Një histori që Berisha s’di si ta tregojë

Ka shumë ngjarje të rënda në jetën e një politikani që lënë gjurmë të thella në karrierën e tij. Sali Berisha ka pasë plot të tilla. Ngjarjet e vitit 1996 me rënien e procesit zgjedhor, më pas ngjarjet e vitit 1997 me rënien e shtetit, ngjarje të tilla në opozitë si arrestimi i tij apo vrasja e Azem Hajdarit janë me të vërtetë ngjarje të rënda, por për të cilat ai ka gjithmonë një shpjegim. Ka shpjegimin e tij shpesh dogmatik dhe autosugjestiv, por e ka të brendshëm dhe e beson. Ato ngjarje ndryshuan jetën e tij si politikan, por dhe e mbajtën atë në politikë.

Ndryshe nga ato, ngjarja e Gërdecit është një ngjarje që ndryshoi jo vetëm historinë e tij politike, por dhe atë personale. Pas Gërdecit të gjithë kemi parë një kryeministër të transformuar tërësisht dhe shumë regresiv. Përpara Gërdecit ai arriti të ruante qetësinë me medien, të ruante qetësinë me institucionet dhe pse nuk i kishte me vete dhe të bënte rolin e një politikani të moderuar. Për hir të shumë rrethanave joshqiptare dhe rritjes së çmimeve, buxheti po mblidhte më shumë të ardhura dhe investimet publike në rrugë po shtoheshin, kështu që ai kishte qetësinë e duhur për të qeverisur. Zgjedhja e presidentit dhe kryeprokurores, po ashtu e kishin forcuar atë si figurë politike dhe duket se s’kishte asgjë që e trondiste më.

Tragjedia e Gërdecit e prishi përfundimisht këtë rregull. Sali Berisha u ndodh para ngjarjes më të rëndë të jetës së tij politike dhe familjare, jo se ishte përgjegjës direkt për gjithçka çfarë ndodhi, por se kjo është një nga ato ngjarje të cilën ai nuk e tregon dot dy herë njësoj. Edhe kur është përplasur me opozitën në vitin 1996, edhe kur është përplasur me ndërkombëtarët në vitin 1997, dhe kur është përplasur me shtetin në vitin 1998, dhe kur është arrestuar në vitin 2000, ai ka pasë një variant të tij për historinë. Më 15 mars të vitit 2008 ai u gjend jo vetëm para një tragjedie kombëtare, por dhe para një drame të madhe personale. Kontrata që kishte lobuar i biri i tij me një trafikant armësh shkaktoi tragjedinë dhe zbuloi përdorimin privat të shtetit. Ky është momenti kur Sali Berisha nuk shkruan dot më historinë e tij. Dhjetëra detaje të vogla të ekspozuara në sytë e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë e ç’burrëronin atë si baba, si kryeministër, si familjar dhe si politikan që kishte ardhur në pushtet nën premtimin e “Duarve të Pastra”.

Më 15 mars të 2008, në koshiencën e njeriut përgjegjës, por jo fajtor, ai nxitoi të thoshte se për Gërdecin dëgjova sot për herë të parë. Nëse kthen kokën mbrapa në shkresat e firmosura dhe të pafirmosura prej tij, e shikon qartë se prej dhjetorit të vitit 2006 ai është marrë me këtë kontratë. Protokolli i Mbledhjes së qeverisë i shkurtit 2007, ku ai ktheu për herë të parë propozimin e Fatmir Mediut për të firmosur direkt qeveria marrëveshjen me kompaninë e Delijorgjit, tregon qartë se ai ka drejtuar një debat rreth kësaj çështje dhe e ka kthyer mbrapsht atë. Një muaj më pas, i ka hapur rrugë kësaj kontrate, por tashmë të lidhur mes Fatmir Mediut dhe Mihal Delijorgjit. Djali i tij u kujdes për çdo detaj të komenteve të ministrave të linjës dhe i grumbullonte ato paralelisht me zyrën juridike të kryeministrit. Zyra e Aldo Bumçit u kap në flagrancë që raportonte paralelisht tek kryeministri dhe i biri i tij. Të gjitha këto detaje, përfshi dhe historinë tjetër të trafikut të fishekëve nga Rinasi, që e investigonte New York Times, dëshmojmë angazhimin e tij të përditshëm që kjo gjë të mos bëhej publike. Ai ka shkruar paraprakisht letër sqaruese për New York Times, ku i siguron se i biri i tij s’ka lidhje me biznesin e tregtimit të fishekëve. Gjithë këto detaje që tregojnë përfshirjen e tij në këtë histori institucionalisht dhe personalisht, e ç’burrërojnë ata para syve të vartësve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ky ishte shoku i parë që pësoi autoriteti i tij si kryeministër në sytë e njerëzve që e besonin si të ndershëm. Më tej nisi dhe shoku i tij i autoritetit brenda familjes. Me një qetësi të pazakontë, zonja e tij “dëshmon” se ajo dhe i biri ia kanë pasë mbajt fshehur faktin që baxhanaku punon në Gërdec dhe që paskësh vdekur. Një detaj ky krejtësisht i pabesueshëm për këdo që njeh raportet realisht të sinqerta të tyre brenda familjes. Është shokuese për të tashmë që në përpjekje për të dalë i larë publikisht, të tregohet i gatshëm të pranojë se brenda familjes nuk ka pasë sinqeritet. Ky detaj e ka ndryshuar tërësisht Sali Berishën, ka transformuar raportet e tij me shoqërinë dhe ka rritur agresivitetin e tij ndaj çdo kundërshtari, duke iu drejtuar familjeve të tyre. Fill pas kësaj, ne dëgjuam sulmet barbare që ai bëri ndaj gazetarëve, ndaj pronarëve të medies, ndaj familjeve të tyre, dhe rigjallërimin e sulmeve ndaj problemeve familjare të kundërshtarit të tij politik, Edi Rama. Sali Berisha e ka të vështirë të ulet një ditë i qetë, pa strese, dhe me betimin se do shkruajë kujtimet e tij për historinë dhe të rithotë që për Gërdecin mora vesh më 15 mars. Jo vetëm baxhanaku, por dhe djali i dados së mbesave të tij punonte atje dhe ai është aq i lidhur me to, sa e turbullon fakti që dadoja e tyre mund të jetë tmerruar më fatin e djalit më 15 mars.

