Meta: Koalicion me PS pas zgjedhjeve

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se kjo parti do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me PS-në pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një deklaratë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me partinë “Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”, e drejtuar nga Ligoraq Karamelo, por dhe në fjalën përshëndetëse në konferencën e parë kombëtare të PSV ‘91, Meta ishte e qartë se LSI-në nuk e ndan asgjë nga e majta progresiste. “Ne jemi të sigurt se pas zgjedhjeve do të realizojmë një koalicion të shëndetshëm midis gjithë socialistëve dhe progresistëve, pasi të gjithë e kuptojnë se kush e ka hedhur farën e intrigës, të përçarjes dhe të përjashtimit brenda PS-së në Shqipëri, vetëm për qëllime egoiste dhe korruptive”, tha Meta. Kreu i LSI-së i dha dje përgjigje dhe aludimeve lidhur me një bashkëpunim të PD-së me LSI-në pas zgjedhjeve. “Është për të ardhur keq kur shikojmë ata që gëzohen për ndonjë diversion pa kripë që bën kryeministri ynë në prag të daljes në pension në 28 qershor, se gjoja ai do bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim apo me koalicionin tonë. Shaka të tilla pa kripë fare të Sali Berishës, jo vetëm që nuk mund të zënë vend, por përkundrazi tregojnë krizën e thellë ku është Berisha, por dhe krizën e thellë të gjithë atyre të tjerëve që nuk kanë një alternativë më të mirë se sa Berisha për të qeverisur vendin, sepse janë fotokopje e alternativës së Sali Berishës, e përjashtimit, e kastës dhe e monopoleve, e një qeverisje larg njerëzve dhe larg qytetarëve”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh i vendosur të bashkëpunojë me socialistët, me të cilët, sipas tij, nuk i ndan asgjë. “Në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme në këto zgjedhje, padyshim që LSI koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe natyrisht në radhë të parë me Partinë Socialiste. Sepse ne asnjëherë nuk na ka ndarë dhe nuk na ndan asnjë gjë nga socialistët dhe idealet e tyre për një Shqipëri më të mirë, në themel të së cilës të jetë solidariteti dhe jo intrigat, as të Berishës dhe as të atyre të tjerëve që i pëlqejnë intrigat e Berishës”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së u shpreh dje i sigurt në fitoren e koalicionit që drejtohet nga LSI, e ku bëjnë pjesë dhe parti të tjera si PSV ‘91 dhe shoqata të tjera pasi, sipas tij, ky koalicion ofron alternativa të shumta për shqiptarët. “Alternativa që ne përfaqësojmë është alternativa që u jep dorën gjithë shqiptarëve të thjeshtë, që iu jep mundësinë që të ecin përpara, mbi të gjitha është alternativa që do të arrijë të krijojë mundësinë që përmes punësimit të gjithë shqiptarëve që janë në gjendje të punojnë dhe duan të punojnë, të ndërtojmë një të ardhme të lumtur për çdo shqiptar dhe për vendin tonë. Sepse Shqipëria nuk mund të jetë as e fortë dhe as e lumtur kur një kastë lulëzon në privilegjet e vetëkrijuara në mënyrën e padrejtë dhe informale dhe kur shumica e qytetarëve ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Ne duam një Shqipëri, e cila në themelet e veta ka solidaritetin”, tha Meta.

LSI koalicion me Karamelon

LSI nënshkroi dje marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 qershorit me Partinë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut që drejtohet nga Ligoraq Karamelo. Duke vlerësuar këtë bashkëpunim, Meta tha se përmes këtij bashkëpunimi do të integrohen sa më shumë faktorë të rëndësishëm që do të kontribuojnë për alternativën tonë, në mënyrë që ajo të jetë fituese në zgjedhjet e 28 qershorit. Karamelo e cilësoi bashkëpunimin me LSI-së si privilegj, përgjegjësi, nxitje e madhe, sepse LSI-ja ka treguar që është një forcë politike moderne, bashkëkohore, ambicioze, e vendosur të qeverisë vendin.

 

Koçi: Imperativ fitorja e të majtës

Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 zhvilloi dje konferencën e parë kombëtare të saj. Në përfundim të saj, konferenca doli me një rezolutë ku kërkohet fitorja e domosdoshme e të majtës shqiptare. Rezoluta dënon përçarjen e së majtës nga instalimi i një politike monopoliste në sistemin kushtetues, nga bashkëpunimi joparimor i PS-së me Berishën për të përjashtuar të majtën ndryshe nga administrimi zgjedhor, por dhe nga shitja e tragjedisë së Gërdecit. PSV ‘91 i bën apel shqiptarëve të aplikojnë për karta identiteti dhe të dalin pasivisht në zgjedhje.

Veliaj: Meta është jo i qëndrueshëm

Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, komentoi dje deklaratën e Ilir Metës për bashkëpunim me PS-në pas zgjedhjeve. Veliaj u shpreh se kjo deklaratë është një demagogji e radhës dhe “xhuvelizëm”. “Zoti Meta është i paqëndrueshëm, ai dëshiron të bëjë edhe në katër vitet e ardhshme atë që ka bërë bashkë me Berishën e Nanon gjatë këtyre 18 vjetëve”. “Këta politikanë”, theksoi ai, “janë të gatshëm të thonë gjithçka e pastaj të thonë të kundërtën e asaj që kanë thënë”. Sipas drejtuesit të G99, kreu i LSI-së po tregon se është i paqëndrueshëm e po sillet njësoj si Lufter Xhuveli. “Xhuvelizmi duhet të marrë fund njëherë e mirë në këtë vend”, u shpreh më tej Veliaj. Këtë deklaratë Veliaj e bëri gjatë një takimi me studentë konviktorë, të cilët shprehën shqetësimin për çmimin e lartë të kartave të identitetit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).