Mijëra qytetarë, homazhe për viktimat e Gërdecit

Protestat e opozitës dhe kritikat e qeverisë

Njëvjetori i tragjedisë së Gërdecit, ku mbetën të vdekur 26 njerëz dhe u plagosën qindra të tjerë, është kujtuar me protesta nga opozita. Protesta ka filluar në orën 12:20 në zonën e Gërdecit, kohë në të cilën ndodhi shpërthimi i tmerrshëm një vit më parë. Krerët e opozitës, Edi Rama, i cili shoqërohej nga i biri, Gregori, Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të opozitës, protestuan në heshtje, pa fjalime dhe thirrje, duke hedhur lule në vendin simbolik të shpërthimit. Ndërsa aktorja Luiza Xhuvani ka interpretuar një poezi, e cila ka ngjallur jo pak dhimbje e lot te të pranishmit dhe muzika funebër e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës në sfond. Më pas, turma është nisur me marshim drejt Tiranës, e mbuluar nga një flamur 20 metër i gjatë dhe 12 metra i gjerë, në të cilin shkruhej "Ndryshim". Flamuri është nisur nga Gërdeci në orën 13:00, i mbajtur në dorë nga shoqata "Gërdeci" dhe vullnetarët e PS-së. Ai ka mbërritur në Tiranë, në sheshin "Skënderbej" në orën 16:30, këtë herë i shoqëruar nga krerët e lartë të opozitës, duke përshkruar 18 kilometra në këmbë. Më pas, protesta vijoi në sheshin "Skënderbej", këtë herë, ndryshe nga protesta e mesditës, nuk kanë munguar fjalimet kundër qeverisë dhe shkaktarëve të asaj tragjedie. Ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita ka qenë e ndarë në këtë ditë. PS-ja ka nisur protestën që në mesditë, për të vijuar në sheshin "Skënderbej", ndërsa LSI-ja ka protestuar në orën 17:00, në sheshin "Nënë Tereza". Protestat kanë vijuar të qeta dhe kanë shmangur përplasjet e tyre para Kryeministrisë, duke u grumbulluar aty në orare të ndryshme. LSI-ja ishte e para që i ka kërkuar para Kryeministrisë Berishës të ikë dhe gati një orë më pas, PS-ja me mbështetësit e saj, e cila ka kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve.

Protesta e PS-së

Pas protestës në sheshin "Skënderbej", ku kanë kritikuar qeverinë dhe kërkuar largimin e saj me votë nga qytetarët, drejtuesit e PS-së janë nisur drejt Kryeministrisë. Në një podium të improvizuar para godinës së Këshillit të Ministrave, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka kërkuar t‘i jepet fund politikës së vjetër. Ai deklaroi se ka ardhur koha për ndryshim, përmes një politike të re dhe do të jetë PS-ja, me votat e qytetarëve ajo që do të sjellë ndryshimin. Ai deklaroi se për 18 vjet u abuzua me pushtetin, ndaj shqiptarët duhet të bashkojnë gjithë fuqitë kundër kësaj loje politike. "Sot, tha Rama, duam një Shqipëri si gjithë Evropa, duam të jemi qytetarë evropianë, ku fëmijët të shkollohen dhe të mos ketë të rinj të papunësuar". Duke vënë theksin te korrupsioni qeveritar, kryetari i PS-së theksoi se edhe 26 njerëzit u vranë nga ky korrupsion. Ai i ka kërkuar politikës të mos hyjë në punët e drejtësisë. Kryetari i PS-së u ka kërkuar qytetarëve që të mos merren me gjuhët e vjetra dhe të mos i përgjigjen mllefit me mllef. Gjithçka realizohet, është shprehur ai, nëse bashkohemi.

