Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (VI)

Bashkimi i historisë dhe historia e re…

 

Numri i gazetës “Sporti popullor” të 7 shtatorit 1990 për historinë e sportit kombëtar, më saktë të futbollit kombëtar, është sensacional. Për herë të parë Mbasluftës, mbas plot 45 vjetëve, bashkoheshin shtatë kampionatet kombëtare të Paraluftës, ato të Shqipërisë Mbretërore, me këto të Shqipërisë Komuniste. Tashmâ, si kryeredaktor i të vetmes gazetë sportive në Shqipëri, nuk kisha se çka të prisja më. Duhej bashkuar dhe vënë në vend historia. “51 Kampionate Kombëtare në 60 vjet të FSHF-së” ishte titulli i kreut të faqes së tretë, sepse gjithë faqja e parë qe zënë me takimin e sekretarit të parë të KQ të PPSH dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, me “aktivistë të zgjedhur të organizatave shoqërore” nën temën “Demokratizimi i sistemit politik – vazhdim i programit të Partisë”! Paradoksale! Një program që nuk do të rezistonte me shumë se edhe nja pak muaj. Ndoshta në këte “demokratizim” bënte pjesë edhe një rast i paprecedent në gjithë periudhën e shtypit komunist. Pa pritë e pa kujtue, në një ditë dimri të 1990-91, kryetari i Komitetit të BFSSH (alias president i KOKSH) dhe inspektori i kuadrit në aparatin e saj, mbërrijnë në redaksinë e “Sportit popullor” me një kuti votimi të marrë me vete. Shkaku? Të votohet kryeredaktori i gazetës. Ishte një skenë që të dukej si sureale. Nuk kishte ndodhur kurrnjiherë. Votimi u bë me vota të fshehta të hedhura në kuti prej kolektivit të vogël të redaksisë. Gjithçka shkoi “pa probleme” dhe kështu u bëra kryeredaktori i parë i Regjimit i zgjedhur me vota të fshehta!...

Po e rëndësishme është megjithate kjo tjetra: që Kampionatet Kombëtare të Shqipërisë bashkoheshin në këte ditë shtatori të mbas 45 vjetëve. Nuk ishin më 44 por 51. Shqipëria i kishte mohuar për gati pesë dekada me rradhë pa pikë mëshire. Dhe mbas tyre edhe kampionatet kombëtare të atletikës, të notit, të çiklizmit.

Mbas pak ditëve mbërrin festimi i zbehtë i 45-vjetorit të “Sportit popullor”. E mandej befasia e festimit të 95-vjetorit të hipizmit në Shqipëri falë përkujdesjes së Ali Ohrit e të paharrueshmit Burhan Q. Dizdarit. Ishte fjala për një sport olimpik që ndër ne kurr nuk qe ngritur aty ku duhej.

Katër ditë më vonë, 21 dhjetor 1990, prap mbas plot 45 vjetësh, botoj për herë të parë shkrimin e gjatë për Riza Lushtën e mallkuar për gjithnjë nga Partia, që do të pasohej me atë kushtuar Naim Kryeziut, duke përjetuar më mbas biseda telefonike të pashlyeshme me këta legjendarë të futbollit kombëtar, të cilët në vitet ’40 kishin zënë kreun e 11-shit të Juventusit – fitues i Kupës së Italisë dhe të Romës – Kampione e Italisë – arritje ndërkombëtare që deri më sot nuk ka mundur t’i mbërrijë asnjë futbollist shqiptar.

