Kur bëhet shkencë pa shkencëtarë

Shqipëria është nga të paktat vende në Evropë që prodhon gjithçka me shumicë: njerëz

me mastera, doktoratura, diploma universitare, dekorata, tituj nderi, emra rrugësh me emra personalitetesh të huaja dhe kriza.

Si shpjegohet gjithë ky superprodhim? Thjesht fare. Një master, doktoraturë apo diplomë universitare, sa për ilustrim, mund ta marrësh në Maqedoni dhe brenda ditësh me pak pará, dhe me pak të tjera të njehsohet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Këtë virozë shqiptarët e morën që në vitin 1993, kur gjyqtarët i bëmë për gjashtë muaj, gjyqtarë të cilët sot i konsiderojmë si më të mirët.

Nuk gjen një president në Shqipëri që nuk ka marrë një apo më shumë çmime në universitetet prestigjioze të Evropës, në mënyrë të veçantë në Angli. Tashmë u mësuam që të kesh një karrige të fisme në ekzekutiv apo legjislativ mund të bëhesh doktor dhe profesor menjëherë, duke vënë në punë aparatin e institucionit për të përgatitur dhe sajuar materiale në emër të mbrojtjes së gradës shkencore, tema këto që nuk i hyjnë as dreqit në punë. Po ku janë shkencëtarët e vërtetë apo i shpërndamë në emër të reformës që na serviret dhe shkencën e vërtetë e bëjnë të sipërpërmendurit që nuk janë shkencëtarë?

Çdo ditë në ekranet e televizorit shikojmë ministra, politikanë, madje edhe kryeministri i Shqipërisë, që bëjnë “shkencë”. Dhe është kjo shkencë që ka prodhuar kriza që e lanë Shqipërinë 20 vjet në tranzicion. Për dy dekada bëmë eksperimente me administratën publike dhe e mbushëm atë me militantë pa shkollë dhe pa formim profesional. Tre vjet përpara pata rastin të dëgjoj ish-ministrin e Transportit, z. Basha, të prezantonte Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor si juristin më të zot të Shqipërisë. Kaluan pak ditë dhe mësuam se ai ishte kushëriri i ministrit dhe kishte punuar kasap në Bulqizë dhe më pas ishte kualifikuar kuzhinier në burgun e Tiranës. Kjo ka bërë që shqiptarët të humbasin besimin te qeveria, partitë politike madje dhe te vetja.

Sondazhi i fundit i bërë më 25 shkurt tregoi humbje të besimit te qytetarët; 43 % e të anketuarve nga Gallup Europa, shprehet se nuk beson më te qeveria shqiptare dhe se ajo nuk ka mbajtur premtimet elektorale. Qytetarët nuk besojnë më te Fazlliçët, Jala, OSSH, “Taçi Oil”, Gërdeci, Gjiri i Lalzit, Porto Romano etj.

Viti elektoral i gjeti shqiptarët me mjaft probleme si ai e krizës financiare që ka pllakosur globin. Vala goditëse e krizës në Evropë po përjetohet në masë si një problem lidhur me kreditë e pashlyera në Evropën Juglindore. Një fenomen e tillë po përshkallëzohet për shkak edhe të një erozioni të mundshëm të kapitalit bazë të bankave mëmë të Evropës Perëndimore. Kjo po shoqërohet me rënie të ndjeshme të ekonomisë dhe kjo të bën të jesh vigjilent për atë që mund të ndodhë nesër.

Vendi ynë ka rreth 400 milionë dollarë kredi të këqija, jo pak për një vend të vogël. E keqja nuk është aty, por te mënyra se si sillet qeveria në përgjithësi dhe ministri i Financave në veçanti. Për atë nuk ka krizë e për pasojë s’ka pse të ketë masa antikrizë. Në fakt kriza nuk e prek drejtpërdrejt Shqipërinë, por në mënyrë të tërthortë. Këto pasoja nuk janë të vogla për një vend që ka gati 40% të papunë. Shikoni dyqanet në Tiranë, ku bie në sy shkrimi: “Jepet me qira”. Kjo tregon se biznesi i vogël është në vështirësi. Biznesi i madh ka filluar të prodhojë të papunë, për shkak të shumë faktorëve që nuk dua të ndalem.