15 Marsi është një ditë që ndryshoi Sali Berishën si një pikë kthese përfundimtare për fillimin e rrënimit të tij politik. Ajo është një ditë për të cilën ai nuk është kryefajtori dhe as kryepërgjegjësi, por është kryeprodhuesi i një qeverisje që na çoi tek tragjedia. 15 Marsi është një ditë, të cilën Sali Berisha nuk di si ta tregojë dhe sa herë ta tregojë, do ta tregojë gabim, njësoj si bashkëshortja e vet, që thotë krejt gjëra të ndryshme nga e motra e vet, e cila e pësoi nga kjo tragjedi dhe kjo mënyrë qeverisje.

15 Marsi, së fundmi i ka hequr Sali Berishës të drejtën historike për të ngritur gishtin ndaj trafikantëve dhe atyre që tentojnë të kapin shtetin. Pas 15 Marsit Berisha i hapi rrugë këtij fenomeni. Ai dëshmoi se nuk doli i fortë nga ajo tragjedi dhe nuk mund ta ndryshonte historinë. Pikërisht pas 15 Marsit ai u dorëzua ditë pas dite tek secili trafikant që vetë e kishte denoncuar si të tillë. Pas 15 Marsit bashkëpunëtorët e tij janë ndjerë më ngushtë se kurrë, kur ai nga mëngjesi në mbrëmje konsultohej me “telefon të prishur” përmes Fatmir Mediut me Ilrijan Celibashin dhe avokatin zyrtar të Fatmir Mediut, Ardian Vishën. Jo më larg se gjashtë muaj më parë i kishte kërkuar Ina Ramës ta hiqte atë njeri nga Prokuroria e Përgjithshme si bashkëpunëtor i asaj që ai e quan banda “Hakmarrja për Drejtësi”. Bile disa kohë e quante kokën e saj. Tashmë ky njeri, për të cilin nuk kam asnjë mendim se ç’është, është avokati i njeriut më të afërt të Sali Berishës. Sali Berisha tashmë pret me zemër të dridhur, njësoj si Orik Shyti apo pjesëtarët e tjerë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, se s’i do t’i mbrojë Ardian Visha. Kjo keqkatandisje e tij ishte shenja e parë e degradimit të tij politik. Më pas gjithçka dukej normale. Njeriu tjetër që kishte akuzuar si trafikanti më i madh i naftës, Rezart Taçi, u bë pronar i ARMO-s dhe sikur të mos mjaftonte kjo, e bleu atë dhe pa asnjë pare, për shkak të privilegjit fiskal dhe monopolit të D2 që i dha pas tenderit. Shumë biznesmenë të lakuar dhe anatemuar prej tij që s’dua tua përmend emrat, pasi janë në punë të tyre, tashmë janë partnerë të djalit të tij në bizneset që bëjnë me shitje blerje tokash, nga Vlora në Seman. Privatizime të tilla me partnerë të tillë u bën të modës deri tek privatizimi i fundit i OSSH, ku njerëzit e afërt të tij vazhdojnë të marrin pare nga investimet e qeverisë, ndërkohë që OSSH është shitur. Ky degradim i tij pas 15 marsit ka shpjegimin e vet tek humbja e bazës morale të tij për të qeverisur me duar të pastra. Pas 15 marsit ai e ka të vështirë të shikojë shumë miq dhe bashkëpunëtorë të tij në sy. Ai nuk di çfarë të flasë me ta, për se të flasë dhe çfarë tu tregojë. Pas 15 marsit ai ka hequr dorë nga detajet, nga të treguarit e hollësirave dhe bisedave private për këtë tragjedi. Ai ka pasë fol me miqtë e tij hapur për çfarë i ka ndodhur më 26 maj, më 13 mars të 1997-ës apo 28 nëntor të 2000-ës. Për 15 marsin e 2008 nuk flet dot. Është një histori që nuk di si ta tregojë, nuk di kujt t’ia besojë dhe mbi të gjitha një histori që nuk e harron dhe nuk ia harrojnë dot. Kjo e ka ndryshuar tërësisht, natyrisht jo për mirë.

2 Komente

Ahh Mero shume vone Mero shume vone.. E krijuat kete Monster vete me duart tuaja dhe kusuret i heqon shqiptaret keto 18 vjet..  Asgje nuk eshte rastesi me SB asgje! SB eshte krijese e duarve njerezore jo krijese natyrore!

Ah, medet, moj Merushe

Sna the asgje te re per Salen.

Por si perhere shume interesant segmentimi qe i ben historise.

Segmente "MERO ME SALEN" dhe segmente "MERO KUNDER SALES"

MERO ngelet i njejte, Sala varion shume neper segemente.

Ah, medet moj Merushe !!

smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).