Dhe menjëherë një tjetër festim origjinal sportiv, kësaj rradhe në Elbasan, ku Nënkampionit të Evropës, 19 vjeçarit Luan Shabani, i dorëzohet titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Ndërkaq, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes rendit shqiptarin Pirro Dhima midis 7 peshëngritësve më të mirë të botës në peshën 82.5 kg. Vinte aromë e frymës olimpike. Do të vinim të dy në “10 sportistët më të mirë të vitit 1990”, madje në treshen e parë! Edhe kjo aromë olimpike. Ishte 4 janar 1991 dhe ne nuk e merrnim me mend se kjo përzgjedhje e tyre në “10 më të mirët” e Shqipërisë, kishte për të qenë dita e ndarjes së madhe me të dy këta 19-vjeçarë, të cilët thuajse në mënyrë të rrufeshme, vetëm mbas një viti, do të shndërroheshin në gjigandë të sportit olimpik e botëror. Ishin prodhim mirëfilli i Shqipërisë së vogël “olimpike”!

Kështu, midis etjes për liri që vlonte mbrenda shpirtit shqiptar, në ate që quhej olimpizëm, papritmas diçka do të përthyhej disi e shndërruar në zhgënjim. Kurthi grek kishte nisur të sendërtohej tashmâ përreth olimpizmit të saporilindur shqiptar…

Ndërkaq, siç kemi shkruar në pjesën V të historisë sonë, po vazhdonte me hapa të pandalshëm ecuria e Totofutbollit "një lojë borgjeze, çedukuese, antisportive", siç qe emërtuar prej vitesh prej Regjimit. Qysh më 9 shtator 1990 qe botuar skedina e parë shqiptare me këto çiftime të Kampionatit Kombëtar: Kastrioti – Flamurtari 1-0, 17 Nëntori – Luftëtari 3-1, Labinoti – Apolonia 0-3, Traktori – Tomori 1-1, Lokomotiva – Vllaznia 0-0, Besa – Dinamo 0-0, Partizani – Skenderbeu 2-1, Labinoti - Apolonia (I) 0-1, Traktori - Tomori (I) 1-0, Lokomotiva - Vllaznia (I) 0-0. Ndryshe: “1,1,2, X,X,X, 1,2,2,X”. Kishin triumfuar dy "kartela", siç quheshin (pra jo "skedina&quotsmiley: ajo me Nr. 012603 në Kavajë dhe ajo me Nr. 006797 në Gjirokastër prej të cilave fituesit do të merrnin nga 51.710 lek secili!

Më 8 mars 1991, kishim botuar lajmin e bujshëm me titullin "Edhe 5 ndeshje nga futbolli i huaj". Ky ishte Parashikimi shqiptar Nr. 27 me një skedinë me 7 ndeshje italiane dhe 5 shqiptare, nga Kampionati i të Rinjve të Shqipërisë: 4-1 Atalanta - Lazio, 3-1 Cesena – Lecce, 0-1 Inter – Milan, 2-3 Parma – Pisa, 0-1 Roma – Juventus, 4-1 Sampdoria – Napoli, 5-2 Torino – Genoa, 0-0 Shkëndia A – Partizani, 0-1 Flamurtari - 17 Nëntori, 2-0 Traktori – Besëlidhja, 3-1 Besa – Skenderbeu, 0-1 Apolonia – Lokomotiva. Më 9 shtator 1991, njoftohet për daljen në shitje të një skedine vetëm me ndeshje të Serie A të Italisë. Qysh nga ky çast, nuk do të ketë më skedinë me ndeshjet e Shqipërisë!

Kjo është historia. Ndërsa sot të lind pyetja dramatike: sa përqind të fitimeve të loterive sportive të sotme, aq të shumta, shkojnë në të mirë të sportit dhe olimpizmit shqiptar?...