Zhvleftësimi i lekut ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve sidomos të produkteve bazë. Mishi, peshku 8 dollarë kilogrami, të tjerat po ashtu. Ministri i Financës ka deklaruar se nuk ndërhyj në kontrollin e çmimeve të tregut. Gabim!

Aktualisht, qeveria greke po kontrollon me rigorozitet të gjitha çmimet e tregut, nuk ka lejuar rritje abuzive të tyre. Autoriteti i konkurrencës këtu është thuajse jashtë loje dhe nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi. Nuk bëhet rivlerësimi apo indeksimi i depozitave për shkak të zhvleftësimit të lekut dhe as i bonove të thesarit. Nuk ka masa dhe politika të qarta për reduktimin e varfërisë dhe uljen e papunësisë. Duhet urgjentisht të bëhet rivlerësimi i programit ekonomik për vitin 2009, për shkak se është i parealizueshëm. Të ardhurat nuk realizohen. Rivlerësimi duhet të bëhet në kushtet e krizës financiare dhe faktorëve ndikues në ekonominë shqiptare. Të gjitha këto duhet t’i bëjnë njerëzit e mençur që e duan Shqipërinë dhe jo të paaftët që mendojnë vetëm për sot e për përfitim personal. Vetëm kështu do të amortizojmë problemet që kemi dhe do futemi në rrugën e vërtetë të zhvillimit dhe integrimit rajonal e më gjerë.

4 Komente

Masterat dhe diploma e munguar e qytetarisë...

24 shkurt, gazeta Standard

Së fundi, në të njëjtat ditë në ekranin e vogël dhe në orët më të ndjekura u realizuan disa debate për faktin se çfarë përfaqëson në të vërtetë një master në Shqipëri. Kjo pa dyshim parë pas rregullave të reja të cilat imponohen me zhvillimet evropiane të arsimit.

Këto debate kanë zgjatur shumë dhe në fakt, përveç të tjerash, është përcaktuar se ndryshimi nga diploma e të shkuarës dhe masterit të sotëm është formal dhe se sigurisht të pajisesh me një master nuk është gjithçka, por vetëm një titull në disa nivele.

Në fakt, në shumë prej këtyre debateve është thënë gjithashtu se në shumë nga punimet e masterave apo doktoraturave perëndimore të cilat u kishin rënë në dorë të debatuesve gjatë ekuivalentimit të tyre në Shqipëri, janë gjetur mjaft elementë për t’i qortuar!

Por, përtej kësaj, tashmë të pajisurit me një master është bërë produkt komercial mjaft i kërkuar dhe spotet publicitare kanë filluar në masë të reklamojnë nevojën e tij! Në këto spote publike pak a shumë, thuhet se pa një titull të tillë shkencor askush nuk të ofron më punë dhe se duhet të nxitosh që ta bësh atë në universitetin…

Fakti që një master është bërë tashmë produkt komercial kompromenton parimisht në thelb këtë titull shkencor, sepse teorikisht ai më shumë se rezultat i një studimi apo pune të caktuar, bëhet produkt që shitet dhe blihet!

Sigurisht, sipas një çmimi përkatës që dikush e ofron më lirë dhe dikush më shtrenjtë dhe kur bëhet fjalë për çmime...! Sipas një biznesmeni, atij i kishin ofruar një titull të tillë të rregullt vetëm duke paguar një shumë të caktuar parash dhe se nga ai moment ai mund të pajisej me një master sipas të gjitha rregullave në fuqi...

Personalisht nuk mund të garantoj për vërtetësinë e një fakti të tillë, por zgjerimi i numrit të universiteteve private dhe fakti se nga këto universitete bëhen shumë fushata publicitare për pajisjen me master, pa dyshim që të lë të dyshosh për një mundësi të tillë...

Diploma e munguar e qytetarisë...

Së fundi, kemi pasur edhe një parti të re të kudogjendur, e cila është ngritur mbi bazën e individëve të pajisur me një titull masteri, ndryshe parimisht nuk pranohesh drejtues i saj, duke paragjykuar kështu konkurrimin demokratik të një organizimi politik.

