Lamtumira e fundit për Viktor Gjikën

E përcollën me duartrokitje. Nuk po ngjitej në skenë, nuk po merrte një trofe. Kjo ishte përshëndetja e fundit. Kolegë, miq, të afërm, njerëz që e njihnin vetëm prej ekranit, përcollën dje për në banesën e fundit, regjisorin Viktor Gjika. Regjisor i disa prej filmave më të mirë shqiptarë të para viteve ’90, si “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Yjet e netëve të gjata”, etj., Gjika mbetet një nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Luftonte prej kohësh kundër një sëmundjeje të pashërueshme e të martën në mbrëmje, u largua në moshën 71-vjeçare. “Viktor Gjika ishte shumë trim. Ai ishte takuar me vdekjen dhe e dinte se ajo do të vinte. Vetëm ne miqtë e tij e kishim të vështirë ta pranonim atë”, - tha dje gjatë ceremonisë së lamtumirës, shkrimtari Teodor Laço. Nuk ishte dorëzim. Ai iku, sepse ia kishte marrë të gjitha kësaj jete. Kur mbushi 70 vjeç, ndonëse e dinte se nuk i kishte mbetur shumë do të rrëfehej në një intervistë: “Ka jetë më të bukur se ajo që kam bërë unë? E ndjej veten të përkëdhelur. Mora dhe arsimimin dhe ushtrova profesionin që dëshiroja. Nga ana tjetër familja. Gruaja ime ishte një nga më të bukurat në Tiranë në vitet ’60, por mbi të gjitha ishte (ësht&eumlsmiley e mirë. Kjo mirësi reflektohej në punën time. Profesioni ynë është i vështirë për gratë, sepse jemi vazhdimisht larg, në Shkodër, Korçë, Sarandë… I jam mirënjohës që kuptoi profesionin tim dhe pasionin që kisha për të. Këtë ia injektoi dhe vajzës dhe të dyja mundoheshin të më ndihmonin me të gjitha mënyrat”. Por siç do të thoshin dje miqtë e tij, për ta, për kinemanë shqiptare, për publikun, vdekja e tij është një humbje e madhe dhe me humbjen zor se mësohesh. Mevlan Shanaj ishte në fillimet e tij, kur Gjika i besoi rolin kryesor tek “I teti në bronz”, ndaj edhe kjo ikje i dhemb ca më shumë. “E kam takuar e biseduar me të edhe kohët e fundit. Kam parë se si një njeri nuk dorëzohej, nuk jepej dhe kishte një personalitet të admirueshëm. Ky personalitet e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Pa dyshim, dhimbja mbetet për miqtë, por humbja më e madhe i përket shoqërisë shqiptare pasi kemi humbur një kolos të ekranit. Viktor Gjika do të mbetet një emër i madh, një emër i lakmueshëm. Rrallë i vijnë shoqërisë njerëz me kaq dije, personalitet e kaq pasion. E rëndësishme është se ai iku i realizuar”, - thotë Shanaj. Viktor Gjika lindi në Korçë në vitin 1937. Studioi dhe u diplomua së bashku me Dhimitër Anagnostin me filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” në Moskë në vitin 1961. Pas një periudhe të shkurtër pune si operator iu përkushtua tërësisht regjisë, duke filluar me filmin “Komisari i Dritës”, bashkëregjisor, bashkëskenarist dhe bashkoperator me Anagnostin. Më pas vijon një karrierë të suksesshme, në sajë të së cilës u zgjodh për të drejtuar kinostudion “Shqipëria e Re” më 1982, post që e mbajti deri më 1989, kur dha dorëheqjen. Viktor Gjika bëri sa edhe si mundi. Një vit më parë do të thoshte se nuk do të donte t’u kthehej më filmave që ka realizuar vite më parë. “Nuk jam pishman