Le të ushqejmë shpirtin

S’e di a përkoi greva e saponisur e grupit të para dhe tetraplegjikëve me idenë time për të rishkruar për problemet e tyre pas bisedave të rastësishme që na bie të bëjmë mbi ta herë pas here. Them për të rishkruar, sepse disa herë kam botuar artikuj, dhe nën misionin e një grupi të të drejtave të njeriut, ka vite që përpiqemi të bindim qeverinë shqiptare dhe opinionin se pranë nesh, afër nesh, midis nesh ka njerëz që vuajnë shumë, por askush nuk i sheh, nuk i dëgjon, nuk i përfill. Sa herë kam shkruar për ta, për fat të keq nuk e kam marrë shpërblimin e një shqetësimi njerëzor kur njerëzit, apo kolegët të thonë: “Bëre mirë që fole!…”. Duket sikur të gjithë jemi mësuar me faktin që ata jetojnë diku… larg, jashtë nesh… Jo rastësisht dua të kujtoj se kjo është psikologjia e vjetër e kthyer në traditë e shumë brezave që e kanë nënvleftësuar personin e paaftë në familje, e kanë izoluar atë në një dhomë më vete që të mos ta shohin të tjerët. E njëjta sjellje vazhdon pastaj në shoqëri, ku ai ishte pothuajse krejtësisht i përjashtuar. Në familje kryhej dëmi i parë, ndodhte krimi i parë. Të paaftët fshiheshin nga familjarët, sepse në gjendjen që ishin quheshin “turp” për të afërmit e tyre. Në shoqëri krimi intensifikohej dhe institucionalizohej. Kjo ka qenë edhe pengesa e madhe që ka bërë që të mos kishte iniciativa për t’i angazhuar ata në jetën shoqërore. Shqipëria ndofta është vendi ku pothuajse nuk sheh handikapë: kjo, së pari, për arsye të “turpit” të traditës dhe, së dyti, për mungesën e shërbimeve. Shqipëria është vendi ku legjislacioni për shërbimin e infrastrukturës urbane në përshtatje të njerëzve handikapë, është përfunduar, por këtë askush s’e di dhe s’e ka, sepse nuk ka mbetur e paaplikuar... Ironikisht, më kujtohet përpara disa vitesh telefonata e së ndjerës Luljeta Rugji, një grua paraplegjike me një shpirt të madh, që për fat të keq askush nuk e kujtoi dhe nuk e kujton ende për përpjekjet e mëdha që bëri në të mirë të komunitetit të saj. Ajo më telefonoi nga rruga përpara bashkisë, sepse polici që rrinte pranë institucionit, nuk e lejonte makinën as të ndalonte qoftë për dy minuta dhe ajo të zbriste në një takim atje…
Mesa duket, të mësuarit me ahumanizëm, do të nxjerrë frutet e veta. Përpara dy ditësh, Ed Shalsi, në Bashkinë e Tiranës, më tha se ishte i lumtur që pas një përpjekje të gjatë dhe të madhe kishte gjetur një karrocë me rrota për një qytetar të sëmurë, që rrinte prej vitesh në rrugë si invalid. Pas një odiseje gënjimesh dhe zhgënjimesh të shoqëruar me shumë pak nuanca gëzimi, ai kishte siguruar nga një fondacion holandez një karrocë, e cila kërkonte riparime dhe pasi këto të fundit ishin kryer, po ruante lumturinë t’ia shpinte këtë dhuratë qytetarit invalid për t’i ndryshuar sadopak jetën. Në odisenë e tij, Shalsi ishte befasuar me refuzimin e ndihmës nga dy-tre burra të biznesit, të cilët e kishin quajtur këtë iniciativë “të tepërt, të panevojshme”, madje me cinizëm edhe “s’ke pse ndihmon këta, se këtu tek ne të gjithë të sëmurë janë…”. Sidomos kjo shprehja e fundit, është deduksion sarkastik i asaj që përbën traditën në mendësinë shqiptare përsa i përket konceptit që ne kemi për fatkeqësinë e tjetrit. Mendoj se raporti që kemi krijuar si shoqëri me jetën dhe hallet e invalidëve, na vesh me të meta ose na zhvesh nga virtytet. Sidomos ndjenja ndaj tyre e forcon akoma më shumë veçorinë e shqiptarëve si të sipërfaqshëm, pa bindje të vërteta demokratike dhe të ashpër, të pandjeshëm ndaj fatkeqësisë. Sjellja e një shteti dhe një shoqërie ndaj handikapëve, është një tregues i rëndësishëm se në ç’shkallë demokracie qëndron ai vend. Ky raport do të bëhet shumë më i ndjeshëm në të ardhmen për shqiptarët, sepse do të jetë medoemos një kusht tjetër për të hyrë në Evropën e Bashkuar. Por, medet nëse do të përpiqemi ta bëjmë sa për sy