Më pak se 1/3

Shqipni Tavolinash

Të shumtë qenë shqiptarët që u gëzuan kur dëgjuan se, ministri i Punëve Publike u paskësh hequr licencën nja dy firmave të rrugëve, për shkak të punimeve të dobëta që kishin kryer. S‘ka këtuuu, bëre punë të dobët, unë ministri të bie kokës, se s‘më zë gjumi për djersën e popullit. Si gjithmonë, ne e zëmë problemin nga maja dhe jo nga themeli, domethënë kërkojmë ta shkulim preshin duke e zënë nga fletrat dhe pastaj çuditemi kur na mbeten fletrat në dorë, ndërsa preshi vazhdon të thëthijë ndën dhè. Ndaj, do provoj ta shoh ca problemin nga ana tjetër.

KAFSHATAT

Firma ka hyrë në tender dhe, për ta fituar, natyrisht që ka ofruar një shifër më të ulët sesa limiti. Pastaj, 5 deri 10% të shumës i do deputeti i zonës, se po të mos qe ai që të ndërhynte te ministri, as që bëhet fjalë që të përfshihej rruga në listën e Ministrisë. Pastaj, 10% të pathyera i do Ministri, se përndryshe as që bëhet fjalë që të të pranojnë dokumentet, e jo më pastaj të fitosh tenderin. Ikën edhe 10% të tjera. Meqë shuma filloi të tkurret, edhe komisioni i tenderit nuk e hedh më firmën kollaj për të të nxjerrë fitues, apo për të ndryshuar kushtet sipas qejfit të firmës, kështu që 3 deri 5% tjetër do shkojë për ta ndarë komisioni.

Shumica e tenderave të sotmë për rrugë, ujësjellës, kanalizime, e të tjera vepra të llojit, bëhen ose fare pa projekte, ose me projekte sa për të thënë, kështu që i thuhet firmës që ta bëjë projektin vetë, pasi të ketë fituar tenderin. Meqë të bësh një projekt nuk është llaf goje, por janë para të tjera që shkojnë atje ku s‘duhet, do llogaritur edhe nja 3% për projektin. Mos harroni se ne edhe rrugën e Kosovës, që ishte një miliard dollarë, e nisëm pa asnjë copë letër projekti.

Në kacidhet që mbeten, duhen llogaritur lloj-lloj gjërash të paparashikuara: gjoba, bakshishe, kafe, kontrolle inspektoratesh, ryshfete policish, e më the të thashë. Bie llafi, do i vejë policia e ndërtimit dhe do i kërkojë pse i ke punëtorët pa kapele plastike, apo pse kantieri nuk është i rrethuar me llamarinë, e ç‘t‘i shpiki mëndja tjetër policit të radhës. Ç‘t‘i thojë Firma, që "ik or daj m‘lej rehat se më ka pirë gjakun deputeti dhe ministri dhe s‘më ka mbet lek për kapele e llamarina"? Natyrisht që jo, por do përpiqet ta zgjidhë me një shuk në xhep të policit. Ikën ky polic, do vijë inspektori, ikën inspektori vjen kontrollori, e kështu me radhë, vetëm se asnjëri për të bërë ndonjë lek punë, por thjesht për të nxjerrë edhe ata lekun e tyre. Kështu që nja 3 deri 5% të tjera, shkojnë me këto dorovitje ditore.

Meqë, që tani duket që rruga do jetë me probleme, firma duhet të mendohet edhe për një gjë tjetër. Kur të mbarojë rrugën, i vjen radha ekipit të kolaudatorëve, të cilët do vënë firmën për t‘u marrë në dorëzim vepra. Natyrisht që duke qenë rruga e zhvatur që në nisje, këta nuk e vënë firmën për qamet pa parë edhe ata pjesën e tyre, që shkon lart e poshtë 3% të tjera.