Protesta e LSI-së

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë protestës për Gërdecin, me moton "Berisha ik!", akuzoi Kryeministrin Sali Berisha, si përgjegjësin kryesor për tragjedinë e Gërdecit, e cila mori jetën e 26 personave, ndërsa kërkoi largimin e tij nga qeverisja e vendit. Para protestuesve të LSI-së, Meta tha: "Berisha ik! Kjo është thirrja e së gjithë opozitës, jo vetëm në Tiranë, po në të gjithë Shqipërinë dhe është sfida jonë". Kreu i LSI-së është shprehur i bindur se më 28 qershor do ta nxjerrë në pension Berishën, si e keqja e vendit, si shkaktarin e vdekjes së 26 personave më 15 mars të vitit të kaluar. Meta, në fjalën e tij, ka akuzuar deputetët e PS-së, se nuk dhanë firmat për të krijuar komisionin hetimor për Gërdecin. Edhe kryetari i PSV 91, Petro Koçi, partia e të cilit është në koalicion me LSI-në, ka deklaruar se autor i tragjedisë së Gërdecit ishte shoqata MEICO që ka për drejtues Berishën. "Jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Duhet të guxojmë për të sjellë ndryshimin", është shprehur Koçi.
 

Deklaratat:

Veliaj: Shteti ende nuk ka dhënë drejtësi

Kryetari i lëvizjes G99, Erjon Veliaj, gjatë fjalës së tij në sheshin "Skënderbej", nënvizoi faktin se qeveria shqiptare ende nuk ka kërkuar ndjesë për tragjedinë e një viti më parë dhe ende nuk është vënë drejtësi. Veliaj i ka konsideruar momentet e shpërthimit të fabrikës së demontimit, si momentin kur Shqipëria ngriu teksa qeveria vriste shqiptarët. "Sot, teksa shkoni në shtëpi, bëni një lutje për Gërdecin, do të jemi më të fortë e më të bashkuar, në këtë mënyrë siç jemi sot", është shprehur Veliaj. Në këtë protestë e ka marrë fjalën edhe kryetari i shoqatës së "Gërdecit", Gëzim Gjoni, i cili theksoi se tragjedia e një viti më parë nuk duhet harruar për 26 arsye. Duke përmendur 26 emrat e viktimave të tragjedisë, Gjoni deklaroi se "sot, më shumë se kurrë, i duhet thënë po ndryshimit". Po kështu, pro ndryshimit është shprehur dhe Shoqata e Minatorëve, e cila nëpërmjet kryetarit Fiqiri Xibri, kërkoi t‘i jepet fund kësaj qeverie, e cila nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka vrarë dhe shkatërruar shtetasit e saj. Në protestën me moton "Mos Harro" ishin dhe përfaqësues të shoqatave të tjera.

Gjinushi dhe Milo

"Kjo është qeveria e skandaleve"

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka denoncuar nga sheshi "Skënderbej" qeverinë "Berisha" për të mos ndodhur më Gërdecë të tjerë. Ai e ka konsideruar Gërdecin si një provë të qeverisë në të cilën u tregua qartë se jeta e njeriut vlen më pak se pushteti i Berishës. Gjinushi është shprehur me tone të ashpra kundër Kryeministrit, duke thënë se "mjafton largimi i Sali Berishës, për të shpëtuar Shqipërinë, le të largojmë doktorin Kryeministër që ka ngatërruar bluzën e mjekut me atë të kasapit". Po kështu, kundër kësaj qeverie, është shprehur edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i cili ka akuzuar mazhorancën për papërgjegjshmëri duke sjellë në kujtesë ngjarje që mund të konsiderohen si ‘Gërdecë‘ të tjerë. "Shumë ‘Gërdecë‘ të tjerë kanë ndodhur në kohë, ‘Gërdecë‘ në Bulqizë e shumë të tjerë do të ndodhin për sa kohë që ne nuk do të kujtojmë, por do të harrojmë dhe nuk do të bashkohemi për t‘i dhënë fund kësaj qeverisjeje", është shprehur kreu i PDS-së. Kjo qeveri, tha Milo, erdhi në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit dhe u shndërrua në simbol të korrupsionit më të madh që ka parë Shqipëria deri më sot.

Qeveria kërkon nga Ina Rama që të zbardhë Gërdecin

"Zbardhja e së vërtetës është me rëndësi për drejtësinë"

Qeveria "Berisha" reagon në ditën e njëvjetorit të tragjedisë së "Gërdecit", duke kërkuar nga drejtësia që të zbardhë të gjithë të vërtetën për të shëruar çdo plagë.

Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet zëdhënëses së tij, Juela Meçani, ka deklaruar se "qeveria ka bërë çdo përpjekje dhe ka dhënë çdo ndihmë me dokumentacion dhe mbështetje për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të gjithanshëm, si dhe vendosjen para ligjit të autorëve të tragjedisë". Lufta e ftohtë institucionale qeveri-prokurori ka ardhur si pasojë e përfshirjes së një ish-ministri të kabinetit "Berisha" në këtë ngjarje. Ajo që vlen të theksohet është se një vit pas shpërthimit të 15 marsit 2008, Partia Demokratike vazhdon ta etiketojë ngjarjen si një aksident tragjik. "Qeveria nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me akuzat e formuluara vetëm e vetëm për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik; nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit dhe pazaret politiko-mediatike me dosjen e kësaj tragjedie", u shpreh Meçani. Sipas saj, për qeverinë shqiptare, zbardhja e së vërtetës mbi Gërdecin është me rëndësi kapitale. Duke e cilësuar si një aksident tragjik ngjarjen që u mori jetën 26 personave dhe la qindra të tjerë të pastrehë, zëdhënësja shprehu ngushëllimet në emër të qeverisë, si dhe siguroi familjarët e viktimave se qeveria do të qëndrojë gjithmonë pranë tyre për të kapërcyer pasojat e këtij aksidenti.

"Qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit, që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike dhe vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë dhe qëndrimin e kësaj qeverie që në minutat e para pas aksidentit e deri në ditët e sotme", thuhet në qëndrimin e qeverisë, ku vihen në dukje edhe përpjekjet për t‘u ardhur në ndihmë të plagosurve që pas momenteve të para të shpërthimit. Zëdhënësja Meçani theksoi se qeveria ndan me familjarët e viktimave të 15 marsit 2008 dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta. "Qeveria i siguron ata të gjithë se, sikundër deri më sot, ajo do të jetë bashkë me ta, do të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin për kapërcimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të këtij aksidenti tragjik", tha ajo, duke shtuar se qeveria falënderon familjet e viktimave, gjithë komunitetin e zonës së Gërdecit, si dhe qeverinë vendore, për kontributin dhe bashkëpunimin e frytshëm dhe luajal me këtë qeveri në të gjithë trajtimin e problematikës së zonës. Në emër të Kryeministrit Berisha, zëdhënësja e tij sqaron se "Kryeministri dhe ministrat e kabinetit, që në minutat e para pas aksidentit organizuan operacionin e kërkim-shpëtimit më të shpejtë. Mijëra trupa të njësive të ushtrisë dhe policisë, si dhe qindra banorë të zonës u përballën me vetëmohim dhe heroizëm të pashoq për çdo minutë, për 48 orë rresht me vdekjen, dhe shpëtuan dhjetëra e dhjetëra jetë".

Selia blu: "Gërdeci, Prokuroria në shërbim të opozitës"

Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, hedh akuza mbi Prokurorinë, se ka vënë hetimet për ngjarjen e Gërdecit në shërbim të opozitës. Ai ka akuzuar gjithashtu kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka bashkëpunuar me një nga të akuzuarit kryesorë të tragjedisë, Mihal Delijorgjin. "Rama nuk proteston dot për Gërdecin, sepse me Delijorgjin ka sipërmarrje të përbashkëta dhe vetëm javën e fundit para aksidentit ndau me të lejet e ndërtimit në Tiranë", tha Bumçi. Unifikimin e të njëjtit qëndrim në selinë blu e konfirmoi edhe zëdhënësi i saj, Gerti Bogdani, duke bërë me dije se qeveria shqiptare do të punojë për mbylljen e plagëve të aksidentit tragjik të Gërdecit. "PD vlerëson qëndrimin e qytetëruar të banorëve të Gërdecit, refuzimin që ata i bënë manipulimit me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama, i cili ka zgjedhur këtë ditë për të hapur fushatën e tij elektorale me një miting mortor, duke dhunuar Kodin e të Vdekurve", tha Bogdani. Sipas tij, "Rama ndjen çdo orë dhe çdo ditë se kjo alternativë po gropos njëherë e përgjithmonë karrierën e tij politike".

