Luigji, ai qe dashuronte shtetin

U përpoqa ta imagjinoja atë ditë kur Luigjit i komunikuan pushimin nga puna. Motivacioni: shumë i lodhur për të punuar në fusha, kur atij i duheshin edhe dy vjet punë për të dalë në pension. Rri disa kohë rreth e rrotull magazinës së madhe, pret se mos dikush do t'i thotë se po talleshim e se mund të kthehet. Nuk është e mundur që tani që po i afrohet mosha e pensionit, tashmë që thuajse i ka mbushur vitet e punës të mos dalë në pension. Ka punuar për 30 vjet pa ndërprerje, edhe të dielën edhe të hënën edhe çdo ditë. Në 30 vjet ka qenë vetëm njëherë në Romë, atëherë kur kishte djalin ushtar. Nuk e di se ç’është bora. Në fakt, këtu nuk bie kurrë borë dhe ai s’ka qenë kurrë larg prej këtu. Mundet thjesht ta marrë me mend nga sa ka dëgjuar nga të tjerët se ç’është i ftohti. Më vonë ikën i mërzitur dhe rrezikon të bëjë një aksident tjetër, se Luigji është i famshëm për aksidentet dhe asnjë kompani sigurimesh nuk pranon ta sigurojë. Luigjit i kanë djegur tri makina ngaqë nuk pranon të paguajë pizz-on e nevojshme për dyqanin e tij, se ai për tridhjetë vjet ka punuar në dyqanin e tij. Edhe sot që e ka shitur dyqanin, ai ende njihet si “kinkaleria e Luigjit”.

E pati hapur kinkalerinë në një nga dhomat e shtëpisë së re që i patën dhënë pas tërmetit që rrëzoi gurët mbi banesat e tyrë në Shën Luçie e që vrau tre persona. Luigjit nuk i hiqet nga mendja çasti kur, atëherë fëmijë, Presidenti i Republikës i shtrëngoi dorën dhe i premtoi një shtëpi të re dhe më pas kjo shtëpi iu bë realitet. Pas asaj dite ai e dashuronte presidentin. Po, kjo është e saktë, ai e dashuronte presidentin, donte me zemër shtetin dhe nëse dikush guxonte e shante shtetin në sy të tij do të bëhej armik i përjetshëm i tij.
Luigji është mjaftueshëm inteligjent. Ai është i ndërgjegjshëm se është martuar pa dashuri. Madje është në gjendje të tregojë se gruaja e tij është e para dhe e vetmja femër që pranoi të martohej me të dhe prandaj është gruaja e tij. Pranonte se edhe pse nuk e dashuronte, tashmë nuk e linte për asnjë arsye në botë; kishin kaluar një jetë së bashku, kishin dy fëmijë dhe Luigji don më shumë vajzën dhe është krenar për djalin. Ëndërron t'i gjejë një nuse të mirë djalit dhe një dashuri të përjetshme vajzës, por sot është i papunë.