 

Risitë e pafund: “për herë të parë”…

 

Më 31 mars mbërrijnë zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri dhe ngjet që dy ekipe kombëtare, më popullorët, Kombëtarja e Shqipërisë dhe Shpresa e saj të votojnë në Ambasadën shqiptare në Paris! Ishte shorti “fatal” Francë - Shqipëri për Kampionatin e Evropës që kishte rregulluar si me dorë këte përkim të trilleve futbollistike! Ndërkohë që ndeshja e Shpresës, ajo NEN21, ishte e vlefshme edhe për Turneun Olimpik. Vetvetiu ajo hyn në historinë e olimpizmit tonë, duke u bërë pjesë e kthimit të mbas dy dekadave të Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Jam i pranishëm në të dy ndeshjet dhe 3-0 për Francën në Angers, ku midis 21 vjeçarëve francezë debuton një lojtar i panjohur me emrin Zinedine Zidane! Të nesërmen në Parc de Princes të Parisit është 5-0 po për Francën dhe mandej votimi për pluralizmin në Ambasadë. Shtoji kësaj një tufë futbollistësh të cilët i lënë lamtumirën Shqipërisë përmes arratisjes “ligjore” të tyre: Kaçaçi, Ibro, Leskaj dhe mbas ndeshjes Kepaj, Sukaj, Gjergji… Shqipëria kishte fituar lirinë edhe në një ditë përmes ndeshjes së NEN21 për Lojërat Olimpike të Barcelonës, sapo kishte prekë olimpizmin e vërtetë.

Në Shqipëri qe vendosur pluralizmi. Qenë zhvilluar zgjedhjet e para pluraliste të cilët për përkimin më të dhimbshëm dhe domethënës emblematik do të kishin një dëshmor nga sporti, kur në qendër të Shkodrës, në demostratën e lirisë, së bashku me Arben Brocin, Bujar Bishanakun dhe Besnik Ceken vritej në moshën 46 vjeçare, Naim Kryeziu – rekordmen e kampion i sportit më të parë olimpik, atletikës së lehtë të Shqipërisë, në 10 e 20 km. ecje sportive. Olimpizmi shqiptar do të hynte në rilindjen e tij duke u derdhur gjak, duke lënë një dëshmor të demokracisë mŭ në qendër të qytetit fisnik të Shkodrës. Duken ngjarje tejet të largëta, teksa i kujtojmë, sepse ka jo pak që i kanë harruar këto ngjarje të jashtëzakonshme të historisë, madje edhe të historisë sportive!...

Për sportine olimpizmin bashkë është një kohë e përmasave të paparashikueshme kur vërshojnë pa ndalë gjithë ato “për herë të parë” të ndaluara për gjithë dhjetëvjeçarët e Regjimit.

Për herë të parë Shqipëria lejon futbollistët të luajnë jashtë. Për herë të parë Mbasluftës, midis Italisë dhe Shqipërisë firmoset një marrëveshje e bashkëpunimit sportiv. Mbas pak, po për herë të parë në histori, dy figura të shquara të sportit shqiptar, Bujar Golemi dhe Albert Karriqi zgjidhen deputetë të Parlamentit. Dhe gjithnjë për herë të parë, sporti shqiptar përfshihet në një ministri: Ministria e Rinisë, Kulturës dhe e Sporteve - çast kur ministër zgjidhet një sportist-notar i dikurshëm, Moikom Zeqo, përveçse poet e studjues! Dhe mbas plot 28 vjetëve (22 shtator 1963) jipet leja për t’iu kthyer shqiptarëve një tjetër “sport borgjez”: boksin, në të vërtetë peshë e vyer olimpike për shoqërinë njerëzore qysh në Olimpiadën e vitit 1904.

Ndërkaq, disa kohë përpara, po për herë të parë, me cilësinë e kryeredaktorit të “Sportit popullor” nxis dhe firmos emërimin si gazetarë të redaksisë, duke zhvilluar konkurs të pranimit. Fitojnë dy djem të rinj universitarë Arben Lufi dhe Ardian Jegeni. Dhe i takon mŭ këtij të fundit që si i dërguar i posaçëm në Kampionatin e 70-të Evropian të peshëngritjes në Cetnjevo të Polonisë (24 maj 1991), të titullonte raportimin e tij: “”Sikur t’i kishim gjithë peshëngritësit…” Dy më të mëdhejtë, Pirro Dhima dhe Luan Shabani, ndërkaq kishin marrë rrugën e Greqisë, duke i dhënë goditjen e parë një ëndërre të bujshme olimpike shqiptare. Ndonëse në Cetnjevo Shqipëria renditet e 8-ta midis 21 shteteve të Evropës. Për historinë tonë, 24 maji 1991 hyn në një kah të pakëndshëm për olimpizmin shqiptar. Shqipëria ia kishte dorëzuar një shteti tjetër dy më të mëdhejtë e sportit të saj olimpik mŭ në rilindje të tij: Pirro Dhimën dhe Luan Shabanin!

