Në Gërdec për ditën e verës

Gërdeci, ose më saktë rruga deri tek trau i ushtrisë para se të vesh në Gërdec, s’është vendi më i mirë për të kaluar ditën e verës. Ka vende më të hajrit, bulevardi kryesor i mbushur plot me njerëz të ardhur nga të gjitha anët e Tiranës, kodrat e liqenit, Dajti me borë në majë, Durrësi me detin që tani duhet të jetë akoma relativisht i pastër. Ose fundja edhe Elbasani po qe se doni të provoni si e festojnë ditën e verës matanë Kërrabës. Gjithsesi, sot isha atje por jo për të festuar ditën e verës, por për 1-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit.

Gërdeci për ditën e verës ishte i qetë, plot me diell të ëmbël nga ai që Perëndia i ka falur me shumicë Shqipërisë. Përveç diellit e qetësisë, tre gjëra të tjera të binin lehtësisht në sy:

1)    Rruga copë copë

Është e pamundur të imagjinosh se përse pavarësisht dhjetëra herëve që kanë vajtur Kryeministri, ministrat, politikanë të të dyja palëve e zyrtarë të huaj në Gërdec, rruga që të çon aty nga Vora ka ngelur gropa gropa dhe e paasfaltuar. Thjesht sa për sy e faqe, sa për reklamë të mirë për qeverinë dhe bashkinë Vorë mund, biles jo mund por, DUHET të kishin hedhur një dreq shtresë asfalti. Do ti kishin kursyer vetes sharjet e njerëzve.

2)    Banorët tek trau, PS-ja përtej

Familjarët e viktimave patën nevojë që të negocionin me rojet e ushtrisë për rreth 20 minuta që të lejoheshin të kalonin traun e të vendosnin lule pranë vendit të shpërthimit sepse që ti afrohesh zonës të duhet leje e veçantë nga Ministria e Mbrojtjes. Ironikisht kur u futën brenda panë që po punohej për një podium për protestën e nesërme të opozitës. Siç duket militantët e opozitës nuk janë problem, ndërsa familjarët e viktimave janë.

3)    Kamionët e bashkisë Tiranë në Gërdec

Teksa po prisnim të kthehej grupi i dytë i banorëve që u lejua të kalonte traun (u lejuan dy grupe të vogla), dy kamionë të mesëm dolën nga zona e ndaluar dhe u drejtuan nga autostrada. Kamionët mbanin vegla pune dhe kishin secili nga tre veta, ndërsa në ballë të kamionëve dukej qartë stema e bashkisë së Tiranës. Lidhja kamionë të bashkisë – podium i opozitës ishte një kujtim i hidhur që, në fjalët e njërit prej të pranishmëve, “këta të gjithë pjerdhin në të njëjtin qyp”.

Kaq më mbeti më mendje nga dita e verës në Gërdec, familjarë të veshur në të zeza, punë të pabëra (rruga), gomarllëqe ligjore (se ligji këtu tek ne kap vetëm të dobtit) dhe politikllëqet ditore (kamionët).

4 Komente

Si ka mundesi qe gjate ketyre diteve ka kaq pak tema tek Peshku per Gerdecin?

Xhib, po me gjithë zemër ta them ama: ma vaffancullo!

Sa herë që përmëndet ai muhabet, fillon dhe gërricesh se ngelen duke folur... kur nuk hapet ai muhabet, gjen sërish një motiv për t'u grricur.

Nuk të gjëndet karari... nuk dinë as adminat se ç'ujë t'i japin gomarit* smiley 

* gomari e merr vesh vetë ti se kush është në ktë rast ... se je i qutë për kto gjojna smiley

Po ti o burrë mbaje pak dorën, ky tashi sa na erdhi. Prit njëherë, t'i vëmë samarin, kapistrën, ta ngarkojmë ca me dru (bo nanji punë të paktën), pastaj e zëmë me shkop. smiley

 

Siç duket militantët e opozitës nuk janë problem, ndërsa familjarët e viktimave janë.

Sa per sqarim e ke dhene vete pergjigjen "që ti afrohesh zonës të duhet leje e veçantë nga Ministria e Mbrojtjes".. Nuk eshte thjesht ceshtje "problemi" por ceshtje leje!

Pershkrim i hidhur i Gerdcit. Ngushllimet e mia me te sinqerta!

Fotografia e asaj vogelushes se gjakosur nga predhat akoma e kam ne mendje.    smiley 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).