"Maqedonia" në dorë të shqiptarëve

Kandidatët shqiptarë për President në Maqedoni, kanë arritur, më në fund, të kapin edhe studiot televizive të Tiranës. Edhe pse, fushata që po bëjnë shqiptarët për zgjedhjet presidenciale, nuk ka asnjë vlerë, qëkurse tri forcat kryesore politike parlamentare kanë dalë secila me kandidaturën e vet. Me këtë model kandidimi, partitë politike shqiptare, ose më saktë kandidatët e propozuar, vetëm sa mund të masin forcat mes tyre.

Të ndarë më tresh shqiptarët, nuk kanë asnjë shans të nxjerrin një kandidat në raundin e dytë. Me konfiguracionin politik që ekziston sot në Maqedoni, nëse shqiptarët do të kishin dalë me një kandidat, sipas të gjitha gjasave, për herë të parë, kandidati shqiptar do të mund të siguronte balotazhin me kandidatin pretendent të VMRO-DPMNE-së. Kjo do të ndikonte në rritjen e kapitalit politik të shqiptarëve dhe krijimin e një imazhi faktorizimi për ta. Jo se kandidati shqiptar do të kishte shanse për të fituar, por e rëndësishme do të ishte se, për herë të parë, shqiptarët që do t'i kërkonin votën opozitës maqedonase për Presidentin dhe jo e kundërta, të cilën e kemi parë në të gjitha fushatat e mëparshme presidenciale në këtë vend. Së dyti, kjo gjë do të ishte një test i rëndësishëm për nacionalizmin sllavo-maqedonas. Shqiptarët e kanë humbur edhe këtë shans, siç kanë humbur edhe plot të tjerë, duke e kthyer politikën e tyre në një politikë të shanseve të humbura.

Në kushtet, në të cilat ndodhemi, fushata për zgjedhjet presidenciale në kampin shqiptar, do duhej konsideruar krejt e parëndësishme, për shkak se shqiptarët e kanë shndërruar veten e tyre thjesht në komplementarë të maqedonasve, në raundin e dytë, ku pritet të garojnë dy kandidatët me më shumë vota (nëse asnjëri prej tyre nuk do ta kalojë pragun 50% të votave). Kësisoj, për nga mënyra se si e kanë konceptuar garën presidenciale, shqiptarët mund të bëhen të fuqishëm (dhe në këtë rast do duhej të bëheshin edhe mediatik&eumlsmiley vetëm në raundin e dytë.

Paralelisht me zgjedhjet presidenciale të këtij viti, në Maqedoni zhvillohen edhe zgjedhjet vendore. Ky ka mundur të jetë një argument më tepër për shqiptarët, për të garuar me një kandidat të vetëm për President, pasi forca elektorale e çdo partie mund të matej shumë mirë nëpërmjet zgjedhjeve vendore.

Prezantimi i kandidatëve shqiptarë për President, nëpër mediet e Tiranës, tingëllon deri qesharake, sa kohë që gjëja më e sigurt e tyre është humbja. Publiku në Shqipëri është shumë pak i informuar se çfarë ndodh me zgjedhjet vendore, ku shqiptarët garojnë fuqishëm, çfarë ndodh me disa nga komunat me shumicë shqiptare, ku pritet që kryetarët të dalin prej këtij komuniteti dhe cilat do të jenë raportet në këto zgjedhje mes dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve?

Në këtë kontekst, do të ishte shumë më mirë që mediet të fushatonin për kandidatët për kryetarë komunash. Shumë më të rëndësishëm janë kandidatët shqiptarë për kryetarë komune në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Saraj, apo Strugë, etj., ku pritet që njëri prej tyre të fitojë, se sa kandidatët virtualë për President.

Kjo që po ndodh me politikën shqiptare në Maqedoni, tregon për një nivel të prapambetur të politikëbërjes. Ky nivel është reflektuar edhe në mjetet e informimit mbarëshqiptar, të cilat më shumë janë të interesuara se si do të humbasin kandidatët shqiptarë për President, se sa për atë se si do të fitojnë kandidatët shqiptarë për kryetarë komunash.

Maqedonia është rajoni ku shqiptarët përbëjnë sot faktorin deciziv, që përcakton vendosjen e ekuilibreve në rajon (më parë këtë rol e kishin shqiptarët e Kosovës). Për fat të keq, ata po e zvarrisin këtë shans, në momentin më dëshpërues për të vetëquajturit maqedonas, të cilët kanë mbetur të bllokuar në rrugën e integrimit të shtetit, që akoma e konsiderojnë vetëm të tyrin (jo edhe të shqiptarëve), për shkak të krizës së rëndë të identitetit. Por, ndërsa Maqedonia ka kohë që ka mbetur në vend, "falë" një nacionalizmi fals, që e ka të pamundur të shndërrohet në institucion, sepse për ta bërë këtë duhet të korrigjojë historinë më të vjetër të Ballkanit, shqiptarët vazhdojnë të notojnë hava, duke menduar vetëm për të qenë hyzmeqarë në kabinetet e kryeministrave sllavomaqedonas, nacionalistë, që shkojnë e vijnë.

Nesër Maqedonia do të votojë për Presidentin e ardhshëm, ku favoritët kryesorë janë kandidati nacionalist, i mbështetur nga koalicioni në pushtet, George Ivanov, dhe kandidati i opozitës së majtë, Lubomir Fërçkovski. Shqiptarët akoma nuk kanë deklaruar qartë se në çfarë rrethanash dhe për çfarë arsyesh do të mbështesnin njërin prej dy kandidatëve, që pritet të dalin në balotazh. Sepse ka një paradoks këtu; partia kryesore shqiptare në pushtet, BDI-ja, që duket se mbështet integrimin, ka rrezik të votojë për kandidatin nacionalist, vetëm për hir të pushtetit, që në fakt do ta çonte Maqedoninë drejt dezintegrimit, ndërsa partia opozitare në opozitë, PDSH-ja, që po shfaqet nacionaliste (kujtojmë se lideri i saj, Mendu Thaçi, ka paralajmëruar dezintegrim, nëse Maqedonia nuk do ta zgjidhë shpejt kontestin e emrit), ose do të bojkotojë raundin, ose për inat të ish-partnerëve maqedonas në pushtet (VMRO-DPMNE), të mbështesë kandidatin e opozitës së majtë.

Ajo që mbetet të shihet, e që është kryesorja në këto zgjedhje, lidhet me faktin nëse shqiptarët do ta japin votën e tyre të diktuar nga raportet me pushtetin, apo me interesat e tyre kombëtare? Varësisht nga ky pozicionim do të jetë, në vijim, influenca politike e faktorit shqiptar në Maqedoni. Sa kohë që grekët nuk do ta bëjnë kurrë kompromisin për të pasur një shtet me emrin Maqedoni, atëherë "Maqedonia" do të jetë në dorë të shqiptarëve. Varet sa ata do të dinë ta shfrytëzojnë këtë realitet.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).