Të majtët e Beratit, të ndarë drejt Tiranës për protestat e Gërdecit

Socialistët dhe përkrahësit e LSI-së në Berat janë nisur të ndarë drejt Tiranës, për të marrë pjesë në mitingun e organizuar në kujtim të tragjedisë së Gërdecit. Drejtuesit e degëve në bazë kanë organizuar veç e veç simpatizantët dhe përkrahësit e dy partive të spektrit të majtë, që i janë përgjigjur thirrjes për të marrë pjesë në mitingun që u organizua dje në Tiranë. Janë caktuar orare dhe pika të ndryshme të qytetit për nisjen drejt kryeqytetit. Të parët janë grumbulluar përfaqësuesit e PS-së. Ata janë mbledhur rreth orës 12:00 në agjencinë e qytetit, ku i prisnin 13 autobusë, të cilët ishin vënë në dispozicion të tyre për të udhëtuar drejt Tiranës. Ndërsa përfaqësuesit e LSI-së janë grumbulluar në qendrën e qytetit, në sheshin përpara hotelit "Tomorri". 7 autobusët e vënë në dispozicion të tyre janë nisur disa minuta më vonë nga nisja e autobusëve të PS-së.

Anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së dhe PS-së së Beratit ishin dje pjesë e mitingut të madh të organizuar nga opozita në kujtim të 1-vjetorit nga tragjedia e Gërdecit. Kryefjala e protestës ishte kërkesa për largimin e Kryeministrit Sali Berisha dhe gjetja e përgjegjësve për ngjarjen e ndodhur në 15 marsin e shkuar.
 

Gërdeci 1 vit, shëndetësia rikujton ngjarjen

Transporti i pacientëve në spitalet jashtë. Të sëmurët, telefonatat, emergjenca për ndihmë

Një vit më parë, kur të gjithë dëgjuan shpërthimin e Gërdecit, sistemit shëndetësor iu desh të mbante barrën më të madhe.

Edhe pse një ditë pushimi, shumicës së mjekëve nuk iu desh një shkresë zyrtare për të shkuar në punë, në krye të detyrës. Për 48 orë me radhë punë intensive, fluksi i pacientëve, shqetësimi i pacientëve, interesimi i mediave, u rrinin si çekan mbi kohë bluzave të bardha. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, rikujton edhe një herë atë ditë dhe të tjerat që vijuan më pas. "Nga telefonatat dhe kërkesat për të dërguar sa më shpejt pacientët jashtë, më mbiquajtën njeriu i emergjencave. Është bërë një punë kolosale. Bashkëpunimi ka qenë i gjithanshëm. Por, ajo që vlen për t‘u theksuar është gatishmëria dhe humanizmi i shtetit italian, ambasadës italiane, Rajonit të Puljas, që priti më shumë se 20 pacientë shqiptarë", theksoi Spahia. Po ashtu, bashkëpunimi me kooperacionin zviceran, rakordimi i punëve mes aeroportit të Rinasit, ndërlidhja mes institucioneve shëndetësore, është vërtet për t‘u kujtuar dhe falënderuar dhe jo vetëm nga mjekët, pacientët, të afërmit e tyre apo përfaqësuesit e shëndetësisë. Një falënderim i madh vjen nga gjithë shqiptarët që atë ditë dhanë më shumë se 1 mijë njësi gjaku, për ambasadën italiane, për humanizmin e këtij shteti, që nën trysninë e kohës, në mungesën e dokumentacionit, punuan pa orar për të shpëtuar nga dhimbja pacientët shqiptarë.

"Jo vetëm asistenca shëndetësore, por edhe gatishmëria për të na ndihmuar me ndihma, kohë, orë pune dhe për gjithçka që kanë bërë të huajt për të ndihmuar pacientët shqiptarë, është për t‘u rikujtuar me shumë dashamirësi". Një falënderim i madh për ndërkombëtarët, mjekët, infermierët, stafin që qëndroi për 48 orë pa lëvizur në punë, mediat dhe qytetarët që iu bashkuan thirrjes për dhurimin e gjakut.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).