Le te flasin anglisht

Me siguri mesazhi i një qytetari drejtuar konduktorit të një prej emisioneve të përjavshëm të debatit televiziv: "Kërkojuni të flasin anglisht, se gjërat do të shkojnë më mirë", ishte e vetmja vlerë e afro një orë e gjysmë grindjeje midis mëtueseve e mëtuesve të rinj të politikës shqiptare. Grindje midis "lady"-sh që herë-herë të sillnin në mendje zënkat e yllkave të kopshteve të dikurshëm, e herë-herë kolkozianet bolshevike të sunduara prej zellit ideologjik, apo herë-herë dhe pazaret e zhurmshme të qyteteve orientale me mundimin e shitësve për myshterinj.

Kjo ndodhi aty nga pjesa e fundme e emisionit. Atëherë kur vjen radha e një diskutimi me vetë audiencën. Kishte mbi një mijë e një arsye ai qytetar i ngratë që përcillte në studio një këshillë të tillë. Ndërrimi i qëllimshëm i shqipes me anglishten për të pohuar një kulturë levantine; përmendja refrenetike e diplomave, e bachelor-ëve, e masterave, e dëshmive ("proof&quotsmiley të fituara në universitetet e Perëndimit e më përtej; por mbi të gjitha pamirësjellja shembullore në komunikimin mes tyre, ajo "ti, ti, ti-ja" gati-gati denoncuese, si në një sallë gjyqi, mund të ishin vetëm disa prej arsyeve që e detyruan qytetarin të shkruante atë këshillë: "Vëri më mirë të flasin anglisht, sepse ndoshta u duhet të jenë më të sjellshëm me njëri-tjetrin".

Thonë "background" për "sfond"; thonë "imixh" për "imazh"; thonë "impact" për "ndikim". M‘u kujtua ndërsa sjell ndërmend këto shprehje edhe një tjetër e tillë, që e pat shqiptuar një tjetër shoqe ca kohë më parë, në një libër të vetin, madje e kish titulluar saktësisht kështu: "Të dua për sfond". Bukur e kish bërë! Kush e di kë ka dashur kaq poshtërsisht! I shkonte ky përcaktim edhe "sfondeve" të përdorura keqazi më lart. Të flasin anglisht, sepse anglishtja mendojnë se i bën më perëndimorë. Por mbi të gjitha të flasin anglisht, sepse do të jenë të detyruar të rregullojnë mirësjelljen, siç tha ai qytetari "monitorues"; sepse së paku do t‘i drejtohen njëri-tjetrit me "ju" ("you&quotsmiley; sepse në fund të fundit, anglishtja nuk ka "ti".

Dhe ja pritet që këta, pa dritë shpëtimi, të jenë njerëzit e rinj të politikës.

Ose së paku këta i kanë dhënë mandat vetes të paraqiten si njerëzit e rinj të saj. Ndërsa përfytyroja se si do të silleshin këta "njerëz të rinj" si deputetë të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë, një ndjenjë neverie dhe dëshpërimi së bashku më rrethoi të tërën. Në një përpjekje të dështuar për të përzgjedhur së paku një ngjyresë të re mendimi në gjithë fjalamaninë e rrëmbyeshme të debatit, munda të përjetoj vetëm refuzim. Ku m‘i gjen këta që janë, mendova. Jo për t‘u kënaqur, por sepse paska edhe më keq. Vajza të reja, kandidate për të përfaqësuar popullin e majtë dhe popullin e djathtë; djem të rinj që e kanë hapur librezën e punës me detyra funksionale në politikë, që përpiqen të konkurrojnë njëri-tjetrin dhe të fitojnë vëmendjen e "miletit", duke u kujtuar dëgjuesve "viktima" se ku i kishin marrë diplomat, se çfarë i kishin thënë njëri-tjetrit dikur, se me cilin politikan kishin ndenjur apo këmbyer mendime, se cilat kishin qenë fjalët e njërit/njërës dhe fjalët e tjetrit, dhe kështu ja ku dolëm te politika e re!