Nga këtu mund të gjykojmë se në një organizim të tillë politik, i mbushur me tituj formalë shkencorë, ka pa dyshim një mungesë të madhe thelbësore. Në këtë organizim mungon për fat të keq diploma e qytetarisë, e cila parimisht ka të bëjë me themelet e demokracisë të së drejtës.

Në fakt, mungesa e kësaj diplome që prezanton ABC-në e një shoqërie demokratike, nuk është se shfaqet rrallë në jetën publike të Shqipërisë nga ku shumica e shoqërisë merr modelet e saj të zhvillimit dhe të të dëgjuarit dhe kuptuarit të tjetrit.

Për shembull, një ditë në ekranin e Alsat TV, sekretaria për politikat arsimore pranë Partisë Socialiste (sigurisht e pajisur me master dhe jashtë shtetit) i bërtiste ish-ministrit të Arsimit ose zv.kryeministrit aktual, sikur ky i fundit të ishte një student i saj dhe jo përfaqësuesi i shumicës politike dhe një nga titullarët më të lartë të shtetit shqiptar.

Ndërkohë, një natë tjetër, një grup gazetarësh në emisionin “Opinion” në TV Klan i drejtoheshin ministrit aktual të Drejtësisë (në të vërtetë në moshë të re) sikur të ishin prokurorë dhe jo opinionistë që ishin aty parimisht për të bërë pyetje.

Këta opinionistë sigurisht të gjithë të diplomuar dhe të afirmuar në këtë profesion, nuk arrinin dot të kuptonin së kishin përballë ministrin e shtetit shqiptar dhe jo thjesht individin Alibeaj!

Ndërsa njëri nga 140 deputetët e Parlamentit tonë të nderuar, një ditë pas rreth tre vitesh “klandestine” në tempullin e demokracisë shqiptare, u shfaq në vëmendjen publike duke akuzuar kryetarin e partisë së tij dhe ish-ministrin e Shëndetësisë se kishte falsifikuar diplomën e tij.

Ky zotëri, i cili për hir të së vërtetës nuk është shfaqur më në vëmendjen publike, sigurisht që një fakt të tillë e ka ditur me kohë (nuk e marr absolutisht si të vërtet&eumlsmiley, por pa mëdyshje ka qëndruar nën hyqmin e kryetarit të tij derisa në një moment, për hir të një arsyeje që ai e di, u kërkoi instrumenteve të shtetit shqiptar dhe opinionit publik ta verifikonin një gjë të tillë.

Sipas mendimit tim modest, të gjithë këta protagonistë të jetës publike dhe politike me tituj shkencorë apo mastera, nuk e kanë fituar dot akoma diplomën e qytetarisë! Apriori besoj se ne nuk mund të ndërtojmë një demokraci eficiente të së drejtës nëse të gjithë këta individë nuk do të fillojnë të studiojnë rregullat bazë të qytetarisë dhe të përulen përpara punës dhe veprave, në vend që ta bëjnë një gjë të tillë vetëm përpara titujve formalë...

Ne fakt ceshtja e masterave (dhe mjaft ceshtje njerezore)lidhet me etiken dhe faktin se si trajtohet ajo ne realitet .

Njeanshmerisht besoj se "Demokracia eshte qendrimi perballe se vertetes". Dhe si komb-per shkak te mentalitetit "anadollak" kemi nje raport mjaft te keq me te verteten e ne kete kuptim edhe me demokracine.

Nuk i bejme balle te vertetes por gjejme metoda e mjete qe ta shmangim ate - shkurt "ta hedhim lumin" dhe kur na kapin mat justifikohemi nuk e dinim.

 

Subjektet "masterprodhuese" dhe qe nuk plotesojne kriteret ligjore per leshimin e nje titulli te tille- ndodhen ne pozitat e mashtrimit penal (shperdorim i besimit) duhen denoncuar ( dhe duhet qe te denohen) .

 

Megjithate ..... made in albania

 

 

Mire e ka qe e cek kete punen e diplomave, po na plasen me kto shkrimet copa copa pa lidhje fare nga nje paragraf te tjetri!

Eshte e vertete e hidhur se ne Shqiperi prodhohet e behet çdo gje, veç shkence nuk shohim. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).