Harrova të shtoj një tjetër element. Vitet e fundit ka dalë edhe një modë e re. Janë krijuar një numër firmash që ekzistojnë vetëm në letër, të cilat marrin pjesë në tendera, duke u paraqitur me shifra shumë të ulëta, vetëm për t‘ju prishur punë firmave serioze dhe pastaj u kërkojnë para këtyre firmave për t‘u tërhequr nga tenderi. T‘ua shpjegoj më qartë: Ta zëmë se është shpallur një tender 100 lekë. Nëse firmat serioze paraqiten, kush me 80 e kush me 90 lekë, këto firmat fantazmë paraqiten me 40, apo 50 lekë dhe teorikisht i bie ta fitojnë ato tenderin. Në këtë moment, ato shkojnë te seriozja dhe i thonë: "Nëm 5 lekë mua në dorë dhe unë tërhiqem nga tenderi". Seriozja, për të mos humbur tenderin, pranon dhe kështu shkuan e vanë edhe ca përqindje të tjera.

E shoh që maniakët e shifrave po mundohen të kuptojnë se ç‘është ai zëri "të tjera" që kam përfshirë aty në tabelë. Po jua shpjegoj me një shembull, siç ma kanë treguar. Një firme që bënte një rrugë të re, në një farë vëndi i dalin përpara nja dy gardhe që natyrisht nuk ishin përfshirë në projekt dhe që të zotët i thonë "mos guxo me i prek, se të shkon koka". Pezulloi punimet dhe humbi mbi një muaj duke bërë letra poshtë e lart nëpër ministrira, bashkira, policira e kudo tjetër. Meqë askush nuk i doli zot që, nëse ato toka ishin me pronar, të merrej me shpronësimet; apo, nëse ata ishin thjesht zaptues të paligjshëm, të merrej me shmangien e kërcënuesve; firma u detyrua t‘ua paguante atë tokë sa frëngu pulën, për të mos qëndruar edhe më pa punë. Një tjetër, më tregonte për një ujësjellës që ishte detyruar ta zgjaste 250 metra mbi projektin me paratë e veta, për t‘i rënë rreth e rreth një toke, ku as pronari nuk pranonte që ujësjellësi t‘i kalonte poshtë, e as ministria nuk pranonte të bënte shpronësim.

Një i tretë, më thoshte se po bënte punimet e një rruge që kalonte nëpër një Komunë, kur i vijnë nja dy barkvarur dhe i thonë se ishin të inspektoratit të bashkisë dhe donin t‘i vinin gjobë se nuk ke leje ndërtimi. Pasi i pagoi nja dy javë rresht këta, u ndërruan dhe i vinin dy të tjerë. Më tregonte se, pastaj për të shpëtuar, i pagova një shuk në dorë Kryetarit të Komunës dhe më lëshoi leje ndërtimi, po këtu e hëngra. Sa nuk kisha fare leje, e hidhja me bakshishe, ndërsa tani që mora leje erdhi Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit. Stop, lejen. Ja ku e keni. Jo nuk vlen nga Komuna, duhet nga KRTRSH-ja. Mos, thashë, të kthehesha edhe një herë nga fillimi në Ministri, më zinte tmerri vetëm ta mendoja. Ju mbusha xhepin edhe këtyre dhe u treguan "xhanan burra", duke mos më ngacmuar më deri ditën kur kalova nga kufiri i këtij qarku në brendësi të qarkut tjetër. Ku gjithçka filloi nga fillimi.

Por prisni, se hesapi nuk ka mbaruar ende. Deri tani mbushën xhepat shtetarët, tani i vjen radha shtetit, i cili me të drejtë kërkon taksat, të cilat vërtiten në rreth 30% të shumës së përgjithshme, ku përfshihen TVSH-ja, tatim fitimi, sigurime shoqërore, zhdoganime, e të tjera të tilla. Pasi llogaritëm edhe këto, të mos harrojmë edhe fitimin e vetë firmës, që vërtitet tek 10%-shi, se edhe ky nuk ka dalë për sadaka, por për të fituar.

Pa më thoni tani, me ç‘para do ta bëjë rrugën firmë-ziu, më shumë se gjysma e parave shkoi rrush e kumblla, pa vënë ende kazmë në tokë? Por ka edhe më. Meqenëse me kacidhet që mbeten rruga nuk bëhet, ligja ka lënë një shteg. Ministri ka të drejtë të shtojë deri në 20% vlerën e kontratës. Zakonisht është kjo shtesë e fundit që shërben për të mbyllur punimet, si edhe për të blerë shiritin, tabakanë dhe gërshërën e inaugurimit.