Kaq të rinj dhe kaq të plakur njëherësh. Kaq perëndimorë gjuhësisht dhe me letra, e njëherësh kaq provincialë, nuk kisha rastisur në asnjë nga debatet historike të kryemëhershme të kuvendimeve shqiptare kredenciale apo jo qofshin! Kaq të ndërlidhur me njëri-tjetrin dhe njëherësh kaq të ndërsyer ndaj njëri-tjetrit! Në vitet 1990, kur dy kohëra politike u ndanë nga njëra-tjetra, "të rinjtë" dhe "të vjetrit" i kujtonin njëri-tjetrit betimet për komunizmin, artikujt në gazetën e partisë, dollitë politike të ngritura në zijafete, për të arritur pastaj në përfundimin e këndshëm: tradhti, kjo është tradhti. U deshën më shumë se dy dekada që njerëzia të çlirohej nga kompleksi i tradhtisë, që të kuptohet ligjshmëria e së drejtës për ndryshim, që të pajtohet me realitetin se në shoqëritë demokratike ka vend dhe për tjetrin. Por me sa duket, "njerëzit e rinj të politikës" janë peng i këtij kompleksi. Shkojnë nga shkojnë dhe kthehen te tradhtia. E mban mend se në ç‘portë kemi trokitur të dy bashkë? Kurse tani ti i shërben kundërshtarit! E mban mend se dikur kemi qenë bashkë? Kurse tani ti bëhesh zëdhënës për ide të kundërta. Gati-gati e pabesueshme për t‘u dëgjuar. E kujt i duhet se cili ka qenë rreshtimi politik i këtyre çunave e çupave kur ishin katër-pesë vjet më të rinj? Është shumë shpejt për t‘u marrë me kujtime! Dy dekada pas ndryshimit global të realitetit politik, njerëzit as që kanë dëshirë të merren më me lavdinë e përmbysjes së bolshevizmit. Ajo do të ishte e njëjta mburrje e mërzitshme gjysmëshekullore e vetë ish-komunistëve për përmbysjen e monarkisë dhe për progresin ekonomik, kulturor, demografik, "në krahasim me vitin 1938".

Bota e sotme ndryshon aq shpejt, sa krahasime të këtij lloji, me kohën e racioneve dhe të tallonit, janë thjesht demagogji. Bashkë me to ka rënë edhe ngasja për të ditur se ku ishte njëri në rreshtimin politik para disa vjetësh dhe ku është sot. Kjo histori u përmbyll me sarkazëm kur lindi një klasë politike e modës, që mbante dy-tri libreza anëtarësie në xhep, për çdo rast. Dihet se kur një dukuri kthehet në humor, vetëm mendjelehtët mund ta rikthejnë për diskutim serioz. Në fakt, e vërteta del se shumica e çunave e çupave të ftuara për të paraqitur mendësi të reja politike nuk kishte asgjë për të thënë. Asgjë, veç një miti të rremë të Perëndimit, veç megalomanisë për t‘iu shitur miletit të brendshëm me lavdinë e emrit të një universiteti në Perëndim. Dihet mirë se kur debate kthehen në përgojim ngjarjesh vetjake: atëherë kur mendimet dhe idetë të kanë mërguar nga kryet. Ose nuk i ke pasur kurrë! Këta vetëm brez politik nuk mund të jenë kurrë! Ka pasur, gjatë dy dekadave të fundme, breza të rinjsh idealistë, si ata që frymëzuan shpërgjumjen politike popullore më 1990. Ka pasur breza mërgimtarësh, që ktheheshin në vendlindje me mburrjen e dy lekëve në xhep dhe mund të silleshin si boss-ë në restaurantet e Tiranës. Ka pasur breza fjalëkryqesh dhe breza picash. Ka pasur breza pub-esh dhe breza disco-sh. Tani po shfaqet një brez, që merr pjesë në jetën politike si dekor. Prej disa vitesh, edhe institucionet ndërkombëtare, posaçërisht ato evropiane, po përpiqen të krijojnë një lidership të ri, duke kultivuar individë me të dhëna prej brezave më të rinj.