Një ndër ëndrrat kryesore të Luigjit ishte të arrinte pensionin dhe ta arrinte para kohe. Kishte punuar 30 vjet pa ndërprerje. Herën e fundit që kishte ngrënë jashtë nuk e mbante mend në kish qenë kur ishte i fejuar apo në muajin e mjaltit pas martesës, që e kishte kaluar në shtëpi duke u përkujdesur për kinkalerinë e tij.
Luigji është i ndërgjegjshëm edhe për fëmijërinë e tij. I kujtohet me hollësi kur rendte si fëmijë për të fshehur liretat e tij nën një gur në portikun e kishës së Shën Andreut dhe kur tinëz, në mbrëmjet e ngrohta siçiliane, i numëronte si shtoheshin. Gjithnjë i shtonte deri sa iu bënë para mjaftueshëm dhe vendosi t'i blinte një dhuratë Xhuzepinës për festën e Shën Xhuzepes. Mban mend se i pati blerë një varëse te shitësit ambulantë dhe se ajo pati qeshur me varësen e tij. I pati dhuruar një puthje vogëlushësh që ndjejnë se po rriten dhe kishin qenë miq të mirë për shumë kohë, deri sa një djalë nga pallatet në Karmine, në qendër të qytetit, një pasardhës fashistësh, i kish rrëmbyer Xhusepinën e tij. Edhe pse i djathtë në bindjet e tij politike, edhe pse i ndërgjegjshëm se fashistët donin të mirën e Italisë, edhe pse vetë Luigji është dakort për pushtimin e botës dhe është nostalgjik për lavdinë që dikur quhej Romë, ai i urren fashistët, i urren si ata që kishin shumë dhe iu merrnin gjithçka fukarenjve.
Luigji mban mend se si ishte betuar se do të bënte një shtëpi të saktë për vete, atëherë kur e kishte parë shoqen e tij të hynte në derën e madhe të atij tjetrit. Mban mend se atëherë dëshira e tij më e madhe, dashuria e tij, ëndrra e tij ishte të kishte një shtëpi, sepse ai atëherë jetonte në banesat e sajuara në shpatet e luginës së Shën Luçies, që ishin shpella të gërryera në shkëmbin e butë të kodrës, ku banonin shumica e banorëve të qytezës së vogël. Edhe Gjusepina ishte nga shpellat, por ajo ishte e bukur dhe bukuria e saj mund t'i blinte një shtëpi. Luigji e kuptonte shumë mirë se ajo nuk do ta shiste lirë bukurinë e saj. Sado lireta të mblidhte në portikun e Shen Andresë nuk do të mjaftonin për ta blerë bukurinë e saj. Rivali i tij kishte një shtëpi prej vërteti, me tulla e çemento, prandaj Luigji ishte betuar se do ta bënte edhe ai një shtëpi prej tullash e betoni.
Atëherë pati rënë tërmet që pati vrarë fqinjët e tij dhe Presidenti i Republikës kishte denjuar të zbriste personalisht në qytezën e tij, të shihte si jetonin e të jepte urdhër që këta njerëz nuk duhej të jetonin më në shpella. Kështu ju dhanë shtëpi të reja, por ndërkohë Gjusepina ishte martuar dhe transferuar në Romë me burrin e saj, i cili tashmë ishte eksponent i partive të majta dhe Luigji edhe pse i varfër, të majtit s'i duron dot as sot e kësaj dite.
Por Luigji dashuron Presidentin e Republikës dhe beson në institucionet e shtetit. Që kur pati marrë shtëpinë e re, me liretat e mbledhura në portikun e Shën Andresë, ai pati hapur një kinkaleri të vogël në një nga dhomat e shtëpisë së re, e cila, fatmirësisht, binte në katin përdhes të banesës publike ku ishte sistemuar dhe pati punuar tmerrësisht që atëherë.

Dikur pati shkuar të takonte një prostitutë me pagesë, për të nisur jetën e tij prej burri burrërrishte dhe mban mend se si kur ajo ishte zhveshur në barkun e saj ishin akoma penjtë që kishte marrë gjatë një grindjeje prostitutash për zotërim territori. Që atëherë ai kishte pështirë nga seksi dhe urrente të gjitha punët e jashtëligjshme, por ishte mjaftueshëm i matur sa t'i kryente detyrat e tij si bashkëshort dhe qytetar. Tek e fundit, ai gruan e tij nuk e dashuronte. Ai donte punën dhe thjesht punën. Kjo ishte e rëndësishme për Luigjin, që të mos tradhtonte shtetin. Kur e zgjeroi aktivitetin dhe kishte një dyqan të tijin në një nga rrugët kryesore të qytetit, dikush erdhi dhe i kërkoi “pizzon” nëse donte të rrinte i qetë, por Luigji kishte njëzet vjet që punonte dhe taksat i kish paguar rregullisht në shtet. Nuk pranonte t’i paguante taksa dikujt tjeter, sepse kjo do të ishte tradhti ndaj shtetit. Ishte njesoj sikur të pranonte të dashuronte dikë tjetër përveç Gjusepinës.
Ata i dogjën makinën, por Luigji sërish nuk pranoi të paguante. Ai shkoi e u ankua te karabinierët, por ata e përcollën me fjalë të mira. Luigjit i erdh keq se e pa se si karabinierët nuk e duan shtetin, por mendoi, duhet të ishte ashtu sikur burri i Gjusepinës që jetonte me të, por nuk e donte dhe i vinte çudi se si të gjithë ata që dashuronte do të zgjidhnin të jetonin me dikë tjetër që s'i donte.