TABELA

Deputeti: 5-10%

Ministri: 10%

Komisioni: 2- 4%

Projekti: 3%

Supervizori: 2%

Kolaudatori: 3%

Bakshishe: 2- 4%

Të tjera: 3- 5%

TVSH: 20%

Tatime, taksa: 10%

Fitimi: 10%

Totali: mbi 70%

Pra, po të bëjmë tani llogarinë përfundimtare na del se, në 100% të të gjithës, po të heqim ato që shkojnë te shtetarët, ato që shkojnë te shteti dhe, ato që shkojnë te firma vetë, mbeten në fund vetëm nja 30% të shkreta për t‘u hedhur realisht te rruga, nëse firma është vërtet aq e ndërgjegjshme sa ta bëjë edhe këtë.

SHPIKJET E FUNDIT

Muajin e fundit ka dalë edhe një tjetër modë. Shpallen tenderat dhe firmave fituese u jepen vetëm 5 deri 10% e parave, pasi vetëm aq ka buxheti i shtetit dhe u thuhet që filloni punën, pa pastaj pas një viti, kur të keni mbaruar, le t‘jua japë qeveria tjetër paratë. Kjo, ka tri të mira për këtë qeverinë tonë dhe tri bela për firmat: edhe duket sikur po bën shumë punë, tani që është përpara fushatës elektorale, edhe duket sikur e ka arkën e shtetit plot, kur në fakt e ka pa një kacidhe, por edhe ja lë doçin në derë qeverisë që do vijë.

Si të mos mjaftonin këto, ka edhe një bela të katërt. Më thosh para ca ditësh pronari i një firme, që sapo kish fituar një nga këta tendera fantazmë, se i kishin lëvruar vetëm 5% të fondit të përgjithshëm (që ishte goxha i madh në fakt, 320 milionë lek&eumlsmiley, mirëpo ministri i sotmë ja donte në dorë që tani paradhënie 10%-shin që i takonte. Kësaj o njerëz, i thonë "nëm atë që s‘më ke". Do ja japësh, e pyes. Ja dhashë, më thotë duke psherëtirë, mora kredi në bankë. Tani duhet të paguaj edhe kredinë, edhe interesat e kredisë thelë mbi bisht. Mund të jetë rast unikal në botë, ku merret kredi për ta dhënë ryshfet. Goxha investim!

NAIVËT

Mos harroni këtu ushtrinë e atyre që paguhen nga ju që të kontrollojnë se si e bën punën firma dhe, nga firma që të mos kontrollojë se si e ka bërë punën ajo. Eshtë vërtet e madhe kjo ushtri që fillon që nga Ministri me gjithë të vetët, drejtorira e drejtorë, për të vazhduar më tej me kolaudatorë, inspektorë, kontrollorë, supervizorë, Kontrolli i Shtetit, Auditi i Brendshëm, Inspektorati i Punës, i sigurimit teknik, i mjedisit, i dreqit e i të birit. Ah se harrova, shtoni edhe numrin e telefonit që ka lënë Kryeministri për denoncimet!

Sa naivë që jemi. Duke ju hequr licencat dy fatzesve, ministri, edhe doli burrë i mirë para miletit, duke u shfaqur si një administrator i rreptë i parasë publike, por edhe ju tregoi fatzesve të tjerë se, duhet të rrinë urtë dhe të mos bëjnë gëk e mëk, pikërisht tani që po ndahen thelat e fundit të kësaj qeverie.

Vazhdoni tani ju me tuajën: "bravo ministrit, që jua mblodhi atyre hajdutëve që nuk e kishin bërë rrugën mirë"!

8 Komente

Lame, "Selanik e tatepjete sic ka qene do te jete" po me ngjan ky muhabeti tend mua. Jam i sigurt se me disa levizje presjesh dhjetore kane qene ato shifrat edhe ne kohen tende (lexo: kur celsat e arkes se shtetit i kishte PS-ja).