për asnjë nga veprat e mija. Jam i ndërgjegjshëm për të metat, për haraçet që kanë paguar filmat e mi dhe të kolegëve të mi. E atillë kohë ishte. Nuk ishim aq trima, sa t’i binim murit me kokë, por dhe në atë kohë mundëm të thoshim ca të vërteta të mëdha”,- do të thoshte ai në 70-vjetorin e lindjes. Mori çmime, mori edhe vërejtje. Shumë ide iu shtrembëruan. I është dashur të presë, të montojë, të ndryshojë. Pjesë të hequra nga “Gjeneral Gramafoni”, “Nëntori i Dytë” e “Yjet e netëve të gjata”, nuk arriti t’i gjente dot më në arkivat e Kinostudios. Siç do të thoshte ai, heqja e pjesëve ishte drama, por tragjedia është që ato nuk gjenden më. Kjo humbje dhe një dokumentar që nuk mundi dot ta realizonte për Sandër Prosin, aktorin e tij të preferuar, ishin pengjet e tij profesionale. “Dua të bëj një film për Sandër Prosin. Një aktor i madh që vdiq parakohe dhe kjo ikje e bëri ndoshta të harrohet më parë se të tjerët. E meriton Sandri një film të mirë”. Ishin pengje që i mori me vete. Por ishin pak, krahasuar me atë që ai la pas.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar erdhën shumë njerëz për t’i dhënë lamtumirën. Erdhën politikanë të së majtës e së djathtës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili vlerësoi lart figurën e Viktor Gjikës, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i PS-së, Edi Rama, e shumë të tjerë. Por më së shumti kineastë, miq, kolegë, me të cilët ka ndarë vitet e vështira të diktaturës, kur të krijoje ishte rrezik. Tashmë një në radhët e tyre nuk është më dhe ky vend është i pazëvendësueshëm. “Për mua emri Viktor është shumë i madh. Viktori ishte një figurë e rrallë dhe një kurorë e artë për artin shqiptar. I dha aq shumë artit shqiptar, aq filma të bukur..”, - thotë aktorja Tinka Kurti, e cila shpreh gjithashtu mirënjohjen që ai i besoi rolin e Nënë Pashakos në filmin “Yjet e netëve të gjata”. “Sot për mua personalisht është një ditë shumë e vështirë se na ka vdekur një koleg, një mësues, një udhëheqës shpirtëror dhe e kam jashtëzakonisht të vështirë të them edhe këto dy fjalë. Ai vërtetë ishte miku im, por ishte edhe miku i të gjithë Kinostudios”, - thotë Rikard Ljarja, i cili ka bashkëpunuar me të në filmin “Rrugë të bardha”. Një film për të cilin regjisori tregonte dikur se nuk kishte qenë fort e lehtë për ta realizuar. “Sot përcjellim për në banesën e fundit një nga emrat më të shquar të kinemasë shqiptare. E ka filluar punën si drejtor i fotografisë, pastaj ka kaluar në regjisurë. Ka bërë shumë filma të mirë, ka qenë i përkushtuar, ka ndihmuar shokët, ka përgatitur breza të rinj. Është pjesë e historisë dhe e kinematografisë shqiptare. Deri dje ai ishte legjenda e gjallë e kinemasë shqiptare, ndërsa sot mbetet një legjendë. Do ta kujtojmë gjithmonë sa herë të shohim filmat e tij. Në Arkivin Shtetëror të Filmit ruhen kilometra të tërë filmash të xhiruara dhe të prodhuara nga mendja dhe nga talenti i tij”, - thotë kolegu i tij Pirro Milkani. Tani që nuk është më, të gjithë do kujtojnë pasionin për kinemanë, energjinë, dellin krijues… «Ka jetë më të bukur se ajo që kam bërë unë? », do të thoshte ai.

