Ndryshimet në Kushtetutë, Venecia: OK

Reagon LSI, Braho: Nuk ka rëndësi qëndrimi i komisionit të KE-së, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD-ja tensionuan shumë klimën politike në vend, duke shkaktuar një debat të fortë mes dy partive të mëdha dhe partive të vogla. LSI-ja, e mbështetur edhe nga partitë e tjera të vogla, duke përjashtuar PR-në dhe PSD-në, kundërshtuan ndryshimet në Kushtetutë, duke theksuar se po kërkohet të dhunohet demokracia në vend. Në qendër të sulmeve të LSI-së ka qenë kryetari i PS-së, Edi Rama. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë asaj kohe ka akuzuar kryetarin e PS-së Rama se në këmbim të pranimit të listës së mbyllur të kandidatëve për deputetë, ka pranuar të japë mbështetje për ndryshimet në Kushtetutë. Nuk mund të bëhet Kushtetuta e Shqipërisë si KRRT-ja e Tiranës, është shprehur Meta, që ndryshon kur do Rama me Berishën për interesa të mbyllura klienteliste. Nuk mund të bëhet as si statuti i PS-së dhe i PD-së, që ndryshon sipas interesave të kryetarit të tyre. Ndaj Ramës, në atë kohë, erdhën akuza edhe nga kreu i PAD-së, Ceka. Sipas tij, amendimet e propozuara nga PD synojnë t‘i shtojnë fuqitë kushtetuese Kryeministrit Berisha. Për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të mos lejuar miratimin e ndryshimeve të propozuara nga PD-ja, deputetët e LSI-së dhe të PDK-së u futën në grevë urie në sallën e Parlamentit. Ky precedent ndodhte për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Greva zgjati gati dhjetë ditë, por që mund të thuhet me plot gojë se nuk shërbeu për asgjë. Kjo, pasi dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja i miratuan me shumicë votash dhe me konsensus të gjitha ndryshimet në Kushtetutë. Më pas, ndryshimet u dërguan në Presidencë, dhe pas dy javësh u dekretuan, pavarësisht thirrjeve të bëra nga LSI-ja dhe PDK-ja për mosdekretimin e tyre.

Kuvendi

Ndryshimet kushtetuese morën 115 vota pro

Kuvendi ka miratuar me 115 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenim paketën e plotë për ndryshimet në Kushtetutë. Me konsensus të PD-PS është përcaktuar në Kushtetutë që sistemi zgjedhor në vend të jetë ai proporcional rajonal, Presidenti i Republikës do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend 70+1, si dhe përcaktohet që Prokurori i Përgjithshëm të ketë një mandat pesëvjeçar. Po kështu është caktuar që të hiqet nga Kushtetuta Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kuvendi të shpërndahet në rast se nuk miratohet mocioni i besimit të Kryeministrit për kabinetin e tij. Si një pakt i ardhur nga PD-PS, ndryshimet kushtetuese nuk kanë pasur debate të shumta në sallën e Kuvendit nga dy partitë e mëdha.

Topi dekretoi ndryshimet në Kushtetutë

Pas miratimit në Kuvend, Presidenti i Republikës ka dekretuar ndryshimet kushtetuese. Ato janë dekretuar nga Presidenti Topi pa hezitim, pavarësisht kërkesës së LSI-së dhe Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës për të mos i miratuar ato. Ndryshimet ishin për sistemin zgjedhor në vend, mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit, mocionin ndaj Kryeministrit dhe mandatin për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës. Pas kësaj, drejtuesit e LSI-së nisën një fushatë për mbledhjen e firmave për realizimin e një referendumi popullor, por ajo u rrëzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nisma

LSI dështon në mbledhjen e firmave

Ka dështuar përpjekja e LSI-së për të mbledhur 28 firmat e deputetëve, e nevojshme për të zhvilluar referendumin për të shfuqizuar ndryshimet kushtetuese. I gjendur në këtë pozitë, një ditë përpara hyrjes në fuqi të paketës së votuar në Kuvend natën e 21 prillit, Ilir Meta ka zgjedhur një rrugë tjetër për të zhvilluar referendumin që është neni 150 i Kushtetutës. Ky nen legjitimon marrjen e firmave në popull. Në fakt, Meta paralajmëroi fillimin e protestave më 10 maj të 2008, prej nga ku do të fillonte edhe mbledhja e firmave të nevojshme për të detyruar legjislativin të mos bënte ndryshime në Kushtetutë. Për këtë duheshin të mblidheshin 50 mijë firma, nismë e cila dështoi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).