Më 12 qershor 1991 për herë të parë në histori shpallet Kampion i Shqipërisë në futboll Flamurtari i Vlorës, duke paralajmëruar i pari një rrëzim përmes mirëkuptimit të ndërrimit të epokave, të sundimit partiak dhe politizues të sportit shqiptar. Ky është viti që do të rrëzonte veçanërisht sundimin e pamshirshëm të PartizanDinamos, të cilët qysh nga ky 12 maj 1991, ndonëse së bashku kishin fituar plot 29 Kampionate të Shqipërisë, në dy dekadat që po vinin ata do të fitonin vetëm 3 kampionate!

Dhe gjithnjë “për herë të parë”: më 17 qershor 1991, qetë e qetë, pa asnjë rrahje gjoksi apo guxim të tepëruar, i ndërroi emrin gazetës sportive nga “Sporti popullor” në “Sporti”, veprim që të nesërmen befasuese të ndërrimit, nuk bëzan askush, madje as anëtari i Komitetit Qendror të PPSH dhe presidenti “i fshehur” i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ali Vuaktana. “Sporti popullor” bëhej kështu gazeta e parë midis 8 gazetave kombëtare të Regjimit që flakte tej emërtimin e tij politik, mashtrues “popullor”. Partia nuk guxonte të kishte më forcën e dikurshme për të ngritur zërin kur në Evropë binin njëri mbas tjetrit gjithë Regjimet Komuniste. Madje diku binin edhe krenat e tyre…

Dhe po për herë të parë, në ditët e para të korrikut 1991 rilind Sportklub Tirana. Komiteti Ezekutiv i Tiranës zhduk “17 Nëntorin” dhe rivendos mbas pesëdhjetë vjetëve Sportklub Tiranën, duke u bërë klubi nobël i kryeqytetit i pari që kthehet në rrënjët e tij themeluese historike.

A mbyllen këtu risitë e rilindjes së olimpizmit të vërtetë, shpirtit dhe kuptimit olimpik si gjithë bota e pamatë sportive e rruzullit?

Asesi. Papritmas statistika e jonë e përimtuar dhe e publikuar na thoshte se plot 35 futbollistë shqiptarë sapo kishin hyrë në klubet evropiane. Ishte gusht 1991…

 

Athina ‘91 – paraskena e olimpizmit shqiptar…

 

Siç e kemi parë në kapitujt e mëparshëm, shkëndijat e rilindjes së olimpizmit, për një cast u duk se do të ndizeshin me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike 1988. Por… Koreja e Jugut ishte po aq një shtet armik së bashku me Seulin e saj ultramodern!

Duhej të përmbysej gjithçka, në rradhë të parë politikisht, për të mbërritur te 28 qershor – 12 korriku i Lojërave të 11-ta Mesdhetare të Athinës, për të deklaruar haptazi edhe Shqipëria nxitimin e saj për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike.

Tash, gjithë faqen e parë të gazetës me emrin e ri “Sporti“, e zinin tituj si ky: “Edhe në sport më shpejt drejt Evropës dhe Botës” . Dhe pak më poshtë, mŭ në mes të faqes, foto e James Baker, sekretar i shtetit të SHBA me thirrjen e tij sublime: “Mirëse erdhët në komunitetin e demokracisë!” Që ndezi zjarr mitingun legjendar të Sheshit “Skenderbej” të Tiranës së Shqipërisë!

