluara e Kosovës është mjaft e përgjakshme dhe kur ka shpallur pavarësinë, pas shumë vështirësive, Republika e Maldives, si shtet me popullatë myslimane, është dashur ta përkrah dhe ta njohë.

Akuzat e Partisë Islamike Demokratike, se Behgjet Pacolli ka paguar 2 milionë dollarë amerikanë për këtë njohje, janë kundërshtuar nga zyrtarë të Partisë Aleanca për Kosovën e Re.

Nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Makolli, ka thënë të dielën për Express se “këto janë spekulime të dala nga kuzhinat e Beogradit” në përpjekje për të zhvlerësuar të gjitha këto arritje të Kosovës.

“Nuk asgjë të vërtetë në këtë. Njohja e Kosovës nga shteti i Maldives është vullnet politik i Qeverisë së atij vendi. Është e vërtetë se zotëri Pacolli ka lobuar edhe në Maldive sikurse edhe në shumë vende tjera”, ka thënë Makolli.

Ai ka rikujtuar se kah fundi i bisedimeve për statusin e Kosovës, Pacolli është akuzuar nga Beogradi se “ka blerë Presidentin Martti Ahtisaari me 40 milionë euro”, që të propozojë pavarësi për Kosovën.

Në një promovim për Balkan Insight, lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se prapa spekulimeve për blerje të njohjes nga republika e Maldives qëndron Qeveria e Serbisë.

Pocolli, i ka promovuar vetën si lobist për pavarësinë e Kosovës, veçanërisht në shtetet e Azisë së Mesme, Lindore dhe Qendrore, ka thënë se po përballet me një kundërlobim aktiv nga Serbia.

Sipas tij, një delegacion 21 anëtarësh nga Serbia, i udhëhequr nga Qendra për Aplikim të Aksioneve Joviolente dhe Strategji (CANVAS), ka lobuar tek grupet opozitare në Maldive që të anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Balkan Insight ka raportuar të ketë siguruar konfirmime të pavarura se një delegacion serb ka qëndruar në Maldive dhe se delegacioni i CANVAS është udhëhequr nga Srdjan Popovic, ish-lider studentor dhe ish-zyrtar i Qeverisë së Serbisë.

Për njohjen e Kosovës, Qeveria e Maldives ka marrë falënderime nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në një mesazh drejtuar Ministrit të Jashtëm, Mohamed Nasheed. “Vendimi i Qeverisë i kontribuon shumë përpjekjeve për të promovuar një të ardhme stabile dhe prosperuese për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”, citohet të ketë thënë Sekretarja Clinton.

Kryetari i partisë së tretë në vend, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar njohje të reja deri në fund të këtij muaji. “Do të kemi tri njohje që janë me rëndësi të madhe për Kosovën”, ka thënë ai, të enjten e kaluar, në një prononcim për Express, pa kthimit nga Kajro të Egjiptit, ku është mbajtur një konferencë e përfaqësuesve të Ligës Arabe.

“Isha në Kajro ku jam takuar me personalitete të larta të shteteve të ndryshme. Së shpejti do të kemi njohje nga Katari, dy njohje tjera që nuk kisha dashur t’i zbulojë tash për shkak që të mos ndodhë ajo që ndodhi me Ishujt Maldive...”, është shprehur Pacolli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).