 

E lanë të qetë disa kohë. Në kinkalerinë e tij mblidheshin të gjithë djemët e lagjes. Aty vinin të gjitha gazetat dhe Luigji i lexonte, ndaj nuk është çudi që sot është një burrë i moshuar me mendimet më të reja dhe më i hapur ndaj të resë. Ka kontribuar në shkrimin e një libri për qytetin e tij, ka qenë nismëtar për krijimin e shoqatave vullnetare në të cilat është aktiv, por kurrë nuk arriti të ishte drejtues. Kur dikush i propozoi që t'i dërgonte emrin e tij Presidentit të Republikës për ta dekoruar si “punëtor i dalluar”, Luigji u bind se dashuria e tij për presidentin do të shperblehej. Ndërkohë, ata djemtë e rritur në kinkalerinë e tij ishin bërë këmbëngulës; duhej të jepte “pizzon”, por Luigji s’kish se si ta tradhtonte shtetin, tashmë që shteti, për të dytën herë po vendoste ta shpërblente më shumë se sa priste dhe ata i dogjën makinën tjetër, por Luigji nuk ua dha kënaqësinë e të dorëzuarit. Karabinierët bukëshkalë nuk i dhanë të drejtë Luigjit dhe siguracionet u çmendën. Luigji ishte ngushtë. Djemtë që e thërrisnin xha Luigji ditën në rrugë i dogjën makinën e re. Ky ishte kulmi. Siguracionet kishin arritur në qiell, karabinierët rrinin duarkryq dhe e vetmja mënyrë që gjeti Luigji për të dalë nga kjo situatë ishte të shiste kinkalerinë dhe me paratë që mori pagoi siguracionet dhe përfundoi një viletë në kodrat rreth e rrotull qytetit.
Pastaj mendoi se kjo që i kishte ndodhur nuk ishte aq e tmerrshme; të paktën ai nuk ishte bërë tradhtar. Tashmë edhe tre vjet punë e mbushte 35 vitet e nevojshme për të dalë në pension dhe më një dekoratë në gjoks do ishte i lumtur të priste vdekjen në vilën e tij në kodër. Ndërkohë, punonte në bujqësi e herë pas here, kur Gjusepina të vinte në qytetin e saj të lindjes ta thërriste për drekë e të kujtonte i lumtur kohët e vjetra që dukeshin aq të largëta...

E takova Luigjin në festën e Shën Gjusepes, në mes të zallamahisë dhe zhurmës. E kishin hequr nga puna dhe dikush nuk e kishte dërguar emrin e tij deri te presidenti. Nuk e kishte marrë medaljen dhe tashmë i duhej të priste edhe gjashtë vjet të mbushte moshën për pension të detyrueshëm, ose të gjente punë edhe dy vjet e të plotësonte vitet e nevojshme të punës.