Dhe ndërsa ti pret të shfaqen protagonistët e këtij brezi, befas gjendesh përballë një tufëze njerëzish që asgjë nuk i bashkon përveç moshës. Ata shfaqen si brez i ri në politikë, pa pasur virtytin minimal që të dëgjojnë njëri-tjetrin. Ata kërkojnë të përveçohen në jetën politike paraelektorale, thjesht duke ngritur zërin, duke zhurmuar pa pikën e respektit të një publiku, apo duke e shndërruar debatin në thashethem, duke treguar tjetrin me gisht: ti, ti, ti! Jo, jo, jo s‘bëhet më keq se kaq ! Ora e supës ka ardhur! Të gjithë në rresht, hajde përpara me lugë në duar, përpara kolopuçë! Ashtu me radhë, pa shtyrë njëri-tjetrin, ka ardh dreka! Nuk kam ç‘sjell tjetër ndërmend veç zërit të rreptë të edukatores sime të dashur, kur shokët e mi zhurmonin me lugët e aluminta, teksa prisnin gjithmonë të uritur orarin e ngrënies. Ata, atëherë uri për bukë, këta të sotmit, mos dhëntë Zoti, e kanë për pushtet.

Ja, kjo paskësh qenë fytyra e brezit të ri që pretendoka të veprojë shumë shpejt në politikë. Gërnjarë, të paide, të papërcaktuar deri në atë shkallë, sa të mos kuptosh se cili është i majtë e cili është i djathtë, nuk mund të provokonin te teleshikuesi reagim tjetër veç atij që u përmend në krye të këtij shkrimi: "Detyrojini të flasin anglisht zotëri, se ndoshta do të sillen më mirë". Punë gjuhe me një fjalë, sepse as të shqiptohen nuk janë të zotë. Por mbi të gjitha, sepse anglishtja nuk ka "ti". Do apo s‘do, e ke apo nuk e ke në edukatë, tjetrit i drejtohesh padiskutimisht me "ju" - madje në anglisht "You", sepse anglishtja kështu e ka. Kaq poshtë kanë rënë kërkesat e njerëzisë: të paktën të jenë të detyruar të mirësillen gjuhësisht, qoftë dhe formalisht me njëri-tjetrin. Sa për mendimin dhe idetë, ndoshta përfaqësuesit e vërtetë të brezit të ri në politikë në kohën e zhvillimit të debatit qesëndisnin në mënjanësi dhe pyesnin veten si në një situatë beckett-iane: Po këta, cilin Godo po presin? Godonë që s‘ka për të ardhur kurrë!

4 Komente

Ore kane keta ne Shqiperi redaktore ne gazeta? I kontrollon ndonje shkrimet e ketyre gazetareve perpara se te botohen apo jo? Si i lene me kaq shume gabime? Ka mbaruar ndonje per gjuhe-letersi qe punon ne profesionin e vet apo jo?

Si i tha ujku deles qe pinte uje me poshte se ujku ?

"O dele, rri mos me turbullo ujin".

Keshtu po te them dhe une, ujko. Do sherr ti apo si e ke hallin ? Po c'redaktor zeza kerkon more mik, kur vete redaktoret jane me faqja e zeze se shkruesit ?

Me e forta qe me ka ndodhur ndonjehere ne jeten time te stergjate internetore, eshte kjo :

Mu krua shpina nje dite dhe llapa pak tek nje gazete ditore. Prit te dilte mesazhi, ska. Prit, ska. I them asaj zonjushes : Ju kam derguar nje mesazh, por nuk di nga vajti. Kur pas pese minutash, shoh mesazhin tim te... percudnuar. Me kishte redaktuar komentin shoqja pas ekranit !!!

Ma kishte kthyer komentin, qe as vete une s'e merrja vesh c'kisha thene. Copetuar fjalite, fshire presjet, shtuar pika, hequr thonjeza, kllapat kishin fluturuar, c'te te them !

I cova fjale : oj shoqe, per c'ke mbaruar ti zotrote, per kasape ne thertore ?

S'me ktheu pergjigje shoqja. I cova fjale prape : fshije postimin fare se na turperove, do mendojne bota ky shkruaka si debil. E si perfundim, sot e ate dite komenti gjendet aty, si shembull i "redaktorizmit".

Me siguri mesazhi i një qytetari drejtuar konduktorit të një prej emisioneve të përjavshëm të debatit televiziv:

Provo te futesh koken ne water nja 2-3 here dhe pastaj le te themi se bashku:

DREJTUESIT!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).