Alternativa vella, alternativa... pa keto hesapet e tua i di dhe foshnja ne djep ne Shqiperine e tavolinave!!

asgje nga keto nuk eshte e justifikueshme per firmat. Nese eshte aq keq le te mos i hyjne atij biznesi dhe t'ia lene vendin firmave serioze qe kane fuqi dhe eksperience te merren me te gjitha hallkat. Se dalin firma fantazem, pa nje zyre e pa kapital dhe kerkojne te bejne leke nga hici, duke mos patur as eksperiencen, as kapitalin dhe qe as njohin kushtin me te vogel teknik, duhet te na vije keq per ta? Le te vdesin ne borxhe nese i kane hyre asaj rruge dhe te merren me kete pune firmat serioze qe duke marre te pakten masat e sigurise do evitonin disa nga shpenzimet e permendura me lart.

Po jua shpjegoj me një shembull, siç ma kanë treguar... . Meqë askush nuk i doli zot që, nëse ato toka ishin me pronar, të merrej me shpronësimet; apo, nëse ata ishin thjesht zaptues të paligjshëm, të merrej me shmangien e kërcënuesve; firma u detyrua t‘ua paguante atë tokë sa frëngu pulën, për të mos qëndruar edhe më pa punë.  Një tjetër, më tregonte për një ujësjellës që ishte detyruar ta zgjaste 250 metra mbi projektin me paratë e veta, për t‘i rënë rreth e rreth një toke, ku as pronari nuk pranonte që ujësjellësi t‘i kalonte poshtë, e as ministria nuk pranonte të bënte shpronësim.

Një i tretë, më thoshte se po bënte punimet e një rruge që kalonte nëpër një Komunë, kur i vijnë nja dy barkvarur dhe i thonë se ishin të inspektoratit të bashkisë dhe donin t‘i vinin gjobë se nuk ke leje ndërtimi. Pasi i pagoi nja dy javë rresht këta, u ndërruan dhe i vinin dy të tjerë. Më tregonte se, pastaj për të shpëtuar, i pagova një shuk në dorë Kryetarit të Komunës dhe më lëshoi leje ndërtimi, po këtu e hëngra. Sa nuk kisha fare leje, e hidhja me bakshishe, ndërsa tani që mora leje erdhi Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit. Stop, lejen. Ja ku e keni. Jo nuk vlen nga Komuna, duhet nga KRTRSH-ja. Mos, thashë, të kthehesha edhe një herë nga fillimi në Ministri, më zinte tmerri vetëm ta mendoja. Ju mbusha xhepin edhe këtyre dhe u treguan "xhanan burra", duke mos më ngacmuar më deri ditën kur kalova nga kufiri i këtij qarku në brendësi të qarkut tjetër. Ku gjithçka filloi nga fillimi.

 

Z.Lame, besoj se e dini qe cka pershkruani me siper eshte veper penale. Ju keni marre dijeni per te. A e dini qe moskallezimi i krimit eshte gjithashtu veper penale?

Lame i nerum ....Je i kendshem dhe origjinal...dmth JETSOR me KEMBE ne TOKE . Sidomos me mbylljen "naivet " por them se kesaj i duhet shtuar edhe nje pjeseze.

Te hardallosurit pas Partive jane gati te " ecim mbi ferra dhe Partine nuk e japim "''  ""rrime pa uje dhe Partine nuk e japim" "le te na vjedhin, ministrat dhe deputete , i duam te pasur si ka thene Partia"

Artikull i kendeshem ne te lexuar, por i hidhur nga faktet. Nese eshte vertet keshtu (dhe ketu duhet te kete diçka te vertete) , i bie qe keto firmat te paisen me inçizues te vegjel, nuk kushtojne me shume se 70-80 euro, me madhesi sa nje kasete manjetofoni apo telefon, dhe te kapin ne flagrance keta personat shteterore qe kerkojne para.  Kete lloj sindromi, une do ta quaja ; gerryerje e ekonomise nga brenda, ose rrenim.  

Pjer ma ha mendja se kanë aq eksperiencë sa të çojnë sekserët. Kuptohet që kapen kollaj, mjafton të ndjekësh paret, por kush do ta bëjë këtë punë, policia? hetuesia? I bie të themi "Ministër, arresto veten!"

Sa mire i dika Lamja kto perqindjet. Sigurisht s'ka lidhje me kohen kur ka qene vete ne ministri, apo jo?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).