Dritëro Agolli
Më duket sikur kam humbur një pjesë të jetës sime. Kam qenë bashkëpunëtor me të. Ai ka ekranizuar disa nga veprat e mia. Ai ka luajtur një rol të madh në kinematografinë tonë. Është ndër pionierët e parë të kinematografisë sonë moderne që ka krijuar filmin e vërtetë artistik, e ka kthyer nga ana diletante në profesioniste me mjeshtërinë e tij. Ka krijuar një brez të tërë. Filmat e tij kanë luajtur një rol të madh edhe në njohjen e historisë sonë, të përpjekjeve të popullit shqiptar. Disa nga këta filma janë edhe dokumente artistike të historisë sonë, si filmi “Nëntori i dytë” që i kushtohet pavarësisë. Do të kalojnë shumë vite dhe me këtë film do të ilustrohet kjo pjesë e historisë sonë. Humbja e tij është një fatkeqësi e madhe. Sa më tepër të kalojë koha, aq më tepër njerëzit do ta kuptojnë ç’është kjo humbje.

Teodor Laço
Është një humbje e madhe për kulturën shqiptare e në mënyrë të veçantë për artin kinematografik. Viktor Gjika ishte nga ata krijues që i kushtoi jetën krijimtarisë kinematografike, si regjisor i filmave artistikë e dokumentarë. Të jeni të sigurtë që sa herë të shfaqet filmi “Nëntori i dytë” do të kujtohet edhe krijuesi i tij Viktor Gjika, i cili i dha jetë momenteve më të rëndësishme historike të vendit tonë. Emri i Viktor Gjikës, do të mbetet i paharruar për shqiptarët. E kam pasur mik të ngushtë që në shkollë të mesme dhe është e vështirë për mua të mbaj emocionet e mëdha në këto çaste. I jam gjendur edhe në çastet e fundit të jetës dhe mund të them se ai ishte një model për të gjithë moshën tonë. Viktor Gjika ishte shumë trim. Ai ishte takuar me vdekjen dhe e dinte se ajo do të vinte. Vetëm ne miqtë e tij e kishim të vështirë ta pranonim atë.

Filma

“Horizonte të hapura”     (1968)
“I teti në bronz”         (1970)
“Yjet e netëve të gjata”     (1972)
“Rrugë të bardha”     (1974)
“Njeriu me top”        (1977)
“Gjeneral gramafoni”     (1978)
“Nëntori i dytë”        (1982)
“Antoni Athanas”         (1995)
“Unë jam Ismail Qemali” (1997)
“Kur ikin korbat”         (2000)

 

Kinematografia shqiptare humbi regjisorin e njohur të dhjetëra filmave, artistin e Popullit, Viktor Gjika. Ai është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë.

TIRANE- Kinematografia shqiptare humbi regjisorin e njohur të dhjetëra filmave Viktor Gjika.Lindur në 1937 në qytetin e Korcës Viktor Gjika u nda mbrëmë nga jeta në moshën 71 vjecare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Rezistencë", "Gjeneral gramafoni" "Nëntori i dytë", "Njeriu me top" etj dhe është vlerësuar me titullin “Artist i Popullit” .
(s.g/BalkanWeb)
 

9 Komente

"i teti nè bronz"..."yjet e netève tè gjata"..."njeriu me top"..."gjeneral gramafoni"..."nèntori i dytè"....RESPEKT!!!!!!!!!!!!

Lere lere.  smiley   Rest in Peace! Sensi i ketij artisti per peisazhin shqiptar dhe natyren shqiptare do mbetet asimptotik!

 

 Lamtumirë regjisor!  

Më vjen shumë keq për largimin e Viktor Gjikës,

Ndonëse ka disa vite, më duket sikur dëgjoj sot zërin e ambasadorit të atëhershëm të Shqipërisë në Paris, kur më mori në telefon dhe më kaloi Viktorin. Ai ishte në Paris dhe i duhej të shkonte në Montpellier për një takim a një festival - nuk më kujtohet mirë. Më pyeti në se njihja njeri atje për t'ju gjetur pranë dhe shoqëruar...

Përveç emrit - dhe famës - nuk e njihja Viktorin nga afër. E megjithatë, ai më dha të njohur... duke më kaluar të falat e nënës time nga Tirana (Viktori kish qenë dikur nxënës i saj në liceun e Korçês)...

I qoftë rruga e lehtë dhe paqe për shpirtin e tij.

Ngushëllimet e mia më të ndjera për familjarët e Viktorit.

i nderuar qofte kujtimi i tij.

 Me respekt dhe me mirenjohje per ate qe ka shtuar ne jeten tone te varfer ne arte.

Gjon Cima

respekte!

me ne fund nje lajm (i hidhur, sidoqofte) qe s'ka te beje me Pangon ktu te PPU.

ngushellime dhe respekt gjithashtu

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).