Ndërkohë që pinim një birrë në tavolinat e lokalit në qendër, një zonjë kalon para nesh dhe Luigji më thotë:
- Verja syrin një vajze këtu. Verja syrin dhe do të shkoj t'i flas unë në emrin tënd.
- Nga të erdhi kjo dëshirë e çuditshme?! Të ka ngelur peng se nuk ke qenë i mbrapshtë kur ishe i ri e do të mbrapshtohesh tashmë plak?!
- Ndoshta. E sheh atë gruan që kaloi tani para nesh. Emrin e saj mban vajza ime dhe tashmë është e penduar që nuk u bë gruaja ime e unë jam i penduar që nuk e jetova jetën time, prandaj jetoje ti. Më thuaj, cila vajzë të pëlqen? Vetëm mos të të pëlqejë ime bìjë, se ajo është e zënë.
- Po jam shqiptar. A do ta ulte veten një vajzë italiane të lidhej me një emigrant që vjen nga bota e tretë?! - provokova nacionalistin Luigj.
- E çfarë se je shqiptar a kinez? Kush është më i mirë se ti?! Të gjithë njëlloj janë, të gjithë kanë një ëndërr e ëndrrat nuk peshohen në kandar, të gjitha janë njëlloj të rënda e të rëndësishme, jeton në Shën Luçie a në Karmine. Shpresoj vetëm të mos kesh ëndrra tek të cilat të kesh varur jetën tënde, se ndodh që zhgënjehesh e merr si im bir, që i nevrikosur pse na dogjën makinat, tashmë është bërë shok me ata...
_________________

16 Komente

Shume e bukur Shkinaks.

Pjese pas pjese, po me jep sigurine qe kur filloj te lexoj diçka prej teje nuk do te zhgenjehem ne fund. Stili i rrefimit shume origjinal, e lejon dramen e pjeses te vetezbulohet ne momentet e duhura. Ka diçka ne thelbin e rrefimeve te tua qe thjesht, nuk mund te kundershtohet. Shkurt, me pelqeu.

Do not change, my friend. Do not ever change. - tha dikush.

mjaft mire i realizuar tregimi, ideja e struktura e vlerat e percjella. Por me beri goxha pershtypje struktura ne kete tregim..

postuesi me siper te thot te mos ndryshsoh, po kshtu po thoje para dsa ditesh se ky ehste stili jot e je kembengules ne te. Nuk kam gje me stilin, me pelqen, por me ckam lexuar prej teje, them se tregimet e tua vuajn nga nje kufizim i "attitude" (qendrim) ndaj jetes. Nuk e di nqs shpjegohem. Sado qe tregimet e tua percjellin mjaft bukur vlera universale... dhe jane ne nje fare menyre simbole solidariteti me gjendjen njerezore (human condition)... ka nje fare elementi patetik ne kto tregime... me te cilin nuk kam problem.. por thjesht mendoj se ky qendrim nuk eshte e thene te behet element monoton i tregimeve te tua. Dhe ktu kam pershtypjen se ke nevoje, jo te ndryshosh, por te pervetesosh tone te ndryshme rrefimi.. por me rendesishem, mendimi e qendrimi.. pa humbur as stilin tend unik e as kompasin e vlerave per te cilat qendron.

Satiren e ke provuar?

P.s. Patetik jo ne kuptimin negativ, por ate empatik. Ne kete aspekt me sjell ndermend tregimet e Tolstoit. Biles kam pershtypjen se ka nje fare influence te tolstoit ne tregimet e tua.

p.s.s ta sugjeroj thjesht ne menyre qe tregimet e tua te evokojne nje game me te gjere emocionesh... sepse sado sic thot postuesi me siper se tregimet e tua nuk zhgenjejne... ana tjeter e ksaj medaljes eshte se behen te parashikueshme... jo ne permbajtje sigurisht, por ne emocionet qe ato transmetojne.

Ja nje shkrim qe duhet marre si shembull i shkelqyer i rrefimit. Tejet i lidhur, pa artifica cudiberese me fishekzjarre dhe xixa shumengjyreshe, pa moralitete te peshtira qe hasen gjithandej, me nje gjuhe te qeruar, te thjeshte dhe domethenese.

Ca dite me pare, u shpreha diku, per nje tregim tjeter te shkinaks, qe nuk me kishte pelqyer dhe aq, qofte nga historia e qofte nga shkrimi. Une nuk e di rradhen e shkrimit te ketyre dy teksteve, por di te them qe ky tekst i Luigjit eshte thellesisht me i mire se tjetri. E perseris, PER MUA.

Mua nuk m'u duk se pashe gjera patetike, m'u duk thjesht njerezor. Disa nenkuptime dhe morale fabulash qe nxjerrin krye andej-kendej jane mese te mirepritura dhe madje te perdorura me kujdes. Gjate leximit nuk gjeta asgje qe te vinte te vihej udhekryq e te me pengonte me tej.