Ky është çasti kur gazeta “Sporti” nuk do të kishte kurrë më në faqe të parë portrete të udhëheqësve komunistë.

Dhe Shqipëria e cila shkon në Lojërat e Athinës me delegacionin e saj olimpik më të madh në histori: pjesëmarrje në 13 lloje sporti dhe me rreth 125 sportistë. Përtej çdo sensacioni. Qysh kur ishte themeluar kjo tokë, nuk kishte ndodhur që “Vendi i Shqiponjave”, siç kishte aq fort dëshirë ta quante Partia, por pa i lënë asnjëherë të fluturonin lirshëm shqiponjat, nuk kishte ndodhur të shfaqej në sportin botëror me një delegacion të përmasave kaq të mëdha, prej një Shqipërie të izoluar për një gjysmë shekulli. Dhe po për herë të parë me tre gazetarë të “Sportit” si të dërguar specialë në Lojëra.

Shkruaja nga Athina:

“…Eshtë 40-vjetori i Lojërave Mesdhetare, një përvjetor kuptimplotë veçanërisht për Shqipërinë e cila pasi ka bërë revolucionin e demokracisë, don ta shprehë këte edhe në sport pasi kërkon të sfidojë edhe ata të cilët për gati 40 vjet nuk e lanë anijen sportive shqiptare të lundrojë lirisht në ujërat e të madhërishmit Mesdhe. Më në fund, vërtet!...”

Nuk mund t’i shpëtohej asesi një patetizmi. Për herë të parë qenë hartuar lista pa pjesëmarrjen e emisarëve të Sigurimit, pa luftën biografike të familjes, pa meskinitetet dhe frikërat e një Regjimi të fryer në boshësi, pa kryetarë prepotentë e të krekosur të BFSSH-së, pa pronarë fatesh e shpirtërash njerëzorë. Qenë strukur sepse nuk arrinin të kuptonin se demokracia nuk ishte si diktatura. Ajo demokraci që do të lejonte që mbas disa vjetësh, deri në ditët e sotme, shumë prej tyre të rishfaqen të krekosur e ambiciozë ende të pangopur për poste e presidiume, pa iu skuqur fytyra…

Po çka do të mund të bënte Shqipëria në këto Lojëra Mesdhetare të Athinës?

Asaj i mungonin dy olimpistët më të paarritshëm: Pirro Dhima dhe Luan Shabani, të cilëve megjithate ishte ende shpejt për t’iu dhënë Greqia fanelat e flamurit të saj sportiv. E mbas tyre edhe për Leonard Gogën, Agim Xhelilin, Viktor Mitrun. Tjetërsimi nuk do të vononte megjithate, e prap se prap edhe në Athina ’91, shpëtimtare për Shqipërinë bëhet po peshëngritja: Dedë Dekaj – dy medalje (argjend dhe bronz); Fatmir Bushi dy medalje (argjend dhe bronz). Në tanësi Shqipëria kthehet nga Athina me 4 medalje argjëndi dhe 4 bronzi:

I mbeteshin edhe 12 muaj për t’iu kthyer olimpizmit të vërtetë. Ose e thënë ndryshe, i mbeteshin edhe 12 muaj për t’u shpalosur mbas 20 vjetëve flamuri kombëtar shqiptar në shoqërinë gjigande të mbi 169 shteteve të botës në Lojërat Olimpike: Barcelona 1992.

Më saktë: mbeteshin vetëm edhe 12 muaj për t’u shpalosë një ngjarje zhurmëmadhe greko-shqiptare që do të vendoste një emër mŭ në majë të Olimpit: Pirro Dhima i Athinës nga Tirana e Shqipërisë!...

_____________

* SHENIM: Pesë kapitujt e parë janë botuar në gazetën “TemA” më 25 nëntor, 2 dhe 23 dhjetor 2008 si dhe më 6 dhe 20 janar 2009.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).