e faqe… do të jetë një humbje e madhe e mundësisë së formimit tonë shpirtëror. Në hyrjen e librit të tij “Dhoma ime u bë bota”, Kalle Konkkola, një deputet i njohur i Parlamentit Finlandez, invalid që prej vegjëlisë së tij, shkruan: “Nëse nuk kemi mundësi të bëjmë diçka për trupin, le të ushqejmë shpirtin”. Problemi shqiptar në lidhje me këtë filozofi, më duket se është krejtësisht i pakuptueshëm për këtë sentencë. Asaj traditës së hershme të mungesës së gjatë të humanizmit, duhet t’i shtojmë shumë gjëra të tjera që na shoqëruan në periudhën e diktaturës, si varfëria, pasiguria, mungesa e lirisë, mungesa e komunikimit me të tjerët dhe mësimi i leksioneve të demokracisë… Por sot, nuk na falet mungesa e vëmendjes, nuk na falet indiferenca. Kjo e fundit, e ka rënduar akoma më shumë sëmundjen e para e tetraplegjikëve, madje i ka bërë ata të humbin jetët. Paradoksi nuk qëndron vetëm tek qeveritarët, tek axhendat e tyre të panatyrshme në lidhje me shumë probleme sociale. Ai qëndron akoma më shumë te shoqëria civile, te qytetarët, te ndjeshmëria dhe humanizmi i intelektualeve, i studentëve, i shkollarëve. Janë këta që duhet ta detyrojnë qeverinë të marrë masa për gjetjen e zgjidhjes së jetës së invalidëve, janë ata që duhet të japin shembullin për të dhënë ndihma vullnetare. Njëra nga pjesëtaret e shoqatës, është një grua kurajoze, e cila ndihmohet prej vitesh nga djali i saj adoleshent. Kush e ka njohur këtë dramë, sa njerëz në Shqipëri ndjejnë dhimbje aq sa të ndryshojnë realitetin? Nuk është normale që Ed Shalsi të gëzohet për sfidën e tij personale, kur kjo sfidë duhej të ishte institucionale. Nuk është normale, gjithashtu që ai të zhgënjehej nga njerëzit që kanë para dhe pretendojnë të bëjnë show me ndihmat që japin për çdo koncert jetëshkurtër, ndërkohë s’kanë zemër dhe shpirt të ndihmojnë në jetëgjatësinë e disa njerëzve të sëmurë… Këto janë paradokset që tetraplegjikët kërkojnë t’i zgjidhin këto ditë me një masë ekstreme: me grevën e urisë. Le t’i marrim hallet e tyre në dorë dhe të fillojmë me ushqimin e shpirtrave tanë, ndofta ky bashkëpunim do të na ecë dhe do të fillojmë të kuptojmë se vetëm dashuria do të na shpëtojë nga dilemat e pasosura. 
Ka tri ditë që greva e para dhe tetraplegjikëve ka ngujuar gati 20 burra në ambientet e shoqatës së tyre dhe ata presin me padurim t’i japin fund kësaj mbivuajtje, duke marrë një përgjigje pozitive nga qeveria për kërkesat e tyre. Kërkesat e thjeshta, si rritja e vlerës së paketës higjienike dhe sigurimi i shoqëruesve, duhet ta kenë vënë në lëvizje Ministrinë e Punës dhe Kryeministrinë. Nga eksperienca e punës time, e di që në çdo qeverisje të re, s’kanë munguar kërkesat dhe sugjerimet për ndryshimin e jetës së grupeve të invalidëve. Një nga përgjigjet më frekuente është: nuk ka fonde. Kjo përgjigje bëhet edhe më e rëndë kur në mendjen e qeveritarëve mund të shkruhet “s’ka fonde për ata”… Sa e sa tavolina të rrumbullakëta, takime dhe ankesa do t’i kishin bërë qeveritë shqiptare të ndryshonin jo vetëm politikat e tyre sociale, por edhe të kontribuonin në formimin e ndjenjës humane te shqiptarët…
Aktualisht një grevë po mban nën presion disa burra e disa familje, një qeveri po dëgjon dhe duhet të vendosë për fatet e tyre. Kjo grevë është një “shans” në dorën e qeverisë aktuale për të marrë masa të vërteta, të forta, me zemër të madhe dhe me bindjen se përmirësimi i kushteve të njerëzve të paaftë në Shqipëri do të ndihmojë në mbarëvajtjen sociale dhe shpirtërore të të gjithë shqiptarëve.

2 Komente

Shume i sakte ky shkrim. Shume i mire. Bravo znj. Elsa.

Nje nga shkrimet me te sakta te postuara ketu tek peshku ku jep ne detaje dhe me hollesi problemin kaq te madh qe ka ajo pjes e shoqeris shqiptare te cilet neve te gjithe i kemi (hedhur) dhe i kemi vendosur na ane.....  smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).