Nese dikush ndermerr te rrefeje nje histori, ky synim nuk duhet te anashkalohet dhe harrohet asnjehere. Po rrefej nje histori dhe basta.

Nuk e di per ju, por per mua, ky shkrim eshte plotesisht ne shijet e mia. Keto lloj rrefimesh jane nder ato per te cilat kujtohemi gjate. Sigurisht qe ne nuk mund te ndertojme nje ngrehine te vertete mbi idete e kesaj historie, por nese shkinaksi ka te tjera histori te ketij lloji, ai ben mire t'i mbledhe dhe t'i sjelle sa me shpejt ne formen e nje libri.

Kur endja e leximit bashkohet me njefare detyrimi per te reflektuar, kjo eshte per mua bukuria hyjnore e letersise.

Suksese, shkinaks.

Shumë bukur Shkinaks.

Edhe pse i djathtë në bindjet e tij politike, edhe pse i ndërgjegjshëm se fashistët donin të mirën e Italisë, edhe pse vetë Luigji është dakort për pushtimin e botës dhe është nostalgjik për lavdinë që dikur quhej Romë, ai i urren fashistët, i urren si ata që kishin shumë dhe iu merrnin gjithçka fukarenjve.
 

Kështu ju dhanë shtëpi të reja, por ndërkohë Gjusepina ishte martuar dhe transferuar në Romë me burrin e saj, i cili tashmë ishte eksponent i partive të majta dhe Luigji edhe pse i varfër, të majtit s'i duron dot as sot e kësaj dite.

Shpresoj vetëm të mos kesh ëndrra tek të cilat të kesh varur jetën tënde, se ndodh që zhgënjehesh e merr si im bir, që i nevrikosur pse na dogjën makinat, tashmë është bërë shok me ata

Hekuran, ke sjelle ne letersi nje Tip. Dhe e ke realizuar per mrekulli.

Per me tej, ky raport kaq i diskutueshem pergjithesisht midis individit dhe shtetit te tij, ketu eshte sjelle ne nje drite intime, shume njerezore dhe te thjeshte. Qe mund te interpretohet edhe si flegmatizem, naivitet, mendjengushtesi e personazhit, por qe ne fund, duam a s'duam ne eshte themeli i nje bote te qyteteruar.

thanks qe e solle. m'u duk edhe me e bukur se me pare...

Te mban shkrimi,te mban,me Lugjin.Me Lugjin mund te tregosh gjithe diten dhe darken e shendreut te gjithe jeten e Luigjit.

Te gjithe shqiptaret (edhe ata mysliman,katolike,ortodoks)jane pak Luigja.

Ate idene e mbajtejes se shtetit,dhe per shtetin,nuk ka faje Luigji.

Lugji ashtu u rrit, i varfer,nje shtepi qe kishte ja rrezoi termeti por shteti si shtet fali shtepi te re,.......por endrat per te djathte,ti qaje se  fiku nen fik bie.

 Duhet te jesh 99-c,te behesh i pasur ose i djathte.

Ja, te varfer kane qene keta pushtetaret tane para 20 vjeteve,nuk kishin buke te hanin,jetonin ne kohen e komunizmit,por ec dhe shihi tani ,te thyejne brinjet ,me prona me toka,me vila,me accaunte ne banka jashte shteti.

Kurse Luigji ngeli Luigj.

Shume interesant tregimi.

Shume e bukur. m'u duk sikur po lexoja nje tregim te Pirandelos, qe trajton temat ne dukje te parendesishme te jetes, nepermjet kuptimit te se kundertes. (dashuria e Luigjit per shtetin dhe pergjigja e tij me shperfillje.) nuk mendoj se ka patetizem, por naivitet te cilter e gati feminor te personazhit, qe tashme i zhgenjyer, e ka kuptuar se ka kaluar nje jete duke pare endrra me sy hapur.

Bukur !

Nuk e ngrita fare koken, nga fillimi ne fund !

Rrefenje me domethenie dhe prure kendshem.

Dashuria apo pakënaqësitë e Luixhit kanë lindur dhe kanë hedhur rrënjë tek ai nga raste episodikë, por që i kanë kushtëzuar gjithë jetën.

Nuk mund të them që, nëse presidenti nuk do t'i kishte falur shtëpinë, ai nuk do ta donte shtetin... ashtu siç nuk mund të them që, nëse "fashisti" nuk do t'i kishte marrë Xhuzepinën, ai do të ishte bërë më fashist se i jati i "fashistit".

Ego-ja gjithsesi modifikon bindjet tona... për sa kohë që ego-ja nuk ndihet e përfshirë në projekte më të gjëra shoqërore, ku në të cilat, interesat e(/në emër t&eumlsmiley të gjithëve bëjnë që të bëhemi më pak meskinë duke sakrifikuar pak nga "dëshirat" tona në emër të një të mire për të gjithë.

falemiderit qe me keni lexu. e gezuar diten e veres. andej nga ne ka nje kryqezim te mrekullueshem te vezeve te pashkeve me vezet e dites se veres, sa nuk di se cila tradite ka kopjuar tjetren. nejse.

tushe, emrin e kam hekuran, hekuran koka per me sakte. djali i xhemali bajramit prej shkinaku. po mos e kallzo andej nga temat politike se duhet me nejte sekret. smiley

atehre, une nuk kam shume kohe per ne internet se sincerisht do me ishte bere zemra mal po ta dija se ka kaq shume komente te tregimi im.

une shkruaj ate qe me hyn ne zemer. te gjitha ngjarjet e mia kane nga nje xixe, nga nje spunto nga jeta e vertete. nese degjoj nje histori, nje detaj te nje historie qe me hyn ne zemer atehere hyj e ndertoj nje tregim.

luigji eshte patriot i pirandelos, ndoshta te flasesh per siciline kjo eshte menyra, me sakte ngjarja eshte vendosur ne scicli, aty ku eshte rritur vittorino, nja 8 km poshte modikes ku eshte lindur quasimodo, te dy femijet e capostacioneve respektive. nejse, teper histori. sa u takon tregimeve te mia, nuk di kush ka influencuar me shume. ndoshta keta sicilianet. se i kam si gjyse patriotash e i kam lexuar shume, perfhsi vergen. ndoshta d'anuncio. ndoshta tolstoi apo gi de mopasan.

por po te pyesesh avocadosin, e ndonje tjeter qe me ka ndjekur, psh belle fleur, e nukd i une kush tjeter ketu se nuk arrij ti identifikoj, influenca kryesore ne tregimet e mia ka qene nje rryme qe graniti don ta quaje underground, e mua me pelqen ta quaj krizanteme, dhe duhet me u thane faleminderit. deri sa jam hase ne ate rryme te letersise nuke dija se shkruaja tregime. shkruaja vetem poezi. deshta me thane qe nuk sforcohem per te shkruajtur, shkruaj kur kam nevoje e basta.

n'e ndezshi noj zjarm sonte per site vere, ngrijeni nje dolli edhe per mua! sa me ka marre malli per shqipni...

Tu rrite nera Hekuran !

smiley

Hekuran bravo per tregimin,

por edhe per ate qe,

me bere qe te njohe se ku bie Shkinaku.

Mid-range map of Shkinak

e madhe! nuke kisha pare ndonjehre te shkruar ne harte shkinakun aq i vogel eshte. megjithate duhet te them se precizioni eshteme i madh se sa ai i google earth. jam prej atij cepit, dy hapa larg korabit, ne tokat e fisit tim asht piramida qe ndan me tre tokat shqiptare...

ajo empathy-ja qe me te drejte ka konstauar 23-shi mua me duket se shnderohet ne nje ironi carmatosese kur vjen puna tek titulli; luigji dashuronte shtetin, nje ironi disi e shurdhet, kafkiane (kujtoj ketu procesin e kafkes)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).